Jeta dhe një vështrim mbi librin me vjersha e poezi “Lule dhe gjak” të dom Gjergj Simonit (1933-2022)

0
2152
Dom Gjergj Simoni - hyjt

Këtej kalohet në qytet t’mjerimit
Këtej kalohet n’dhimbjen pa kufi
Këtej kalohet n’shpitrat e humbun shqimit

Dante ALIGERI, fragment nga Komedia Hyjnore “FERRI

Me këtë tubë të vogël poezish, desha të shpreh ndiesit e hovet e zemrës, kushtue etenve të nacionit si nevojë e çfaqjes së mirënjohjes, që kam për ta, pa marrë parasysh, se kritika e ashpër mund t’i flakë o t’i përbuzë. Me fjalen time derdha dashuninë, për themeluesit e idesë s’onë nacionale, simbas mundësisë kreva nji detyrë ndaj këtyne të pavdekshmve.” –  Gjergj Simoni, Kampi i të Burgosunve, Ballash, Tetor – Nëntor 1982.

…Por turmat i mbytën njerëzit me veladona /Dhe poetët rebelë i shqyen me thonjë.” – Ismail Kadare, komunist, deputet dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve Komunistë të Shqipnisë.

Klajd Kapinova

ish redaktor i revistës “Kumbona e së Diellës” Shkodër

Cili ishte portreti i martirit të gjallë?

Gjergj Simoni lindi më 8 dhjetor të vitit 1933 në qytetin e Shkodrës, në një familje me origjinë qytetare e me banim në lagjen e vjetër dhe të mirënjohur të qytetit Arra e Madhe.

Gjyshi i Gjergjit, Simon Moni, ishte tregtar në pazarin e vjetër të Shkodrës (në Bezisten).

Bezisten, quhej dikur një treg i mbyllur, që shërbente për shitjen e mallrave të çmuara: të pëlhurave të importit, argjendarisë, armëve të zjarrit, gurëve të çmuar etj. Ai përfshinte një numër dyqanesh dhe ishte i fortifikuar, i siguruar me porta të mëdha dhe të rënda dhe ruhej natën nga njerëz të armatosur. Asokohe bezistenët, ishin bërthamat më të rëndësishme tregtare të qendrave më të mëdha qytetare.

Në Shqipëri në shek. XVII – XIX bezistene u ndërtuan në Shkodër, Prizren, Berat, Prishtinë, Elbasan, Mitrovicë etj., nga njerëz të pasur dhe funksionarë të lartë. Me rëndësi ishin Bezisteni i Shkodrës, i ndërtuar më 1807-1808 nga veziri Ibrahim pashë Bushatlliu dhe Bezisteni i Prizrenit, që u dogj më 1835.

I ati, Kolë Simoni, trashëgoi zanatin e të babait, duke u marrë kështu me tregti. Por sërisht për të erdhën kohë të vështira politike dhe ekonomike. Në këtë situatë ai falimentoi. E familja ra në varfëri të plotë.

Në këtë gjendje ekonomike Kolë Simoni dhe bashkëshortja e tij, Gjyste Ugashi, i lindën dhe i rritën tre fëmijët e tyre, Zefin, Gjergjin dhe vajzën e vetme, Çiljetën me mund dhe sakrifica të mëdha.

Dom Gjergj Simoni kujtonte: “Tue kenë se të dy prindët tonë ishin besimtarë të devoçëm të fesë sonë katolike, si vëllaun tem, Zefin, ashtu dhe mue, na patën çue për me mësue në Kolegjin e Fretënve.

Por pas ardhjes së komunistëve në pushtet, si unë ashtu dhe vëllau, Zefi, u detyruem me ba punë të ndryshme për me mbajtë familjen e vorfën. Kështu nuk mundëm të vazhdojmë rregullisht studimet Teologjike, gja që ishte edhe e ndalueme prej pushtetit komunist.

Por tue kenë të brumosun e të devotshëm për fenë katolike, si im vella, Zefi, ashtu dhe unë, morëm mshehtas mësimet fetare nga Pater Mark Harapi S.J. e Pater Aleks Baqli, OFM.

Im vëlla, Zefi, mundi me u shugurue mshehtas si meshtar në vitin 1961, në Arqipeshkvinë e Shkodrës, por pa mujtë me e ushtrue haptaz misionin meshtarak. Kështuqë u detyrue me vijue studimet e nalta në Institutin e Gjuhë-Letërsisë e, si i pati krye, të punonte si mësues në shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës.

