Përse Arsimi i Lartë në Shqipëri është në Krizë të rëndë

0
868
Pirro Prifti

OPINIONE

NGA: PROF, DR. PIRRO PRIFTI MË: 2 SHKURT 2022 NË BOTASOT.INFO

Problemet e Arsimit të Lartë nuk kanë të mbaruar. Pavarësisht se Shqipëria ka firmosur `Magna Carta Universitarum Europaeum` dhe Deklaratën e Bolonjës, mbeten probleme të mëdha për tu zgjidhur në Shqipëri.

Pak Histori.

Dihet që përpara firmosjes së Procesit dhe Deklaratës së Bolonjës në vitin 2007, u miratua “Magna Charta Universitatum Europaeum“ dhe u nënshkrua nga rektorët e 430 universiteteve më 18 shtator 1988 në Piazza Maggiore në Bolonjë, për të përkujtuar 900 vjetorin e themelimit të Universitetit të Bolonjës. Teksti përfundimtar i dokumentit është hartuar në janar të vitit 1988 në Barcelonë (Magna Charta Universitatum – wikipedia).

Procesi i Bolonjës ishte një seri e takimeve ndërministrore dhe marrëveshjeve midis vendeve Evropiane të dizajnuara për të siguruar krahasueshmërinë e standardeve dhe cilësisë së kualifikimeve të arsimit të lartë. Përmes Marrëveshjeve të Bolonjës, procesi ka krijuar Zonen Evropiane të Arsimit të Lartë, në veçanti nën Konventën e Lisbonës. Ajo është emëruar sipas vendit ku ishte propozuar, Universiteti i Bolonjës, me nënshkrimin e Deklaratës së Bolonjës nga ana e Ministrave të Arsimit nga 29 shtete të Evropës në vitin 1999, duke krijuar një pjesë të integrimit Europian.

Ajo ishte e hapur për vendet e tjera nënshkruese të Konventës Kulturore Evropiane, të Këshillit të Evropës; për më tepër takimet qeveritare janë mbajtur në Pragë (2001), Berlin (2003), Bergen (2005), Londër (2007), dhe Leuven (2009). Dihet se firmosja e Procesit të Bolonjës dhe Deklaratës së Bolonjës për Arsimin e Lartë është bërë nga Ministri i Arsimit të Shqipërisë me qëllim që Diplomat universitare, gradat shkencore të ishin të barasvlefshme me ato të BE, dhe më e rëndësishmja ishte Diploma të krahasueshme për një Treg pune të përbashkët.

Idea ishte kjo: adoptimi i një sistemi të gradave shkencore lehtësisht të njohshme dhe të krahasueshme, gjithashtu përmes Suplementit të Diplomës, me qëllim që të nxitet aftësia për punësim e qytetarëve evropianë dhe konkurrenca ndërkombëtare e sistemit europian të arsimit të lartë. Adoptimi i një sistemi kryesisht të bazuar në dy cikle kryesore, universitare dhe të diplomuar me grada shkencore. Promovimi për në ciklin e dytë do të kërkojë plotësimin e sukseshëm të ciklit të parë të studimeve, që zgjat në një minimum prej tre vjetësh.

Grada shkencore që jepet mbas ciklit të parë do të njihet në tregun evropian të punës si një nivel i përshtatshëm kualifikimi. Cikli i dytë do të çojë në titullin master dhe/ose doktoratë si në shumë vende Evropiane. Vendosja e sistemit të krediteve -te tilla si sistemi ECTS – si një mjet i përshtatshëm për nxitjen e lëvizshmërisë më të gjerë të studentëve (Deklarata e Bolonjës – Ëikipedia).

Ç’po ndodh në Arsimin e Lartë në Shqipëri?

Problem i madh është rënia e cilësisë së mësim dhënies, qoftë për shkak të pedagogëve jo të përgatitur qoftë për mungesa të shumta akademike që do ti rreshtoj më poshtë.

Megjithëse Ligji i ri për Arsimin e Lartë ka gjashtë vjet që është miratuar, mangësitë në arsimimin e lartë për Kolegjet dy vjeçare dhe për Programet Bachelor tre vjeçare, dhe Programet Master, janë shtuar. Shkaqet janë të shumta.

Mangësitë fillojnë nga heshta e ligjit se si, përse, pas sa kohë, dhe çfarë titujsh profesionalë kërkimore&shkencorë duhet të jepen për për Programet Profesionale.

Së pari, dihet se Programet Profesionale dy dhe tre vjeçare duhet të kenë rreth 50% të programit akademik si Praktika Profesionale, por kurrikulat e këtyre programeve dhe kalendari akademik i tyre nuk i përfshin, qoftë edhe për shkak të gabimeve në VKM nr 41 të vitit 2018, dhe me e keqja mbetet se Praktikat Profesionale kanë mangësi të mëdha duke filluar që, vëndi ku do bëhen praktikat, nga laboratorët përkatës dhe specifikë sipas Programeve brënda universiteteve, Laboratorë të cilët duhet të kenë buxhete të veçanta për ti përmirësuar dhe përditësuar me qëllim që studentët të aftësohen.

