DUKE KUJTUAR ME MALL DHIMBJE KRUSHKUN E DASHUR LUTFI MIMANI

0
Lutfi Mimani - Qatip Mara

I ndjeri Lutfi Mimani & Qatip Mara

Ndodh në jetën e njeriut që befas, ditën me diell, qielli errësohet e sterroset, koha ngrinë në pikëzimin e një zgripi ekzistencial dhe fijet e të ardhmes humbasin në shtjella moskuptimi. Ajo minutë e dates 23 shkurt 2023 që më njoftuan lajmin hidhërues se zemra e krushkut tim të dashur Luli kishte pushuar së rrahuri në spitalin e Bostonit, më paralizoi mendimin e mbeta pafrymë. Nuk më besohej se kishte pushuar së rrahuri zemra e krushkut tim të dashur Lutfi Mimani, që me trupin e fortë lastar të gjatë dukej si mali Tomorrit në horizont. Pyeta Zotin : Pse e mori befasisht e parakohe?! Kjo ndërprerje fatale e jetës të prindërit të dashur, pa thënë asnjë fjalë, asnjë amanet, ishte padrejtësi që më pikëlloi shpirtin e zemrën.

Krushku im i dashur Lutfi Mimani ishte një baba shëmbullor. Priti me shumë gëzim fejesën e djalit Ermal me vjazën time Daniela E takova për herë të parë në 28 nëntor të vitit 2020 që më erdhi në shtëpi në Nju Jork së bashku me familjen e tij të shënjtë. I shkëlqente fytyra nga gëzimi. Performanca e tij estetike rrezatonte dashuri e mirësi. Piu raki shqiptare e ngriti dolli të shumta për cermoninë e fejesës. Edhe pse kishte 3 dekada që jetonte me familjen në Boston ruante traditat më të mira të të parëve tanë.. E rregjistrova në video duke bërë urimet. Sytë i ndriçonin nga gëzimi e dukej se kishte Diell në zemër.Jepte shumë dashuri njerëzore.

Kur shkova me familjen time në Boston më priti me shumë dashamirësi. Në studion e tij personale me bibliotekën e televizorin ndiqte me shumë mall jetën social politike të atdheut tonë dhe në mënyrë të veçantë për Kuçovën e banorët e Kuçovës i lotonin sytë nga malli. Me një memorie fantastike në bisedat e shumta tregonte me emra shumë ngjarje të jetës në Kuçovë. U lidhëm shumë mendrisht e shpirtërisht se kishim tipare të përbashkta. Me bisedat në vazhdimësi njoha personalitetin e krushkut tim të dashur që e kishte afirmuar me motivin e punëdashjes, me dashuri për dituri. Me karakterin e tij të fortë solid ishte vazhdues krenar i babait të tij fisnik Xhevit Mimani dhe nënës fisnike Shpresa Frashëri Mimani.

Krushku dashur Luli, u lumturua shumë që në familjen tij të dashur lindën nipi Luka e mbesa Amelia. Vogëlushët binjak Luka e Amelia kishin çdo ditë kujdesin e gjyshit të dashur Luli që me shumë përkushtim u shërbente me shumë dashuri. U jepte si zakonisht buzëqeshjet e bukura që rrezatonte shpirti tij i bukur. Ishte gjyshi i mrekullueshëm që si një nënë shëmbullore kujdesej që nipi e mbesa të rriteshin sa më mirë. Festuam së bashku në një lokal në Boston

1-vjetorin e ditëlindjes të nipit e mbesës dhe duke hequr vallen fluturonte nga gëzimi. I lumturuar i merrte vogëlushët binjak në krah duke i ledhatuar me shumë dashuri. Emocionet e lumturisë e dehën zemrën e tij të bardhë dashamirëse. Pas cermonisë i shpreha dëshirën të shkruaja librin “Binjakët Mimani – Luka & Amelia”. E mirëpriti me shumë emocione gëzimi. I kërkova të më dërgonte informacione për pemën gjenealogjike të fisit Mimani, për jetën e prindërve si edhe për jetën e tij nëpër vite.

Më këshilloi të mos lodhesha duke shkruar, ta ruaja zemrën e huaj të trasplantuar në vitin 2014 në spitalin e Nju Jorkut që më ka dhënë shansin e jetës të dytë. Kur po prisja të më dërgonte informacionet për të shkruar librin, më erdhi vetëtima hidhëruese e ndërprerjes të jetës të krushkut të dashur. Hidhërimi shumëfishohet në progression gjeometrik larg vendlindjes e atdheut, ku jemi lindur e rritur në vatanin tonë shënjtë. Me lotë në sy e me dhimbje shpirti vajtova ikjen e befasishme të krushkut të dashur Luli që nuk do ta takoja fizikisht si dikur kur bisedonim me shumë harmoni e dashuri.

