TUFË POEZISH nga Naxhije Doçi

0
606
Naxhie Doçi

Naxhije DoçiProf.-Prishtinë

VITET E QËNDRESËS KRENARE
(Arsimtarëve të shkollës shqipe në Kosovë-1991-1999)

Tempujt e gjallë të vetënderuarë
të Kosovës së martirizuar
gati një dekadë të fundshekullit njëzet
udhëtuan këmbë pafajsisht
me kilometra në panumërim
herë në një lagje kodrinore
e herë në tjetrën në vërri
të Prishtinës me rreze dielli
dhe vendbanimeve të tjera
nëpër tërë Kosovën,
për të startuar me kohën.
Rrahur stuhish në radhitje stinësh
buzëqeshjet në këngë shpresash
i kompononin
për shpërfillje kohësh intriguese,
vullnetet me vrulle zemre i fuqizonin,
që zbehja e diturisë
të mos zë vend ndër breza
mbi dheun arbëror
me ngrohtësi dashurie.
Në ta shkëlqente ndjenja
e krenarisë sypishë
dhe vetëdijesimi rrënjësor i ndezur
për përlindje nga frymimi ynë i ngulfatur
hirësuar legjendash hyjnore,
me gjuhë pirgjesh të lashta
dhe me emër.
Kurrë nuk u dorëzuan
as kurrë nuk hezituan
edhe pse me vuajtje e skamje
e me torturimie të përditshme
ushtaro-policësh serbë
u ballafaquan.
Në kacafytje me terrin
lirinë e shenjtë kërkuan
dhe me peshën
e përgjegjësisë së palëkundur
e dhanë betimin
Kosovës për t’ia mbajtur
drejtëpeshimin.

– Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë” (i përkthyer edhe në anglisht)
– Naxhije Doçi – Botuar në Prishtinë – 2012.


Foto, unë Naxhije Doçi – Profesoreshë dhe mësimdhënësit e nxënësve shqiptarë në rrugë, ngase Serbia pushtuese i kishte mbyllur shkollat shqipe në Kosovë (I kishte mbyllur objektet shkollore për shqiptarët) dhe nuk lejonte që të mbahej mësimi në gjuhën shqipe, në Kosovë. – Pamja në foto: Shkolla e Mesme Teknike “28 NËNTORI” – Prishtinë-Viti-1992. – TELEVIZIONI ZVICERAN -SRF – KISHTE REALIZUAR NJË REPORTAZH PËR REPRESIONIN SERB NË KOSOVË.


Naxhije DoçiProf. – Prishtinë

ZANA HYJNESHË E HYJIT PLISBARDHË

Si fëmijë shpeshherë më gufonte
dëshirë e flakëruar,
harlisje që dita- ditës bëhej edhe si e pashuar
me moshataret e mia të vraponim si në garim
kush më parë maje hisarit do të mbërrijë,
Hisarit paraantik të vendlindjes sime,
të Therandës bujare e edhe trime
me lashtësi hirësie në shtresime
agminë e hershme për ta puthur në ballë
ende pa rënë mirë ndër blinaja
rrezja e diellit larë krejtësisht në ar.
Ishte traditë e kahershme, përmallim i etur
ruajtja e trashëgimisë në shteg dielli
arka e thesareve me rite.
Motivim përrallor si magji e krisur
që ende e ruan jehun e stisur
kur gjyshja ime me zemrën zjarrë
për gjumë të ëmbël e rritë të mbarë
ligjerimin në rrjedhë urtësie,
melodi motesh
se maje hisarit sfond krenarie
galeri e derdhur në përmasa jehu
Zana-Hyjneshë e Hyjit Plisbardhë,
Shtojzovallja me flokë të gjata
deri te thembërr e këmbës
ishte e përzgjedhura e hënës
dhe rrezearta e nënës.
Në përqafim të ëndërrës së fshehur
Hisari i fëmijërisë sime të patravaj
rreth e qark e mes për mes
hapësirë e shenjtëruar në flakërime
nëpër sirtarët e zemrës së dehur
dhe për jetë e mot do të jetë
jeh hyjnor i pandalur
me gjurmë krenarie kokë e tokë,
lashtësi e ruajtur që përherë gjallëron
ku historia flet vetë.

– (Poezi nga libri “JEH MOTESH” – Naxhije Doçi – Prishtinë-2019)

Naxhije DoçiProf. – Prishtinë
PËR BARDHËSI JETE

Kujtesa në shkreptimë balade
shpeshëherë dhe vetëvetiu më ngacmon,
nuk më lë të qetë në ecjen time para
të kaluaren në arkivim historish për ta lënë.
Kërkon me këmbëngultësi të dehur
shpalosje kohësh të ndrydhura të rinisë sime
në fundvitet e gjashtëdhjeta përplotë me ndëshkime
të shekullit njëzet ogurzi që shkoi,
që të mos mbetet në heshtje pafajësi e hidhur
si mëkatim i stisur nga pakujdesi e krisur.

Në qytetin akuarel,
në Prizrenin me lashtësi e histori bujshmërie
shkrirë në krenari brezash
robëria serbe peshë e rëndë trishti
ankth e pranga kapërthimi në çdo sferë të jetës.
Në bankat shkollore veçmas më akuzonin
edhe pse isha vetëm një e re shqiptare
që më vështirësi arrita për të dëpërtuar
në shkollim të mesëm për t’u regjistruar
për bardhësi jete,
me vrullin e pashuar flakërues
muret e heshtura me egërsi e kreshta
për t’i thyer,
mykun e shtresuar të kohëve për ta gërryer.

Pafajësisht më ndëshkonin,
të familjes reaksionare më rangonin
që e kundërshtonin me ngulm e hov
pushtuesin serb në Kosovë.
Librat shqip të botuara në Shqipëri:
“Afërdita”, “Sikur t’isha djalë”
“Pse”, “Lulja e kujtimit”
e të tjera si këto në rol mohimi
armiqësore të shpallura
nga frika prej hijes së vet
nga lugetërit serb të ferrit
ardhacakët e vërtetë
nën bankë m’i montonin me hipokrizi
deri në pafundësi të më demoralizonin
në humbje shpresash për rreze dielli
për buzëqeshjen me dehje pranvere.
Test i pafund zvarranikësh me zymtësi nëntoke
një ndëshkim i tillë
rolet në skenën mëkatare me ndërrime,
barbari e brymosur ag e terr me krime.

Poezi nga libri “Vargëzim mbi gjurmë” – Naxhije Doçi, Prishtinë – 2017

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.