SHQIPTARËT – LIDHJET E HERSHME ME PERËNDIMIN

0
444
Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli

Shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të gadishullit ilirik. Janë bijë të ilirëve, ndërsa shqipja – bijë e ilirishtes. Shqipja është ndër gjuhët më të vjetra të gadishullit.

Prej shekullit V deri në shekullin III para erës sonë, ilirët ngritën shtetet e tyre përgjatë Adriatikut, derisa ranë pre e pushtimit romak. Ndër udhëheqësit ilirë përmenden mbreti ilir Agroni (shekulli III para erës sonë), i cili sundoi në vitet 250-231 para erës sonë dhe mbretëresha Teuta e cila sundoi në vitet 230-228 para erës sonë, e që mbretëroi në Lezhë (Lissus). Teuta u vu në krye të mbretërisë pas vdekjes së të shoqit Agronit, birit të mbretit ilir Pleuratit.

Romakët e pushtuan mbretërinë e Ilirisë nga vitet 230 deri në 168 para erës sonë. Në vitin 168 para erës sonë, me humbjen e Gentit, mbretit të fundit ilir të Shkodrës, i cili sundoi në vitet 181-168 para erës sonë, Iliria ra nën sundimin romak. Shqiptarët, ndonëse ranë nën ndikimin e fortë kulturor dhe gjuhësor të latinishtes, nuk u romanizuan.

Pas ndarjes së përfundimtare të Perandorisë Romake në vitin 395 të erës sonë, në Perandori Lindore dhe në Perandori Perëndimore, Iliria hyri në sferën politike e kulturore të Perandorisë Bizantine Lindore. Në shekujt e mëvonshëm, Shqipëria u pushtua prej fiseve shëtitëse: në vitin 459 prej ostrogotëve, në vitin 467 prej vandalëve, si dhe prej avarëve, bullgarëve dhe sllavëve.

Depërtimet e para sllave në Ballkan ndodhën në vitet 548 dhe 586 të erës së re. Përkundër shtrirjes së tyre në gadishull, shqiptarët do t’ia dalin t’i bëjnë ballë, si ndikimit të kulturës bizantine, ashtu edhe ndikimit sllav.

Nga mesi i shekullit XI normanët kapërcyen Adriatikun për të pushtuar Durrësin dhe Shqipërinë qendrore.      

Në shekullin XV pason pushtimi turk i Shqipërisë. Sundimi turk mbi shqiptarët zgjati pesë shekuj. Megjithëkëtë, shqiptarët ia dolën ta ruajnë gjuhën dhe identitetin e tyre.

Sikundër shihet, me qëndresën për jetë o vdekje, me vitalitetin e racës dhe me luftërat e pandërprera, arritën të mbrohen nga romanizimi, nga greqizimi bizantin, nga sllavizimi dhe nga turqizimi.

*    *    *

Shqiptarët në tekstet latine – Shqiptarët janë popull evropian. Për ekzistencën e gjuhës shqipe për herë të parë flitet në fillim të shekullit XIV. Midis viteve 1285-1332 janë katër përmendje të padyshimta. Në vitin 1285 gjuha shqipe përmendet në Raguzë (Dubrovnik). Me rastin e një hetuesie, një dëshmitar deklaron: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe) 

Në një tekst latin të vitit 1308 që është quajtur Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore) hasim në një përshkrim edhe për vendet e Ballkanit. Teksti përmban një pjesë edhe për Shqipërinë ku përmendet edhe gjuha shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren vesh me popuj të tjerë).

Në vitin 1322, dy pelegrinë anglo-irlandezë udhëtonin për në Tokën e Shenjtë. Duke lundruar përgjatë bregdetit të Adriatikut, njëri prej tyre shënon: “Albanya est provincia inter Sclavonium et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë dhe Romanisë / Bizantit, me një gjuhë të vetën). Japin shënime edhe për Durrësin.

Në vitin 1332 murgu dominikan frëng Brokard (Frère Brochard ose Brocardus monacus) në një vepër latinisht të titulluar “Directorium ad passagium faciendum” shënon: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat e tyre).

*   *   *

Shqiptarët në periudhën e Rilindjes evropiane humanistët shqiptarë – Në fillim të shekullit XV, shqiptarët e dhanë ndihmesën e tyre letërsisë dhe kulturës perëndimore. Afërsia me Italinë, djepin e qytetërimit evropian, dha mundësi që shumë shqiptarë të përfitonin nga kultura humaniste e Rilindjes evropiane dhe të merrnin pjesë në të.