Doja të shkoja sa më parë në Boston për të marr pjesë cermoninë mortore,por mjekët e trasplantit të zemrës dhe vajza që më ka shpëtuar jetën nga vdekja e sigurtë në Tiranë më këshilluan të mos shkoja,sepse rrezikohej zemra e tjetrit në kraharorin tim. Kundërshtova çdo këshillë që më jepnin nga meraku se do sëmuresha në Boston. Brenda meje ishte një forcë magjike shpirtërore që më fymëzonte të shkoja sa më shpejtë në cermoninë mortore. Ndoshta ishte shpirti i të ndjerit Luli që më jepte garanci jete e force për të shkuar në Boston. U nisa me avion nga North Carolina dhe arrita tek shtëpia e krushkut të dashur Luli.

Kur hyra në koridorin e shtëpisë mu shfaqën imazhet e trupit të mikut tim të shtrenjtë Luli. Përjetova emocione të shumta dhimbje që në shtëpi mungonte kryefamiljari shëmbullor që të priste me shumë dashuri. Nipi Luka e mbesa Amelia më shikonin të hutuar. Shikonin fotografitë e gjyshit të shtrenjtë Luli dhe zgjatnin dorën për ta prekur.Kishin 4 ditë që u mungonte gjyshi dashur Luli,që kujdesej aq shumë duke i mbajtur në krahë,duke u dhënë ushqim e shpesh herë i vinte në gjumë, Nipi e mbesa e kërkonin gjyshin e dashur Luli në të gjitha dhomat, por nuk e kuptonin çfarë kishte ndodhur.

Në ditën e pestë që kishte pushuar së rrahuri zemra e krushkut të dashur Luli,ishin planifikuar homazhet tek qendra e shërbimit funeral, e cila me një organizim të përsosur estetik kishte përgatitur dy salla të mëdha për të bërë homazhet. Kur hyra në sallonin qëndror të hyrjes një punonjëse e shërbimit funeral na shoqëroi tek dera e salloneve ku bëheshin homazhet. Me bashkshorten time hyra në sallonin e krahut të djathtë ku ishte vendosur mes luleve i shtrenjtë Luli. Trupi më kishte ngrirë nga dhimbja dhe u afrova afër Lulit që flinte gjumin e përjetshëm. Kur e pashë të shtrirë ndjeva drithërima në trup.

I preka duart ,e putha në ballë dhe zemra e tjetrit në kraharorin tim sikur lëvizi nga vendi. Në sallonin e majtë ishin vendosur stenda me fotot e të ndjerit Luli dhe në qendër të tyre në ekranin e televizorit jepeshin montazhe me foto dhe video nga jeta familjare, shoqërore e të mirit Luli. Ishin momente shumë hidhëruese kur familja e tij e shtrenjtë, bashkshortja, djali e vajza shkonin shumë herë pranë njeriut të shtrenjtë, e ladhtonin me lotë.

Në vazhdimësi vinin të afërm,miq e shokë për të bërë homazhe. Sapo hynin tek salla lotonin e me ngashërime shkonin pranë Lulit të dashur, përuleshin e bisedonin në heshtje me shpirtin e tij. Një shoku fëmijërisë nga Kuçova që jeton në Boston me lotë e drithërima e prekte Lulin me shumë dhimbje e nuk ndahej dot prej tij. Vargu i njerëzve për të bërë homazhe vazhdoi për 4 orë pa ndërpreje. Ishin të afërm, miq, shok, por edhe personalitete të rëndësishëm që me shumë respekte nderonin Lulin e dashur dhe të gjithë ngushëllonin me dhimbje familjen e shtrenjtë të Lulit.

Ato 4 orë të homazheve hidhërimi e dhimbja për humbjen e jetës të Lulit të dashur sundonin lotë shpirti nga të gjithë pjesëmarrësit në sallë,por edhe në largësi në Kuçovë disa e ndiqnin cermoninë mortore të homazheve me camer dhe lotët si eter shpërndaheshin duke pjestuar dhimbjen e hidhërimin. Qëndrova 6 orë në sallën e homazheve e nuk ndjeja aspak lodhje, por në çdo minutë ndjeja sikur isha në ajër duke biseduar në heshtje me kujtimet e paharruara që kam për krushkun e dashur Luli.Personeli shërbimit funeral na njoftoi të largoheshim nga salla në mbëmje vonë, por pjestarët e familjes dhe të afërm ishin të ngrirë nga hidhërimi e nuk u bënin këmbët të largohshin e ta linin vetëm Lulin e dashur.

