FJALA PARAPRAKE

0
400
Dario Bucciarelli - Relacion Sinoptik

Doli nga shtypi libri i arqipeshkvit të Argjipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Bucciarellit “Relacion sinoptik Rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868”.

Shkruan Mark Palnikaj

Libri që po ju paraqesim është një histori sa e rëndësishme, po aq e trishtueshme për ngjarje që kanë ndodhur nga viti 1866 deri në vitin 1868 në fshatrat me popullsi të krishterë në zonën e Vilajetit të Prizrenit, po dhe në Gjakovë, Deçan dhe në Pejë.

Të dhënat për këto ngjarje i jep ipeshkvi i atëhershëm i Ipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Bucciarelli (Buçareli), dëshmitar okular dhe veprimtar për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë që e kishte në kujdes. Në vitet e përmendura ai e kishte selinë në Prizren.

Mark Palnikaj

Në hyrjen e shkurtër që i prin dorëshkrimit të tij, Buçareli thekson me betim se do të jetë i saktë në përshkrimin e ngjarjeve dhe të njerëzve që ndikuan mbi to. Që në fillim na e bën të qartë se po shkruan një libër për publikun dhe jo një relacion për eprorët e tij, siç ndodhte në atë kohë.

Simbas të dhënave që kemi, dorëshkrimi u dërgua për botim në fillim në Vjenë, dhe nga aty ai përfundoi në Arkivin e Propagandës Fide, ku qëndroi i pabotuar për 155 vjet.

Personi i vetëm që është marrë me këtë dorëshkrim ka qenë prifti nga Kosova, Gjergj Gjergji Gashi, i cili vdiq pa e përkthyer dhe pa e publikuar. Dorëshkrimin e shkruar me makinë shkrimi ia kishte dhënë mikut të tij, prof. Anton Nikë Berishës, i cili ma dha mua[1].

Në muajin prill të vitit 2022 e mora të plotë këtë dokument nga Arkivi i Propagandës Fide, të cilin tani po e paraqes të krahasuar me origjinalin dhe të përkthyer në gjuhën shqipe dhe si i tillë mund të përdoret nga lexues të shtresave të ndryshme.

Përkthimi është bërë me pajtim e me përshtatje sa më afër idesë së shkruesit të tij, mbasi, siç është shprehur autori mjaft qartë qysh në hyrje: “Nuk duhet të shpresosh se do të gjesh një stil të rrjedhshëm dhe fraza të zgjedhura. Jo. Ky që shkruan që prej tre dhjetëvjeçarësh gjendet larg nga toka e atdheut të tij, jashtë prej të cilit pati mirësinë që të tingëllonte në veshët e tij fjala e bukur dhe e qartë e vendit të vet “që deti rrethon dhe Alpet …” Jo! Për titullin, gjen vetëm mërzitje. Dhe e tillë ishte situata në lidhje me këtë gjë, kontrasti që rëndonte mbi shpirtin e atij që shkruante, saqë gati të thuash ndjente një zë të brendshëm që i thoshte: Si? Ke edhe guximin që të shkruash në gjuhën italishte, duke qenë se e ke harruar atë? Mirëpo, pasi mendoi gjatë, nuk u thye dhe kur ta lexosh, do të vuash edhe ti, o lexues”.

Ndoshta këto mendime Buçiareli i thotë edhe nga modestia, por ndoshta ka edhe diçka të vërtetë në ato që ai shkruan.

Në dorëshkrim janë përshkruar me vërtetësi dhuna dhe padrejtësitë që ushtroheshin mbi të krishterët katolikë në këtë zonë si dhe qëndrimi shumë i njëanshëm dhe i padrejtë i pushtetit vendor të asaj kohe ndaj këtyre rrjedhave.

Duhet t’i jemi shumë mirënjohës Imzot Buçarelit për dokumentimin e atyre ngjarjeve që, para më shumë se një shekulli e gjysmë, sjell të dhëna me rëndësi të shumëfishtë për kohën 1866 – 1868, që janë të vlefshme edhe sot e gjithë ditën.

Tiranë, më 20 shkurt 2023


[1] Dario Bucciarelli, MO, Relazione sinottica su degli awenimenti compiutisi entro del Pascialagio di Prizerendi dal 26 agosto 66 sessantasei fino al giorno di 6 marzo 1868 (Relacioni sinoptik i ngjarjeve të ndodhura brenda Pashallëkut të Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868) prej 374 faqesh, që është marrë nga APF SC Servia Scopia, Vol. V, faqe 373r-550v

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.