SALI ÇEKAJ – HEROI EMBLEMATIK I KOSOVËS

0
Sali Çekaj - akademi përkujtimore

Moderatorja Fatbardha Nikçi, studente

IDRIZ ZEQIRAJ

Nëndega e LDK-së të Hessenit, me kryetar profesor Mustafë Lulaj, në bashkëpunim me Degën e LDK-së në Gjermani, me kryetar Osman Ferizin si dhe Shoqatat “Dardania”, me kryetar Hajdar Nitaj, në Wiesbaden; “Kosova”, me kryetar Ragip Prapashtica, në Aschafenburg;  dhe “Sali Çekaj”, me kryetar Argent Ferizi në Pfaffenhofen, Lidhja Shqiptare në Botë, (LSHB), dega në Gjermani, me kryetar Sebastian Nuiçi, mbajtën Akademi Përkujtimore për heroin emblematik të Kosovës, Sali Çekaj.

Themi emblematik, sepse veprimtaria e tij politike e atdhetare nismon në vitet ’80-a, për të vazhduar në vitet `90-a, me angazhimin e përgaditjes ushtarake, si guerilas dhe deri në rënien heroike, si ushtar, komisar dhe komandant markant në Luftën në Koshare, luftë që legjitimoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sali Çekaj ishte jurist i diplomuar, intelektual dhe veprimtar i dëshmuar i çështjes kombëtare, që nga nisma të karrierës politike. Si kuadër komunal në Deçan, ishte i pari në Kosovë, së bashku me shokë, që vuri në jetë Kushtetutën e parë të Kosovës post pluraliste, të aprovuar në Kuvendin e Kaçanikut, duke u bërë shembull guximi intelektual në tërë Kosovën. Akademitë Përkujtimore kushtuar Presidentit Rugova dhe Sali Çekaj, kanë veçantinë e pjesëmarrjes masive. Të dy ishin miq dhe bashkëpunëtorë të suksesshëm, të paktën, për një dekadë radhazi. Dhe, kjo është domëthënëse për heroin Çekaj.

Kryesia e Nëndegës të LDK-së, në Republikën e Hessen-it, Gjermani

Nëndega e LDK-së në Hessen ka një Kryesi të vyeshme dhe aktive, duke filluar që nga: Profesor Mustafë Lulaj-kryetar, Ragip Prapashtica-nënkryetar, Ramë Krasniqi-sekretar, Kadri Krasniqi, Sebastian  Nuiqi, Nikollë Ahmeti, Agim Aliçkaj, Agron Popaj Rashid Nikçi, Sanush Hylaj, Mentor Konjuhi – anëtarë. Andaj, si nikoqire e Akademisë, kishte bërë një përgaditje-pritëse të shkëlqyer.

Përkrah kësaj Kryesie, janë edhe një armatë e tërë veprimtarësh të Nëndegës, me ç`rast ne po përmendim vetëm disa syrësh: Mustafë Mavraj, Isuf Veseli, Qazim Ibriqi, Shaban Prekazi, Halim Arifaj, Imer Selmanaj, Andre Nuiqi, Gjokë Gojani, Rasim Berisha, Durak Ahmeti, Avdyl Elezi, Sami Boshnjaku, Miftar Dragidella, Avdyl Kelmendi, Raif Dërguti, Demë Kelmendi, Isë Zeneli, Kadri Zeqiri, Islam Dervishaj dhe të tjerë. Veprimtarët e hershëm të Mërgatës, me kontributet e tyre, ndër vite dhe dekada, kanë djegur etapat në ndërtimin e vendit dhe shkollimin e brezave në Atdhe. Dhe, vazhdojnë përkushtshmërisht e krenarisht, të përkujtojnë datimet historike, heronjtë e kombit dhe veprimtari të tjera kulturore e humanitare.

Në Landin, (Republikën) e Hessenit, është e organizuar “Lidhja Shqiptare në Botë”, (LSHB), dega në Gjermani, me kryetar profesorin e historisë, Sebastian Nuiçi. Gjithnjë në koordinim me Nëndegën e LDK-së në Hessen, Shoqatat vendore, kanë realizuar veprimtari të shumta dhe të shumëllojshme. Kujtojmë vetëm disa syrësh: Organizimi i përkujtimit të ngjarjes më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, 100-vjetorin e Pavarësisë të Shqipërisë, me pjesëmarrjen, veç të tjerëve, edhe të 51 Akademikëve, nga i gjithë etnikumi shqiptar dhe Mërgata shqiptare e përbotshme. Me të drejtë është vlerësuar si një sesion shkencor domëthënës historik.