Kësaj periudhe i përkasin humanistët shqiptarë, si: Gjon Gazuli (1400-1465) i cili studioi në Padovë dhe jetoi në Raguzë (Dubrovnik) ku dha mësime filozofie, matematike dhe astronomie.

Historiani Marin Barleti (rreth 1450-1512), i lindur në Shkodër. Përjetoi rrethimin e dytë të qytetit nga turqit më 1478. Me rënien e Shkodrës, u vendos në Venedik, më pas në Romë. Atje ra në kontakt me kulturën dhe idetë e Rilindjes italiane. Dokumentoi historinë e Shqipërisë gjatë pushtimit turk dhe qëndresën kombëtare të saj nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Vepra e tij, e shkruar në latinisht “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë, rreth 1508-1510

Punën e vet, Barleti ia dedikoi nipit të Gjergj Kastriotit, Don Ferrante Kastriotit dhe pasardhësve të tij.

Poeti i vargjeve katuliane të dashurisë, Mikel Maruli (1453-1500) lindi në një familje shqiptare me prejardhje nga Morea. Në Raguzë ku ishte vendosur familja e tij, ndjeu ndikim e qytetërimit të Rilindjes italiane. Dijetari latin me prejardhje arvanitase Maksim Greku (1480-1556) lindi në Artë, një qytet në Epir i populluar nga shqiptarë. Studioi në Ferrarë, Firence dhe Padovë latinishten, greqishten, filozofinë dhe teologjinë. Marin Beçikemi (1468-1526) është nga Shkodra. Qe mësues në Raguzë dhe në Breshia, më pas profesor i retorikës në Universitetin e Padovës.

Shkrimtarët, mendimtarët dhe dijetarët shqiptarë të sipërthënë u formuan në frymën e qytetërimit perëndimor.

*   *   *

Qëndresa antiosmane e shqiptarëve në epokën e Gjergj Kastriotit – Për të mbrojtur lirinë e vet, shqiptarët ndër shekuj u përleshën me stuhi luftërash. Në shekullin XV, të udhëhequr nga prijësi i madh Gjergj Kastrioti (1405-1468), shqiptarët luftuan kundër ushtrive të Perandorisë Osmane. Prijësi shqiptar zmbrapsi me sukses sulmet osmane, përfshi edhe tre rrethimet e mëdha të kështjellës së Krujës, të udhëhequra nga vetë sulltanët, Muradi II (1404-1451) më 1450 dhe Mehmeti II (1432-1481) më 1466 dhe 1467. Për qëndresën ndaj turqve, ai gëzoi adhurimin e Evropës dhe nga papa Kalisti III (sundoi në vitet 1455-1458), iu dha titulli ‘Atleta Christi’.

Qëndresa shqiptare u mposht vetëm pas vdekjes së Gjergjit më 17 janar 1468 në Lezhë. Nën pushtimin turk ranë: më 1478 Kruja, më 1479 Shkodra dhe më 1501 Durrësi. Pasojnë katër shekuj të kolonizimit turk të Shqipërisë. Gjatë sundimit turk, relacionet midis shqiptarëve dhe qytetërimit perëndimor – u shkëputën. Synimi i shqiptarëve për të lulëzuar në djepin e qytetërimit evropian, u ndërpre. Por, kujtesa historike e shqiptarëve, nuk u shua kurrë. Bëmat e trimave luftëtarë u kënduan me lahutë. Gjuha shqipe u ruajt në gjirin e nënëlokes.

Gjergj Kastrioti në veprat e autorëve e huaj – Qëndresa 25-vjeçare e shqiptarëve në këtë periudhë, jehuan në mbarë Evropën. Shqiptarët dhe prijësi i tyre, në kryeqendrat perëndimore u cilësuan si mbrojtës të vlerave të qytetërimit evropian. Qysh në atë kohë, për Gjergj Kastriotin, në qarqet evropiane u shkruan vepra historike, letrare artistike, muzikore. Autorë të veprave ishin dijetarët eminentë të asaj kohe.

