Llesh Ndoj
“Një reflektim për romanin e Anton Nikë Berishës “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar”.
Romanet dhe studimet e shkrimtarit tonë të shquar, të nderuarit prof. Anton Nikë Berisha, me cilësinë e tyre letrare poetike, informacionin e gjerë dhe të thelluar, lexuesi tashmë e di se prej dorës e mendjes së tij ka dekada që dalin vepra cilësisht të realizuara, të cilat nxitin kërshërinë, e tërheqin atë në përjetimet e personazheve dhe e bëjnë kurdoherë të nxisë mendimin e gjykimin në përcjelljen e shtjellës së ngjarjeve që zhvillohen. Romani “Gjin Bardhela i arbresh”, botuar nga “Faik Konica” 2002, përveçse i ndërtuar në mjeshtëri, karakterizohet nga e pakryera, veti që e bën lexuesin të “rrëshkasë” nëpër të dhjetë kapitujt me ankthin e zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve, por edhe të zhvillojë mendimin e tij të konsoliduar rreth atyre që thuhen në të.
I shkruar në një periudhë kohore relativisht të gjatë (1995 – 2002), sa në Kozencë të Italisë, ku Anton Berisha kryente punën e profesorit, aq edhe në Prishtinë, romani e ruan mrekullisht vijimësinë e kompozicionit, ndonëse në subjektin e tij gjejnë pasqyrim ngjarje pas ngjarje, në pamje të parë si të pa lidhura njëra me tjetrën. Romani ka si nëntitull “Etja e gurëzuar”, një zgjedhje autoriale metaforike e zgjuar për të karakterizuar udhëtimin e mundimshëm jetësor të personazhit të vet, që mund të ishte secili prej nesh, nga zhgënjimi i dhimbshëm tek ëndrra e paarritshme, udhëtim ky që e përplas atë me dallgët e jetës dhe që e mban gjithnjë në kërkim të burimit për shuarjen e etjes, shuarje që nënkupton realizmin e ëndrrës, por po të arrihej kjo, do të bënte të pavlerë vetë kuptimin filozofik të jetës si përpjekje, synim, qëllim, e jo si arritje finale. Pikërisht ky udhëtim nga zhgjëndrra tek ëndrra përbën edhe vetë thelbin e romanit, duke qenë edhe veçantia e tij, ose më mirë të themi, kjo lëvizje, kjo përpjekje paraqitet si momenti esencial e tipari dallues i vetë jetës (e dëshmuar dhe nga mendimi i Lessingut në fillim të romanit).
Personazhi kryesor i romanit Gjin Bardhela, një arbëresh i Italisë Jugore, paraqitet sa i gjallë aq dhe i “vdekur”. Sapo atë e mbërthejnë dallgët e vdekjes që shfaqen si gjendje etje dhe zhgënjimi, zhgjëndrre, e rrëmben një ëndërr e re, e cila e hedh mrekullisht herë në valët e Dejt Jonit, herë në Valljet tradicionale të arbëreshëve, herë në kërkim të së Bukurës së Dheut, herë në krahët e së Bukurës së Dejtit, herë në kërkim të një imazhi të së bukurës; e takon atë herë me të gjallë e herë me të vdekur. Madje, në Botën e Përtejme, në atë të shpirtrave të ndarë nga jeta, atij i shfaqet historia me një varg të vërtetash jetësore, të cilat i përcjellin lexuesit mjaft bukur traditën e vyer e porosi që rrjedhin prej saj. Aty (në udhëtimin në Botën e Përtejme) Gjini njihet me burrninë, me atdhedashurinë, me gjakun e gjakmarrjen, me besën e besëlidhjen, duke “biseduar” herë më gjyshen, herë me babën, herë tek Guri i Varrit të Kostandinit, herë me të burgosurit e të dënuarit në botën konkrete, rrëqethëse. Në këtë rrjedhë, pra në bisedën me një “gjakësor” të dënuar, vjen edhe episodi më i bukur e kuptimplotë i romanit.