Ndërsa unë për vite, deri ditën që kjeshë arrestue, pata punue në punë të ndryshme si punëtor, edhe në Hidrocentralin e Vaut të Dejës”, kujtonte dom Gjergj Simoni për të kaluarën e familjes dhe peripecitë e tij e të vëllait i cili dom Zefi, pak mbasi doli nga burgu, jetoi çka as ëndërruar nuk e kishte: “U shugurua Ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II, në praninë e vëllait e motrës, që kishin vuajtur aq shumë, bashkë me të”.

Atëhere dy vëllezërit nisën lirisht misionin e tyre, e njëkohësiht edhe pasionin e tyre: ishin të dy meshtarë e shkrimtarë, që lanë pas disa vepra të botuara.

Me riardhjen e lirisë së fesë në Shqipëri, më 21 prill 1991, kandidati për prift dom Gjergj Simoni, është shuguruar meshtar nga imzot Nikollë Troshani. 

Për një vit ka shërbyer në qytetin e Shkodrës dhe është emëruar famullitar i Dajçit të Bregut të Bunës dhe administrator i famullisë së Pentarit në shtatorin e vitit 1992.

Eshtë meshtar i parë i shuguruar mbas mbylljes së Kishave. Përveç shërbimeve fetare të përditshme, është marrë edhe me sistemimin vëllimeve me poezi gjithashtu ka shkruar tregime të shkurtra me kujtime nga koha në burg.

Ai kujtonte me shumë respekt gjithënjë bashkëvuajtësin e tij poetin brilant Visar Zhitin si njeri dhe poet të shkëlqyer. I pelqente shumë karakteri stoic dhe fjalët e tij poetike me mendim të thellë.

Falënderojmë Zotin për dhuratën që i ka bërë Kishës së Hyjit që është në Shqipëri, për këtë meshtarë, për stoizmin dhe besnikërinë e tij, për zellin e tij meshtarak dhe për dëshminë e jetës së tij ofruar Hyjit dhe Kishës.

Lule dhe gjak

Si redaktor i veprës dhe si autor i parathënies së mikut tim të paharruar, po jap disa mendime të lira edhe pse tashmë ndodhem në New York të SHBA-së dhe nuk kam mundsi të lexoj disa nga këto poezi para vorrit të këtij martiri.

Dhe atëherë kur gjak pikonte, zemra e shqiptarit këndonte. Kur njeriu njihet me heroit e nacionit e me madhështinë e veprës së tyne mahnitet, shtanget.

Në shkëlqimin e fytyrave të pastërta të këtyne dijetarve i jepet një vlerë tjetër ma e madhe, ma e naltë, ma e shejtë kuptimit t’Atdheut, gjakut, gjuhës, historisë.

Të qenurit, jeta, shoqnia, puna e deri vdekja vetë marrin një qëllim sublim, një bukuri ideale. Shtanget po, por nuk ngurroset.

Zemra tue rrah, fillon e nxjerr ndiesi e hove dashunijet, ndaj herojve të nacionit, kundrejt të cilëvet kohët nuk kanë mujt të na i shkëpusin, sado që u rrukullisen në mes nesh e tyne nder vite, dekada e shekujve.

Vjersha me frymëzim të pastër atdhetar e kristian

Përherë e më të pranishme në ditët tona, po bëhen botimet e mbetura në dorëshkrim, gjatë kohës së diktaturës komuniste. Prania e vëllimit poetik modest “Lule dhe Gjak” (Shkodër, 2006), me autor meshtarin dom Gjergj Simonin, me tematikën e dashur atdhetare, për lexuesit është e mirëpritur në sferën e komunikimit dhe qarkullimit të vlerave patriotike letrare.

Në mënyrë të veçantë, një lexim të tillë e kërkojnë veprat e së kaluarës, që nuk janë konsideruar deri vonë si vepra me vlera letrare, për të cilat, jo se kanë munguar leximet, por ato kanë qenë të kufizuara. Për to ka mbizotëruar leximi gjuhësor apo historiko – kulturor dhe është menjanuar esenca e leximit estetik të tyre.

Frymëzimi apo fryma, që përshkon anë e tej vjershat dhe poezitë e dom Gjergjit, është sa e padukshme dhe aq e pranishme njëherësh, duke u përfshi natyrisht në letërsinë e traditës së shkrimtarëve klerikë katolikë gegë, treve të plleshme, që lëvruan me sukses në shumë gjini artistike shkrimore.

Ata kanë përdorur natyrshëm lëndën historike, si: mitin, autoktoninë, ngjarjet e pasura të historisë së nacionit tonë, bashkëkohësinë apo të ardhmen, duke e përdorur gamën e saj me saktësi në shërbim të së vërtetës.

Tema heroike, me referenca gjurmlënëse historike, është edhe bërthama esenciale e poezive dhe vjershave të poetit tonë modest Simoni, që gjithsesi është filiz i traditës, që gjeneron atë hulli, ku shkelën me dinjitet prelatët pararendës diturak shqiptarë shekull mbas shekulli, duke e përshkruar librin nga një frymëzim i ngrohtë e i pastër kristian.