Janë organizuar një serë promovimesh të librave, si “Kujtime nga jeta”, e Akademik Mark Krasniqit; libri për diplomacinë, të ambasadorit Astrit Zemaj; “Misioni rus”, të shkrimtarit të mirënjohur, Ibrahim Kadriut e deri ke përurimi i fundit të dy librave të duajenit të gazetarisë dhe shkrimtarit, Gani Mehmetaj, “Si e njoha unë Rugovën” dhe “Zogjtë e Qyqës”, roman, fitues i Çmimit “Kadare”, për vitin 2021, si dhe shumë veprimtari të tjera të llojeve të ndryshme.

Baca Seb, siç e thërrasim ne profesor Nuiçin, tashmë, të kaluar të 70-at, në organizimet politike, kulturore, humanitare, festive, LSHB, LDK, Shoqatat e këtueshme, si dhe Familja Nuiçi, përfshi vëllain Andrea, (pjesë e themelimit të Degës të LDK-së, në Gjermani, përkrah kryetarit Hafiz Gagica), me vajzat e djemtë shkollarë të tyre. Kryesia e Nëndegës të LDK-së vepron si një ansambël harmonik, së bashku me Shoqatat e cituara. Anëtari i Kryesisë të Nëndegës, dikur ushtar i zellshëm, orëve të para, i Kolonel Tahir Zemaj dhe Sali Çekaj, Agim Aliçkaj, njëherësh, sekretar i LSHB, dega në Gjermani, është gjithherë aktiv në ndihmë të kryetarit Nuiçi, koordinator në veprimtaritë e përbashkëta, LSHB-LDK.

Intonimi i hymneve kombëtare, hapi Akademinë Përkujtimore. Studentja moderatore e shpenguar, Fatbardha Nikçi, njëherësh, edhe këngëtare e talentuar, ftoi për ritin e heshtjes, në nderim të dëshmorëve të rënë, në përballjen me armikun pushtues. Është në traditën mikpritëse shqiptare, që mirëseardhjen mysafirëve të urojë i zoti i shtëpisë, ftojmë në skenë kryetarin e Nëndegës të LDK-së të Hessenit, profesor Mustafë Lulaj.

Kryetari Mustafë Lulaj, në emër të organizatorëve, përshëndeti Familjen e nderuar Çekaj, bashkëluftëtarët e Sali Çekaj, kolonel Anton Qunin, komandant Milazim Maraj, të ardhur enkas nga Kosova; pedagogun e Akademisë Ushtarake Shqiptare dhe eprorin e Ministrisë të Mbrojtjes Shqiptare, Ylli Mici, me bashkëshortën Luljetën, i cili ka përgaditur djemtë luftëtarë të Kosovës, në vitin 1991, në Surrel të Tiranës, përfshirë këtu komandantët e djeshëm dhe heronjtë e sotëm; Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhën, me shokë.

Kryetarin e LDK-së, dega në Gjermani, Osman Ferizin. Familjarët e dëshmorëve, të pranishëm në Akademi: Zemaj, Hajdaraj, Ukëhaxhaj Rrahmani, Zeqiraj, Demaj, Bruçaj, Maraj. Gjithashtu profesor Lulaj përshëndeti kryetaren e Degës të LDK-së, në Suedi, Qibrije Hoxha, kryetarët e Nëndegëve të LDK-së, në Gjermani, drejtorin e RTV “Fontana”, nga Istogu, Zeqir Mehmetaj, ish-luftëtarët, përfaqësuesit e Shoqatave, klubeve si dhe të gjithë të pranishmit në këtë Akademi Përkujtimore.

Nxënësi Valtrim Aliçkaj recitoi poezinë “Unë biri yt Kosovë” dhe Rajana Shabani, “Poezi për UÇK-në”.

Nga e majta, në radhën e parë: Milazim Maraj, Qibrije Hoxha, Luljeta Mici, Ylli Mici, Anton Quni, Osman Ferizi, Mustafë Lulaj, Smajl Çekaj, Hysen Çekaj, Hyle Çekaj

Moderatorja Fatbardha Nikçi, fton në foltore kryetarin e Degës të LDK-së, për Gjermani, Osman Ferizin, shokun e armëve të Heroit Sali Çekaj, për të folur për jetën dhe veprën e tij madhore:

“Atdheu ynë është i rrethuar nga armiqtë, që arritën të na copëtonin, asimilonin, më vrasje masive, makabre dhe gjenocide, veçanërisht nga serbët e malazezët, në njërën anë, dhe në anën tjetër, nga grekët, por jo pak edhe nga bullgarët.

