Ali Adem Hoxha, intelektuali dibran, poliglot dhe erudit…

0
193
Gëzim Loka

Në foto: Gezim Loka

Nga Gëzim Loka

Në foto: Ali Hoxha

Ali Adem Hoxha ka udhëtuar në jetë me një pasion në ngritje, nga koha në kohë, për dijet në lëmin ku ka ushtruar përkushtimin dhe taletin e tij profesional, por dhe me një formim intelektual e njerëzor, që ka lënë gjurmë kudo ka qenë dhe ka punuar me korrektesë dhe përgjegjësi qytetare.

Ali Hoxhën ke dëshirë ta keshë mik, të shkëmbesh me të një fjalë, një përshëndetje, të rrugëtosh në kohën e kujtimeve dhe ëndrrave të jetës. Unë vetë kam kontakte të vazhdueshme me Aliun, i cili është një dibran fisnik dhe intelektual i formuar, dhe nuk e teproj pot ë them, një model sjellje që duhet ta kenë të gjithë intelektaulët dibranë e më gjërë, për të ndërtuar çdo ditë ura të vogla drejt vendlindjes, që së bashku bëhemi një urë e madhe dashurie e mirësie…

Të shkruash për intelektualin poliglot dhe dibranin fisnik Ali Adem Hoxha, të nxit të kërkosh në ecurinë e rrugës së tij, mes gjuhëve të huaja, dijeve e shtigjeve të vështirë për t’u formuar si një personalitet me tipare të qënësishme të dibranit. Korrekt, dashamirës, fisnik, ai ka ecur në jetë me punë e përkushtim, duke qenë në çdo rast një shembull për të tjerët, me pasionin dhe etjen e tij për dije dhe vlerat njerëzore.

Mësues, drejtor shkollë, përrthyes profesionist, redaktor, kryeredaktor, veprimtar shoqëror, me kualifikime e specializime serioze, ai ka lënë gjurmë në fushën e arsimit dhe edukimit, por dhe në atë të përkthimit e redaktimit, duke punuar në shkolla dhe ente botuese skrupuloze e të lakmuara për kohën.

Ai është bashkëpunëtor shkencor në disa institute e akademi shqiptare, me përvojë në fushën e veprimtarive studimore shkencore, publicistike dhe në detyra e funksione të rëndësishme shoqërore e shtetërore.

Ka mbajtur poste të rëndësishme në Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe ka qenë për disa kohë redaktor në gazetën “Drita Islame” Tiranë dhe kryeredaktor i gazetës “Këshilla”, organ i Fondacionit të Kur’anit, Tiranë. Nga viti 2001 e në vazhdim është ideator, themelues e Kryetar Nderi i Shoqatës “Për mbrojtjen e prinave dhe të mjedisit të pellgut të Drinit të Zi të Dibrës”. Nga viti 2011 deri më 2013 ka qenë kryetar i Shoqatës atdhetare etnokulturore “Çidhna dhe kastriotët”, me mandate dyvjeçar.

Lindi më 1 nëntor 1940 n Laçes të Dibrës, ku kreu ciklin fillor dhe shtatëvjeçar të shkollimit, për të vazhduar më tej studimet e mesme në Medresenë e Përgjithshme Tiranë, maturën e Shkollës së Mesme Pedagogjike në Peshkopi dhe më tej studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakultetit Histori-Filologji, dega Gjuhë Letërsi.

Ka mbrojtur arabishten me gojë e me shkrim, pas studiemve të thelluara në Universitetin e Katarit, Doha dhe në Universitetin e EZ’HERIT, në Kajro. Përveç njohjes perfette të gjuhës arabe, shfrytëzon literaturë në gjuhët latinisht, rusisht, frëngjisht, osmanisht, turqisht dhe persisht.

E ka nisur punën në vitin 1959, në moshën 19 vjeçare si msues në shkollën shtavjeçare Mamurras dhe Laç të rrethit Krujë ku ka qëndruar gjer në vitin 1963, për të vijuar më tej si mësues në shkollën tetëvjeçare Zall-Dardhë, Dibër, drejtor në shkollën tetëvjeçare Grykë-Nokë Dibër, mësues në shkollën e Mesme të Bashkuar Fushë-Çidhën, përkthyes në gjuhën arabe në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” Tiranë, redaktor në Shtëpinë Botuese Enciklopedike, mësues i gjuhës arabe dhe gjuhë-letërsisë shqipe në Medresenë e Tiranës etj.

Nga viti 1971 e në vazhdim është bashkëpunëtor shkencor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1974 bashkëpunëtor shkenmcor i jashtëm I Institutit të Historisë të Aakdemisë së Shkencave, nga viti 1980-1982 nënkryetar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Rrethit Dibër.