Në shekujt XVI dhe XVII vepra e Barletit “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit” u lexua me të madhe. U përkthye në një varg versionesh edhe në gjuhë të huaja: në vitin 1533 në gjermanisht nga Johan Pincianus; në vitin 1554, 1560 në italisht nga Pietro Rocca; në vitin 1567 në portugalisht nga Francisco D’Andrade; në vitin 1569 në polonisht nga Ciprian Bazylik; në vitin 1576 në frëngjisht nga Jaques De Lavardin, fisnik i Plessis du-Bourrot – “Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d’Albanie” dhe në vitin 1582 në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde. Versioni në anglisht ishte një përkthim prej frëngjishtes nga De Lavardin dhe Zachary Jones. U botua në fund të shekullit XVI, me titullin “Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skënderbe, Mbret i Shqipërisë”.

Shkrimtari dhe filozofi francez, Volteri (emri i vërtetë François-Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) kapitullin e tij “Marrja e Kostandinopojës” e fillon me frazën: “Sikur Perandorët grekë të kishin vepruar si Skënderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur.” Në shekullin XVIII Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive: “Skënderbeu” (1733) e dramaturgut britanik Uilliam Hauard (William Havard, 1710? – 1778); “Heroi i krishterë” (1735) e dramaturgut anglez Xhorxh Lilëu (George Lillo, 1693-1739) dhe “Skënderbeu” ose “Dashuria dhe liria”, botuar më 1747, e hartuesit anglez të historisë së teatrove Tomas Uinkop (Thomas Whincop, 1697-1730). Nga luftërat e Gjergj Kastriotit u frymëzuan edhe poetë dhe kompozitorë të huaj. Në shekullin XVI, një poemë për Gjergjin, shkroi poeti francez Pjerë Ronsar (Pierre Ronsard, 1542-1585), ndërsa në shekullin XIX, poeti amerikan Henri Uodsvërth Lonfellou (Henry Wadsworth Longfellow, 1807-1882).

Në vitin 1855, historiani francez Kamile Paganel (Camille Paganel, 1795-1859), i nxitur prej krimeve të luftës, shkroi “Histoire de Scanderbeg(Historia e Skënderbeut). Kompozitori italian Antonio Vivaldi (1678-1741) shkroi operën me titull “Skënderbeu”, të interpretuar më 1718. Një tjetër operë me titull “Skënderbeu” ishte ajo e kompozitorit dhe violinistit francez Fransua Frankerë (François Francœur, 1698-1787) të interpretuar më 1763. Shkrimtari dhe filozofi danez, themelues i letërsisë bashkëkohore daneze dhe norvegjeze Ludvig Holberg (1684-1754) thotë se Gjegj Kastrioti është një prej gjeneralëve më të mëdhenj të historisë.

Diplomati, politikani dhe eseisti anglez Sir Uilliam Temple (Sir William Temple, 1628-1699) thotë se Gjergj Kastrioti është një prej shtatë prijësve më të mëdhenj pa kurorë, siç kanë qenë: prijësi ushtarak i Perandorisë Bizantine në kohën e perandorit  Justiniani I (Flavius Petrus Sabbatius Justininus, 482/3 – 565) – gjenerali Flavius Belisarius (Germen, sot Sapareva Banja, Bullgari 505 – Halkedon, sot Kadiköy, Turqi, 565) i cili ia doli të rimarrë Afrikën e Veriut nga vandalët, Italinë nga ostrogotët dhe Spanjën nga vizigotët; gjenerali dhe burrështetasi romak Flavius Aetius, i lindur në Silistra të Bullgarisë dhe i vrarë në një atentat në Ravenë të Italisë në vitin 454 të erës së re; komandanti hungarez Janosh Huniadi (János Hunyadi), i lindur në Hunyadi të Transilvanisë, në vitin 1387 (viti i saktë i lindjes nuk dihet) dhe vdiq në Beograd në vitin 1456; prijësi ushtarak spanjoll Gonzalo Fernández de Cordoba (Montilla, Kordoba, Spanjë, 1453 – Loja, Spanjë, 1515); fisniku italian Aleksandër Farnese, Dukë i Parmës (Alessandro Farnese, Romë, 1545 – Aras, Francë, 1592) i cili më 1571 luftoi kundër osmanëve në betejën e Lepantos, pas kësaj, kryekomandant i forcave spanjolle; dhe udhëheqësi i revoltës holandeze kundër habsburgëve spanjollë Uilliami i Heshtur (William Taciturn, Dillenburg, Gjermani 1533 – 1584).  