Sali Çekaj, ishte si një hero që vjen nga lashtësia, dhe na kujton se kush ishim ne, ashtu si edhe në Mesjetë, kur një Europë e tërë, thuaj se, varej nga ne, nga lufta e kryetrimit Skënderbe. Ai kthehet nga Gjermania, dhe bashkë me Agimin, hartojnë strategjinë për rikthimin e lavdisë së dikurshme, duke e mundur dhe madje poshtëruar armatën e një shteti, që konsiderohej më parë, në mesin e ushtrive më të fuqishme europiane.

Thirrjet për luftë të Sali Çekajt, veçanërisht ato para vullnetarëve, që do t’i bashkoheshin UÇK-së, ishin aq të zjarrta, aq mbresëlënëse, sa të kujtonin sikur mbanin jehonën e fjalimit të famshëm të Skënderbeut, të sjellur nga historianët e kohës, që buçitnin zemrat për liri dhe atdhedashuri. Ishin njerëzit si Salihu, që i dhanë kuptim luftës dhe që u bënë krah i fuqishëm, i përpjekjeve, për t’i dhënë fund vrasjeve të tmerrshme, që kryente shteti serb, persekutimit të gjatë dhe fundit të asaj epoke.

Në këtë akademi kushtuar heroit Sali Çekaj -VETERANIT, do të ndalemi shkurt në disa momente historike që i dhanë kahje dhe orientim kauzës sonë kombëtare e që lidhen me emrin e heroit.

Ngjarjet e viteve 1989-90, rënia e Murit të Berlinit, ndryshimet e sistemit politik në Evropën Juglindore, protestat e demonstratat e studentëve, minatorëve, punëtorëve kundër presionit sistematik të regjimit kriminal të Serbisë, dalja legale e një subjekti politik, në mbështetje dhe institucionalizim të kërkesave popullore për LIRI- DEMOKRACI- PAVARËSI, e quajtur LDK-ja, që udhëhiqej nga elita intelektuale e atdhetare e Dardanisë, në krye me Presidentin Dr. I. Rugovën, masovizimi i saj biblik, si një lëvizje gjithëpopullore, e paparë në asnjë periudhë, ishte një kthesë historike, pikërisht, edhe për faktin e orientimit properëndimor dhe proamerikan.

Në këtë valë ndryshimesh, Sali Çekaj me shokë, si patriot e institucionalist, hartojnë statutin komunal të Deçanit, në harmoni me Kushtetutën e Kaçanikut me akte ligjore.

Sali Çekaj në tetor të vitit 1991, në bazë të një marrëveshje të pashkruar të institucioneve të Shtetit të Kosovës, të autorizuar nga Presidenti Rugova dhe aprovim nga presidenti komunist Shqiptar, Ramiz Alia, hapet një pikë trajnimi në Malin e Dajtit (Surrel), në muajin tetor ku MMRSH-ja e ngarkon ish Ministrin e Mbrojtjes z. Perikli Teta, që ai të krijojë kushte, në një sekret të plotë, për të rinjtë që do të vinin nga viset shqiptare të okupuara nën Jugosllavi dhe Mërgata.

Në tetor 1991, në Surrel, zbret grupi i parë në përbërje: Sali Çekaj, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Zymer Lulaj, Xhevat Qerimi, Anton Gjini… 53-veta, sjellja, mbështetja logjistike, financiare, koordinimi është bërë nga dy degët e LDK-së, përkatësisht, në Gjermani dhe Zvicër, në koordinim po ashtu me Zyrën e Republikës së Kosovës në Tiranë, që udhëhiqej nga Prof. Dr. Ali Aliu. Pas përfundimit të stërvitjeve një mujore dhe kthimit të grupit të parë, në muajin tetor, vjen grupi i dytë prej 55-vetash, në përbërje kishte edhe Adem Jasharin, Ilaz Kodrën, Nazmi Bajramin, Shkëlzen Gjonajn,…

Me të përfunduar ushtrimet, në fund të nëntorit 1991, vjen Sali Çekaj, si më i vendosuri dhe më i guximshmi, për t`u vënë në ballë të grupit, për t’u përgatitur për kalimin e kufirit ndërshqiptar, të ndarë dhunshëm mes shqiptarëve. Kështu që më 02.12.1991, së bashku 33-veta, në krye me Sali Çekajn, e bëjnë kalimin e kufirit në Rrasë të Kosharës – Voksh- Pobërgjë dhe sjellin 74-automatikë, për zonat e Dukagjinit, Drenicës, Llapit e Iliridës.