Në ditën e gjashtë që kishte pushuar zemra e të dashuirt tonë Luli ,ishte dita e parë e muajit mars që me trishtime do të jepej Lamtumira në banesën e fundit. Në orën 10 paradite filluan homazhet e fundit tek qendra e shërbimit funeral. Në çdo minutë njerëzit vinin të brengosur për të bërë humazhe, të cilët të trishtuar takoheshin për herë të fundit me të dashurin Luli.Pasi përfunduan homazhet, u nisëm me trishtim për ta përcjellë në banesën e fundit.Kortezhi funeral mes bardhësisë së borës që kishte rënë edhe gjatë natës arriti tek vendi që familja e Lulit kishte zgjedhur për të pushuar përjetë njeriu tyre mi dashur.

Në parcelën këndore të rrethuar me qeparisa pjesmarrësit me lule në duar të lotuar merrnin një grusht dheu e me lulet e hidhnin mbi të dashurin tonë Luli. Një burrë nga Kuçova me lotë në sy e me duar të dridhura hodhi tre grushta me dhe edhe për shokët e tij në Kuçovë. Fjala e lamtumirës e djalit Ermal Lutfi Mimani na rrënqethi e drithëroi. Biseda e fundit At e bir ishte një simfoni hidhërimi,por edhe një premtim që misionin e kryefamiljarit Luli, që do ta vazhdojnë me përgjegjësi së bashku me nënën e shtrenjtë me motrën e shtrenjtë Enida dhe me trashgimtarët binjakët Mimani Luka & Amelia.

Shikimet tona u tretën në banesën e fundit të njeriut të dashur Luli, që me shpirtin e tij të bukur do të ndriçojë jo vetëm lartë në qiell, por edhe nën tokë

Cermonia mortore e organizuar nga qendra e shërbimit funeral ishte shumë cilësore në nivelin e një udhëhqësi që sadopak lehtësonte dhimbjen. Humbja e madhe e jetës të të dashurit tonë Luli është dhimbje e madhe dhe e pazvëndësueshme për familjen e tij që Ai e donte aq shumë sa nuk përshkruhet saktë me fjalë. Ndoshta zoti e zgjodhi Lulin si një engjell pran vetes,por nuk mendoi për vogëlushët binjak Luka e Amelia, që u rrëmbeu gjyshin e shtrenjtë Luli.

Vogëlushët binjakë Luka e Amelia do ta ndjejnë shumë mungesën e gjyshit të dashur Luli. Familja e tij e shtrenjtë ka ngrirë nga hidhërimi nga ndërprerja fatale e jetës të kryefamiljarit shëmbullor.Helmi që u largua papritur dhe parakohe është i shumëfishtë për familjen, për të gjithë miqtë e dashamirësit e të dashurit Luli… Humbja e jetës të kryefamiljarit të dashur Luli është një krater vullkani hidhërues për bashkshorten Ludi që 42 vite jetuan në harmoni e dashuri duke lindur e rritur dy fëmijë të dashur. Është një humbje e madhe pikëlluese për djalin Ermal, për vajzën Enida, të cilët të brengosur shumë të trishtuar e kujtojnë me shumë mall dhimbje.

Me dhimbje të madhe shkruaj fjalën Lamtumirë për krushku tim të shtrenjtë Lufti Mimani! Jam në biseda të përhershme me shpirtin e të mirit Luli dhe do ta shkruaj librin ” Binjakët Mimami- Luka & Amelia”, në të cilin do të përshkruhet jeta e gjyshërve Mimani, të prindërve Xhevit Mimani, Shpresa Frashëri Mimani, jeta e familjes të mrekullueshme Lutfi Mimani + Ludmilla Mimani. Do të mirëpres çdo kujtim nga shokët e miqtë e të ndjerit Luli për ta pasqyruar në libër. Mundësisht ata që kanë dëshirë të më dërgojnë kujtimet e tyre për të ndjerin Luli në adresën time e–mail: qatipmara1@gmail.com.

Nderoj me respekte kujtimin e ndritur të krushkut tim të dashur Lutfi Mimani që ishte një intelektual me kulturë të gjerë dhe me virtytet më të mira njerëzore,që nuk harrohet por do kujtohet me mall. Punoi me dekada me përkushtim si mësues  edukumit fizik në gjimnazin e qytetit Kuçovë. Ishit një sportist  shëmbullor, dhe trajner futbolli i divizionit 1 me Nafëtarin. Në vitin 1996 u trasferua në SHBA me familjen e tij pasi fitoi llotarinë Amerikane

Ai është larguar vetëm fizikisht sepse është i gjallë në zemrat e familjes të tij të dashur, në zemrat e shokëve e miqve të shumtë në Kuçovë, por edhe në Boston.

U prehët në Paqe!

Qatip Mara
Raleigh North Carolina, 06 mars 2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.