KANUNI – DËSHMI E QENËSISHME E LIGJËSIVE TË LASHTA TË JETESËS SË NJERIUT TONË

1
401
Anton Nikë Berisha - Kanuni
Timo Mërkuri, Sarandë
Timo Mërkuri, Sarandë

Timo Mërkuri

Anton Nikë Berisha botoi studimin “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë” me botues Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup 2023, shoqëruar me tekstin e parathënies së Fishtës dhe me punimet e atë Pashk Bardhit dhe të Faik Konicës  të botimit të parë – 1933.

Le t’i shënojmë disa përfundime të rëndësishme të këtij studimi të Berishës:

 

I– Në këtë studim, autori ndriçon lashtësinë e Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe lidhjen e tij me traditat zakonore të lashta shqiptare, analizë që  i jep lexuesit një pamje të thellë të zakoneve dhe vlerave të shoqërisë përkatëse të kohëve të lashta[1]. Gjatë leximit të krijohet përshtypja se autori, në vend që të bëjë një autopsi të kanunit, ka depërtuar në brendësi të tij dhe na jep një anatomi të plotë, madje në një gjëndje funksionale. Kjo arsye të nxit që këtë studim të mos e lexojmë si një kuriozitet historik, por që duhet njohur në thellësi të tij, si një dëshmi e pasurimit shpirtëror dhe e qytetërimit të hershëm.

Në studimin e tij Berisha na njeh me faktin shumë të rëndësishëm se Kanuni i Lekë Dukagjinit është shtesë e vonshme e Kanunit të maleve, fillesa e të cilit nuk mund të përcaktohet; janë dhe variante të tjera të shënuara e të botuara si Kanuni i Skanderbeut, Kanuni i Bendës etj., ose disa dhe më të veçantë – Kanuni (sulli) i tëbanave (i kullotave) në bjeshkë[2] etj. duke e shpurrë në thellësi kohore historikun e hartimit të kanuneve zakonore. Më së paku kjo është dëshmi e një tradite qytetërimi të shoqërisë të kohës së Mesjetës së parë.

Këto kanune dëshmojnë doke zakonore të ndryshme të krahinave në kohë të ndryshme, që rregullonin marrëdhëniet në shoqërinë, të mbledhura dhe përpunuara e vënë në zbatim si një “kod ligjor”, si synim e përpjekje për rregullshmëri të jetës më shumë se për një “sistem juridik”.

Në studim theksohet se Kodi zakonor është një pjesë thelbësore e kulturës shqiptare dhe një pasqyrë e etikës dhe vlerave të popullit[3]; përmes tij mund të shohim idealet (edhe ato estetike) të stërgjyshërve të popullit shqiptar dhe të ruajnë virtytet e besës, të bujarisë, të burrërisë dhe të mikpritjes. Berisha e vë në dukje që shoqëria shqiptare është e lashtë dhe autoktone, dhe ka ruajtur shumë prej veçantive të shoqërive matriarkale e parapatriarkale dhe indoevropiane. Kjo lashtësi është shprehur edhe në rregullat dhe normat zakonore të Kanunit, si në mënyrën e formulimit ashtu dhe në atë të domethënies[4].

Duke lexuar këtë studim bindesh se kombi ynë nuk ishte një turmë pa rregulla dhe norma jete e mardhëniesh, madje analizuar me kohën rregullat e tij ishin tepër civilizuese, ndonëse në dukje të ashpra. P. sh. kanuni e lejonte vrasjen (për shkak të hakmarjes), por kishte vënë rregulla dhe për vrasjen, me synim që të mos bëhej vrasja një epidemi e gjerë. E lejonte vrasjen, po e kushtëzonte kryerjen e saj jo në mënyrë makabre dhe sidomos ndalonte dhunimin e trupit të të vrarit, madje kushtëzonte kthimin e trupit në drejtim të qiellit dhe vendosjen e armës së tij në gjoks, si dhe në disa raste kërkonte dhe pjesëmarrjen e vrasësit në drekën e mortit për t’u parë se ai ishte burrë zakoni dhe jo ndonjë vrasës i rëndomtë.