Andaj dhe sot pas 32-viteve, shprehim falënderimin për atë gatishmëri të shtetit shqiptar, po ashtu të stafit të eprorëve elitë, të dalë nga Akademia Ushtarake Shqiptare, në krye me Qani Abazin, Sinan Danon, Kastriot Hoxhën, Hysen Imerin, Ylli Micin, Eduard Abazin, Agron Dhimarkon, Artan Gjikajn, të cilët e kanë kryer një obligim dhe borxh ndaj popullit të vet.

Është e pamundur të përmblidhet gjithë ajo veprimtari, në një fjalë të shkurtër, hyrja e grupit të dytë, shpërndarja e armatimeve, formimi i grupeve guerile: në zonën e Dukagjinit – në krye me Sali Çekajn; në Drenicë në krye me Hamëz e Adem Jasharin; në Llap me Zahir Pajazitin; në Ferizaj me Ahmet Hoxhën.

Ishte një moment tepër i guximshëm për kohën, kur ende askush nuk kishte bërë asnjëlloj organizimi për luftë të armatosur, as projekte, ndërkohë që Dr. Rugova e kishte shpallur Kosovën Shtet të Pavarur, me referendumin e mbajtur (1991). Ky organizim, i pari ushtarak, dhe me stërvitje ushtarake, mund të konsiderohen bazat apo kurrizi i Ushtrisë së ardhshme të Kosovës, i cili ishte bërë me marrëveshje politike me krerët e shtetit shqiptar, dhe në koordinim dhe mbështetje të plotë nga kryetari i LDK-së, asokohe, dhe më pas Presidenti i Kosovës. Dhe, më vonë, Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, (FARK), Dr. Ibrahim Rugova.

Këto grupe nuk heshtën, përkundrazi, hyrja e tyre në Kosovë, organizimi i tyre u pasua edhe me veprime konkrete, me aksione kundër forcave policore serbe. Ato aksione i demantojnë dhe i nxjerrin zbuluar, akuzat e rënda, hileqare të së majtës, se “Shteti paralel”, Rugova dhe LDK-ja, ishin pacifistë dhe ndiqnin një politikë të dështuar!?” Edhe pas luftës është dëshmuar, nga shumë autorë serioz dhe dëshmitar të organizimit të rezistencës së armatosur, se terreni dhe fushëbetejat ishin pjesë e filozofisë politike të -Shtetit paralel- dhe vet Presidentit Rugova.

Pra, Ai ishte në mbështetje të plotë të rezistencës së armatosur, ndërsa Sali Çekaj ishte figura, protagonisti më autentik i kësaj lëvizje, që kishte për qëllim konfrontimin ushtarak. Por, gjithmonë në frymën dhe kontrollin institucional, duke respektuar Kushtetutën e Republikës të Kosovës.

Ky organizim e nxjerr lakuriq propagandën e egër të së majtës kundër -Institucioneve paralele-, të Republikës sonë të parë, suksesit të saj të përbotshëm. Ishte, pikërisht, e majta ekstreme, e tufëzuar në LPK, e cila mundohej ta rrënonte Republikën, eksponentët e së cilës sot po akuzohen në Hagë, për vrasjen e kundërshtarëve politikë, përfaqësuesve dhe udhëheqësve të institucioneve të Republikës, mbështetësve të LDK-së dhe të Presidentit Rugova.

Sali Çekaj krahas veprimtarisë guerile, 1991-1998, veproi fuqishëm dhe luajti rol të madh në masovizimin, vetëdijesimin dhe shtrirjen e LDK-së në Gjermani dhe Mërgatë, ishte njeri i terrenit, nuk ka nëndegë e aktiv që nuk e ka vizituar. Po ashtu ishte pjesë e administrimit të Zyrës së LDK-së në Stuttgart, e cila ishte adresë politike dhe njëlloj ambasade për informimin, komunikimin me Europën Perëndimore, organizimin e protestave, kontaktet me shtetin gjerman, në koordinim të plotë me udhëheqjen shtetërore në Prishtinë.