Gjatë kohës që vuante në burgjet komuniste, sikurse ishte ferri me emrin famkeq Spaç, autori Simoni, krijonte e meditonte në heshtje të thellë vargje poetike.

Falë këtij shpirti, kësaj vetëdije të kristaltë, nisi të ravijojë tiparet origjinale për temat e dashura atdhetare, për ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit martir shqiptar dhe figurave, që e bënë lavdinë e historisë së saj.

Ai, përmes vargjeve, përshkruan përjetimet e shpirtit artistik, për Kryengritjen e trimave të Malësisë së Madhe, më 6 Prill 1911, në majën e istikamit të Deçiçit, të udhëhequr nga trimi kreshnik i maleve Dedë Gjon Luli, duke mbajtur e ngritur flamurin e Gjergj Gjon Kastrioti.

Temë mbas teme e varg mbas vargu, shihet një këndvështrim i ri poetik, ku shquhet prania e kulteve të reja, si ai i Atdheut, i gjuhës amtare, krahas kulteve universale, si ai i fesë, i dashunisë së njeriut për vetveten e të tjerët, i dijes përparimtare, çka përfaqson atë realitet të ri, të vetëdijës së nacionalitetit, që afirmonte dukshëm përsonalitetin e vet.

Poezi, autori, i ka kushtuar demokratit të shquar liberator Luigj Gurakuqit, imzot Nikollë Kaçorrit, asokohe n/Kryetar i Qeverisë së Vlorës, përkrah plakut të urtë mjekërbardh Ismail Bej Qemali, poetit të shquar dom Ndre Mjedjes, etj.

Rëndësi e respekt shpreh vjershëtori, për dy figurat brilante: poetin e atdhetarin Naim Bej Frashërin dhe patriotin e flaktë papa Kristo Negovanin, ndër më të shquarit në të gjithë Shqipërinë e Jugut.

Këtu burojnë mesazhe, me ndjesi të ngrohtë krenarie e besimin në mendimin poetik, origjinalitetin e tij, duke ruajtur muzikalitetin e gjuhës së pasur gegë, të cilën, poeti e shpreh në forma të larmishme vargëzimi, por sidomos duke lëvruar vjershërimin, shumë e parapëlqyer prej tij teksa ndiente pjekurinë poetike.

Në vargje, ai ka derdhur mbresa e persiatje, që u flasin përherë shqiptarëve për shpirtin e pastër, të cilit, i ndejti besnik edhe në ditët tona. Ai ka shumë dorëshkrime të pabotuara, të cilat, ruajnë vijimësinë e trinomit famshëm Fe-Atdhe-Përparim.

Sikurse të gjithë poetët e tjerë shqiptarë, qoftë të traditës gojore, qoftë të traditës së shkruar edhe Simoni, përveç dukurive të shumtë të jetës së përditshme, të natyrës, të botës së mbrendshme, bën objekt trajtimi artistik Zotin e Mbretërinë Hyjnore, që shpreh në qenësinë, dashurinë, mirësinë, mirëkuptimin e pasuninë shpirtërore, duke e ndjerë, nderuar dhe çmuar praninë e Hyjit.

Tek i lexon poezitë, futësh natyrshëm në botën e pasur të vargëtorit, në shpirtin e lirë dhe të hapur, nga një formë e trajtë e të shkruarit në mënyrë transparente dhe ç’është më e rëndësishmja me një gjuhë të latuar gegë me taban të thellë shqiptar, pa huazime e hermetizëm, që shpesh e shohim në krijimet e autorëve të tjerë.

Në shpirtin e dlirë të autorit, do të ngulitet thellë dashuria për Shkodrën, njerëzit e saj, për Kishën Katolike Kathedrale, duke e njohur me hollësi dhe frekuentuar edhe atëherë, kur rregullisht u survejonte nga kasnecët vullnetarë të Sigurimit komunist.

Poeti Simoni, atëherë e sot dëshmohet si liberal e përparimtar, shpirtbutë prej kristiani të devotshëm, nga e cila i buron gjerësia e impulsitetet, me një natyrë gazmore e i shëndeshëm në kulturë, duke mos pasur asnjë gjurmë fanatizmi apo ngurtësimi për frymën bashkëkohore.

E parë në një këndvështrim të ri, vëllimi “Lule dhe Gjak”, mendoj se vargjet përshkohen nga një bosht orientues, që i përshkon filli i desë së pastër patriotike, që i jep kjartësi mendimit e ndjeshmëri krijimit.