Kjo është arsyeja që me studimin dhe vlerësimin e kanunit janë marrë mendjet më të ndritura shqiptare e  botërore dhe jo kush do.

Në studim bëhen krahasime interesante me shoqëritë e tjera dhe kodet zakonore të tyre, në veçanti, autori bën një paralelizëm midis shoqërisë homerike dhe shoqërisë shqiptare, duke treguar se shumë përbërës themelorë të shoqërisë dhe të vlerave etike janë të ngjashme.

Ky studimi  është një ndërthurje e pasur mes kodit zakonor dhe etnografisë. Ai përdor një qasje multidisiplinare duke integruar aspekte të të drejtës zakonore dhe të antropologjisë kulturore për të bërë një analizë sa më të plotë të traditave dhe zakoneve arbërore – shqiptare.

Autori përdor burime të ndryshme dhe citon shkencëtarë kombëtarë e të huaj për të mbështetur dhe përforcuar argumentet e tij, tipar ky që  ia rrit vlerën studimit dhe e vendos atë në një kontekst të gjerë shkencor. Po ashtu, ofron një ndriçim të rëndësishëm mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve, duke rikthyer një këndvështrim të vlefshëm mbi këtë temë.

Studimi i Berishës shërben edhe si burim i rëndësishëm për shkencëtarët , etnologët dhe studiuesit, vendas e të huaj, të cilët interesohen për kulturën dhe të kaluarën shqiptare, ndihmon në rivlerësimin e trashëgimisë kulturore të kombit tonë dhe në përcaktimin e vlerave themelore të shoqërisë nga se përmban një gamë të gjerë informacioni dhe reflekton një përkushtim të vërtetë ndaj njohjese dhe studimit të thellë të këtyre dukurive të rëndësishme.

 

II-Studimi i Anton Nikë Berishës mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, në bazë të një analize të thelluar e kodit zakonor shqiptar, sjell disa përfundime studimore të veçanta dhe të rëndësishme: ai ka qenë më shumë se një kod i thjeshtë zakonor nga se është një thesar i pasur i vlerave etnike, kulturore dhe shpirtërore që ka ndikuar në forcimin e identitetit dhe zakonet e shqiptarëve përgjatë shekujve; dëshmon për vlera thelbësore etnike dhe kulturore që përcaktohen në Kanun si: mikpritja, besa, nderi, burrëria e të tjera, të cilat janë përcaktuese në marrëdhëniet shoqërore di si të tilla dhe përfaqësojnë trashëgiminë e qenësishme kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Në studim ndriçohet fakti se Kanuni ka qenë në fuqi dhe është praktikuar edhe nën sundimin otoman në Arbëri – Shqipëri, tregues i rëndësisë dhe qëndrueshmërisë së tij. Kjo tregon se ai ka pasur një autoritet të lartë juridik dhe shoqëror në jetën e shqiptarëve, ka drejtuar jetën e tyre për ta shpëtuar nga ndikimet e huaja dhe asimilimi. Fakti që Kanuni ka qënë në fuqi dhe është praktikuar në mënyrë të njëjtë në treva të ndryshme të zonës veriore, shfaq  indirekt një argument mbi mundësinë që ai të ketë qenë i shënuar në disa variante dhe i shpërndarë nëpër këto zona, ç’ka na shtyn së paku të  mendojmë edhe mbi mundësinë e shkrimit të hershëm në shqip. Fakti që ky kanun gjendet  i përhapur dhe i përshtatur në trevat jugore të vendit tonë i njohur me emrin “Shartet e Papa Zhulit” dhe “Kanuni i Labërisë” është dëshmi e kulturës juridike të shoqërisë shqiptare në tërësi.

