Në vdekjen e një mikeshe

0
264
Lidia - vrarë - Itali

Pak ambientim për një nga poezitë më të mistershme

Më 5 janar 1987, Lidia Macchi, një studente universitare 21 vjeçare, gjendet e vrarë me 29 goditje me thikë në pyllin Cittiglio (Varese) ˗ Itali.

Një i njohur dhe mik i Lidia˗s, me emrin Stefano Binda, në atë kohë 19˗vjeçar, arrestohet më 15 janar 2016 dhe dënohet nga Gjykata penale e Varese˗s (e krimeve të rënda) me burgim të përjetshëm në shkallë të parë në prill të vitit 2018 dhe pastaj vlerësohet i pafajshëm nga Gjykata e Apelit të Milanos, më 24 korrik 2019.

Duke mos pasur prova të sigurta si në kohët e sotme, dyshohet që autori i vrasjes të jetë ai që ka shkruar një poezi dhe ia ka postuar familjes Macchi në mënyrë anonime, më 10 janar 1987.

Megjithatë, analiza e tekstit të poezisë nga ana e kriminologëve ekspertë e përjashton hipotezën që autor i kësaj poezie të ketë qenë vrasësi i Lidia˗s, por ka gjasë që ky tekst të jetë përpiluar nga një anëtar apo i afërm i Lëvizjes Katolike Comunione e Liberazione, ku bënte pjesë edhe viktima, vdekja e së cilës krahasohet me atë të Krishtit të pafajshëm. Zarfi, në të cilin gjendej poezia me titull “Në vdekjen e një mikeshe” ka vulën e zyrës postare të Varese Centro të datës 9 janar 1987 në orën 16.00, më shumë se 48 orë nga gjetja e kufomës së trupit të Lidia Macchi.

Ja poezia anonime, që mbërriti tek familja Macchi, dhe që përshkruan se si Lidia pësoi vdekjen që të mbronte virgjërinë e saj, që si çdo subjekt i besimit të krishterë, e konsideron atë si një vlerë të paprekshme:

Në vdekjen e një mikeshe

Vdekja bërtet
kundër fatit të saj.
Thërret me tmerr
pse është vdekje:
Cezurë e llahtarshme,
sfilitje mishrarsh.
Vdekja bërtet
e bërtet
Njeriu i Kryqit.
Refuzim,
refuzimi i madh.
Lufta
lufta e përhershme.
Dhe Nëna,
Nëna e butë
me vëllazërit në vaj.
Përse unë?
Përse ti?
Përse, në këtë natë të akullt,
ku yjet janë kaq të bukura,
trupi është i fyer,
Perdja e Tempullit të ndarë,
prehet.
Si mund të qëndrosh
i varur mbi dru.
Në emër të drejtësisë,
në emër të njeriut
në emër të respektit për njeriun
largoje prej nesh këtë kelk!
Por zonja e errët
shpall me zë të lartë
arsyet e saj.
Cunsummatum est (U krye!)
kjo është paga
e gabimit tejet të vjetër.
E ti,
Qengji i panjollë.
E ti,
qengji i pastruar
që përkul kokën
i druajtur dhe i butë,
qengji i flijimit,
që për asgjë nuk çirresh,
asnjë ankesë.
Megjithatë një tingull,
vazhdon një fllad
pushim për
fushat tona të thata
në këto netë vaji.
Në emër të Tij,
të Atij që na ka paraprirë,
e kryqëzuar,
e varur në dy trerë.
Në emër të Atit
u bëftë vullneti i Tij!

Një intuitë personale: si një pistë e paeksploruar

Ndërsa kriminologët dalin në përfundimin se duhet përjashtuar që vrasësi i Lidia˗s të jetë njëkohësisht edhe autori i poezisë, sipas reflektimit tim personal, mund të përfundohet edhe e kundërta.

Vërtet poezia ka ngjyra besimi të sakta, u përmbahet rregullave të lëvizjes fetare ku bënte pjesë vajza dhe vrasësi që hipotizohet, por rreshtat e parë sidomos, madje e gjithë poezia, lënë të nënkuptohet se ka gjasë se autori i vrasjes dhe njëkohësisht i poezisë, mund të identifikohet me vdekjen (sipas përshkrimit të tij), pasi ai është besimtar dhe është krejtësisht i penduar për ngjarjen makabre që mund ta ketë shkaktuar.

I bindur për disa vlera të besimit të tij, e në shenjë pendimi, për krimin që mund të ketë kryer, shkakun e të cilit nuk mund ta dimë, mund të hipotizohet edhe fakti se autori i krimit e ka përshkruar flijimin e pafajshëm të vajzës duke dashur ta sublimojë atë në nivelet më të larta.

E nga ana tjetër, kur flet për gabim të vjetër, për britma, për vdekje, për luftën e përhershme, duket sikur po paraqet atë që po ndodh në shpirtin e tij: ndoshta është një intuitë e guximshme, por autori i vrasjes, i brejtur nga ndërgjegjja për gjestin e rëndë e të pakthyeshëm, e duke e konsideruar veten si një Judë të historisë, duke mos guxuar që të marrë pjesë fizikisht viktimës, ia del kështu të marrë pjesë me mendimin e tij duke e shprehur ashtu siç e ndien dhe duke ia dërguar familjes në mënyrë anonime.

Me këtë gjest, duke futur në fushë elemente të besimit dhe të riparimit, ka dashur autori të gjejë fijen e artë të lumturisë së qenies njerëzore edhe në situatën më dramatike të ekzistencës: Pranimin. Pranimin e gabimit nga ana e tij, duke tentuar ta përfshijë në një një plan më të madh të shpëtimit e ngjashme krejtësisht me atë të vdekjes së Jezusit që erdhi për shkak të tradhtimit nga ana e Judës; pranimin e pësimit nga ana e viktimës dhe nga ana e familjes, duke nxjerrë në pah vlerën e flijimit të pafajshëm pavarësisht mënyrës se si ka ndodhur.

Nëse i përmbahemi kësaj hipoteze, sigurisht autori i poezisë, nëse realisht është edhe autor i vrasjes, ka ditur mjaft bukur ta mbulojë me vetëdije krimin e tij në mesin e rreshtave të poezisë, duke dëshiruar sigurisht t’i shpëtojë drejtësisë njerëzore, për të përfunduar direkt në duart e drejtësisë hyjnore.

Edhe në zemrën e një besimtari sado të zjarrtë, mund të banojnë tundimi dhe fatkeqësisht, mëkati. Ky është kontrasti dhe misteri i jetës së çdo njeriu. Duket sikur autori nxjerr në pah se pranon ligjin: Dëshiroj të bëj të mirën e më vjen për dore e keqja!

Më duket se në këtë rast për mua është ndezur një intuitë, duke konsideruar edhe faktin që autori nuk është firmosur dhe nuk ka dashur të identifikohet si autor i poezisë së sipërpërmendur.

Familja Macchi vazhdon të kërkojë drejtësi, ndërkaq edhe hetimet e shtetit Italian kanë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme që të zbardhet ngjarja. Megjithatë, ndoshta do të mbetet një mister që kurrë nuk do të zbulohet, përveçse në botën e përtejme, ku sipas mësimit të Jezusit nga Nazareti, çdo gjë do të dalë në dritë.

Nikolin Sh. Lëmezhi

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.