ATENTATI NDAJ SABRI HAMITIT/POETI RRËFEN NGJARJEN NË POEZINË: SILUETA ME KASKETË TË LENINIT

1
301
Sabri Hamiti

Sabri Hamiti, 10/07/2020

*Shkrimtari Sabri Hamiti më 24 shtator 1998 pësoi një atentat në shkallët e banesës së tij në Dardani të Prishtinës. Në poezinë “Silueta me kasketë të Leninit”, botuar në librin “Melankolia”, Faik Konica, Prishtinë 1999, autori përshkruan momentin e plagosjes dhe luftën e shpirtit mes jetës e vdekjes. Çkado që thuhet më shumë për këtë poezi është e tepërt, prandaj veç ju ftojmë ta lexoni!/ ObserverKult

SILUETA ME KASKETË TË LENINIT

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare
Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur
Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë
Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time
Unë lëviza shpejt nga e djathta
Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë
Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba
Në shenjë triumfi e u humb në natë.

Unë e mund dhembjen me bërtimën e madhe
Që pushon vetëm kur e ndiej me veshët e mi.
Kush mund ta dijë sa zgjatet koha
Derisa ngjitem këmbadoras në katin e tretë?
(Duhet të dukem sa më i natyrshëm para gruas
Më vërtitet nëpër mendje të turbulluar
Derisa jam në kokërr të shpinës në katin e dytë)

Atëherë kalon aty pranë një hije e gjatë
Të cilit i lutem: më ndihmo zotëri!
Po zotëriu vetëm më kalon përmbi
Duke u mbrojtur si i zëni në faj:
Si të të ndihmoj kur nuk e di kush je?

“Grua i vrarë jam dhe thirri miqtë” i them
Duke u munduar të fsheh gjakun në duar.
Ajo heshtet duke e ditur se të vrarit s’i flitet
E i vrari nuk duhet të flasë…

Tevona vëllezërit miqtë mjekët më kanë shtrirë
Kur biri i madh më vjen te veshi
“Qëndro babë”!
Hap sytë për t’ia dhënë besën time
Se do të jetoj për mallë të tij.

Fotot gjejnë vendet e plumbave
Të gjithë janë në trup mbrenda
Ndërsa mjeku i damarëve ngushëllohet:
Shyqyr që i ka shpëtuar dora e djathtë,
Me çka do të shkruante?

Në shok-dhomë ma shpojnë rishtas gjoksin
Duart venat thikat e pykat janë në trupin tim
Dhe trupi mund të zgjedhë jetën a vdekjen
Se shpirti niset diku në qiej
Nis të varet nëpër yje duke u munduar
T’i bëjë dy yje bashkë që do të digjen
Duke rënë në tokë.

Aty jam vetëm me milicët e armatosur
Që ndërrojnë pamjet nga ora në orë
Gra të veshura bardh më njohin terrorist
Në vesh më kanë vënë ndëgjojset
Ku ndihet gjëma e vëllait vaji i gruas
Dhe pëshpërimat e fëmijëve.
Ata duan të më tregojnë para vdekjes
Se i dinë të gjitha deri në minutën e fundit.

Atëherë kur trupi e zgjedh jetën
E dy yjet bien lidhur përtoke
Gruaja më rri pranë te shtrati
Ma lan gjakun nga trupi me alkool
Me pambuk të butë secilën qelizë secilën fije.

I lidhur për shtrati me sy të hapur
Shoh për dritareje si lind e si vdes dielli
Si lëkunden e vdesin gjethet e fundit
Duke e lënë cullak degën e plepit.
“Ai që e do jetën u hyp këmbëve të veta
E nuk lidhet për shtrati” flet Burbuqja.

Me gruan përbri u hypi këmbëve të mia
Dal në korridor dhe nëpër katrorin e dritares
Shoh një degë peme që ngjitet në qiell
Pamja më e bukur e gjithë jetës sime
Derisa tri gra plaka rrahin duart
Nga habia me mrekullinë time.

E unë i lidhur për shtrati e di më mirë se kurrë:
Për të shkruar nuk mjafton vetëm ëndrra
Nuk mjafton as vetëm dora e djathtë
Për të shkruar duhet kurrizi e duhet bytha
Duhet guximi për të shkruar që dhembja fizike
Është më e madhe se dhembja shpirtërore,
Jo vetëm fantazitë e dora e djathtë
Si thoshte mjeku më i madh i damarëve
Të prerë në Ballkan!

Le të dëshmojë më së miri Burbuqja!
A nuk është kështu zonjusha Burbuqe?

1 KOMENT

  1. Poezia e shkrimtarit Sabri Hamiti është e fuqishme. Njëriu kur i lëxon poezit e tij e kupton leht shpirtin e njeriut dhe popullit të vujtur që vite luftoj për jetë e liri.
    Kjo poezi e botuar paraqet atentatin dhe atentatët ma makabër që janë bër në kohën kur Kosova luftonte më armikun gjakatar. Atentati ndaj Z.Hamiti është atentat ndaj Kosovës, bashkpuntorve dhe miqve të Presidentit Rugovës, liris dhe popullit të Kosovë. Poezia paraqet atentatin në Lirin e vendit.
    Respekt të përheshem për Z.Hamiti

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.