Studimet e tij janë botuar në organe qendrore të Akademisë së Shkencave të Tiranës, në “Studime historike” dhe “Studime gjuhësore” si dhe në shtypin periodik e të përditshëm, midis të cilëve, veçojmë studimin “Defteri turk i Viljatetit të Dibrës i vitit 1467 dhe disa mendime rreth vlerave historike të tij”, referuar në Konferencën e parë Studimore-shkencore për kulturën popullore në Dibër, në sesionin shkencor, mbajtur në Peshkopi më 13-14 dhjetor 1976, botuar në “Dibra dhe dibranët”, Peshkopi 1981.

Ka botuar gjithashtu një studim rreth Betejës së Torviollit, ku lokalizon vendin e saktë kjo është zhvilluar kjo betejë epokale, studim gjuhësor rreth toponimisë në rrethin e Dibrës, studime ku nxjerr në pah me një vështrim të thellë historik rezistencën e Çidhnës e të Dibrës dhe dibranëve në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në etapa të tjera të historisë dibrane e shqiptare.

Një nga trevat ku është thelluar mendimi dhe vështrimi i tij me detaje të goditura dhe të sjella nga arkivat dhe kujtesa kolektive e brezave është Çidhna, vendlindja e tij, e cila ka një histori të trazuar, me të ndodhura epokale, të cilat Aliu i ka përshkruar me realizëm dhe mprehtësi, duke na përcjellë tablo mbresëlënëse të luftës dhe rezistencës së kësaj krahine për liri dhe dinjitet shoqëror.

Për këto veprimtari shkencore dhe njerëzore, ku spikasin përkushtimi, pasioni, talenti dhe zelli intelektual i tij, Ali Hoxha mban titullin “Qytetar Nderi” i Komunës Arras, me vendim nr 11, datë 15.04.2005, me motivacion: “Për kontributin e tij të shquar për punën arsimore shkencore lidhur me historinë dhe traditat etno-kulturore të Krahinës së Çidhnës e Dibrës”. Mban gjithashtu vlerësimin “MIrënjohje z.Ali Hoxha” nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, dhënë me rastin e 20 vjetorit të gazetës “Drita Islame”, për kontributin në rritjen cilësore dhe profesionale të kësaj gazette.

Mban “Çertefikatë Mirënjohje” dhënë nga Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër, me motivacion: “Për kontributin e dhënë në zhvillimin e arsimit dibran, për virtytet dhe vlerat e larta morale e kombëtare të përcjella tek brezat në vite”, Peshkopi më 18 prill 2012.

I është dhënë çertefikatë nga Instituti I Mendimit Islamik dhe Instituti i Mendimit Islamik dhe Civilizimit për pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare “Medresetë shqiptare në kohën e sotme: kurikulat dhe tekstet shkollore”, Ohër Maqedoni 6-7 Tetor 2017.

Urtësia e tij, zgjuarsia dhe intelekti, fisnikëria dhe mirësia, shpirti human dhe gadishmëria për të ndihmuar lurianët, janë disa cilësi të Kadri Haldedës, që ai i përcjell çdo ditë në punën dhe biznesin e tij, në çdo gjurmë që lë pas në kohën e tij të ngarkuar me ide, qasje e projekte, por mbi të gjitha me mirësi e fatbardhësi për Lurën e tij.

Kur kthen kokën pas, në fytyrën e Ali Hoxhës çel trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buron nga shpirti i tij i pastër, nga fakti se gjatë gjithë jetës së tij, në çdo hap që ka hedhur, e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për njerëzit.

Dashuria për çidhnakët dhe dibranët e tij ka qenë dhe mbetet një lejtmotiv i jetës së tij, shtytje drejt punëve të mira, drejt realizimeve të mira, që mbartin farët e dashurisë dhe të mirësisë njerëzore.

Gjithë jetën ka gëzuar respektin e njerëzve, pasi ata kanë parë dhe shohin tek Ali Hoxha modelin e burrit qëndrestar, modest dhe veprues, që nuk ka ditur kurrë t’i ndajë fjalët nga veprat, mendimin nga veprimi.

Sa herë që e takoj, në fytyrën e tij qarkon buzëqeshja e mirësisë, që e karaterizon këtë intelektual dibran në çdo hap të jetës së tij.
Këto shënime janë vetëm një pjesë e angazhimeve dhe sfidave të Ali Hoxhës, që ende vazhdojnë, pasi portreti i tij është i pambaruar dhe një ftesë që në këtë kohë kaotike që po përjetojmë, të tentojmë të nxjerrim në pah njerëz me vlera si ai, njerëz që vështrojnë përtej hundës së tyre dhe interesave të çastit…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.