Sali Çekaj pas ngjarjeve në Prekaz dhe rënies së Adem Jasharit, të gjithë potencialin e tij dhe grupin gueril të Dukagjinit, e pat vënë në dispozicion të ministrit të Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqit, ku u angazhuam: Rrustem Bruqi, Zenun Idrizaj, Saim Tahiraj, Osman Ferizi, Ismet Çekaj etj., në mbështetje logjistike, hyrje në Kosovë, themelimin e bazave të armatosjes (Tropojë, Viqidol në shkollë) dhe më vonë në bazat tjera. Më 22 qershor 1998 formohen edhe 3-brigadat e para në krye me Kolonel Tahir Zemaj (134, 131 dhe 133), më 22 oficerë.

Emri dhe vepra e Sali Çekajt nuk kanë nevojë të glorifikohen, mjafton të thuhet vetëm e vërteta për të, veprimtaria e tij është unikale. Asnjë figurë tjetër nuk e ka jetëgjatësinë politike e luftarake sa të tij, asnjë nuk arriti t’i ofroj aq shumë vendit të tij sa Salihu.

Emri dhe vepra e tij çdo vit po lartësohen dhe çmohen, madje edhe nga kundërshtarët politikë.

Ai me shokë e bashkëluftëtarë na lanë LIRINË, vendin tonë të bashkuar me grykën e pushkës dhe forcën e NATO-paktit vendimtar. As LDK-ja, për të cilën bëri shumë dhe as shteti, për të cilin u flijua, nuk ia dhanë vendin e merituar. Heroi ynë i madh, Sali Çekaj, e ka vendin në kryeqytetet, në Prishtinë e Tiranë, së bashku me Hamëz e Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Ahmet Hoxhën. Këta janë themeli dhe bashkimi shpirtëror e fizik i shqiptarëve. Mjaft u përfitua në emër të tyre! Ata janë vet historia.

Moderatorja Nikçi, fton në skenë, heroin e mbijetuar të Kosharës zëmadhe, nënkryetarin e LDK-së, deputetin, Kolonel Anton Qunin, për të folur për bashkëluftëtarin Sali Çekaj:

“Sot, me respekt të veçantë, po e nderojmë dhe kujtojmë jetën dhe veprën e heroit të Kosovës Sali Çekaj – Veterani. Njeriun i cili me tërë qenien ju përkushtua lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, deri në flijimin e tij.

Do të duhej një armatë e tërë e dijetarëve të drejtësisë, sociologjisë, historisë, psikologjisë, artit, kulturës, ushtrisë etj., që, sadopak, do të mund ta përkufizonin personalitetin e Veteranit dhe rolin e tij për çlirimin e Kosovës. Deri sa shkenca të thotë fjalën e vet, unë jam i prirë të besoj se Veterani ishte dhuratë nga Zoti, për pjesën e okupuar të shqiptarëve.

Të gjithë ne që e kemi njohur nga afër dhe kemi kaluar një rrugë krahas Veteranit, kur do të vendosën copëzat e mozaikut në vendin e vet, do të mundemi të krijojmë një pamje të qartë të figurës së Sali Çekajt.

I kam të mësuara për edukimin e tij tradicional brenda familjes, shoqërisë, institucioneve shkollore etj. Pastaj angazhimet e tij si student, jurist i ri dhe aktivist i dalluar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e udhëhequr nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Po ashtu, tanimë janë të njohura përgjegjësitë e para ushtarake të Veteranit, në përgatitjet e gjeneratave të para në fillimin e viteve ’90-a, në mesin e të cilëve ishin heronjtë Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti, dhe shumë angazhime, deri në hyrjen e ushtarakëve dhe brigadave te udhëhequra nga kolonel Tahir Zemaj, me 21 qershor 1998, në mesin e të cilëve ishte edhe Sali Çekaj.

Unë, shoqërinë me Sali Çekajn e nisa në fillim të shtatorit ’98, në Qendrën Stervitore Ushtarake, (QSU), në Papaj të Tropojës. Të kaluarën e tij e mësova nga Zenun Idrizi. Nga ai moment, ishim të pandashëm në të gjitha angazhimet e ngritjeve të plota të kapaciteteve ushtarake, planizimeve për aksione dhe operacione e veprimet luftarake, deri në ditën e rënies së tij, më 19 prill 1999.

