11.5 C
Tirana
E dielë, 28 Prill 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

Bislim Aliu, ishte njëri nga sportistët dhe intelektualët më të suksesshëm të Llapit

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Bislim Aliu Aliu i përket plejadës së sportistëve dhe intelektualëve të dalluar llapjanë.

Ai lindi më 5 maj të vitit 1946 në Podujevë. Prindërit e tij Aliu dhe Dinorja i patën edhe katër fëmijë të tjerë, Hashimin, Selatinin,Bashkimin dhe Nazlijen.

Familja Aliu është e trungut të njëjtë me familjen e madhe Blakçori që në Llap, erdhi nga Podguri i Pejës dhe Burimi(ish-Istogu)

Blakçorët që në mbarë Llapin njihen si sportistë e intelektualë të zotët konsiderohen edhe si themelues të qytezës së Podujevës.

Veç kësaj ata ishin pronarë dyqanesh e tokash të shumta në qytetin e Podujevës. Me shumfishimin e familjeve dhe me kusht që të identifikohen më lehtë ata filluan të mbajnë mbiemra si:Blaku, Haxhiu, Mehmeti, Aliu, Bejta, Bekteshi, Hajdari, Zejnullahu e Arifi.

Degë të kësaj familjeje që kalon shifrën e 50 mijë vetave në Republikën e Kosovës, janë edhe Blakçorët, Tallajt dhe Plakollët e Letancit, si dhe Feratajt e Hazirajt (Bebushët) që shtrihen dy-tri kilometra jashtë qendrës së Podujevës.

Bislim Aliu si anëtar i kësaj familjeje nga më të mëdhat në Krahinën e Llapit, qysh si fëmijë dashurinë për shkollën, kulturën dhe sportin do ta fitojë nga kushërinjtë e tij mësues e sportistë të hershëm si: Xhafer Mehmeti, Bajram Haxhiu, Adem Bejta, Alush Bekteshi, Rifat, Murat e Selim Blaku etj.

Bislimi shkollën 8-vjeçare e kreu në qytezën e Podujevës. Kurse, Normalen në Prishtinë. Ai krahas mësimeve merret edhe me aktivitete kulturore e sportive.

Kah mesi i viteve 60-të, me një grup aktivistësh dhe talentesh të rrallë të muzikës nga rajoni i Llapit,

ai do të japë kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike ”Josip Rela” të Podujevës.

Me kusht që kjo shoqëri të ketë jetëgjatësi dhe të dalë sa më e përgatitur përpara publikut llapjanë rreth vetes mbledh ajkën e të rinjve me prirje për këngën dhe artin dramatik.

Bislimi këtu dallohet me organizim të mirë të koncerteve dhe shfaqjeve teatrale. Emra që s’ harrohen asnjëherë dhe që na bëjnë përherë krenarë me punën e tyre të frytshme janë solistë, instrumentistë e aktorë në zë si: Ismet Bogujevci, Irfan Blakçori, Maliq Musa, Mihane Mehmeti-Duraku, Shefqet Hoxha, Bejtullah Tahiri, Skënder Muharrem Hoxha, Avdush Hasani, Mehmet Zeneli, Mehmet Azem Breznica, Sanije Hasani, Skënder Hyseni, Gani Miftari, Bajram Ajeti, Sabit Zeneli, Ismet Azemi, Fadil Maloku, Ramadan Oraca, Agron Gërguri etj,etj.

Bislim Aliu nuk mjaftohet vetëm me këngën. Ai prirjet e tij do t’i testojë edhe si futbollist në Llapin e Podujevës, asokohe anëtar i Ligës së tretë të ish-Jugosllavisë.

Ai dhe i vëllai i tij më i madh Hashimi, Arsimtar i Edukatës Fizike në Shkollën Fillore “Meto Bajraktari” të Gllamnikut të Podujevës, me tërë qenien do të mundohen që në skuadrën e futbollit” Llapi” të dominuar nga serbët të angazhojnë sa më shumë të rinj shqiptarë.