Në poemën epike udhëpërshkruese “Shtegtimet e Çajld Haroldit(Childe Harold`s Pilgrimage,1812-1819), poeti anglez me prejardhje skoceze, i cili studioi në Kembrixh, Xhorxh Gordon Bajron (George Gordon Byron, Londër, 1788 – Missolonghi, Greqi, 1824), i këndon Gjergj Kastriotit. Në shumë vargje u këndon shqiptarëve. Midis tjerash edhe në vargjet e mëposhtme:

“Land of Albania! where Iskander rose,
Theme of the young, and beacon of the wise”
            ……..
(O Shqipëri, ku lindi Iskenderi,
këng’ e rinisë, fanar i t’urtëvet!
……..
Shqipëri, lejomë të kthej syt’ e mi
Mbi ty, o nënë e rreptë burrash trima!)

Kënga II, LXV

*   *   *

Monumentet për heroin kombëtar të shqiptarëve – Monumenti i Gjergj Kastriotit ndodhet në shumë qytete shqiptare si dhe në disa qytete të botës: busti në Kukës (1939); monumenti në Krujë (1959); monumenti në Tiranë, realizuar më 1968 nga Odhise Paskali, Andrea Mano dhe Janaq Paço; monumenti në Prishtinë (2003), vepër e skulptorit Janaq Paço; monumenti në Shkup (2006), vepër e skulptorit Thoma Thomai; shtatorja në Dibër (2009), vepër e skulptorëve Muharrem Turkeshi dhe Agim Sela; bustet – në Tuz, në Preshevë, në Burrel.

Monumentet në qytetet jashtë trojeve shqiptare: monumenti në sheshin “Albania” të Romës (1940), vepër e skulptorit italian Romano Romanelli; monumenti në Bruksel (1968); përmendorja në Miçigan të ShBA-së (2006); busti në Ferno të Ankonës (2007); busti në fshatin Vaccarizzo Albanese të Kozencës në Klabri; busti në Civita të Italisë (2008); busti në San Cosmo Albanese (2010); bustet – në Vjenë; në Budapest; buzë liqenit të Gjenevës; në Detroit etj.

*   *   *

Shkrimet e para në gjuhën shqipe – Shkrimet e para në gjuhën shqipe u shkruan me shkronja latine. Formula e pagëzimit “Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (1462), e Pal Engjëllit (1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Gjergj Kastriotit, u shkruan me shkronja latine. Teksti u zbulua në Bibliotekën Laurentiane në Firence, nga dijetari rumun Nikolla Jorga (Nicolae Iorga, 1871-1940) dhe u botua prej tij më 1915.

Dokumenti tjetër i shqipes së hershme “Ungjilli Pashkëve” ose “Perikopeja”, u shkrua me shkronja greke. Janë pesëmbëdhjetë rreshta në dialektin toskë. U zbulua nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919) në një dorëshkrim greqisht të ruajtur në Bibliotekën Amroziane në Milano. Dokumenti i tretë i shqipes së hershme “Fjalori i Arnold fon Harfit” i vitit 1497 ruhet në Gjermani. Autor i tij është kalorësi, udhëtari dhe shkrimtari gjerman Arnold fon Harf (Arnold von Harff, rreth 1471-1505). Gjatë udhëtimit për në Aleksandri, u ndal edhe në Durrës.

*   *   *

Shkrimtarët e letërsisë së hershme shqiptare – u formuan nën ndikimin e qytetërimit perëndimor. Veprat e veta i shkruan në gjuhën shqipe dhe përdorën shkronjat latine. Gjon Buzuku (shek. XV) ka të ngjarë të ketë jetuar në Republikën e Shën Markut, mbase në rajonin e Venedikut, ku familje refugjatësh shqiptarë kishin ardhur pas pushtimit turk të Shkodrës në vitin 1479. Në Venedik Buzuku kishte mundësi më të mëdha për shkollim letrar se në Shqipëri.

Mbase edhe libri i parë i shkruar në shqip “Meshari” (1555) i Buzukut, është botuar në Venedik. Kopja e vetme e “Mesharit” u zbulua në vitin 1740 në bibliotekën e Propaganda Fides, prej Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) nga Gjakova, i cili si Argjipeshkëv i Shkupit ishte për vizitë në Romë. Kjo kopje ndodhet sot në Bibliotekën e Vatikanit. Ajo u nxor në dritë në vitin 1909 nga peshkopi dhe dijetari arbëresh Monsinjor Pal Skiroi (1866-1941).