Sëfundi, poezitë e vjershat e reja në botim, por jo në moshë janë një përjetim i përvojës leximore historike, një përjetim i butë, i ëmbël, siç është edhe vetë peisazhi poetik që ai sendërton, ku lëvizin ndjenjat, dëshirat e malli i patriotit të fillimit të shekullit XXI.

Letra e Luçiferrit, drejtuar popullit shqiptar

Edhe ndalimin e fesë në Shqipëri nga Luçiferri (Dulla), të bërë nga Partia e Komuniste (Punës), Ismail Kadareja e përcolli flakë për flakë me poezi e me punime të ndryshme dhe volli gjithçka që i erdhi në gojë kundër “klerit katolik reakcionar”, kundër Fishtës, e veprës së tij madhore dhe autorëve të tjerë.

Bashkë me barinjtë shpirtërorë, priftërinj e hoxhallarë, të cilët, sipas IK-ut (Ismail Kadaresë), të shurdhojnë veshët, duke bekuar gjakmarrjet, minaretë dhe kumbonarët (sic!), IK-u fut (radhit) në poezinë e vet edhe disa poetë, që, të përgjumur, ulurijnë duke lavdëruar abstrakte gjenealogjike.

Të parët (sipas IK-ut njerëz me veladonë të zezë si errësira kozmike) si dhe të dytët (poetët) duhet të dënohen ashtu si e meritojnë: “…Por turmat i mbytën njerëzit me veladona /Dhe poetët rebelë i shqyen me thonjë.”

Dom Gjergj Simoni (1933-2022), ka lindur në Shkodër, në një familje qytetare të mesme. Ai është rritur në një mjedis katolik e me prindër të devotshëm fetar.

Që në moshë të vogël, ka pasur thirrje të brendshme, për t’iu kushtuar Zotit, e cila me kalimin e viteve ka ardhur duke u shtuar, pa pasur asnjë oportunizëm e lëkundje.

Duke qenë, se Kisha Katolike në Shqipëri pësoi përsekutime, që në ditët e para të ardhjes së komunizmit, me mbylljen e seminarit (1946) nxjerrjen e motrave katolike prej kuvendeve (1946), arrestimin e pothuajse të gjithë meshtarëve e pushkatimit të shumë prej tyre (1944-1990), ai bëri studimet për meshtarë në mënyrë të fshehtë.

Gjatë viteve të mëvonshme, ka punuar në punë të ndryshme dhe si nëpunës, por në të shumtën e viteve si punëtor krahu, deri në gusht të vitit 1976, kur u arrestua nga forcat e Sigurimit.

Natën e Pashkëve të vitit 1977, doli në gjyq dhe u dënua me akuzën e të ashtëquajtur “agjitacion i mbyllur” dhe në pretence Prokurori e dënoi me 10 vjet burg.

Arsyeja e dënimit ishte, se në oborrin e shtëpisë së tij, kishte groposur për të ruajtur në fshehtësi librat më të zgjedhura të Arqipeshkëvisë Metropolitane të Shkodrës dhe sa e sa objekte Shejte, marrë fshehtas para se të mbylleshin kishat.

Po ashtu, në dhe, ka futur edhe shkrimet e vëllaut të tij prozatorit imzot Zef Simonit (1928-2009) Ipeshkëv Ndihmës në Arqipeshvine Metropolitane dhe drejtues i revistës popullore shkodrane “Kumbona e së Dillës”.

Gjithashtu, dom Gjergji ka fshehur nën dhe (gropë) edhe dorëshkrimet e Padër Mark Harapit S.J. (Societta Jesus), të Padër Benedikt Demës, si dhe qindra vjersha dhe poezi të shkruar gjatë viteve prej tij.

Midis tyre dallohet poema satirike: Letra e Luçiferrit drejtuar popullit shqiptar”, ku në fund, ka vendosur shënimin: Luçiferri = Enver Hoxha, me të cilën ka bërë që të tërbohen nga marazi të gjithë hetuesit e gjykatësit, gjatë procesit të dënimit.

Në vitin 1985, është liruar nga burgu, pas kalvarit që e shoqëroi në tre kampe burgu: Ballash, Qafë të Barit dhe Spaç. Mbas disa muajve të lirimit, ka hyrë në punë si punëtorë dhe ka punuar kështu deri në muajt e parë të vitit 1991.

Më riadhjen e lirisë së fesë në Shqipni, më 21 Prill 1991, është shuguruar meshtar në ditën e “Zojes s’Kshillit t’Mir”, ku në këmbët e rrënojës së Shejtores, ka thënë meshën e parë. Për një vit, ka shërbyer në qytetin e Shkodrës dhe në shtator të vitit 1992, është emëruar famullitar i Dajçit të Bregut të Bunës e administrator i famullisë së Pentarit dhe sot sërisht në qytetin e Shkodrës. Është meshtar i parë, i shuguruar mbas mbylljes së kishave në Shqipëri.