Berisha thekson veçantinë e mikpritjes dhe të nderimit të mikut në kulturën shqiptare, e cila konsiderohet si një vlerë e madhe; në të ka rregulla të veçanta për trajtimin e mysafirëve. Ky aspekt është një shembull i mënyrës se si Kanuni ndikoi në sjelljet dhe marrëdhëniet shoqërore të shqiptarëve.

Po ashtu theksohet se Kanuni është një tekst kompleks dhe i ndërthurur që përfshin vlera, rregulla dhe tradita të ndryshme. Për këtë arsye ai ka zgjuar interesin e vijueshëm të studiuesve të disiplinave të ndryshme: juristët, etnologët, sociologët, gjuhëtarët, studiuesit e letërsisë etj.

Autori ka vënë në dukje se dukuritë që vështrohen në Kanunin e Lekë Dukagjinit kanë lidhje dhe rrënjë të përbashkëta me kulturat dhe popujt e tjerë indoevropianë. Ky faktor e vendos kulturën dhe historinë shqiptare në një kontekst më të gjerë kulturor dhe historik.

 

III– Kanuni ka një gjuhë dhe stil të veçantë të shprehjes, që është karakteristik për letërsinë dhe gjuhën shqipe tradicionale. Gjatë kohëve, kjo vepër është studiuar edhe nga gjuhëtarë dhe studiuesi të letërsisë për të kuptuar lashtësinë e kësaj gjuhe dhe rëndësinë e saj në të kaluarën. Vetë mbijetimi i këtij kanuni për një periudhë të gjatë kohore, siç dëshmohet nga gjuha e tij dhe përhapja e gjerë e tij në trevat veriore në tekst  të njëjtë, hap një dritare të re për  kërkimin e fillimit të të shkruarit të gjuhës shqipe.

Për shkak të ndryshimeve sociale, politike e  kulturore, sot përdorimi i Kanunit është bërë i rrallë, por vlerat dhe traditat që ai përfaqëson ende kanë një rëndësi të madhe në ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve.

Berisha u bën një analizë të hollësishme disa rregullave dhe parimeve të Kanunit dhe shpjegon se si ato janë zbatuar në jetën e përditshme të shqiptarëve; përmes disa shembujve ai ilustron si dispozitat përkatëse janë përdorur për të rregulluar konfliktet, marrëdhëniet familjare dhe të tjera aspekte të jetës së përditshme në zonat rurale. Përmes interpretimit të disa dukurive që përmban Kanuni është e mundur të shohim si janë zhvilluar dhe ndryshuar marrëdhëniet shoqërore dhe kultura në Arbëri – Shqipëri përgjatë shekujve.

Psh, pas leximit të këtij studimi personalisht  krijova bindjen se kodet e fejesave qysh në djep  apo me vullnet të njëanshëm të prindërve të vajzave të mitura ka qënë një mënyrë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe jo një formë e shtypjes dhe e shfrytëzimit të elementit femër pasi ato femra që fejohedhin qysh në djep apo në moshë të mitur ishin bijat e tyre  dhe kishin vend  në shpirtin e zemrën e prindërve, të cilët nuk kishin objektiv  shtimin e vuajtjeve të  fëmijëve në një martesë të vështirë, por synonin trashëgiminë e gjakut arbëror te pasardhësit, ruajtjen e identitetit kombëtar në atë periudhë dhune pushtuesi turk.

 

IV– Gjuha e Kanunit përfshin formula të qëndrueshme të cilat janë shprehje të njohura dhe të përdorura përsëri e përsëri në tekst. Këto formulat janë të rëndësishme për kuptimin e rregullave dhe normave të Kanunit, megjithëse ndonjëherë mund të jenë të vështira për t’u interpretuar. Kjo ngjet nga se disa fusha të jetës janë të veçanta dhe kërkojnë terminologjinë përkatëse të stilit juridik, duke përdorur konstrukte absolute me rasën emërore dhe infinitive të shumta për të paraqitur kushtet dhe veprimet.