Çdo orë e kaluar me Veteranin ishte orë mësimi, çdo ditë ishte përvojë e re dhe e tërë koha e kaluar së bashku ishte mësim jetësor. Shoqëria me të na bëri që ta peshojmë fjalën më shumë, të jemi më racional dhe të përmbajtur nga emocionet, më të guximshëm në vendime e veprime dhe më të motivuar. 

Në netët pa gjumë, i etur dhe i uritur, në gjirin e Alpeve Shqiptare, i rrahur nga shiu, bora dhe stuhitë, nën breshërinë e automatikëve dhe detonimet e artilerisë, Salihu më kujtonte heronjtë e eposit të kreshnikëve, të cilëve në krah u qëndronin zanat, për t’i drejtuar në mjegull e errësirë. Aq më i vendosur ishte, se me jetë do të mbronte vendin ku gjaku i Agim Ramadanit ende ishte i njomë.

Sali Çekaj arriti nga asgjëja të ngritë një njësi të UÇK-së, më të fuqishmen në historinë moderne dhe asaj t’i prijë në fitore, deri në ditën kur ai vet kaloi në përjetësi.

Jeta dhe vepra e tij janë një mësim se si duhet atdheu, se si mbrohet nderi, se si mbahet fjala, si fitohen betejat dhe si ndërtohet besimi në vetveten, në shokun e luftës dhe në Zot”, – tha, në mes tjerash, heroi i gjallë i luftës në Koshare, – Kolonel Anton Quni.

Prezantimi i folësit të radhës, për moderatorën, Fatbardha Nikçi, është paksa më emocionues. Eprori i lartë ushtarak, Kolonel Ylli Mici, vjen nga bota Akademike Ushtrake Shqiptare. Ai ka ushtruar profesionalisht djemtë ushtarë të trevave të jashtë Shqipërisë londineze dhe Diaspora shqiptare. Kujtimet e tij për heroin Sali Çekaj janë në vetën e parë:

“Të nderuar pjesëmarrës në Akademinë Përkujtimore, me rastin e 24 vjetorit të rënies heroike në fushën e betejës të intelektualit, komandantit dhe prijësit të grupeve të para guerile, heroit Sali Çekaj.

Jam këtu si përfaqësues i grupit të ushtarakëve të Shqipërise, që në muajt tetor-nëntor të vitit 1991, në Tiranë, u stervitën dhe u përgatiten për luftë 106 të rinj vullnetarë nga Kosova, Maqedonia dhe Mërgata. Fillimisht, dua të falenderoj organizatorët e kësaj Akademie dhe, në vecanti, zotin Osman Ferizi dhe zotin Mustafa Lulaj, që me ftesën e tyre na dhanë mundësinë që të kujtojmë dhe nderojmë së bashku këtë figurë patriotike, me përmasa të jashtëzakonshme, që gjithë jetën e tij punoi dhe luftoi për lirinë e Kosovës.

E kam njohur heroin Sali Cekaj në tetor të vitit 1991, në stervitjet ushtarake që zhvilluam së bashku në Shqiperi. Ishte koha kur në Kosovë, pas një periudhe të gjatë të represionit të egër serb, në vitet ´90-a, me ndryshimet dhe zhvillimet e vrullshme te situatës politike dhe ushtarake në Ballkan, strukturat politike të kohës në Kosovë, morën vendimin, që në marrëveshje me shtetin shqiptar, të fillonin stervitjet ushtarake me të rinj vullnetarë, për t’i paraprirë vetëmbrojtjes dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia.

Ideja për organizimin dhe zhvillimin e kësaj veprimtarie ushtarake, në vitin 1991 në Tiranë, ishte shumë e guximshme, por edhe e rrezikshme, për situatën e turbulltë politike në Ballkan, që mund të krijonte incidente diplomatike të paparashikuara, deri në konflikt të armatosur. Por, duke marrë parasysh rëndësinë dhe domosdoshmërinë që kishte kjo përgatitje, për Kosovën dhe të ardhmen e saj, vendimmarrja politike për realizimin e këtyre stervitjeve ushtarake, u bë me miratimin e linjes më të lartë ushtarake të shtetit shqiptar.

Qeveria shqiptare e asaj kohe, vuri në dispozicion të kësaj veprimtarie, gjithcka që ajo të kryhej me sukses. Realizimi i saj pati efekt pozitiv, në aftësimin për luftë të pjesëmarrësve, për t’u përballur me realitetin luftarak, që po trokiste në Kosovë.

