“Bumerang”, kjo lojë e të voglit dhe e të madhit njeri

0
Betim Muço - Natasha Lako

Foto: Betim Muço – Natasha Lako

Natasha Lako

Unë do të doja të isha një milingonë,
Për të parë sa i madh është njeriu

Betim Muço

Nëpërmjet ca poezive të vogla të vëllimit “Bumerang”, koha, kjo monarke e madhe, sikur vë në shënjestër qytetërimin ku njeriu jeton në dhjetra copëzime poetike, si makineri të botës, të cilat nisen te lexuesi për t’u kthyer prapë te një emër që tregon një vendosmëri të madhe personalizimi: te poeti Betim Muço.

Dhe kësisoj poeti Betim Muço hyn në radhën e poetëve që edhe vetë nuk dëshirojnë të identifikohen në një rresht me të tjerët, por megjithatë kërkojnë një bashkësi më të madhe, ku të vërtetat e përgjithshme bëhen gjithnjë më personale me plot përplasje të fshehta , të cilat fillojnë të shfaqen, në sajë të njeriut nga janë nisur. Kjo lloj poezie vë në lëvizje një përvojë njerëzore që krijon distanca më të mëdha të autorit me veten sesa të autorit me lexuesin e tij. Dhe kjo i bën vargjet të jetojnë në një sinqeritet të drejtpërdrejtë.

Dhe mjafton një vëllim poetik si “Bumerang” të mendosh se asnjë autor serioz nuk vjen rastësisht, veçanërisht kur nga ndjesitë e drejtpërdrejta të sejcilit vjen edhe përgjigja poetike e një mendimi që nderet porsi re. Dhe kjo është pwrshtypja e parë, që përftohet nga ky vëllim.

Mendimi i dytë që më vjen ndërmend nga takimi me këtë libër të Betim Muços është se asnjë autor serioz nuk vjen rastësisht. Dhe materia e tij artistike në kahjen e udhëtimit krijohet në “Bumerang” nga ndjesia e drejtpërdrejtë te përgjigja e mendimit. Dhe kështu Betim Muço hyn në rrjedhat e poezisë së përgjigjeve që njeriu kërkon në cdo hap.

Luigj Gurakuqi, financier dhe studiues i shqipes, ishte i pari që në vitin 1906 botoi një broshurë të vogël kritike për veprat e pakta të letërsisë shqipe që ishin krijuar deri atëherë, por që ndikuan në shtrimin e të giithë terrenit kombëtar. Vetëm një vit përpara këtij pamfleti të parë të kritikës, në vitin 1905, Ajnshtajni kishte hyrë në vitin e tij të mrekullirave, duke botuar katër a pesë pamflete të ndryshme mbi relativitetin, që së bashku me botimet e Frojdit e shtyjnë perceptimin jetësor drejt koncepteve moderne, nëpërmjet burimeve të fshehta.

Që nga koha e Luigj Gurakuqit deri më sot, proçesi letrar i poezisë shqipe ka hyrë e ka dalë nëpër katakombe të ndryshme, në një rrugë të vazhdueshme të çlirimit të vetes për t’u gjendur në periudhën ku jeton, aq sa për të arritur te poezia e Bumerangut edhe një poet si Betim Muço mund ta përfytyrojmë duke shtyrë si vagona minatori, poezitë e poetëve kontemporanë që ka përkthyer.

Betim Muço dhe brezi i tij, i takojnë gjeneratës kur Dali përpiqej të takohej dhe të bisedonte me Frojdin, një kohë që mbetet larg. Vjen periudha që nuk mund të flitej as për Frojdin as për Dalinë, derisa arrin një periudhë tjetër sa edhe më të shumta bëhen bisedat me veten, si për të mbyllur brenda njeriut një kohë të tërë. Dhe poezia e Betim Muços është ajo e alteregos së tij, e udhëtimit të tij jashtë vetes nëpërmjet një gjuhe më të përditëshme, që kthehet në metaforën e hapur, me të gjithë referencat që si asnjëherë tjetër fillojnë të pohojnë veten, këtë tjetër, madhështor, e të zakonshëm në përballje me dinjitetin e tij Dhe kjo krijon një mëvetësi dramatike.

A munden që këto reflekse përvoje të nisen për diku me kusht për t’u kthyer te vetja si në një pasqyrë apo çfarë dimensione i japin ato reflekse njeriut? Të gjitha këto nuk mund të japin një pamje përfundimtare, por ato ndërtojnë nëpër vargje një udhëtim, të vazhdueshëm që furnizon një personaliteti.

