FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI – PËRGJEGJËSI PARA HISTORISË

0
175
Universiteti Shtetëror i Tetovës

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Çështja e zhvillimit të qyteteve nuk është çështje partiake, por kombëtare. Madje është çështje e një strategjie kombëtare.

Zhvillimi i qyteteve nuk mund të shihet nga këndvështrimi i fitoreve apo i humbjeve në zgjedhjet vendore, përkatësisht parlamentare. Partitë shqiptare mund ta mundin njëra-tjetrën, por kjo më në fund është një çështje brenda-shqiptare.

Me rëndësi historike është që partitë shqiptare ta mundin dhe ta fitojnë betejën apo luftën politike ndaj armiqve dhe ndaj kundërshtarëve historikë të popullit shqiptar – sllavo-bizantinëve.

Që nga viti 1991 e deri në ditët tona, qytezat shqiptare mbetën të tilla – qyteza apo kasaba. Ç’fitore është kjo? Ç’fitore është kjo, e një partie shqiptare ndaj tjetrës, kur pothuajse tërë pushtetin politik dhe ekonomik e kanë në dorë maqedonasit?!

Tetova është qytet me dy universitete dhe me pesë shkolla të mesme, por është pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë bashkëkohore, pa teatër, pa kinema, pa veprimtari kulturore profesionale, pa objekte panairi, pa qendër sportive, pa sallë sporti, pa autopark, me rrugë të ndotura, me kontejnerë pa rrota e që nuk zbrazen rregullisht, me kanalizime jopërkatëse që kur t’u kujtohet vërshojnë nëpër rrugë.

Dhe me kryqin e VMRO-së në kalanë e Tetovës, pikërisht aty ku në vitin 2001 filloi lufta çlirimtare.

Si shpjegohet Tetova me dy universitete dhe me shtatë shkolla të mesme, por me një pallat kulture që nuk ka nxehje qendrore apo që gjatë dimrit funksionon pa nxehje?! Si shpjegohet Tetova me dy universitete dhe me pesë shkolla të mesme, pa asnjë shfaqje teatrore brenda një viti?! Si shpjegohet Tetova e dy universiteteve dhe e pesë shkollave të mesme, me një trupë teatrore profesionale prej rreth 30 aktorësh të shquar, por pa asnjë pjesë teatrore të përgatitur e të shfaqur?! Në aspektin kulturor, ky qytet i mijëra studentëve duket si në agoni.

Në anën tjetër, Tetova universitare dhe me pesë shkolla të mesme, me mbi 10 mijë nxënës në to, vlon prej: kafeterive, picerive, restoranteve, ëmbëltoreve, qebaptoreve, byrektoreve, çajtoreve, bozaxhinjve, kazinove, bastoreve, tavernave, tymit. Dhe qenve endacakë. Ndërkaq lypësit e vegjël të udhëkryqeve të qytezës të përkujtojnë kohën e poetit të mjerimit .

Si shpjegohet fakti që në Tetovën universitare ka kohë që nga pushteti maqedonas nuk është bërë pothuajse asnjë investim?!

Tetova universitare, njashtu si të gjitha qytetet shqiptare në veriperëndim, mbijeton:

– nga dërgesat e kurbetçinjve;
– nga ndërmarrjet private, dhe
– nga bujqësia e blegtoria ekstensive e primitive.

Tetovën universitare shteti qëllimisht e ka harruar dhe e ka lënë pas dore. Përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin e qyteteve shqiptare mban faktori politik shqiptar, që nga viti 1991 deri më sot. Përgjegjësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin e pjesëve veriperëndimore të këtij vendi, e veçanërisht të qyteteve shqiptare në to, mbajnë sidomos ministrat dhe deputetët shqiptarë, secili për zonën nga e cila delegohet apo për rajonin të cilin e përfaqëson. Përgjegjësi për ngecjen apo për zhvillimin e Tetovës universitare mbajnë ministrat dhe deputetët shqiptarë të qytetit rrëzë Sharrit.

Politika nuk është vetëm privilegj personal. Është edhe përgjegjësi shoqërore . Nomenklatura shqiptare, që nga viti 1991 e deri më sot, politikën e ka kuptuar shumë më tepër si privilegj vetjak, sesa si përgjegjësi shoqërore. Sot, për mision dhe për ideal kombëtar as që mund të flitet.

Maqedonasit, që nga viti 1945 e deri më sot, të gjitha investimet i kanë përqendruar në Shkup dhe në Maqedoninë lindore.

