PËR GJUHËN SHQIPE ZYRTARE – OSE STANDARDIN E SHQIPES

0
470
Gjuha shqipe

Arben Çokaj - gazetar Arben Çokaj

(në vijim të një debati mbi gjuhën zyrtare shqipe)

Prof. Mathieu Aref ju jeni një person që merreni me histori, jo me politikë si Enveri. Unë merrem me gazetari e analiza politike, jam racional dhe përpiqem ta vlerësoj objektivisht si të kaluarën, ashtu edhe të tashmen. Enveri kishte pushtet, kishte në dorë të bënte diçka, e bëri. Derisa erdhi Enveri nuk e bëri kush këtë – gjuhën zyrtare shqipe – para tij. Pse nuk e bënë? Kush i ndaloi?

Ju thoni se Enveri e bëri keq, bëri gabim. Dakord. Ju, a mund ta bëni më mirë? Pse nuk e bëni atëherë? Se nuk mundeni. Kush u ndalon ju ta bëni më mirë se Enveri gjuhën zyrtare shqipe?! U pengojnë ata që nuk janë dakord me ju, si nuk jeni ju dakord me Enverin. Atëherë e zëmë se ju megjithatë, e bëni këtë që thoni, dhe mendoni se keni të drejtë.

Si ju shkon në mendje ju, kur Enveri e bëri atë punë, gjuhën shqipe zyrtare, nuk e mendonte ai se ka të drejtë? Unë mendoj se Enveri kishte idenë se po bënte një gjë të mirë dhe të drejtë për Shqipërinë. Por sot kundërshtarët e tij thonë GABIM. Ndër ta edhe ju, e kisha katolike. Po sikur ju të bënit këtë që doni ju, gegnishten – gjuhën hyjnore – si gjuhë zyrtare, a mendoni ju se kundërshtarët tuaj do të thonë se ju vepruat gabim? Me siguri do të thonë se ju e keni gabim. Por ju, si Enveri në atë kohë, nuk do të pyesni fort për ta, sepse jeni i bindur, si Enveri në kohën e tij, se keni të drejtë. Apo jo?

Pra, unë dua të them, se punët i bën ai që mundet. Enveri bëri punët e tij kur mundi, aq sa mundi, mirë apo keq, ne e vlerësojmë tani. Ne sot, mund të bëjmë punë më të mira e më të këqia se Enveri, kuptohet nëse mundemi.

Gjuha zyrtare shqipe do ishte mirë të përfshinte të dy dialektet, gegnisht e toskërisht, por a mundet vallë të bëhet një gjuhë e tillë? Këtë e dinë gjuhëtarët. Deri sot, nuk e kanë bërë. Jam i sigurtë, aq më tepër sot, nëse gjuha shqipe zyrtare ndryshon në gegnishte zyrtare, kuptohet se pjesa e jugut – toskët, do të thonin se kjo është një padrejtësi për ta, si thonë gegët sot, për gjuhën e sotme shqipe. Por, a do ju shqetësojë ju kjo? Nuk e besoj…

Prandaj duhet të shihen këto punë nga pikëpamja profesionale, nga gjuhëtarët e shqipes, nëse ata e mendojnë ndonjë ndërhyrje në këtë drejtim, që i përmirëson punët me gjuhën, aq më mirë. Por gjuha zyrtare është me marrëveshje, dhe kombi shqiptar është mirë të ketë një gjuhë zyrtare, se sa dy, si kombet e tjera. Kështu e mendoj unë këtë punë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.