Të përballosh drejtpërdrejt epokën ku jeton kthehet në misionin e poezoisë së Betim Muços. Përfaqësues dhe konfrontues, i dashuruar dhe ndëshkues me poezinë e tij për njeriun e sotëm, ai ndoshta në këtë mënyrë i ngjan një toreadori me pëlhurën e kuqe të poezisë.

Të shprehësh veten tënde plotësisht dhe pa asnjë ekuivok është një nga burrëritë më të mëdha të kësaj bote moderne dhe postmoderne, ku edhe teknologjia e sotme – siç e kanë pohuar të tjerët më parë dhe jo unë, është një vazhdim i taktikave të kalit të Trojës të Odisesë, këtij shpikësi të madh të qytetërimit të sotëm.

Një kapacitet i veçantë jetësor dhe një autenticitet i plotë jetë i shprehur te “Bumerangu” e bën këtë libër shpalosës të një ndërgjegjeje njerëzore që ka lindur në terrenin shqiptar të kapërcimit të shekullit XX, ku çdo njeri po pasuron me një botë të veçantë.

Bumerang është libri mbi dhimbjet, deziluzioniet, ankthet, vrojtimet, përvojën, dashuritë dhe mungesat e një njeriu që jeton në një kohë të caktuar dhe në një çast të caktuar, pa pasur frikë të përplaset me këto të vërteta të vetes dhe të shoqërisë së tij. Dhe si nga autorët e rrallë shqiptare, që vjen nga bota e shkencës, posaçërisht ajo e studimit të tokës, një fjalë ndoshta që nuk haset shpesh në fjalorin e librit, Betim Muçon mund ta quajmë një nga poetët me tokësorë të letërsisë së sotme poetike.

Mundet që fjalën tokësor ta zëvëndësojmë me fjalën bazament, nga ai ku qëndrojmë të sigurt, paçka se poshtë nesh lëvizin shtresa të ndyshme të tokës. Ky bazament është së pari letërsia e krijuar prej tij për disa dekada, nëpërmjet një botë vetjake që Betim Muço di ta zotërojë pa bërë manipulime tradicionale.

Baba, Dashnor, Mik, Shok, Trup, Fabrikë e vogël ushqimi, Udhëtar, Një antivete në pasqyrën e hapësirës, që “gjithçka e bën të kundërt me mua”, një njeri i plotë që derdh ujët e hollë në kanalet e ujërave të zeza, në Savanah të shtetit Xhorxhia.

Kjo është bota e njeriut të sotëm që jeton njëkohësisht në Tiranë a në Paris, në Marilend apo në Teksas. Autoportretet ku le gjurmë ajo botë që i ka dalë përpara, përfaqësues i një kohe që lind kohë të tjera edhe më të largëta, siç thotë vetë ai, që nuk i kërkon tjetër njeriut përveçse të jetojë së bashku me hapësira më të mëdha.

Dhe sikur të ketë lindur në këtë vijë horizonti, krijimtaria e Betim Muços bëhet edhe më burrërore, si një krijimtari e individualizimit, e perspektivës dhe jo e retrospektivës. Por para se ta mbrosh duhet ta fitosh veten.

Në një nga poezitë e vëllimit Bumerang Betim Muço thotë: A do ta mësojnë njerëzit dot vallë zanatin e thjeshtë të të rrojturit? As pakënaqësi, as ankesë, as revoltë, as mister, nuk shprehet në këtë varg. Thjesht një bashkëbisedim. Por edhe ky bashkëbisedim i hapur shumëfishohet gjithnjë e më tepër sepse, siç thotë dhe vetë autori, “ne fluturojmë në nivele të ndryshme, miku im.”

Dhe pikërisht është ky truall i begatë prej të cilit Betim Muço e ka kapërcyer prej kohësh përmasën rurale-zakonore-gati mortore apo teknikat e konsumuara, apo partiturat ku vijnë për të luajtur të gjithë. Poezia e tij sjell të korrat e qytetërimit shqiptar që kërkon të tregojë frutet e veta, deziluzionet, mundësinë dhe njëkohësisht pamundësinë e njeriut, ballafaqimin me të gjitha erërat dhe magjitë, por gjithsesi vendosjen e tij të palëkundur dhe drejtpeshimin e tij të kërkuar në tash e sa e sa sekonda dhe shekuj. Dhe poeti ka nevojë të bisedojë edhe me një ketër për raportet që ka krijuar njeriu me njeriun. Dhe ketri i Betim Muços i kthehet atij:

Kjo nuk është gjë më tha,
Ta dish ti se ç’heqim ne me tanët.

