“Një lule vjeshtet”, rrethanat që e krijuan dhe intrigat që e shoqëruan poetin

0
347
Gjergj Fishta i ri

POEZIA LIRIKE “NJI LULE VJESHTET”, TË CILËN GJERGJ FISHTA MENDOHET SE IA KUSHTOI DASHURISË SË TIJ, NË RININË E HERSHME

Përgatiti Fritz RADOVANI

Kjo ndoshta asht poezija ma lirike e mbarë këtij libri, n’atë kuptimin e ngushtë qi merr fjala. Asht nji lirikë qi zbulon shumë ndiesi të botës së mbrendshme të Poetit. Subjekti i saj paraqitet mjaft i pacaktuem. Mbas mendimit tim Poeti në ketë karm – në ketë trajtë si paraqitet sot hartimi – nuk pat nji vehtje të caktueme.

Ai ndoshta – shka ka të gjitha gjasët – së parit desht të shprehë ndiesit e dhimbës për këtë apo atë vehtje të caktueme, por, në përshkrim të hartimit, erdh tue e çveshë prej çdo veçansije, e kështu e idealizoi aq, sa, ai shpirt i lum, për të cillin s’ishte kenë toka por Qiella, i bahet qendër n’atë ravë të thepisne, qi sheklli e nji dishir Lirijet ia kishin shtrue gjallimit të tij. N’atë vorr zemra do t’i ndezej, si Lekës të Madh në vorr t’Akilit, kah punët e mbara e kah burrnija, e prej se kishte me shkepun hovin kah punët e mëdhana.

Engjulli i Zotit, qi bri vorrit do t’i sillte fuqitë mizore, do t’ishte njiheri edhe Zana frymzuese e Poetit. E atëherë pa u frigue do të prehte zhgjetat e zjarrta, për t’ia lëshue njerzimit kundër vesit, e do të ndertojë kangët kreshnike, për t’i diftue botës se shka vlejnë armët në dorë të Shqyptarit. Kështu, shohim se me kangë të veta do të ndertojë mbi atë vorr nji përmendore të madhnueshme, së cillës nuk do të kishte se shka me i ba rryma e moteve.

Zanat do t’ia rrethojshin vorrin me lule e do të rritshin për rreth selvia. Shtegtari i lodhun, ulë me pushue, do t’i uronte paqë e qetësi e do t’u flitte për té të bijvet, qi kanë me nxjerrë kangë e me i gdhenun emnin mbi lisa, tue e ba kështu të pavdekëshme. Në ketë lirikë ndihet ndikimi i leximit të poetve tjerë, sidomos italianë.

Asht botue së pari në Pika Voeset (1909). Thohet se dorëshkrimi i parë i pat humbë At Viktor VOLAJ (1941).

N’atë rrahe t’dekne mbrenda vorrit t’errshem
Tash pluhun jé. Ata dy sy t’janë errun,
Ku qiella prirej me sa hana e diella
Terthores s’eper m’sharte vrejn t’njerzimit!

5. T’janë sosun fjalët e ambla e plot urti,
E ai zâ t’asht kputë, i cilli bite m’zemer
Si kumbë liret t’tingllueshme, qi prej s’largut
Ndihet tue ra, kur dora e prekë e msueme!
Ehu! Po; “deka, qi baras m’derë t’pellazvet

10. Trokllon, si m’ trinë t’ kolibavet,” ku i vorfni
Me lot njomë buken, ty edhe ajo ké dera
T’ troklloi, e ti kalove porsi voesa
E natës kalon, kur dielli bjen me shndritun
Mbi kobe t’ dheut. Sot permbi vorr t’ kanë bijtun

15. Hithat e madergona! ‘I Kryq dullijet,
Qi e pershpirtshme nji dorë t’ a vu té kryeni,
Nder to ka hupë, as tjeter send trishtimin
E vorrit nuk t’ a zbutë, posë va’jt t’ trishtueshem
Të hutit t’ natës, qi neper curra t’ malit

20. Dhimbshem në rreze t’ hanës rrin tue gjimue!..
Njai grumbull gursh, qi m’ vorr t’ randon persypri,
Vetë gjaksorit t’ pashpirt, qi mbyti nierin,
Lugat i duken, n’ hikë kah t’ bjen nget vorrit,
Edhe t’ perqethët atë botë i shkon n’per zemer.