Një “i dënuar” apo “gjakësor”, i rrëfen atij se pse ishte aty? Mata i Mazrekut i rrëfen se si kishte qëndruar me vite “i ngujuar” në katin e tretë të kullës së tij (një zgjedhje kjo e bukur e jo e rastësishme e autorit) për të marrë gjakun e djalit të vrarë. Hasmi ishte ngujuar e askush s’pipëtinte veç grave. Edhe punët e shtëpisë i bënin gratë ose me punëtorë ditor. Një ditë, kur ai gati po i humbte shpresat për ta marr gjakun dhe i kishte ardhur “në maje të hundës” nga “kafja nën gju” që i jepnin të afërmit dhe miqtë, në derë të hasmit kishte pa’ lëvizje. Priti që të dalë hasmi, por jo! Aty hyri e doli një njeri, i cili më pas filloi të kosiste barin e tejpjekur… Kur gruaja e hasmit shkon t’i dërgojë punëtorit bukën e drekës, zhvillimi i ngjarjes bëhet dramatik. Punëtori i pabesë, duke e ditur se burrat e familjes nuk mund të dilnin nga shtëpia për shkak të hasmërisë, synon me forcë ta përdhunojë gruan. Mata lëkundet mes dëshirës për gjakmarrje e padurimit të turpit që po ngarkohej në kurrizin e hasmit, dhe pse jo për shkak të tij…
– Hasmin dua ta vras si burrë, e jo të turpëruar (koritur), – triumfoi mendimi dhe gjykimi tek Mata dhe e vuri pushkën për sy e vrau punëtorin e pabesë të hasmit të vet. Kështu, ky burrë i ndershëm, në vend që të shuante një hasmëri, ngarkon mbi supe edhe një tjetër! Pikërisht këtu triumfon tradita e mirë shqiptare mbi të keqen. Në kullë mësynë pala e të vrarit, pasi kishin marrë vesh se pse e si kishte ndodhur ngjarja!
Jo vetëm në këtë rast, por në të gjithë shtjellën e njëpasnjëshme të ngjarjeve në roman, autori zgjedh që përmes mundimeve të triumfojë kurdoherë e mira mbi të keqen, ngadhënjimi i jetës mbi vdekjen, e bukura mbi të shëmtuarën, gjë që e bën veprën mjaft të vlefshme. Autori hidhet rast pas rasti në retrospektivë, mjaft bukur, përmes legjendave tipike si ajo e Kostandinit, të Bukurës së Detit, Urës me harqe, po pa një krah, e plot të tjera, të cilat i ve në mendjen e personazhit kryesor pikërisht në momentet e tij më të vështira, si një mënyrë origjinale për të përcjellë kumtin e vet tek lexuesi. Bile, i gjithë romani shumë bukur mund të quhej edhe “Ura me harqe pa një krah (shtyllë”, pasi autori, siç theksova edhe në hyrje të këtij punimi, me qëllim i le ngjarjet të pakryera edhe si një mesazh se secili ka ç’të bëjë për të kontribuar në ndërtimin e “krahut tjetër” të kësaj ure mbi të cilën lëvizin ëndrrat dhe imagjinatat më të bukura të njeriut.
Ajo nuk është vetëm ura e munguar lidhëse mes arbëreshëve e trojeve amë, Arbërisë, por edhe ura që lidh brigjet e jetës e mosjetës, të arritjeve e të zhgënjimeve, të dhimbjeve e të gëzimeve, midis të gjithë atyre të kundërtave që në vetvete i japin kuptim vetë jetës. Këtu, tek ura me harqe dhe me një krah (shtyllë) mangët, si tregim i babës së vdekur për Gjinin personazh, autori sjell një version të Legjendës së Rozafës e të murosjes, si rit që muret të qëndrojnë, por përmes saj shpalos edhe tipare që ekzistonin aso kohe në shoqëri, si pabesia që çoi në murosjen e nuses së djalit të vogël… Jo vetëm këtu, por edhe në raste të tjera, autori shtjellon ngjarje ku dalin shëmtimet e njerëzve si në rastin e Kallinës, ish mësuese në pension që largon mësyshët, por që katundi Maqi e përgojojnë edhe si shtrigë…E bukur paraqitet legjenda mbi lëkurën e gjarprit e plot legjenda të tjera që i japin larmi e frymëmarrje rrëfimit. Kështu është jeta! S’ka vetëm të mira, por edhe të liga, ndaj edhe ngjarjet në roman nuk do të ishin të plota nëse do të mungonte një qasje e tillë.