Në kohën e monizmit, në shërbim të tyre ishin kuislingët, mercenarët, shqiptarët e ndershëm dhe rahman morinat. Po sot, kush vallë është në shërbim të tyre?! E njëjta politikë e orientimit të investimeve në Shkup dhe në pjesën lindore të Maqedonisë vazhdon edhe sot. E njëjta politikë e injorimit të interesave shqiptare vazhdon edhe sot. Kjo të përkujton kohën e getoizimit të shqiptarëve.

Strategjia antishqiptare e Shkupit është:

– Çdo kërkesë e shqiptarëve të zgjidhet në mënyrë paliative (gjysmake) , në mënyrë që shqiptarët edhe 30 vjet të tjerë të vazhdojnë të merren me to, d.m.th. me gjuhën, me flamurin…;

– Vazhdimisht të krijohen probleme të reja, siç janë enciklopedia antishqiptare maqedonase, Shkupi 2014, të mësuarit e gjuhës maqedonase nga nxënësit shqiptarë qysh në klasë të parë etj.

– Të detyrohen shqiptarët që me dekada të merren dhe të rimerren me të njëjtat kërkesa kombëtare primordiale, në mënyrë që të mos  u mbetet kohë për t’u marrë me çështje ekonomike;

– Të varfërohen shqiptarët sa më tepër që të jetë e mundur, në mënyrë që rinia e tyre të përshkohet nga dëshpërimi, demoralizimi, defetizmi, deprimimi dhe zhgënjimi.

– Të shqyrtohen të gjitha mundësitë që shqiptarët në rajone të caktuara të dalën nën 20%  që pastaj të konsiderohen një minoritet i parëndësishëm;

–  Të privohen shqiptarët nga të gjitha veprimtaritë ekonomike, bankare dhe financiare, në mënyrë që të varfërohen në mënyrë të skajshme dhe të lihen pa perspektivë;

– Të lënë pa perspektivë, shqiptarët do të detyrohen të shpërngulen dhe të punojnë si pjatalarës në metropolet e Evropës dhe në vendet tej oqeanit.

Në rrethana të sipërthëna, ministrat shqiptarë nuk duhet të lodhen shumë rreth integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë si dhe për zgjidhjen e kontestit me Athinën rreth emrit. Populli thotë: “Së pari rregullo punët në shtëpinë tënde, pastaj ndreqi shtëpitë e huaja”.

Ministrat shqiptarë së pari duhet të punojnë dhe të angazhohen për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale të popullit të vet në hapësirat veriperëndimore të këtij vendi, e pastaj të preokupohen me çështjen maqedonase.

Zgjidhja e kontestit rreth emrit me Athinën është në duar:

–   të VMRO-së;
– të Athinës; dhe
– të Uashingtonit.

Po qe se VMRO-ja nuk do të jetë në krye të përgjegjësisë historike, do të humbë kohën politike. Humbja e kohës politike është fatale.

Së këndejmi, përse ministrat shqiptarë të qeverive maqedonase lodhen gjithaq lidhur me këtë çështje, kur s’i përfill kush?!

In ultima linea, Maqedonia do ta ndërrojë emrin në atë çast kur të urdhërojë Uashingtoni. Njësoj si rasti i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Shkupi dhe nga Podgorica. Sapo dha urdhër Uashingtoni, Maqedonia dhe Mali i Zi e njohën shtetin e Kosovës.

Maqedonasit duan ta fitojnë betejën ndaj Athinës, për t’i shpallur shqiptarët qiraxhinj në tokë të vet. Rrjedhimisht, edhe për t’i shpërngulur nga trojet e veta stërgjyshore.

Ka shqiptarë që thonë se sot nuk ka investime për arsye se nuk jemi në NATO dhe në BE!! Po si ka investime për pjesën lindore të Maqedonisë dhe për Shkupin 2014?! Nga vijnë paratë për ndërtimin e një identiteti të rrejshëm dhe të një historie të trilluar e të paqenë ?!

Si çdo qytet tjetër në Maqedoni, edhe Tetova ka luajtur rol të rëndësishëm për arritjen e të drejtave kombëtare, si në kohën e diktaturës dhe të tiranisë serbo-sllave gjatë periudhës së viteve 1945-1991, ashtu edhe në kohën e pluralizmit , nga viti 1991 e këndej.

Proceseve politike që janë zhvilluar në Tetovë në kohën e pluralizmit , përpos inteligjencies apo atdhetarëve tetovarë, u kanë kontribuar edhe intelektualët dhe atdhetarët e të gjitha hapësirave shqiptare në Maqedoni. Me fjalë të tjera, të gjitha proceset që janë zhvilluar në Tetovë gjatë periudhës së pluralizmit, janë mbështetur pa rezerva nga të gjithë shqiptarët në Maqedoni. Proceset politike që janë zhvilluar në Tetovë, nuk janë zhvilluar vetëm prej tetovarëve, por prej faktorit shqiptar në Maqedoni. Rrjedhimisht, veprimtaria e faktorit shqiptar në Maqedoni është mbështetur pa rezerva edhe nga qendrat politike shqiptare të vendosjes – nga Tirana dhe Prishtina.