25. Po, a thue, krejt deka n’ asgjasend t’ perpini
E, posë se do kocijsh edhe ‘i grusht pluhen,
Nuk t’ la tjeter? Jo! N’ prehen t’ Amëshuemit
Pjesa ma e mirë e jotja ka fluturue
Me gzue n’ dritë t’ qiellvet, ku pushon dishiri

30. I nierit t’ drejtë, si drita m’ sy të kthiellun.
Po, po, se pertej vorrin shpirti i nierit
Gjallon per jetë! Njiky mendim i ambel
Deken e zbutë e vorrin ban t’ pelqyeshem.
Kur zemren fa’i s’e grisë. Prej ktij mendimi

35. As vet per ty s’ lotova shum, kur ndjeva
Se diqe: Se n’ ma t’ miren lule t’ motit
E lae ti ketë shkreti, ku shuen e Drejta
E paudhnija, ku sundon mizore;
Ku i zhyemi m’ vese sod me dorë dhunuese

40. Vesin shinon me Theta t’ zi, e selija
M’rrashta t’pergjakshme t’ njerzvet m’ kambë, ku mbahet.
Ehu! Po, se Shpirti i yt, kulluet si rrezja
E diellit, qi perfton lulet e erandshme,
Kur bora dehet, s’ mujt me e bajtë qelbsinen

45. E randë t’ ktij sheklli t’ zi; por fletët i rrahi
Kah jeta e dytë, ku Njai qi rruzullimin
N’ themel e dridhë veç me ‘i vetimë t’ qerpikut:
Amshon n’ lumni shka Atij t’ i ket pergja.
S’ kjé toka, jo, per ty kjé qiella!

50. E tash, qi vetë jam tue ravisë kto karta,
Ti, kushedi, n’ per vrrije t’ amëshueme
Shkon tue kerkue per lila e drandofille,
Qi s’ dijn me u veshkë e ndreqë me ta kunora,
Per me u lulzue mandej nder t’ zjarrtat valle,

55. Qi neper vrrije rrijn tue kndue t’ Parrizit:
Ku, fletët e arta bashkë kryqzue me Engjuj,
Kndon Zotit lavde n’ per ylbera t’ qiellit;
A, marrë krejt n’ t’ pam t’ s’hyjnueshmes faqe t’ Zotit,
Porsi m’ pasqyrë t’ kulluet skjyrton shestimin

60. E rruzullimit, vu prej s’ epres Mende,
E cilla n’ t’ kenun sendet thirri t’ tana
Prej hijevet t’ kthellueshme t’ asgjasendit,
kur bani Ajo furin me heshtë t’ thellimit,
E me ‘i fuqi t’ pamatne prapi terrin

65. E pakthellimit, qi atje n’ t’ skajshmet megje
T’ ktij sheklli ndihet mnershem tue gjimue,
Kah per ledhe plandoset t’ rruzullimit.
E aty, n’ atë dritë plot ambelcim dashtnijet,
Qi porsi lum i kjartë prej Atit t’ Dritvet

70. Gjithkah dikohet neper verë t’ Parrizit,
Shpirtent e lum krejt m’ rreze tu ‘i pershi,
T’ kthiellta ti i prirë t’ vertetat, t’ cillat Hyji
Desht t’ muzta nierit me ia lanun t’ shkrueme
Nder fletë t’ hyjnueshme t’ t’ amëshuem Ungjillit.

75. Oh! Sa e sa herë, kur n’ mbrame shuen natyra,
E tjeter s’ ndihet, veç se rryma e prronit,
Qi permallshem gurgullon n’ per rrâjë e curra,
Un, lodhë mbi letra t’ t’ dijshemvet t’ kahmotit,
Mbas t’ cillvet fjalen rrij tue lmue shqyptare,

80. Dal në dritsore me kundrue shatorren,
Qi i Lumi t’ kthielltë ia vuni rruzullimit,
E kqyri hyjt, qi thue, se njaq sy Zotit
Flakojn mbi dhé – kushdi, per me felgrue
Nierin, qi egrue ma fort prej mneres s’ territ,

85. Perbluen punë t’ mbrapshta: – e atë botë mendoj per ty.
E, ku t’ a shoh ma t’ flakshem tue xhixhillue
Nji hyll, aty selin un tham me vedi,
Ti do t’ a késh, e syt m’ atë hyll pa da
I nguli, e m’ bahet si me t’ pa. Me emen

90. Un t’ thrras atë botë n’ per terr. Nji vaj bylbylit,
Qi permallshem nder gemba rrin tue kja
Fatin e vet, a ndoshta, zojt e dashtun,
Jehonë m’i bahet t’ grishunit; e m’ duket
Se bisedoj me ty!.. Nuk dekka i miri,

95. Jo kurr; e sidomos nja’, i cilli ‘i zemer
E len mbrapa m’ e ankue. Prej vorrit t’ errshem,
Gjumin e dekës ku ai ban, na i flet mendimit,
Ambel edhe na nzitë kah punët e mbara,
E n’ mende t’ onë gjallon. – Kur Aleksandri