Përveç shërbimeve fetare të përditshme, kur gjen kohë të lirë merret me sistemimin e dy-tre vëllimeve me vjersha dhe poezi, të cilat kanë qenë sekuestruar gjatë arrestimit dhe arshivuar në Arkivin e Shtetit në Tiranë.

Pjesa më e madhe e tyre ka qenë prej 10 vëllimeve, mendon ai, të cilat, janë përvetësuar prej njerëzve, që kanë qëndruar afër Sigurimit, e që ende sot nuk i kanë rënë në dorë.

Sot vijon të shkruaj, tregime të shkurtëra e kujtime nga burgu në gjuhën e bukur gegë, të cilat, i ka në proces dhe sëshpejti do t’i dërgoj në Shtëpinë Botuese serioze “Camaj-Pipa” në Shkodër.

Shifra me fakte nga Rusia

Nga viti 1918-1929, sipas një studimi të paraqitur nga ana e Kishës Katolike, 6.775 prift orthodoks janë vrarë në Rusi. Më 1936, u mbyllën nga të kuqtë 8.322 priftë të kongregacioneve të ndryshme fetare. Prej 1945-1947, në dy vjet që operojshin bandat komuniste në Greqi, 380 priftën orthodoksë, diakonë e murgj u zhdukën pa lënë gjurmë prej masakrave barbare të tyre.

Në Rusi, mbas një periudhe pushimi të shkurtë, përsekucionet fetare filluan. Tani për tani viktima të këtyre përsekutimeve janë ndjekësit e Kishës Baptiste, ku 202 përsona, priftërinj e fetarë të thjeshtë vujnë denime politike nëpër burgje e punë të detyrueme. Sipas Eminencës së Tij Antoine, në Rusi, më 1914 kishte 78.204 kisha, ndërsa sot ka vetëm disa qindra. Kryeqyteti ukrainaz Kiev, më 1917 kishte 106 kisha, sot ka vetëm 1 (një).

Në Pietrograd ishin më 1917, 354 tempuj, kurse sot kanë mbetur vetëm 10. Nga 600 kisha që kishte në Moskë më 1917, kanë mbetur në këmbë vetëm 30. Komunistët e kuq bolshevik stalinist shtërnguan më 22 dhjetor 1964 For Lumturinë e Tij Patriarkun Aleksej, që të shpallë në të gjithë Rusinë vetëm në një Kishë duhet të bëhen pagëzime.

Për të gjetë një kishë të hapun në Rusi, sipas pohimit të Eminencës së Tij Antoine, duhet të ecësh qindra kilometra. Për të ndërmarrë një udhëtim të tillë bahet e nevojshme leja prej autoriteteve lokale, të cilët të shumtën e herës nuk e japin. Ndërsa një dënim i rëndë i pret të gjithë ata meshtarë që marrin guximin me pagëzu fëmijë pa autorizimin e organeve të qeverisë.

Si turistat perëndimorë ashtu edhe disa nështetas rus, të cilët mundin të dërgojnë jashtë Rusisë ndonjë reportazh, tregojnë se edhe ato kisha që gjenden të hapura në Rusi ruhen rreptësisht nga policia, e cila ndalon hyrjen në kishë të të rinjve 3 vjeç deri në moshën18–vjeçare. Asnjë aktivitet i Kishës ruse, nuk lejohet të bëhet i lirë nga ndërhyrjet e të ashtëquajturve “Këshilla për Punë Fetare”, kryetar i të cilit është komunisti Kouroiedov.

Gjithnjë turistat perëndimorë, që kthehen nga Rusia, tregojnë se edhe ndër ato kisha të pakta që kanë mbetur ende pa u mbyllur, vihen re shpesh agjenta të Këshillit ose të Komitetit për Punë Fetare, të cilët mezi presin me gjetë një shkak që të mbyllin menjeherë kishën dhe të burgosin meshtarin.

Ata ruajnë gjithashtu që të mos bëhen pagëzime, me përjashtim të pak përsonave, që autorizon qeveria, sa për të treguar se ekziston liria e fesë në Rusi.

Mirëpo, realiteti i jetës së përditshme tregon të kundërtën, që është një e vertetë tragjike që po e vuan Kisha në Rusinë Sovjetike (“Catholic Albanian Life”, San Francisco, Saint Clara Cruse, California, Vjeti III, Nr.1 (9), Kallnuer-Mars 1968, 17-19, 23).

A e dha Partia orientimin për luftën kundër fesë?

Atëherë, flakë për flakë, poetët militantë komunistë si Ismail Kadare ose IK-u, shkruanin:

Të shurdhuan veshët
Priftërinjtë dhe Hoxhallarët…
Dhe bekonin gjakmarrjet
Minaret dhe kambanaret.”

apo

“Ç’thonin kambanat,
Ç’murmuritnin priftërit
Në latinisht/Kishave të larta?
Logjika latine me fraza të gjata
.”

ose

Në qelitë e qeta të manastireve të ftohtë
Bënin studime për sufikset priftërinjtë.”
“Amin!
Priftërit dhe ca poetë në gjumë të vinin
Për lavdinë abstrakte gjenealogjike ulërinin
.”

Atë që diktatori mishngrënës Enver Hoxha, e thoshte me një fjalë, shkrimtarët e gazetarët, me suite njeri mbas tjetrit e shumëzonin në gazeta, libra, revista etj., në poezi, libra, drama, romane, poema, artikuj, skenare, dokumentare, studime e përçmime.

Bile edhe për urretjen kundërfetare dhe kundër “armiqëve reaksionarë” të popullit, ia kalonin themeluesit, për të marrë buzëqeshje prej diktatorit, e më vonë poste. Populli, jetonte në varfëri të tejskajshme, për një kafshatë bukë…

Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare

Dhe rezultati i nxitjeres së urretjes ndaj Zoti dhe predikuesve të saj, do të sillte frytin e dëshiruar kundërshqiptar të rregjimit komunist, sipas së cilës:

Klerikët e pushkatuem kanë pasë moshën mesatare 47 vjeç, kanë ba 258 muej hetuesi ose 21 vite, të gjithë së bashku.

Klerikët që kanë vdekë në tortura kanë pasë moshën mesatare 50 vjeç, kanë ba 68 muej hetuesi ose 5 vite e gjysë.

Klekët e mbytun pa gjyq kanë pasë moshën mesatare 56 vjeç, kanë ba 56 muej hetuesi, dhe së bashku me vitet që kanë kalue në burg, janë gjithsejt 18 vjet.

Klerikët, që vdiqën pak kohë pas torturash kanë pasë moshë mesatare 52 vjeç dhe kanë ba 3 vjet hetuesi.

Klerikët, që kanë vdekë në burgje ose kampe shfarosëse kanë pasë moshën mesatare 56 vjeç dhe kanë ba 156 vjeç burg.

Klerikët, që kanë vdekë mbasi kanë krye burgun kanë ba dënim gjithsejt 315 vjet.

Klerikët që kanë vuejt dënimin dhe sot janë me shërbim të fesë kanë ba 363 vjet burg.

Të gjithë vitet e burgut janë 881 vjet ose gati 9 shekuj.

Kanë kryer rreth 450 vjet studime në 24 universitete të ndryshme të Europës. (Grup autorësh, “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990”, Shkodër, 1993, f. 220 ose Mons Zef Simoni Vescovo “Persecuzione della Chiesa Cattolica in Albania”, Roma, 2000).

Tërbimi i ksenofobit anti-katolik Enver Hoxha

Ja sesi luftoj E. Hoxha kundër Vatikanit e Papës, që lutej për vuajtjet e shqiptarëve:
“… Në kapërximin e vitit 1975 e fillimin e 1976 – ës, tamam në ditën e Krishtlindjeve, qëlloi dhe prova e përgjithëshme e Festivalit të Kengës në Radio – Televizion. Edicioni i lajmeve të RAI – it atë natë filloi me përshendetjen e Papës. Enver Hoxha, i mbërthyer te ky informacion priste që figura të ndërpritej.

Kaloi një minutë, pesë, hiç… Vetë ai, personalisht, por edhe të tjerë mbas tij, kërkuan në telefon në fillim drejtorin e përgjithshëm, pastaj të tjerët me rradhë. Kur s’u doli njeri, zunë të gjithë telefonat e tjerë, kush të dilte. Por, sikur të kish renë zjarri, askush s’përgjigjej.

Vetëm vonë, Kryesori, u lidh me një numër në studjon e lajmeve, ku po bëhej gati transmetimi i ngjarjeve kryesore të ditës. Jam Enver Hoxha, -kish nisur ai ligjëratën me nerva e thirrje. Fjala nuk i zinte gojën. -Si guxoni të lini Papën hapur? Ka mbi njëzetë minuta që flet e i ben propagandë kryeqytetit për Krishtlindjet. Ku janë drejtorët tuaj? Cili jeni ju? Tani, menjeherë, të mbyllet linja e Dajtit!…

Ne arritëm në zyrën teknike, në kohën kur shefi yne i redaksisë së informacionit K. S., po kërkonte letër për të mbajtur shënime me receptor në dorë. Ishte i tronditur nga ai lajm ndjellakeqës. Për fat, sa mbaroi ultimatumi në telefon, Papa e mbaroi lutjen. Kjo ngjarje nuk kaloi pa pasoja. Drejtorit të Përgjithshëm iu dha paralajmërim seroiz. Kjo neglixhencë mbeti si kujtesë e hidhur.