Ndër ngjarjet kombëtare më të rëndësishme që kanë ndodhur në Tetovë, me mbështetjen e të gjithë shqiptarëve në Maqedoni dhe në Ballkan janë:

– Më 15.04..1990 u themelua në Tetovë lëvizja popullore politike Partia e Prosperiteti Demokratik (PPD);

– Pothuajse në të njëjtën kohë u themelua po në Tetovë Partia Demokratike Popullore (PDP);

– Më 27.XII.1991, Kuvendi i Autonomisë në Tetovë, mori vendim për shpalljen e Referendumit për autonominë politiko-territoriale të shqiptarëve në Maqedoni. Ky referendum u mbajt në të gjitha hapësirat shqiptare në Maqedoni më 11 e 12 janar 1992;

– Në shkurt 1994 u themelua dhe veproi me seli në Tetovë PPDSH-ja, më vonë Partia Demokratike Shqiptare (PDSH);

– Më 17.12.1994 u themelua në Tetovë Universiteti i Tetovës;

– Në tetor të vitit 2001 u themelua në Tetovë Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL);

– Më 14 mars të vitit 2001 në kalanë e Tetovës shpërtheu lufta e popullit shqiptar për liri, që kishte nisur në Tanushë qysh në janar të të njëjtit vit;

– Në fshatin Shipkovicë të Tetovës, në vitin 2001 u themelua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, strukturë ushtarake që e drejtoi dhe e komandoi luftën;

– Gjatë luftës së 2001-shit, përfaqësuesi politik i UÇK-së dhe kryekomandanti i saj Ali Ahmeti qëndroi në Shipkovicë të Sharrit, nga ku i komandoi veprimet luftarake;

– Në vitin 2002 u themelua në Tetovë Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI);

– Vite me radhë mbahet në Tetovë manifestimi ndërkombëtar i poezisë “Ditët e Naimit” si dhe veprimtari të tjera kulturore e artistike;

– Gati çdo vit, shënohen në Tetovë përvjetorët e demonstratave masive të ’68, që shpërthyen në Tetovë në vitin 1968;

– Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës (1999), një pjesë e madhe e refugjatëve kosovarë u vendosën pikërisht në Tetovë (sikundër edhe në të gjitha qytetet shqiptare);

Në Tetovë ndodhen edhe disa ndërmarrje ekonomike të rëndësishme si: Ekologu, Renova, Vezë Sharri etj.

Klubi kombëtar i Tetovës – “Shkëndija ”, duke qenë kampione e Maqedonisë në futboll, me ngjyrat kuq e zi, mori pjesë në garat e kampionatit evropian.

Kjo flet se Tetova ka njëfarë potenciale demografik. Ka tradita historike kombëtare të çmueshme. Ka disa rrethana gjeografike dhe natyrore të volitshme, siç janë fusha e Pollogut dhe Sharri plak. Rrjedhimisht, ka edhe njëfarë potenciali ekonomik, kulturor dhe intelektual.

Me gjithë këto merita, në Tetovën historike vite të tëra s’është bërë asnjë investim .

Faktori politik shqiptar duhet ta mbështesë zhvillimin e Tetovës dhe shndërrimin e saj në një qendër politike, ekonomike dhe kulturore. Tetova nuk zhvillohet vetëm për tetovarët, por për të gjithë shqiptarët. Ajo nuk zhvillohet në dëm të qyteteve të tjera, apo në kurriz të tyre. Është në interes jetik të shqiptarëve që të shënojnë zhvillim të gjitha qytetet dhe vendbanimet shqiptare në Maqedoni.

Tetova vitet e fundit shënon rënie dhe ngecje. Në anën tjetër, nuk shohim të shënojë zhvillim të paktën ndonjë qytet tjetër shqiptar në Maqedoni.

Pushtetarët e Shkupit, me ndonjë shërbëtor të vetin shqiptar, mbase mund ta zvarritin zhvillimin e Tetovës, por kurrë nuk do t’ia dalin ta shtrojnë për toke. Dielli nuk zihet me pëllëmbë. As valët e detit jo.

Politika nuk është oportunizëm dhe konformizëm. Kuislingët do t’i mallkojë historia.

