Luljeta Aliu
Filmi “Blonde” po komentohet zellshëm nga kritikët e filmit, njohësit e kinematografisë dhe adhuruesit e filmit. Perspektiva që po mirret për pikënisjen e vlerësimit të filmit është kryesisht figura e Marilyn Monroe, duke komentuar se si është portretizuar ajo, se cilat pjesë të jetës së saj është dashur të pasqyrohen si shtesë në këtë film apo se si biznesi i filmit e ka eksploatuar Marilyn Monroen.
Pa dashur të vetëshpallem si njohëse e kritikës së kinematografisë, ndjej një ngulm për të thënë se si unë e kam kuptuar filmin.
Për mua, filmi “Blonde” paraqet betejën për mbijetesë të një personi, që mund të ketë qenë cilado/cilido prej nesh, e që në këtë rast ka qëlluar Norma Jean, e që ka qenë e braktisur, nëpërkëmbur dhe shfrytëzuar që nga fëmijëria fillimisht, duke vazhduar pastaj me trajtimin jo-human nga institucionet dhe dhunën e të fuqishmëve, që bëhet ndaj trupit dhe jetës së saj, duke e rikrijuar dhe rimodeluar gruan sipas nevojave të tyre deri në atë masë që edhe ia ndërrojnë emrin. Ose duke e dërguar, pasi e drogojnë, në klinikë për abortim të fëmijës së ngjizur nga J.F.K.
Norma Jean nuk e don Marilyn Monroen, asaj, për të mbijetuar, i imponohet ta luajë rolin e Marilyn Monroes, një figure që personifikon ëndrrat seksuale, dhe vetëm seksuale, të qindra mijëra e miliona burrash, që jargaviten kur asaj i ngritet fustani lart nga era dhe gati sa e shqyejnë me gojërat e shtrembëruara nga epshi shtazarak i pangopur. Ata nuk e duan njeriun Norma Jean, por figurën Marilyn, të cilën e kanë krijuar vetë, që të ju shfaqë ato fantazi që ata i pëlqejnë. Ata nuk duan as ta njohin Norma Jean.
Marilyn personifikon epshet seksuale mashkullore, por jo edhe Norma Jean, e cila ka nevojë për siguri dhe mbrojtje, për shërim nga traumat e një familjeje të shkatërruar nga një baba, që e ka lënë nënën e Norma Jean shtatzênë, përkundër që ka qenë i martuar, e që kurrë nuk e ka pranuar lidhjen me nënën e Norma Jean, por as vajzën e tij.
Titulli “Blonde” për mua aludon në shakatë që bëhen për gratë bjonde, që janë seksi dhe nuk çajnë kokën për NORMA.
Ndërsa, në mënyrë shumë fine e mjeshtërore, regjisori e mbështjellë të gjithë vanitetin dhe egërsinë njerëzore, për të marrë vetëm atë që do nga të tjerët, pa marrë parasysh për çka ka nevojë pala tjetër dhe sa vuajtje krijojnë duke ngarendur pas përmbushjes së epsheve tyre egoiste.
Filmi paraqet për mua vrazhdësinë njerëzore ndaj njerëzve të tjerë gjatë kërkimit për realizimin e dëshirave tona. Dëshirat mbi nevojat. Dekadenca e shoqërisë sonë. Gadishmëria ta shkatërrojmë dikë totalisht, vetëm për hir të kënaqësisë sonë.
Ky film paraqet sa shumë psikopatë ekzistojnë në këtë botë, e që ne nuk i vërejmë, sepse psikopatët nuk shfaqin ndjenja dhimbjeje dhe lotë si Norma Jean, meqë ata nuk vuajnë kurrë shkaku se janë të orientuar në kënaqësi dhe egoizëm dhe prandaj janë edhe të suksesshëm. Ndërsa ata që vuajnë nga psikopatët, si Norma Jean, na duken si të sëmurë mentalë.