Tekniku, mbasi u shqyrtua prejardhja e rrethit të tij familjar, kaloi drejpërdrejt në prodhim. Mbas kësaj ngjarje, drejtorisë teknike iu ngarkua si detyrë që të sajonte një lloj komandimi në distancë për të mbyllur sinjalin e Dajtit nga Tirana.” (Marash Hajati, “Dera e prapme e shtypit”, Botimet Logoreci, Tiranë, 1998).

Dom Gjergj Simoni dëshmitari i fundit i martirizimit
të Kishës në Shqipëri 1944-1990

Në moshën 89-vjeçare ndёrroi jetё në Itali dom Gjergj Simoni, një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës Katolike Shqiptare 1944-1990, gjatë regjimit të egër ateisto-komunist.

Due vetëm një gëzim që sa herë shpirtit i tham: Në krahë të Jezusit t’jem, e s’due ma fort askënd…” pohon në një poezi të tij dom Gjergj Simoni.

Mesha e Dritës dhe Riti i Salikimit u mbajt më 29 janar 2022, ora 11:00 am, pranë Kishës Katedrale të Shën Shtjefnit në Shkodër.

Ky, lajmërimi për humbjen e meshtarit dom Gjergj Simonit (1933-2022), që i shërbeu deri në fund të fundit Kishës së Krishtit, së cilës ia kushtoi gjithë jetën ishte një pikëllim për të gjithë miqët dhe dashamirësit e tij vëllezërit në Krishtin-meshtarët dhe laik.

Dom Gjergji si stoi i palëkundur kundër komunizmit dhe ateizmit të tërbuar të tij, të gjithë jetën e ka kaluar më shumë në qeli, sesa në liri!

Jetë njerëzore e meshtarake e jetuar ndër altare të fshehura, në skutat e shtëpisë a në birucat ftohta burgjeve të Shqipnisë.

Ai u dënua nga diktatura komuniste me 10 vite për agjitacion e propagandë, të cilat i vuajti në Ballsh, Spaç e Qafë-Bari.

Takim me “një dosje” të hartuar nga Sigurimi i Shtetit

Ishin vitet më të zymta në Shkodër, kur në vitet 1967 mercenarët ateistë komunistë do t’i vërsuleshin me egërsinë e hienave Kishës Katolike Martire në Shqipëri dhe më së shumti epiqendrës së saj Jeruzalemit shqiptar apo Vatikanit të vogël qytetit dhe besimtarëve të devotshëm të lashtë Shkodrës.

Shumë shërbestar të komunizmit, për fat të keq pjesa më e madhe e tyre (për hir të së vërtetës historike) ishin përfaqsues ateist apo formal të komunitetit dhe besimit musliman (shkurt ateist fanatik, por për traditë ishin me emra dhe familje me origjinë muslimane, shënim im K.K.), duke përfshirë edhe “akademikë”, që mbaheshin dhe krekoheshin si gjel mbi pleh apo Perëndi të socialrealizmit ateist komunist si “Profesor” Jup Kastrati, i cili në rininë e tij të turpshme ishte Kryetar i Komisionit të Luftës Kundër Fesë dhe Zakoneve Prapanike në Shkodër, do t’i vërsuleshin si bishat e egra shkollave me tradita të shquara dhe Kuvendit Franceskan dhe Kuvendit Papnuer apo sikurse njihet asokohe Jezuit në Shkodër, të cilët ndër shekuj ishin kthyer në vatra të adhedashurisë, kulturës, traditës etnike shqiptare dhe fesë së të parëve tanë të krishterë.

Për hir të së vërtettës historike, duhe thënë se Prof. dr. Jup Kastrati së bashku me mercenarët e tij (me pasionin e urretjes) hynë me forcën e armëve komuniste të Dullës, në ambientet etnike shqiptare të kishave dhe kuvendeve katolike në Shkodër dhe grabitën me dhunë si hajdutë të gjithë pasurinë e papërsëritshme qindra vjecare, muzen filatelist, muzen e parë metrologjik në Shqipni, muzen historic dhe objektet arkeologjike, libra të rralla në gjuhën shqipe, arbërisht, latinisht, dorëshkrime të vjetra shumë shekullore, hulumtime te herbareve, fotografive të rralla të bëra nga Franceskanet në uhëtimet e tyre (expeditat) në të gjithë Shqipninë, shënime të ndryshme, skedaret e librave të rralla dhe në shumë gjuhë të botës, ku më së shumti domonin ato latinisht, gjermanisht dhe anglisht, vodhen dhe shkatërruan me urrje inkuizicionisti fanatik fetar antikuarin, bilbiotekat dhe thesaret e tjera të rralla historike dhe monetare shumë shekullore, të cilat si bleta punëtore me durim mbinjerëzor ndër shekuj ishin mbledhur dhe ruajtur me shumë kujdes nga klerikët katolikë franceskanë dhe jezuitë të qytetit dhe Shqipërisë.