Në përshkrimet e riteve popullore si martesa, zakonet e vdekjes, dhe pritja e mikut, gjuha e Kanunit ndjek një stil të thjeshtë, po të fuqishëm, që përkon me gjuhën e prozës gojore. Kjo gjuhë ka fuqi shprehjeje dhe është e kuptueshme për përdoruesit e zakonshëm. Përdoren fjalë dhe shprehje të vjetra, disa prej të cilave janë trashëguar prej shqipes së lashtë. Aty ka dhe terma të rëndësishëm të kulturës kombëtare dhe të krishtërimit. Kjo dëshmon se shqiptarët janë trashëgimtarë të krishtërimit dhe kulturës së tyre dhe kanë përdorur gjuhën shqipe për t’i shprehur këto koncepte.

Në përgjithësi, gjuha e Kanunit të Lekë Dukagjinit është një mjet që hap dritën mbi traditën dhe historinë e shqiptarëve dhe ndihmon në kuptimin e rrënjëve dhe vlerave të tyre kulturore.

 

V– Studimi identifikon përdorimin e formulave të qëndrueshme në Kanun, të cilat janë thelbësore për kuptimin dhe interpretimin e rregullave që janë përdorur nëpër kohë. Kjo tregon për ekzistencën e një tradite të lashtë e të pasur gojore, e cila u ruajt nëpërmjet këtyre formulave. Kanuni ka qenë një mjet i rëndësishëm dhe për ruajtjen dhe transmetimin e traditave dhe të zakoneve të shqiptarëve.

 

VI-Duhet thënë se Kanuni i Lekë Dukagjinit ka pasur një ndikim të rëndësishëm në krijimin e Shtetit shqiptar të ri. Pas pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe formimit të një qeverie të pavarur, kërkimi për një sistem juridik modern dhe të drejtat e njeriut filluan të marrin formë. Në këtë kontekst, Kanuni u studiua dhe u shqyrtua për të parë nëse mund të përdorej si një burim i vlerësueshëm për të krijuar një sistem të ri juridik dhe të drejtat e njeriut në vendin e ri të pavarur.

Në thelb Kanuni ishte një kod juridik i bazuar në traditën dhe zakonet e lashta të maleve shqiptare, ndërsa një shtet modern duhej të ishte i përshtatshëm me normat dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë. Kështu, përvoja shqiptare me krijimin e një shteti modern dhe kodifikimin e ligjeve u ndodh në një tension midis vlerave të vjetra të trashëguara nga Kanuni dhe nevojave të një shoqërie të përshtatshme me shekullin e 20-të.

Në rrjedhë të kohëve Shqipëria ndryshoi dhe modernizoi ligjet e saj, duke përfshirë përdorimin e Kodit Civil, të Kodit Penal dhe të ligjeve të tjera të reja që bazoheshin në modele të huaja. Ky ndryshim gradual i sistemeve juridike do të thotë se Kanuni i Lekë Dukagjinit humbi ndikimin e tij si një burim i drejtsisë të përdorur në mënyrë të përhershme. Megjithatë, Kanuni mbeti një përbërës i rëndësishëm i identitetit kulturor të shqiptarëve dhe një burim i rëndësishëm i studimit të historisë së tyre. Edhe sot që ndryshimet e shoqërisë dhe modernizimi kanë lënë pas të kaluarën, Kanuni vazhdon të ndikojë në ndjenjën e identitetit të shqiptarëve dhe në studimet e kulturës së tyre.

“Kanuni i Lekë Dukagjinit” është një dokument shumë i rëndësishëm dhe i vjetër në kontekstin e Shqipërisë dhe mund të konsiderohet si  legjislacioni i parë ose kushtetutë e hershme në historinë e popullit tonë e të paraardhësve të tyre.

 

VI– Për respektimin e një legjislacioni që synon krijimin e një shoqërie civile “Kanuni i Lekë Dukagjinit” ka disa elementë të rëndësishëm. Për shembull, ai përmban rregulla të përcaktuara për menaxhimin e konflikteve, menaxhimin e fejesës, dhe marrëdhëniet mes individëve dhe familjeve. Ai promovon edhe idenë e respektit ndaj natyrës dhe traditave të vjetra si dhe ndihmën ndaj të tjerëve, siç është rasti me kujdesin ndaj mikut.

