ASKUSH NUK MUND TA SHTYPË SHTYPIN… (Teodor Keko)

1
277
Teodor Keko

Foto: Teodor Keko

Një letërkëmbim 29 vjet të shkuara me Teodor Kekon, mesazh dite sot…

SOT, kur kërkohet një ligj për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e shtetit dhe e segmenteve të errëta të kohës sonë…

Abdurrahim Ashiku
Abdurrahim Ashiku

Abdurahim Ashiku: MENDOJ TË KRIJOJMË “SHOQATËN E KOKAVE TË FORTA”

  • Jam i indinjuar për dhunën e ushtruar ndaj jush, dhunë që ndodh vetëm në atë vend ku fjala është në pranga, në ato vende ku kriminelët të vrasin natën e të rrinë tek koka  duke qarë ditën.
  • “Mos u mërzitni! Mos bëni asgjë! Unë e kam kokën të fortë. Ata e provuan se nuk kanë se çfarë ti bëjnë kokës time”
  • Unë, i dashur Teodor, e kam njohur atë që më goditi, kam njohur edhe ata që e dërguan të më godasë. Kam njohur edhe ata që dinë të qajnë tek koka ditën pasi të kanë vrarë natën. Nuk munguan të më vijnë.
  • Unë i shoh ata që më goditën, e që për pasojë të goditjes, më detyruan për rreth një vit të shtrohem nëpër “qelitë” e “burgut të bardhë”.
  • E ndjej frikën e tyre, forcën e tyre të fishkur. Ata e kanë kuptuar se unë e kam kokën të fortë dhe nuk kanë se çfarë ti bëjnë.
  • Nuk e kuptoj si goditet Teodor Keko-njeri, gazetar, deputet, pa asnjë shkak. Inat të madh duhet të akumulojë një njeri derisa të arrijë në cakun e goditjes për ti marrë njeriut jetën.
  • Unë nuk e pi rakinë (tani pas operacionit jo dhe jo) por kam qejf të pimë një kafe Dibre të shoqëruar me raki këtu në Peshkopi, kur juve t’ju bjerë
    Nuk është e vështirë të më gjesh. Koka ime tashmë është bërë publike.

I nderuar z. Teodor,

Ju  respektoj si njeri, si gazetar e deputet.
Jam i indinjuar  për dhunën e ushtruar ndaj jush, dhunë që ndodh vetëm në atë vend ku fjala është në pranga, në ato vende ku kriminelët të vrasin natën e të rrinë tek koka  duke qarë ditën.

Dëshiroj që këto momente të vështira të jetës suaj, këtë dhunë të paskrupullt ndaj njeriut, gazetarit e deputetit ta kaloni me humor, me atë armë që ju e keni kaq të bollshme sa ta kemi zili.

Kur, gati një vit më parë, në mes të ditës, në zyrë, duke punuar një kronikë kulturore drejtpërdrejt mbi makinën e shkrimit, një hjeks i kohëve moderne më goditi pesë herë me shkop gome policie dhe më përgjaku fytyrën, unë, njerëzve të mi të cilët ishin të indinjuar dhe të gatshëm të bënin gjithçka, u thosha: “Mos u mërzitni! Mos bëni asgjë! Unë e kam kokën të fortë. Ata e provuan se nuk kanë se çfarë ti bëjnë kokës time”

Unë, i dashur Teodor, e kam njohur atë që më goditi, kam njohur edhe ata që e dërguan të më godasë. Kam njohur edhe ata që dinë të qajnë tek koka  ditën pasi të kanë vrarë natën. Nuk munguan të më vijnë. Njeri është ministro-deputet. Tjetri është kryetar rrethi. Tjetri tani ka shkuar për specializim policor jashtë shtetit…

Unë i shoh ata që më goditën, e që për pasojë të goditjes, më detyruan për rreth një vit të shtrohem nëpër “qelitë” e “burgut të bardhë”.

E ndjej frikën e tyre, forcën e tyre të fishkur. Ata e kanë kuptuar se unë e kam kokën të fortë dhe nuk kanë se çfarë ti bëjnë.

Ata (të paskrupullit dhe të frikësuarit në kulm) mund të përdorin edhe plumbin. Nuk e ke idenë se çfarë mund të bëjnë ky soj njerëzish për të ruajt karriget, për të vrarë fjalën e lirë.

Rasti im është i thjeshtë.
Rasti juaj është kulmi.

Nuk e kuptoj si goditet Teodor Keko-njeri, gazetar, deputet, pa asnjë shkak. Inat të madh duhet të akumulojë një njeri derisa të arrijë në cakun e goditjes për ti marrë njeriut jetën.
Goditja që i bëhet Teodor Kekos është politike.
Goditja që i bëhet Gjergj Zefit është politike.

Këto nuk mund ti mbulojë as ministri, as prokurori, as presidenti. Është në nderin e tyre që ti zbulojnë këto krime monstruoze.

Duke përfunduar z. Teodor mendoj që të krijojmë një shoqatë të re, Shoqatën e Kokave të Forta (jo shoqatën e kokëfortëve). Si deputet mendoj se ke mundësi më të mëdha për të ndihmuar në legalizimin dhe publikimin e shoqatës. Unë jap votën time që ju të jeni kryetar i shoqatës. Për Dibrën mendoj që të vetë zgjidhem unë kryetar. Besoj se kam dhënë prova se e kam kokën e fortë.

Me këtë rast ju ofroj bashkëpunimin tim (në qoftë se dëshironi) në faqet e gazetës simpatike “Aleanca”. Mund t’ju jap kronika nga Dibra. Si fillim po ju dërgoj një shkrim që e kam bërë në vazhdim të një shkrimi që e kam botuar në gazetën tuaj ku flitet për autostradën Shkup-Vlorë.  Unë, duke pohuar ndërtimin e autostradës për Durrës e për Vlorë them që autostrada Shkup-Shëngjin ka vlera më të mëdha se dy të parat, vlera ekonomike, politike, shoqërore etj., etj.

Në qoftë se doni bashkëpunimin tim më shkruani se çfarë dëshironi.
Unë nuk e pi rakinë (tani pas operacionit jo dhe jo) por kam qejf të pimë një kafe Dibre të shoqëruar me raki këtu në Peshkopi, kur juve t’ju bjerë  rruga.
Nuk është e vështirë të më gjesh. Koka ime tashmë është bërë publike.

Me nderime,

Abdurahim Ashiku
Peshkopi më 20.3.1994


Teodor Keko:

NË LUFTËN KUNDËR SHTYPIT NUK KA FITIMTARË

  • E di sa e rëndë ka qenë vetmia për ju dhe sinqerisht jam i mahnitur nga forca dhe guximi qytetar që keni treguar dhe tregoni, megjithëse i keni kaluar të pesëdhjetat.
  • Humori është jo vetëm mënyra ime e zakonshme e reagimit përballë të keqes, por edhe një autoironi për veten time.
  • Më prenë në besë të mitë dhe s’kam kujt t’i ankohem. Duhet ta kisha kuptuar me kohë, prandaj rri këtu në shtëpinë time, i goditur me hekur, i fyer thellë, duke e përzierë hidhërimin tim me atë humorin që thoni ju.
  • Nuk e çoj nëpër mend tërheqjen, përkundrazi angazhimi im tani është motivuar dyfish. Ja përse them se ajo shoqata që propozoni ju ekziston de fakto, fatmirësisht.
  • Askush nuk mund ta shtyp shtypin. Në luftën kundër shtypit të lirë nuk ka fitimtarë. Për këtë jam i sigurt.

I dashur koleg,

Mirënjohja ime për letrën e solidaritetit që më dërgoni nuk e lan borxhin që shtypi shqiptar ju ka juve. Ju jeni terrorizuar, ju jeni goditur e gjakosur në Dibër, për ku ka shkruar Departamenti i Shtetit Amerikan, por shtypi shqiptar, jo aq i ndjeshëm për dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve në zonat e largëta ka shkruar shumë pak. E di sa e rëndë ka qenë vetmia për ju dhe sinqerisht jam i mahnitur nga forca dhe guximi qytetar që keni treguar dhe tregoni, megjithëse i keni kaluar të pesëdhjetat. Në këtë rast ju jeni një shembull i vendosmërisë dhe profesionalizmit.