Nuk mund të kishte bumerange të tilla poezia e mrekullueshme e Lasgush Poradecit, që e kapërcen kohën e vet. Betim Muço dëshiron të rrijë në kohën e tij, me atë autenticitet të përkohshmërisë migjeniane, e cila respekton realizmin gërryes pavarësisht traditave të ekspresionizmit europian të shartuar me dritërat e fushëzave shqiptare dhe pavarësisht kryqëzimeve me superstradat e sotme poetike. Vetëm diçka mbetet e përbashkët për të gjithë. Ajo shpalosja e plotë e personalitetit të njeriut që poezia e lind jo thjesht duke e pohuar, por duke kthyer drejt vetes të gjithë përjetimet e largëta.

Duke qenë një poezi kaq e lirë dhe e drejtpërdrejtë e lidhur me përjetime, kthjelltësia mbetet tipari i parë i poezisë kaq të natyrshme të Betim Muços, pasi mendimi ka kohë që është shburgosur, në sajë të pozicionimit të tij të qartë. Deri te lumturia që ironikisht dhe figurativisht njeriu fiton kur nuk ka mundësi që edhe elefanti t’i lëshojë glasa mbi kokë.

Kjo është një mundësi e re përballjeje, e cila në vëllimin Bumerang shpallet në poezinë Metafora gënjeshtare ku poeti thotë:

Mos i beso metaforat e dashur,
ato të gjitha gënjejnë.

Nuk janë metaforat, por të vërtetat e njeriut që ndërthurren njera me tjetrën dhe krijojnë poezinë.

Rrufenë e bën reja dhe mali
stuhinë toka dhe qielli,
luftën dy njerëz armiq,
…………………………….
Dashurinë e bëjmë ne të dy
Dhe poezinë ah poezinë,
Vetëm unë i vetëm,
Si zoti që bën botën.

Përdorimi i gjuhës së thjeshtë, e folura e përditëshme, adresime të gjithkujt dhe të fateve të lidhura me njëri-tjetrin, thjeshtësia njerëzore e të qëmtuarit, i japin poezisë një shpirt të ri komunikimi. Ndoshta sado që të luash me fjalën, ajo mund të mos të çojë gjëkundi. Rëndësi ka kush je dhe kush shfaqesh, cilit shekull dhe cilës frymëmarrjeje njerëzore i takon, cilat janë të korrat e jetës personale njerëzore dhe sa të largët e ke këndvështrimin.

Me gurët poetikë të Betim Muços në librin Bumerang, poezitë vendosen njësoj si gurët mes kufijve të shtetit Merilend ku ka jetuar Betim Muço dhe Uashingtonit si kryeqytet i një toke të dhuruar. Poezia “Mbrëmë” është Mbrëmë vetëm e Betim Muços, trupi i poetit është si trupi i një anieje të drobitur, Mars është vetëm Mars i Betim Muços, pasi ndodh që ç’është larg na ngushëllon më tepër, si të krijojë perimetrin e kërkuar.

Dhe poezia “Mendja ime” është mendja e poetit ku parimet e mëdha janë shpesh ylbere të pakapshëm, ku varen surrogatot e ditës, por edhe brenda këtyre kontrasteve edhe lojërat njerëzore prapë se prapë kanë orbitat e tyre. Sa do që kjo poezi e bën Betim Muçon të krijojë polemikë të vazhdueshme me veten, atje brenda nuk përplasesh me askënd pasi njerëzit fluturojnë në nivele të ndryshme të hapësirës. Rëndësi ka që të kesh peshën dhe vendin që meriton si fryti më i çmuar i gjithësisë.

Mund ta krahasojmë për hapësirën që kërkon me kafshën më sociale, siç është luani, i cili e zgjeron dhe e mbron hapësirën që jeton. Është një hapësirë ku tjetri, ky Betim Muço, krijon alteregon e tij të bashkuar me alteregon e lexuesit, duke krijuar hapësirën e shqetësimeve shpirtërore dhe sociale bashkarisht.

Le të supozojmë se bota është rritur edhe nga kjo lloj poezie e Betim Muços në gjuhën shqipe.
Dhe nuk është fjala e plotë por shfaqja e plotë e njeriut, atje ku Betim Muço,
shpall më në fund parabolën e tij.

E gjithë kjo bota jonë më e vogël është bërë,
Por më të vegjël janë bërë edhe banorët e saj.

Dhe mund ta vendosim këtë varg në të gjithë bisedat tona, por Bumerangu, sado që të ndërrohen kohërat, kthehet gjithnjë andej prej nga është nisur, te zoti i tij, njeriu.
Maryland, gusht 2010 Ne memoriam per 10 vjetorin e ndarjes nga jeta, po ndaj kete ese, te permbledhur te ‘Njeriu si një tjetër” 2023.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.