Së dyti, Gabime të rënda në Kurrikulat mësimore për Programet tre vjeçare dhe ato dy vjeçare, Kurrikulat mësimore të Programeve Master janë kaotike dhe të pa krahasueshme me asnjë kurrikul përkatëse të asnjë Universiteti që ka nënëshkruar Bolonjën. Pse? Sepse Kurrikulat janë bërë pa kontrollin përkatës, pa Udhëzime përkatëse por janë lënë në dorë të lirë të Drejtuesve të Departamentit pa u konsultuar ose duke kopjuar kurrikul të ndonjë universiteti tjetër.

Së treti, Ligji për Arsimin e Lartë nuk vendos që drejtuesit e Programeve dhe Kurrikulave të jenë rreptësisht të Profileve përkatëse për të cilat zhvillohet kurrikula, por në vënd të kësaj e le evasive. Po të shohësh me kujdes, ka drejtues të Departamenteve, madje dhe Dekanë, që mund ti kenë titujt përkatës por nuk janë të Profilit. Që këtu lind gabimi dhe mashtrimi.

Së katërti, një nga gafat e Arsimit të lartë është mos përmëndja e dhe mos vendosja në ligj që studentët duhet të studjojnë me tekste mësimore shqip, të përditësuara dhe të miratuara nga Departamenti. Kështu studentët studjojnë ku të mundin dhe pa cilësinë e nevojshme. Budallallëku më i madh është që (më tepër për tu dukur), në silabuse të venë literaturë të detyrueshme të huaj dhe jo shqiptare, megjithëse dihet fare mirë që studentët në Bachelor dhe Master në Shqipëri nuk mund të studjojë në gjuhë të huaj, por duhet të studjojnë në shqip, kurse tekstet në gjuhë të huaj ti kenë të rekomanduara…

Dihet se çdo universitet anglo-amerikan dhe i BE ka përgatitur tekste mësimore përkatëse për studentët e vet. Në Shqipëri ndodh e kundërta, nuk ka fare tekste në shqip. Madje edhe ato tekste mësimore të huaja që janë miratuar për tu përkthyer në dobi të studentëve , janë përkthyer për faqe të zezë. E domosdoshme është përgatitja e teksteve mësimore nga pedagogë apo grup pedagogësh me tituj , tekste të cilat duhet të jenë të miratuara nga universiteti dhe Departamenti, duhet të përditësohen çdo pesë vjet dhe të kenë referenca të autorëve të dëgjuar.

Së pesti, Studentët me ‘xixa’ siç përmëndi Kryeministri shqiptar, që marrin bursa të plota si brënda dhe jashtë vendit, në fakt duhen kontrolluar mirë, se shumë prej tyre nuk janë me `xixa` prej vërteti por, po vërehen ‘ekselenca’ me nota jo të merituara sepse mesa duket vendosen nota maksimale fiktive.

Së gjashti, pedagogët e stafeve akademike përzgjidhen apo janë të ftuar jo sipas eksperiencës dhe intervistës, por sipas miqësive. Kjo shkakton uljen e cilësisë së mësim dhënies. Problematike është marrja në punë e pedagogëve që nuk janë të profilit të cilët japin lëndë të profilit?! Këto nuk janë të sqaruara as në ligj e as në udhëzime.

Së shtati, mbetet problematike, se ligji është kryesisht për Shkollat e Larta publike dhe jo për Shkollat e larta Private.

Së teti, Puna shkencore, artikujt shkencorë dhe kërkimorë, që janë vendosur si kushte për të marrë tituj shkencorë, kanë vendosur revista të huaja shkencore arbitrarisht me impakt factor, të cilat Ministria i ka hequr e vënë sa herë që vjen ministër i ri, por ka harruar të pikëzojë për pedagogët që kërkojnë tituj- edhe tekstet mësimore përkatëse që pedagogu ka realizuar, përfshi dhe Monografitë.

Këtë e them sepse në Shqipëri nuk ka punë shkencore të mirëfillta, por më tepër punë kërkimore të bazuara në statistika jo shumë të sakta. Prandaj Kushtet për të marrë tituj duhet të rishikohen edhe një herë dhe të mos lëvizën cdo herë që ikin e vijnë ministra aspak profesionistë.

Së fundmi, është e domosdoshme që të ketë një Ministri të Arsimit të Lartë të ndarë nga MASR, pikërisht me qëllim që të verë punët në vijë të specialistët e Ministrisë të jenë më të vërtetë specialist dhe jo militant. Këtu duhen përfshirë e Këshilltarët e Ministrit të cilët duhet të jenë profesionistë me mbi 20 vjet punë në arsimin e lartë , dhe të ndërpritet urgjentisht marrja e këshiltarëve pa eksperiencë punë apo militantë partie.

Ka edhe faktorë të tjerë politikë, të cilët pengojnë arsimin e lartë, por sikundër e thotë një professor i madh: ‘Kur përplaset Politika me Ligjin, Ligji e pëson shumë rëndë’.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.