Përkundër paragjykimeve dhe bindjeve të mbrapështa që ekzistonin gjatë atyre viteve ata së bashku me bashkëmoshatarët e tyre Bedri  Muçolli, Fazli Llugaliu, Shaban Hajrullahu, Sylejman Mehmeti, Shaban Hajdari, Rifat Raçi, Ahmet Haxhiu, Idriz Mursel Mehmeti, Selatin Vokrri e dy- tri vjet më vonë me Esat Mehmetin, portier legjendar i Llapit, Trepçës, Vardarit të Shkupit, anëtar i elitës së futbollit jugosllav, Lirisë së Prizrenit, Buduçnostit të Pejës, do ta ndërrojnë në favor të të rinjve llapjanë edhe strukturën e ekipit.

Deri me ardhjen e këtij brezi skuadra e Llapit, përbëhej nga futbollistë serbë e malazezë.

Falë kësaj çete futbollistësh të talentuar në mesin e 11- të, futbollistëve standard të Llapit,  do të jetë edhe minoritari i komunitetit ashkali Nezir Halili, shtëpinë e të cilit me vëllezërit Aliu e ndante vetëm rruga.

Ky një argument bindës që shqiptarët ndërvite i kanë respektuar edhe pakicat e tjera që kanë jetuar në Kosovë.

Bislim Aliu në fanellën e Llapit,lujti plot 15 vite. Ai pas përfundimit të karrierës si futbollist do të jetë edhe Arbitër futbolli në Ligën e Parë të Kosovës, që njihej si Liga e Parë Krahinore e Futbollit.

Këtë detyrë do ta kryejë me ndërgjegjie dhe paanime gati tri dy dekada. Falë korrektësisë në fushë Bislim Aliu me të vëllain Hashimin dhe Bedri Muçollin do të jenë në mesin e gjyqtarëve më të respektuar në futbollin e Kosovës.

Kah fundi i karrierës Bislimi në cilësinë e gjyqtarit anësor në shumë ndeshje do të jetë edhe përkrah z.Enver Qosa, i cili po ashtu shquhej për referim të drejtë.

Me gjithë aktivitetin e dendur Bislim Aliu,për asnjë moment nuk do t’i lë anash studimet në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Kosovës.

Ai më 1979 diplomohet me sukses në klasën e piktorit të mirënjohur Akademik Tahir Emra.

Bica që shokë e miq e thërrisnin me këtë emër përkthelës duke parë mungesën e mësuesve dhe arsimtarëve në Llap edhe para se të diplomohet në fushën e Artit figurativ, punon si mësues në shkollën 8- vjeçare “Gjuro Gjakoviq” të Podujevës, tani e shndërruar në Shkollën e Mesme Ekonomike “Isa Boletini”

Në këtë shkollë Bislimi do të punojë kohë të gjatë edhe si Arsimtar i Artit figurativ. Ish-nxënës të tij si Hazbi Fazli Gubetini, që prej vitit 1989 jeton në Biaska të Zvicrës, Bislimin e kujton si pedagog të përgatitur e mbi të gjitha me aftësi të veçanta, që nxënësve lehtë ua mbjellë dëshirën dhe ua rrit vullnetin për vijimin e mëtutjeshëm të shkollimit.

Edhe pse kanë kaluar nga ajo periudhë mbi 50-vite Gubetini me të kuptuar se ish-Arsimtari i tij i Artit figurativ,Bislim Aliu,ka kaluar në amshim nëpërmjet lotëve rrëfen punën e tij prej intelektuali dhe profesionisti të vërtetë.

Më 1983 pashkëputje nga puna Bislim Aliu do t’i përfundojë studimet pasdiplomike në fushën e pikturës me rezultat të shkëlqyeshëm në Universitetin e Beogradit. Ai në galeritë e këtij Fakulteti, ku edhe e mori gradën Magjistër i Shkencave të Artit Figurativ, do të paraqitet edhe me një ekspozitë mjaft mbresëlënëse.

Një numër të këtyre punimeve Aliu do t’i prezantojnë edhe në qytetin bregdetar Grozhnjan të Kroacisë.

Bislimi që gjithçka kishte lidhur me vendlindjen e tij deri në vitin 2011, kur edhe shkon në pension do të punojë si këshilltar pedagogjik e inspektor në Departamentin e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në komunën e Podujevës.