Sali Cekaj ishte pjesëtar i grupit të parë të vullnetarëve dhe u stervit rregullisht gjatë muajit tetor, për njohjen dhe përdorimin e të gjitha armëve të këmbësorisë, që kishte ushtria shqiptare.

Gjatë punës me ta, me ra në sy tek Saliu, që ditët e para të stervitjes, serioziteti, përkushtimi, korrektësia, urtësia, sjellja, marrëdhënia me shokët dhe eprorët. Dhe, me kalimin e ditëve, kuptova që ai nuk ishte thjesht një vullnetar, por njëri ndër organizatorët e kësaj veprimtarie ushtarake.

Në këtë përkujtimore të rënies së Heroit Sali Cekaj, dua të përmend kontributin e veçantë të tij, për kalimin në Kosovë të 33 vullnetarëve të armatosur të grupit të dytë.

Grupi i dytë i vullnetarëve u stervit në muajin nëntor 1991. Në javën e fundit të stervitjës së grupit të dytë, Saliu erdhi përsëri në Surrel, këtë rradhë jo për t’u stervitur, por për të paisur me armatim luftarak grupin prej 33 luftëtarësh, që shprehen gatishmërinë për të hyrë në Kosovë të armatosur.

Edhe për këtë situatë të re, shteti shqiptar dha ndihmesën e duhur, dhe në datën 2 dhjetor 1991 grupi prej 33 luftëtarësh të armatosur, nën drejtimin e Sali Cekaj dhe Adem Jasharit, hynë në Kosovë të armatosur për të vazhduar veprimtarinë e tij  patriotike.

Sali Çekaj mori pjesë direkt në luftë. Ai ra heroikisht në fushë-betejë në Koshare, më 19 prill 1999. Pas luftës u shpall Hero i Kosovës. Jam shumë i nderuar që isha një ndër ushtarakët shqiptarë, që m´u dha mundësia që të stervit dhe të njoh nga afër Sali Çekaj. Ruaj kujtimet më të mira dhe kujtoj me shumë respekt këtë njeri të jashtëzakonshëm, që gjithë jetën luftoi dhe dha jetën për lirinë e Kosovës.

I përjetshëm kujtimi për heronjtë dhe dëshmorët e Kosovës”, – përmbylli fjalën e tij përmbajtësore, pedagogu dhe eprori ushtarak, Kolonel Ylli Mici.

Moderatorja Nikçi tha se organizatorët e Akademisë Përkujtimore kushtuar heroit Sali Çekaj, në treshën e të ftuarëve,  përzgjodhën edhe komandantin Milazim Maraj, si bashkëpunëtor i Saliut në Kosovë, në Gjermani dhe bashkëluftëtar në Koshare. Nga fjala e tij, veçuam disa kujtime. Përndryshe, së fundi, ai ka botuar librin voluminoz “Koshare emër i lakuar”.

“Për Salihun kemi shumë kujtime, unë sot nxora një kujtim të veçantë:

Ishte viti 1994 ishim në Tiranë, në Përfaqësinë e Kosovës. Salihu, bashkë me shokët e tij kishte sjellë nga Zvicra, në Shqipëri, një sasi armatimi dhe pajisjeje lufte. Tek po ktheheshin, kombibusin e mbushën me material propagandistik për Kosovën, të përgaditur nga QIK-u dhe Instituti i Historisë. Në të hyrë në Zvicër, policia zvicerane e arreston Sali Çekajn, për shkak që nuk kishte dokumentacion udhëtimi të rregulluar.

Hafiz Gagica lajmëroi nga zyra e LDK-së, në Stutgart, Gjermani, në Përfaqësinë e Kosovës në Tiranë, tek shefi i Zyrës, z. Anton Kolaj. Kërkuam nga kabineti i presidentit Sali Berisha, që ta përdorë ndikimin e tij, që Sali Çekaj të mos kthehet në Beograd. Situata ishte serioze. Ambasada jugosllave po bënte presion, që Salihu të ekstradohej në Beograd, ngase për të ishte lëshuar fletë arrest. Pas një ore, u njoftuam që do të na pranojë Ambasada e Zvicrës dhe se me ne do të vijë personalisht kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, z. Pjetër Arbnori.

Pritja nga ambasadori ishte shumë e ngrohtë dhe miqësore. Ambasadori, pasi që telefonoi në Zvicër, nga një zyrë tjetër, u kthye në zyrën ku ishim, me një buzëqeshje dhe iu drejtua kryetarit Arbnori me këto fjalë: “Z. Kryetar, miku i juaj nesër do të kthehet në Tiranë’’. Na gëzoi, ishte një fitore për ne. Të nesërmen, Salihu zbriti në Aeroportin e Rinasit. Kishte ulur kokën dhe dukej mjaft i mërzitur. Ngrite kokën o burrë, i thashë, ëndërr e kemi pas me ardhë në Shqipëri. Po, po, tha ai. U përshëndetëm dhe u nisëm nga Aeroporti për Tiranë bashkë. Biseduam gjatë rrugës për atë që kishte ndodhur dhe për gjendjen tonë në Tiranë. Në hyrje sa e kaluam udhëkryqin Zogu i Zi, një gurë erdhi nga një i ri dhe ra në xhamin e parë të veturës, xhami u thye, por nuk u thërrmua dhe vazhduam rrugën.

Toleranca funksionale e Salihut ishte një dhunti tjetër e personalitetit të tij. Ai reagonte i matur. Nuk demoralizohej edhe kur punët nuk shkonin mirë, edhe kur pengesat vinin nga ata që ne pritnim përkrahje dhe këto ishin të paarsyeshme, edhe kur kërkonim municion të kalibrave të ndryshëm, por pranonim bomba dore. Edhe kur buka e gojës na mungonte, ai heshte, ose me një zë të ulët, thoshte: “ Kushte lufte janë këto”.

Në GO-3 komandant për moral ishte Sali Çekaj-Veterani.

Veterani kishte ngritur në nivel të lartë, moralin luftarak tek ushtarët. Besimi në komandantët e tyre, në shokët e luftës, në armët që mbanin dhe kishte forcuar motivin për liri. Përgatitjet për luftë frontale dhe format e tjera të luftës kishin arritur kulmin. Pritej vetëm komanda për sulm, për ta hequr kufirin në mes të shqiptarëve. Ditën “D” ushtarët e pritën me entuziazëm…”, – rrëfeu, veç tjerash, komandanti Milazim Maraj.

Organizatorëve të Akademisë u kanë ardhur telegrame përshëndetëse nga Shoqata, klube, subjekte politike nga Mergata, Kosova, Mali i Zi, përkatësisht, Lidhja Demokratike, me kryetar Nikollë Camaj e tjerë. Po sjellim një fragment nga telegrami i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha:

“Liria ka emër. Dhe në këtë përvjetor, ajo ka më shumë se kurrë emrin e heroit Sali Çekajt. Patriot, komandant, politikan e intelektual, Sali Çekaj është dëshmia më e plotë e vlerave dhe legjitimiteti të padiskutueshëm të luftës së Kosovës, për liri e dinjitet kombëtar.

Një prej udhëheqësve të parë të LDK-së, Sali Çekaj mishëron idealet më të larta, ambicien më të pastër të një kombi, për të ndërtuar një të ardhme të lirë nga persekutimi, diskriminimi e shtypja. Një e ardhme shqiptare demokratike, euroatlantike për Kosovën, në respekt të çdokujt, të çdo besimi e çdo kombësie. Kjo ishte ëndrra dhe beteja e tij. Ishte projekti i çdo bashkëkombasi, të cilët vendosën jetën e tyre në shërbim të ardhmërisë e pavarësisë të Kosovës”.

Në ekran u shfaq një Film Dokumentar, kushtuar jetës dhe veprës të heroit Sali Çekaj, i cili u përcollë me emocione, deri në lot, nga të pranishmit numerikë në Akademinë  në fjalë.

Organizatorët ndanë mirënjohje, për kontribuesin e luftës, Kolonel Ylli Micit, të cilën ia dorëzoi

veprimtari i hershëm i çështjes kombëtare, bashkëpunëtori i Sali Çekaj, profesor Emrush Lokaj.

Grupi argëtues “Pishat”, me solistët e talentuar Veton Mushkolaj dhe Bujar Osaj, kënduar këngë, kushtuar heroit Sali Çekaj.

Nikoqiri i ketij organizimi, kryetari i Nëndegës të LDK-së, profesor Mustafë Lulaj, me ekipin e tij,  shtruan drekë për mysafirët.

Të gjithë rrjedhën e Akademisë Përkujtimore, e përcolli, me përkushtim e profesionalizëm, me kamerë ekipi i RTV “Fontana”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.