Lekë Matrënga (1567-1619) vjen nga bashkësia e arbëreshëve të Sicilisë. Ky autor i së parës poezi të shkruar në gjuhën shqipe, në dialektin toskë, “Këngë e përshpirtshme” (Canzona spirituale) studioi në Kolegjin Grek të Shën Athanasit në Romë.

Autori i katër veprave dhe i rreth 3300 vargjeve fetare të shkruara në gjuhën shqipe, Pjetër Budi (1566-1622) është i fshatit Gur i Bardhë të krahinës së Matit. U shkollua në Kolegjin Ilirian të Loretos (Collegyum Illyiricum) në jug të Ankonës në Itali, ku do të studionin shumë shqiptarë. Punoi pa pushim për t’i parë shqiptarët të lirë nga zgjedha turke.

Autori i të parit fjalor latinisht-shqip “Dictionarium latino-epiroticum”, Romë , 1635, Frang Bardhi (Nënshat ose Kallmet në veri të Lezhës, 1606 – 1643) studioi në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës, e më vonë në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë.

Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) është nga Guri i Hasit afër Prizrenit. Ndoqi studimet në Kolegjin Ilirian të Loretos afër Ankonës. Më pas vazhdoi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku u diplomua doktor në filozofi dhe teologji. Më 1677 pasoi të ungjin si kryepeshkop i Shkupit. Vepra e tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum, 1685) është kryevepër e letërsisë së hershme shqiptare dhe është e para vepër me tipare letrare e artistike në gjuhën shqipe.

*   *   *

Veprimtaria letrare e arbëreshëve në shekullin XVIII – Krijimet letrare të arbëreshëve u krijuan sipas formave letrare perëndimore. Pas veprës së parë të letërsisë arbëreshe “E mbsuame e kërshterë” (1592) e Lekë Matrëngës, pasojnë poetët arbëresh të shekullit XVIII – Nikollë  Brankati (1675-1741); Nikollë Filja (1682? – 1769); autori i tingëllimës ës parë shqiptare (1777) Nikollë Keta (1740? – 1803), etj. Pas tyre vjen poeti i parë arbëresh vërtet i talentuar Jul Variboba (1724-1788), etj.

Veprimtaria letrare dhe kombëtare e arbëreshëve në shekullit XIX – Ndër krijuesit letrarë të qindvjeçarit XIX bëjnë pjesë poetët apo folkloristët, si: Kostantino Askuri (1810-1871), Kostantin Beluçi Shalja (1796-1867); Euxhenio Peta; Vinçenco Suli; Françesko Parrino (1754-1831); Gavril Dara Plaku (1765-1832); babai i Gavril Dara të Riut – Andrea Dara (1796-1872) i cili njihet si mbledhës i folklorit arbëresh dhe të tjerë.

Në shekullin e sipërthënë krijuan art: Pishtari i romantizmit shqiptar Jeronim De Rada (1814-1903); autori i së parës dramë të shkruar në shqip Françesk Anton Santori (1819-1894); Gavril Dara i Riu (1826-1885); poeti lirik Zef Serembe (1844-1901).

Disa studiues arbëresh u morën me veprimtari shkencore nga lëmi i gjuhës, i historisë etj.

*   *   *

Zgjimi i ndërgjegjes kombëtare – Zgjimi kulturor i shqiptarëve filloi në vitet 1830-1850, me Naum Veqilharxhin (1797-1846). Zgjimi kulturor shkonte krahas prise de conscience kombëtare dhe politike. Kjo nënkuptonte nevojën e përdorimit të shqipes në të gjitha fushat e jetës, sidomos në shkollim në gjuhën shqipe, të ndaluar nga Porta. Intelektualët, luftëtarë të zgjimit kombëtar, gjatë gjithë shekullit XIX, madje edhe në të njëzetin, do të vihen në provë.

*   *   *

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX Shqipëria po lëngonte nën kandilin që po fikej të Perandorisë Osmane. I Sëmuri i Bosforit, dita-ditës po rrënohej. Shqiptarëve, më shumë se kurrë, u kërcënohej asimilimi kulturor. Do të jetë lëvizja e Rilindjes, e zgjimit kombëtar, ajo që do të shprehë vullnetin e Shqipërisë për të mbijetuar.