Ai dhe kolegu i tij Nefi Rexhepi janë nga të parët që përpara artdashësëve llapjanë prezantohen me ekspozita personale. Madje, Aliu edhe disaherë të tjera do të hapë ekspozita të këtij lloj në Podujevë, Prishtinë e Prizren.

Edhe pse viti 1995 ishte vit përndjekjesh dhe vrasjesh nga ana e Serbisë pushtuese,Bislim Aliu ia del që në Galerinë”Koha” në Prishtinë, pronar i së cilës ishte z.Ramiz Balaj,t’i ekspozojë disa nga pikturat e tij,të një niveli të latë artistik.

Bislimi gjatë gjithë kohës vetëm krijonte.Përveç pikturës merrej edhe me poezi e prozë .Duke e pasur një dashuri të madhe për fëmijët shkroi edhe vargje të shumta për ta, të cilat i botoi kryesisht në revistën “Pionieri”të Prishtinës,që u dedikohej fëmijëve.

Kur nga kritikë letrar vjershat e tij u vlerësuan me notë të lartë Bislimi,nisi të shkruaj edhe për të rritur.

Ai në saje të shkrimeve cilësore në vitin 2000 u pranua edhe si anëtar i rregullt i Shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës.

Ndërkaq, anëtar i Shoqats së piktorëve dhe kritikve të Aritit pamor u bë qëkur ishte 33 vjeç.

Ai deri me tani ka botuar shtatë-tetë libra me poezi dhe tri romane . Me gjithë tronditjen që i solli në shkurt të vitit 2021 vdekja e vëllait Hashimit e vetëm dy muaj më vonë edhe vdekja e papritur e bashkëshortes Nexhmije Havolli – Aliu ,ai nuk u dorëzua,por vazhdoi me pikturë e shkrime deri në çastet e fundit të jetës së tij.

Meqenëse të tërin e kishte pushtuar puna krijuese drejtimin e shtëpisë ia kishte besuar të shoqes Nexhmijes. Prandaj e quante edhe shtyllë të saj. Duke qenë mirënjohës ndaj saj i pati thurur edhe vargje nëpërmjet të cilave e lartëson figurën e saj prej gruaje e nëne shembull i së mirës.

Bislimi posedonte energji të pashtershme krijuese edhe pse në moshë të shtyrë botonte pothuajse çdo ditë në të gjitha gazetat dhe revistat letrare në gjuhën shqipe.

Veçmas linte përshtypje me vlerësimet e tij kritike nga fusha e Artit dhe pikturës. Bilim Aliu i vendosur që edhe vdekjen ta bëjë me pendë në dorë vitin që shkoi botoi romanin “Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës”

Falë përkrahjes së parezervë të poetit, studiuesit dhe editorit të ndërmarrjes botuese “Prokultpress” MA.Fatmir Halimi, menjëherë pas botimit organizohet edhe promovimi i tij.

Z.Fatmir Halimi, emër i njohur i letërësisë sonë bashkohore dhe fitues dy herë radhas i çmimit më të madh letrar ”Anton Pashku” që ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, pas studimit të romanit “Rruga e vështirë e Fatlum Selishtës” të autorit Bislim Aliu, del edhe me një vlerësim kritik të cilin e boton në gazeta dhe revista që prioritet kanë prezantimin e kulturës sonë.

Halimi këtë roman ua sugjeron të gjitha moshave. Brenda tij hasen të përdorura me mjeshtëri të rrallë shumica e figurave stilistike. Ky roman është ndërtuar nga ngjarje dhe përjetime të vërteta të autorit Bislim Aliu.

Aliu një krijues serioz e mësimdhënës i dalluar që nxori gjenetata të shumta nxënësish të shkëlqyeshëm shpeshherë në vazhdime botonte edhe analiza të ndryshme mbi gjendjen në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut.

Ai jetë e kishte sportin, pikturën,poezinë dhe punën me nxënës. Kur vdesin krijuesit dhe pedagogët e kalibrit të Bislim Aliut edhe yjet e humbin shkëlqimin e netët bëhen të trishta.

ARIF EJUPI

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit