PSE JEMI KËTO, QË MOS QOFSHIM?

0
339
Kolec P. Traboini

Kolec P. Traboini

Ka një sërë faktoresh. I brendshmi padyshim është më i rëndësishmi. E keqja e madhe filloi kur ende ishim nën pushtimin otoman, me ndarjen e trojeve shqiptare në 4 vilajete. Këtu filloi përçarja e madhe ndaj të cilës nuk luftuam që të mos ndodhte, nuk na bënin punë as ato 40 vezirët me të cilët mburren ca mendjecekët, që nuk kanë mësuar asgjë nga historia. Pas saj vinte mungesa e ndërgjegjes arbërore të prinjësve feudalë të lidhur aq shumë në interesa ekonomike me sulltanët, sa nuk mund ta kuptonin veten pa ata.

Në shekullin e 19 Europa bëri një eksperiment me Greqinë, duke e krijuar nga hiçi në sajë të luftës e sakrificave të shqiptarëve, por kur desh të bëjë të njëjtën gjë me shqiptarët, historia ngeci. Jo më kot erdhi Bajroni në trojet shqiptare e jo më kot u thuri lavde trimërisë së tyre. Mirëpo një fanatizëm e injorancë totale frynte ndër shqiptarët që nuk donin, jo më të luftonin për pavarësi, por as nuk e kuptonin veten jashtë Perandorisë Osmane.

Edhe kur Perandoria po jepte frymë, 25 mijë koka lanë shqiptarët në Çanakala, duke luftuar kundër armenëve që kërkonin lirinë e atdheut të vet. Po pse more kot e shkroi Pashko Vasë Shkodrani atë poezi me vargjet “Feja e shqiptarit asht shqiptaria“, që edhe sot vazhdojnë ta anatemojnë ata që e kanë mendjen Turqi e Greqi, por jo Shqiptari, apo ata që e kanë mendjen fe e aspak atdhe. Thënë hapur shqiptarët nuk kishin ndjenjën e bashkësisë (e nuk e kanë ende), atë cilësi-amalgamë që i bën popujt kombe e shtete solide. Të huajt shihnin tek ne shqiptarët cilësi të mira personale besnikëri dhe karakter luftarak, por aspak cilësi përbashkuese.

Kur kryengritej një krahinë të tjerat qëndronin të mënjanuara ose me e keqja viheshin në shërbim të sundimtarëve të huaj. Dhe më se shumti luftohej shqiptarë me shqiptarë. Mos po e nxijmë historinë? Jo more jo, historia është ajo që na nxin ne.

Dhe si arritëm të kemi një shtet shqiptar?!
Austria, të cilës pak i jemi mirënjohës, me përpjekje të jashtëzakonshme arriti që të shpëtojë diçka nga territoret shqiptare. Dhe deri në momentin e fundit platforma e Ismail Qemalit ishte autonomia, nga frika shkatërrimit krejtësisht e pafuqisë së forcave të brendshme për të mbrojtur vetveten përballë ujqërve ballkanikë.

Nga mungesa e përbashkimit kjo. Kur u pa se Perandoria Osmane po fundosej, më së fundi u shpall pavarësia e një copë toke. Mezi ia dolëm të kemi një shtet. Një shtet që shtetarët ende e trajtojnë si ta kishin çiflikun e vet.

Shikoni edhe sot me se merrën shtetarucët shqiptarë. Me vjedhje e korrupsion. Dhe populli fle si peshku në akuarium. Dhe tregojmë përralla historike për qëndresën nëpër shekuj të lavdishëm prej të cilëve duhet të na vijë turp. Nuk ka asnjë platformë përbashkimi kombëtar, por duan dy minishtete, që nuk i pjerdh njeri në diplomacinë europiane dhe botërore.

Jemi si mizat që bëjnë zhurmë, por fati i mizave dihet… Mjerim!

©️ Kolec P. Traboini

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.