Kaçakizmi i rivizituem

0
266
Gjerasim Qiriazi - Pengu i kaçakeve

Col Mehmeti

Nji prej librave padrejtësisht të nënvlerësuem e jo fort të njohun âsht “Pengu i kaçakëve” prej aktivistit të Rilindjes, Gjerasim Qiriazi.

Njisoj si libri i Elmaz Dodës që âsht e vetmja perspektivë shqiptare sesi dukej transhumanca (shtegtimi gjysmënomadik), edhe ky libër i Qiriazit âsht kronikë e rropullive të atyne që zakonisht njihen si “çeta”.

Paçka se e ka nji vernik letrar, historia e përshkruem në këtë libërth âsht ngjarje e vërtetë dhe, si e tillë, meriton me e pasë statusin e dëshmisë historike në nji histori të së ardhmes për përditshmëninë shqiptare.

Në nëntor të vjetit 1884, Gjerasim Qiriazi, 27 vjeçar, gjatë nji udhëtimi prej Manastirit në Korçë zihet rob nga çeta e Shahin Matrakut.

Afër 30 cuba të kësaj çete e mbajnë rob Gjerasimin për rreth gjashtë muej me shpresën se pengmarrja do të pasohej në prapakthim me nji shumë prej 500 lirash turke.

Për nga torturat e tmerret që përjetoi rilindësi nga Manastiri, “Pengu i kaçakëve” barabitet ku e ku me librin e Sollzhenicinit “Një ditë e Ivan Denisoviqit”.

Me shumë gjasë, Gjerasimi kish me qenë i gjallë deri në vitet ’30 e do të bahej sypamës i krejt idealeve të tij: shkolla shqipe e nji Shqipní e pamvarun. Por, jeta e tij ishte ditëshkurtë e mbaroi në moshën 35 vjeçare. Shëndeti i tij e mori teposhtëzen nga ferri që përjetoi në dimnin e llahtartë nëpër skërkat e përborme të krahinës së Oparit dhe dhuna e pashpirt në duert e cubave.

Si dëshmi e gjallë, ky libër e shkërmoq njiherë e përgjithmonë parakonceptimin e shumicës për nji zhguall romantik të “çetave”. Ai i quen shkurt e shqip ashtu siç ishin cuba zullumqarë e batakçi.

Për fat të keq, imazhi i rremë i këtyne banditave fitoi terren. E nisi dikur piktori nga Opari, Spiro Xega me tablon e tij romantike për çetën e Shahinit dhe e vazhduen historianët e pandershëm komunistë për “çetën liridashëse” të Shahin Matrakut.

Dhe sot e gjithë ditën nji rrugë në Tiranë e mban emnin e këtij dhunuesi e krimineli, reminishencë fizike e nji mendësie të mbrapshtë që e hymnizon “Robin Hud”-izmin shqiptar.

Siç thoshte nji historian britanik për cubin e njohun:
Robin Hood certainly robbed the rich, but he never got round to giving to the poor“. (Robin Hood sigurisht që grabiti të pasurit, por ai kurrë nuk arriti t’u jepte gjë të varfërve.)

Edhe brigandizmi shqiptar ishte përgjegjës pse e varfnoi mikrokozmosin e fshatit shqiptar dhe rrnesën aty e bani të padurueshme.

Kronika e Gjerasimit megjithatë e ruen esëllinë e të gjykuemit: vujetjet e këtij shpirti besimtar protestant kurrënjiherë nuk u kthyen në urrejtje për rezilët që e torturuen. Ai, madje, vëren se shumica e cubave ishin katunarë të ronitun nga uria e skamja, por mes tyne kishte edhe kapadai e mangupa të kohës.

Në nji makroplan, brigandizmi nuk ishte fenomen shenjimisht shqiptar. Siç thotë Bradueli, gjeografia tokëkeqe e Ballkanit malor gjithnji e ka sekretue edhe nji soj njerëzish, që ekzistencën mund ta siguronin veç mujsharisht me rrëmbime, pretime e plaçkitje: kështu në viset dalmatine ishin “hajdukët” e “uskokët”, në Serbi e Bosnjë “çetnikët”, në Greqi “kleftët” e krahu i tyne legal “armatolët”, etj.

Për nji përmbledhje rrokakrejtëse, libri i Gjerasim Qiriazit e meriton me e marrë hisen e vet tek lexuesi shqiptar. Historia e tij ishte e njohun veç për anglishtfolësit tek që libri u përkthye qysh më 1902 në anglisht si “Captured by brigands“.

Kjo ngjarje tragjike dhe e gjithë jeta e Gjerasimit âsht rrëfim i pabesueshëm i nji shpirti besimtar e të përvutë. Ai nuk u deluzionue në idenë e Shqipnisë eterike; përkundrazi edhe mas lirimit nga pengmarrja, Gjerasimi pati vullnet me e hovizue arsimin shqip, kurse shqipen me e lëvrue me përkthime fetare e krestomaci të ndryshme.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.