100. Prej Bregut t’ Matës ngallnjyes u kap kè vorri,
Ku shuen idhnimi i Prisit t’ Mirmidonvet,
Qi atje nen Shé vorfnoi me aq djalë Ekuben,
Iu ndez aty flakë zemra kah lumnija.
Mbi njat vorr, po, u betue me ngulë flamurin

105. N’ skaj t’ dheut, e prej selis me i zdrypun mbretent;
E atëherë perpara tij tanë bota shuejti.
Mue edhè, qi sheklli e nji dishir Lirijet
T’ thepisne raven m’ ia kanë shtrue gjallimit,
Mue, po, edhe zemra mbi vorr t’ and t’ pervujtun

110. M’ndezet kah punët e mbara e kah burrnija
Permbi vorr t’ and, po, xâ të fortë me e mbajtun
Besen e dhanun – e miqasin e zanme;
Per Fé e per Atme n’ ball me i dalë rrezikut:
Të ligshtit doren me ia njitë e t’ fortin

115. Mos me e gledhue; kur t’ jet me u thanë e drejta.
Mos me i shmangë syt prej cakut, n’ t’ cillin mendja
Dishron me u kapë, as kurr mos me u ligshtue
Ndersa t’ vishtira, qi t’ na sjellin motet.
Po, po! Se pré’ atij vorri kam me shkepun

120. Hovin kah punët e mdhana. Ai Kryq dullijet,
Mneren e vorrit qi t’a zbutë, Ai qanderr
Ka me m’ kenë nder salvimet, Engjlli i Zotit,
Qi rojës besnik fuqit t’i pruen mizore,
Gjumin e dekës në vorr mos me t’ turbullue,

125. Dér qi të shkimen n’ qiellë e hana e dielli
E t’ ngelë moti e sheklli mbarë t’ rroposet,
E t’ vije dita e gjyqit t’ rruzullimit,
Ai ka per t’ m’ kenun Zana. E atëherë pa u tutun
Zgjetat e prehta e t’ zjarrta kam me i prehun,

130. Qi kundra vesit do t’ ia lshoj njerzimit:
Atëherë un kangët kam me i ndertue kreshnike,
Me t’ cillat botës un do t’ ia la të shkrueme
Se shka viejn armët besnike n’ dorë t’ Shqyptarit.
E me kangë t’ mija ‘i permendar t’ madhnueshem

135. M’ vorr t’ and kam per t’ ndertue, të cillin moti
Me fletë të ngrita kot ka per t’ a rrahun;
Pse, si curr, qi n’ mjes t’ detit rreh tallazi,
Edh’ ai njashtu do t’ jesë nder gjire t’ motit
Qi bumbullojn mbi faqe t’ rruzullimit.

140. E atëherë prej bjeshkvet kanë me u djergun Zanat
E me të njoma vjollca e drandofille
Vorrin kanë me t’ vallue, e kanë me rritun
Me shum kujdes per qark selvija t’ blerta;
E shtektarin mundqar, qi n’ ato hije

145. Ka me xan vend, me ndalë pak gja t’ dihamet.
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellet vrâni
Deka n’ atë vorr. E atë botë i largë shtektari
Të lehtë dhén ka me t’ urue, e t’ paqta e t’ buta
Shinat e boren: e, kur m’ male t’ veta

150. T’ dredhojë ké stani, fmis ka me i kallxue
Shka ndjeu per ty. E fmija e atij aso bote
Emnin t’and kanë per t’ kndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furit e mnershme,
Ambel prej emnit t’ and kanë me jehue.

155. Me maje t’ briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’ njohtne veç e prej barivet:
Kanë me u rritë lisat, perse spata as rêja
S’e prekin landen, ku asht ravisë ai emen:
E tu’ u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;

160. E kshtu ma t’ kjarta mbas disa qindvjetve
Nipat ma t’ vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’ bjerë dielli tokës ka me t’u kndue.

Shënim nga Fritz Radovani: Ma shumë se katerdhetë vjet kishin kalue kur më ra në dorë edhe njëherë ky libër për me e lexue. Tash, edhe e kopjova. Kujtojshe nga Prof. Gasper Ugashi një mendim aty kah viti 1957 që e kujtoj mirë: “Lahuta e Malësisë asht vlerësue edhe nga të huejt për vlerën e madhe që ka si poemë epike, por koha do të vlerësojë Mrizin e Zanavat si kryeveper të Lirikave në letersinë shqipe e, njëkohësisht poezinë – Nji lule vjeshte – si kryevepër të krejtë krijimtarisë së Fishtës. Ajo poezi zenë vend në letersi botnore edhe për një arësye tjetër, pse mbrenda saj ka shpërthye shpirti i Fishtës në drejtim të një “ylli”, që asht i padijtun por i kuptueshëm.”.

Melbourne, 29 Dhetor 2022.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.