Atë që otomanët sistematikisht ndë shekuj bënë de-shqiptarizimin truallit të lashtë të trojeve ilire tona, duke na shkëputur dhunshëm nga Europa dhe gjurmët e hershme historike. Kështu Perandoria Xhihadiste Islame Otomane e bëri këtë asimilim historic etnik të trojet të Arbërisë dhe Dardanisë për 700 vjet. Po këtë bënë me përpikmëri edhe komunistët ateistë të Dullës për 50 vjet, po në Shqipni dhe Shkodër kryeqendrën e kulturës shqiptare etnike.

Në këto dritare atdhedashurie dhe kulturës përëndimore kristiane përparimtare, u përgatitën ndër shekuj shumë breza klerikësh, që vepruan me mish dhe shpirt papushim me popullin dhe për popullin, me sakrifica sublime, për të përhapur dritën dhe përparimin europerendimor, në të gjithë trojet etnike shqiptare. Otomanët dhe komunistët fanatik ateist kishin të për bashkët barbarinë dhe shkatërrimin e vijimsisë së vlerave etnike të pastra amtare shqiptare.

Pak kohë para se të ndahej nga jeta, 30 vjet mbas lirimit nga burgu, bariu ynë martir mundi të shfletojë dosjen e tij, “të ruajtur” nga Sigurimi i Shtetit.  Autoriteti i Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi më në fund martirit të gjallë dom Gjergj Simonit Dosjen mbi dënimin e tij nga regjimi monist.

https://www.youtube.com/watch?v=Y69zo45Gz2Y

Ai e rilexoi kështu në të gjallë të tij dramën kundër tij, të hartuar me tridhime dhe genjeshtra nga hetuesit xhelatë, hafijet apo skenaristët e Sigurimit të Shtetit dhe diktatorit komunist Dullë (alias largkjofti Enver Hoxha), jo pa ngushëllim, fjalët që i pati shqiptuar në hetuesi, e edhe në sallën e gjyqit, ku pati deklaruar hapur me guxim, se udhëheqja komuniste ishte tradhtare e kombit. 

Meshtari i përvuajtur dhe stoik dom Gjergj Simoni, është edhe ndër meshtarët e parë që u shugurua në fillim të viteve ’90. Ndër të parët, që nisi shërbesat në disa famulli të zonën së Nën Shkodrës, Dajc Bregut të Bunës, Pentar etj. Gjatë kësaj kohe ai nisi të botojë dorëshkrimet e fshehura ndër skuta deri në çastet e rënies së komunizmit.

https://www.youtube.com/watch?v=OoZTaLjiWw4

Imzot Massafra: vdekja e dom Gjergj Simonit, humbje e madhe

Kryeipeshkvi i Arqipeshvisë Metropolitane të Shkodёr-Pultit, imzot Angelo Massafra thotë se: “Vdekja e dom Gjergj Simonit ёshtё humbje e madhe, ndërsa jeta e tij, thesar i çmuar pёr Kishёn e pёr tё gjithё shqiptarët.”

Arqipeshvi Massafra, kujton dёshminё e çmuar tё dom Gjergj Simonit, si në kohёn e kalvarit dhe dhimbje, qё kaloi populli dhe Kisha nё periudhёn e persekutimit komunist, ashtu edhe misionin dhe shёrbimin e tij tё palodhur, pas diktaturёs, pёr rimkёmbjen e Kishёs e tё vendit.

Radio Vatikani ishte ushqimi shpirtëror i dom Gjergj Simonit

Në kohën e diktaturës së egër komuniste në Shqipëri 1944-1990, të gjithë familjet anti-komuniste katolike shkodrane dëgjonin me andje valët e Radio Vatikanit, që emetonte programe fetare dhe kulturore, jetën dhe veprën e klerikëve katolikë, që po persekutoheshin në Shqipni, duke treguar me fakte dhe prova se ata ishin bijtë më të mirë të popullit shqiptar ndër shekuj

Dom Gjergj Simoni, ishte njёri nga dёgjuesit mё besnik e tё dashur tё Radio Vatikanit, qysh nё kohёn e vёshtira tё regjimit komunist dhe pas rёnies sё diktaturёs. Po kёshtu, shpesh, nё mikrofonin e saj, ai rrёfeu pёr kalvarin e popullit e tё Kishёs, si dhe pёr dёshminё e jashtёzakonshme tё shumё martirёve.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.