Ju vini në dukje se edhe unë po mundohem ta jap këtë shembull duke i kaluar mjaft gjëra me humor. Humori është jo vetëm mënyra ime e zakonshme e reagimit përballë të keqes, por edhe një autoironi për veten time. Unë kam patur shumë besim te miqtë e mi, me të cilët u bashkova për demokracinë dhe shtypin e lirë në Shqipëri. I hyra kësaj pune qysh në dhjetor 1990, u bashkova me stafin e themeluesve të gazetë së parë opozitare duke i bindur se jo vetëm unë dhe miqtë e mi shkrimtarë, por edhe miqtë që po hynin në politikë në atë kohë për të marrë pastaj në dorë fatin e Shqipërisë, luftonin jo për lirinë e një pale, por për lirinë e të gjithëve.

Kjo shpresë dhe ky besim imi i asaj kohe nuk u verifikua dhe ky është një nga zhgënjimet më të mëdha si gazetar, si shkrimtar. Më prenë në besë të mitë dhe s’kam kujt t’i ankohem. Duhet ta kisha kuptuar me kohë, prandaj rri këtu në shtëpinë time, i goditur me hekur, i fyer thellë, duke e përzierë hidhërimin tim me atë humorin që thoni ju.

Megjithatë, do të dal nga izolimi sapo të më pastrohet fytyra nga shenjat e plagës. Nuk e çoj nëpër mend tërheqjen, përkundrazi angazhimi im tani është motivuar dyfish. Ja përse them  se ajo shoqata që propozoni ju ekziston de fakto, fatmirësisht. Askush nuk mund ta shtypë shtypin. Në luftën kundër shtypit të lirë nuk ka fitimtarë. Për këtë jam i sigurt.
Kafetë e Dibrës mua më pëlqejnë veçanërisht, se janë kafe me zemër të bardhë, me besë e burrëri. Është një gëzim që më pret.

Përshëndetje i dashur koleg dhe shumë të faleminderit.

Teodor Keko

Gazeta Aleanca, 31 mars 1994

1 KOMENT

  1. I nderuari *admin*, me kenaqe me kete shkrim si *trinitrine* per mua, gjysh 87 vjeçar – tej oqeanit. Natyrisht nuk jam as Teodor Keko i ndiere e i neruar, as Ju – i madhi i te medhenjve mendimtar – zedhenes i shtypit shqiptar -i ketij fund eshekulli qe perjetojme. Ju faleminderit, si nje lexues i thjeshte që me të tilla shkrime jetoj, po e perdor si trinitrine jete, tej oqeanit jam. Ju faleminderit me kujtuat vitet sa dale ne pension, (1991), une nje jete MESUES-asgje me shume. Me Penat Tuaja qe ato vite; sa te ndierin Teodor Keko, shemgellyre-HAPES HORIZONTESH*… Mirenjohie Atij e PERJETESI vepres Tij, qe Ju na e sillni, i nderuar Abdurahman Ashiku-UDHERREFYES i RALLE. Si 87 vjeçar tej oqeanit ju pergeoj.

    Nga Toronto e Kanadase ju shkruaj e, me JU- *TRINITRINE*, takohem me *Pasues Vetereane* qe me Ju dhe personalitetin e te ndierit Teodor Keko-JETOJME…

    Ju faleminderit. *TRINITRINE* te perditeshme kam- *org *Pasuesve veterane* ne Toronto sa, lidhjet qe mbaj me QENDREN ne Tirane sa mediat e, JETOJME… me ATDHEUN e per atdheun. Pranvere te mbare ju UROJM e faleminderit sa BENI-ATDHETR I ATDHETAREVE, me Ju-nje jete – NXENES* i mbetur ne klase…. Ju prifte e mira. Suksese sa IDEONI e BENI! Toronto 16 Mars 2023- Cingerrime me diell mes Torontos, nis dita sot… Na prifte e mira.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.