Rilindja kombëtare – Ideali i rilindësve ishte çlirimi i Shqipërisë nga sundimi osman dhe themelimi i Shqipërisë së pavarur në trojet etnike. Gjatë arsimimit të tyre, u njohën me vlerat evropiane dhe filluan t’i rivendosin lidhjet me qytetërimin perëndimor, të shkëputura gjatë shekujve të sundimit osman. Midis tyre bëjnë pjesë: politikani dhe ideologu i Rilindjes, Abdyl Frashëri (1839-1892), i cili në dhjetor 1877, së bashku me intelektualë të tjerë, themeloi në Kostandinopojë Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare; apostulli i shqiptarizmit Naim Frashëri (1846-1900); ideologu i mendimit politik shqiptar të periudhës së Rilindjes, Sami Frashëri (1850-1904); figura që luajti rol vendimtar në kulturën e Rilindjes, Pashko Vasa (1825-1892); veprimtari i shquar i çështjes së zgjimit kombëtar, Jani Vreto (1820-1900); poeti Koto Hoxhi (1824-1895); veprimtari Zija Prishtina (shekulli XIX), i cili në Komitetin e sipërthënë, së bashku me të vëllain, Ali Danishin, përfaqësoi Kosovën; figura që do të luajë një rol të dorës së parë në themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, Pandeli Sotiri (1843-1891); filozofi dhe dijetari nga fshati Ninat i Çamërisë (Sarandë), rektor i parë i Universitetit të Stambollit të themeluar më 1870, Hasan Tahsini (1811-1881).

Një numër i madh rilindësish, përpos në Stamboll, vepruan edhe në Bukuresht, Sofje, Aleksandri, Kajro, Selanik, Athinë etj. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të qindvjeçarit XX, edhe në ShBA. Rilindësit tanimë dalin me kërkesa politike.

*   *   *

Të ballafaquar me vendimet e Traktatit të Shën Stefanit, të 3 marsit të vitit 1878, që vendosi aneksimin e një pjese të madhe të trojeve shqiptare nga shteti i porsaformuar autonom bullgar dhe nga mbretëritë tani të pavarura të Malit të Zi dhe të Serbisë, rilindësit u vunë në shërbim të çështjes së ngutshme shqiptare. Më 10 qershor 1878, atdhetarët shqiptarë themeluan Lidhjen e Prizrenit. Një prej katër kërkesave ishte që shqiptarët të mos shërbejnë më në ushtrinë osmane dhe të mos i paguajnë taksa qeverisë qendrore në Stamboll. Kongresi i Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, konfirmoi pavarësinë e Rumanisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe një qeverisje autonome në Bullgari.

Interesat shqiptare nuk përfillën fare. Duke qenë një pjesë e shqiptarëve në shërbim të Perandorisë Osmane, kishte pak shpresa për të gjetur mirëkuptimin e fuqive të mëdha të kohës. Shqiptarët nuk patën as edhe një fuqi të madhe që të mbronte interesat e tyre. As edhe qenia e tyre si popull nuk u njoh. Të ndodhur para mundësisë së copëtimit të vendit, shqiptarët e tre religjioneve bashkë, ndien nevojën për të vepruar në kuadrin e një lëvizjeje kombëtare. Pikërisht për këtë u themelua lidhja e sipërthënë.

Përgjigjja e kancelarive ishte: Shqiptarë, jeni vonuar!

*   *   *

Në shekullin XIX, Shqipëria ishte vendi më i pazhvilluar i gadishullit. Në shekullin e kombeve, shqiptarët nuk kishin të formuar një borgjezi që do t’i çonte drejt lirisë dhe pavarësisë. Një shtresë e kamur e tyre ishte në shërbim të pushtetit osman.

Copëtimi i trojeve shqiptare në dobi të fqinjëve grabitqarë, të mbështetur nga Rusia dhe jo vetëm prej saj, do të marrë formën tragjike në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913 – me arsyetimin se shqiptarët janë mbetje turke në Ballkan.

Më parë se në kancelaritë evropiane, fajin e vonesës së vet shqiptarët duhet ta kërkojnë në vetvete.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.