Në rrethanat kur ka ngecje dhe nuk ka zhvillim, qeveritarët dhe pushtetarët ndjekin politikën panem et circenses (bukë dhe argëtim) . Sipas satirikut romak Decim Junie Juvenal (Decimus Iunius Iuvenalis, rreth 60 – rreth 130), kjo ishte parullë e qarqeve sunduese në Perandorinë Romake. Me fjalë të tjera, jepi popullit bukë, dasma, ceremoni fetare, mevlude, bastore, lojëra argëtuese, sport dhe sundo mbi të sa të duash dhe si të duash.

Sllavo-bizantinët gjithmonë ndaj shqiptarëve kanë pasur strategji nënshtruese.  Historia e dëshmon se, për të sunduar më lehtë, ata kanë dalluar dy kategori shqiptarësh: shqiptarë nacionalistë; dhe  –  shqiptarë të moderuar apo luajalë. Shqiptarët e moderuar më vonë do t’i cilësojnë  si të ndershëm .

Me shqiptarët nacionalistë boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd, kurrë nuk ka bashkëpunuar. Madje edhe i ka persekutuar. Boshti sllav i sipërthënë ka bashkëpunuar dhe ka bashkëvepruar vetëm me shqiptarët e moderuar, të përshtatshëm dhe luajalë .

Sot, faktori politik shqiptar në asnjë mënyrë, për asnjë çmim dhe për asnjë kusht nuk duhet të lejojë që  disa ministra apo përfaqësues diplomatikë t’i propozojë, t’i sugjerojë, t’i parapëlqejë, t’i emërojë dhe t’i caktojë Shkupi.

Ka kaluar koha e kuislingëve, e mercenarëve, e shqiptarëve të ndershëm, e rahman morinave dhe e kolonës së pestë.

Si shpjegohet fakti: Emrat e disa rrugëve të qyteteve shqiptare janë ndërruar në mënyrë ligjore, ndërkaq faturat vazhdojnë të dërgohen me emërtimet e vjetra të rrugëve. Me emërtimet e vjetra vazhdojnë të lëshohen edhe dokumentet vetjake. A thua kush duhet të merret me këto çështje?! Mësuesit, mjekët apo barinjtë e kopeve në bjeshkët e Sharrit?! Po faktori politik?! Po establishmenti dhe nomenklatura politike shqiptare, ç’duhet të bëjnë?! Të dalin për çdo ditë në mediume, për t’i përsëritur vite me radhë klishetë dhe refrenet që tanimë i dinë edhe fëmijët në djep!

Çështja shqiptare në Maqedoni rrezikon të shndërrohet në çështje ekzistenciale . Mund të vijë një ditë që qytetarët akademikë të universiteteve shqiptare të dalin në protesta, por jo më për enciklopedinë e Akademisë maqedonase, por për bukë dhe punë . Faktori politik shqiptar, ministrat dhe deputetët e tyre, që hiqen si të popullit, duhet ta dinë se mbajnë përgjegjësi historike para brezave që vijnë .

Maqedonasit po qe se duan që Maqedonia të ekzistojë si shtet sovran, i pavarur, demokratik dhe me perspektivë:

–   duhet të pranojnë barazinë e plotë me shqiptarët;
– duhet të pranojnë federalizmin , përkatësisht konfederalizimin e këtij vendi;
– duhet t’ua njohin shqiptarëve statusin e popullit shtetformues ;
– duhet të pranojnë një Maqedoni me dy entitete : me entitetin shqiptar dhe me atë maqedonas.

Kjo do të thotë një Maqedoni me dy kombe : me kombin shqiptar dhe me atë maqedonas. Ndryshe, ka për ta pësuar siç e pësoi Jugosllavia e AVNOJ-it në Kongresin e XIV të LKJ-së (Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë) , të mbajtur në Beograd prej 20 deri më 22 janar 1990 dhe të udhëhequr nga antishqiptari i përbetuar Milan Pançveski.

Në këtë kongres u ndeshën dy pikëpamje, diametralisht të kundërta:

– pikëpamja centraliste serbe ; dhe
– pikëpamja konfederaliste sllovene.

Duke qenë se koncepti serb ishte antihistorik – dështoi. Një ditë, të njëjtën mund ta pësojë edhe Maqedonia. Ndër shqiptarë mbase edhe sot ka kuaj Troje . Timeo Danaos et dona ferentes* (“U frikohem danajve, d.m.th. grekëve, madje edhe dhurata kur sjellin” .

Shënim: Është varg nga epi heroik “Eneida” (Aeneis) që përmban 12 libra, me gjithsej 9896 heksametra, të botuar post mortem, i poetit romak Publie Maron Virgjili (Publius Vergilius Maro, 70 para K. – 19 para K.) që ka të bëjë me kalin e Trojës).

21.10.2012

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.