Ngjarjet zhvillohen tek arbëreshët, në Maqin arbëresh (vendlindja e De Radës), matanë Dejtit Jon (zgjedhje e bukur autoriale për Dejti jonë), aty ku arbëreshët lëkunden në varkën e ekzistencës, ku tradita e trashëgimia e të parëve, nga njëra anë, i fton drejt brigjeve të origjinës, ndërsa zhvillimi i multikulturalizmit e zhvillimit bashkëkohorë, i shpie larg në kahun tjetër. Ata lëkunden mes mallit e dashurisë për origjinën dhe mbijetesën në krahun tjetër, duke e bërë këtë qasje një pasqyrim të gjendjes aktuale të të gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, që kohët e reja i kanë shpërndarë si zogjtë e shqipes në të katër anët e botës, e fatin e tyre e ndajnë mes atdheut e rrënjëve të të parëve dhe nevojës për mbijetesë në kushtet e reja.
Jo vetëm kjo ngjarje, por i gjithë shtjellimi poetik i romanit e vendos lexuesin “në Urën pa një krah”, apo me një krah (shtyllë) të pambaruar, mbi të cilën “udhëton” ëndrra që ballafaqohet me pamundësinë e mbështetjes (arritjes) në bregun tjetër, që simbolizohet me “zhgjëndrrën” dhe e fton atë të ndihmojë “me një gur” në ndërtimin e saj, tashmë pa nevojën e flijimeve. Është ky një udhëtim pa fund, madje as që i dihet se cili është fundi i tij, duke e lenë lexuesin në ankthin e ballafaqimit e të pritjes, ashtu si vetë jeta e ballafaqon atë me ngjarje befasuese në çdo hap. Kjo e bënë romanin jo thjesht një rrëfim mbi “Gjin Bardhelën”, as thjesht të mbivendosur tek arbëreshët e Italisë dhe në Arbërinë, por një pasqyrë ku reflektohet filozofia e jetës e trajtuar bukur e në mënyrë që t’i ngulitet lexuesit në mendje e shpirt.
E djeshmja në këtë libër përcillet përmes të sotshmes, që nga ana e vet vjen si gurëzim i saj. Nuk është rastësi të themi se gjuha e këtij libri është kaq e pasur sa ajo të përmbush në të gjithë rrëfimin e saj, duke shpalosur tiparet më të mira të gjuhës sonë shqipe; aty ka kaq shumë fjalëformime e fjalëkrijime (fjalë të reja), sa që vetëm kjo meriton një studim të posaçëm të kësaj vepre të Anton Nikë Berishës.
Libri është i pasur me mendime e shprehje filozofike të rëndësishme që mbahen mend lehtë e që marrin vlera të veçanta jetësore edhe jashtë kontekstit të kësaj vepre, si “Nuk e quajnë rastësisht vdekjen “dasma e fundit”, “Mbillet edhe dheu, ai s’është send i vdekur…” etj.
Asnjë shkrim rreth romanit “Gjin Bardhela i arbresh – Etja e gurëzuar” nuk mund ta shpalosë atë që vetë romani ngërthen dhe ndikon tek lexuesi, ndaj këtu po e mbyll këtë reflektim timin, duke i lënë radhën lexuesve dhe duke e falënderuar autorin, Anton Nikë Berishën, për gjithçka që jep e transmeton me punën e palodhur dhe krijimtarinë e tij studimore dhe letrare.
Lezhë, dhjetor 2022