Ka vlerë të veçantë për studiuesit dhe historianët, sepse ofron një dritë mbi jetën dhe zakonet e një periudhe të hershme të historisë shqiptare. Në një kontekst modern, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” është shpallur trashëgimi kulturore të UNESCO-s dhe është studiuar për të kuptuar më mirë historinë dhe kulturën e Shqipërisë.

Parë në këtë këndvështrim studimi i Anton Nikë Berishës përbën një pasuri të ndriçimit dhe të interpretimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe një burim reference për studiues të etnokulturës shqiptare dhe marrëdhëniet e kombit tonë me kombet e tjera. I prirë nga një stil elegant ky studim lexohet e rilexohet me interes dhe ta bën të afërt dhe të vlerësueshme përmbajtjen e Kanunit, madje të krijon edhe një ndjenjë admirimi për hartuesin e tij.

Vlerën studimit ia shtojnë edhe tri punimet që janë vënë në shtojcë: Parathënia e Atë Gjergj Fishtës e botimit të parë (1933 në Shkodër) dhe punimet e Atë Pashk Bardhit dhe të Faik Konicës për Atë Shtjefën Gjeçovin dhe punën e tij madhore në mbledhjen e kodeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit si dhe botimin e tyre.

Sarandë, tetor 2023


[1] Në studimin e Anton Nikë Berishës thuhet: “Kur vështrohet Kanuni i Lekë Dukagjinit duhet kujtuar se asgjë s’ka lindur rastësisht dhe se dukuritë janë të lidhura mes tyre më shumë sesa mendojmë ne”; “Nga çasti kur njeriu u bë i vetëdijshëm për veten dhe për veprimin e vet dhe meqenëse jetoi në bashkësi vëllazërore ose fisnore, krahas këngës dhe rrëfimit, ai synoi t’i përcaktojë edhe rregullat e sjelljes, në të cilat do të mbështetej jeta e të lehtësohej mënyra e veprimit të përditshëm”. Shih f. 15.

[2]  Atë Bernardin Palaj, Mitologji, doke e zakone shqiptare. Zgjodhi, shtjelloi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha. Shpresa, Prishtinë 2000, f. 56. Vepër e cituar f. 18.

[3]Anton Nikë Berisha: “Kurdo dhe në çfarëdo mënyre të flitet për trashëgiminë kulturore shpirtërore të një populli ose të popujve të ndryshëm, bartur gojarisht nëpër kohë, duhet të kihen parasysh tri dukuri të rëndësishme: koha ose kohët e gjallimit (ekzistimit) të dukurive, koha e njohjes – e shënimit të tyre në formën e shkruar dhe fakti se ato nuk studiohen që të bëhen sot pjesë të jetës së përditshme, pa marrë parasysh rëndësinë e tyre, por që të njihen si pjesë e trashëgimisë që përligjin qenësinë dhe pasurinë kulturore dhe shpirtërore të popullit që i ka përdorur, aftësinë e individëve që i kanë përftuar ose i kanë bartur prej një brezi tek tjetri, duke i përshtatur sipas rrethanave dhe kushteve të jetesës”. Po aty, f. 13

[4] Durhan: Ligjet e pashkruara të maleve janë trashëguar që nga kohët më të lashta dhe janë përmbledhja më e vjetër e ligjeve në Evropë. Vepër e cituar f. 22.

1 KOMENT

  1. Falenderime dhe mirenjohie te nderuarit Timo Merkuri oer kete sudim te perpikte te bere per *Kanunin e Leke Dukagjinit*kjo dhe per kohen qe jeojme.Rilexuar,ani se mosha ben te veten,u rinova sa lexova,si per here te pare-ndihesha. Faleminderit- TRINITRINE* mare. Si falenderim, me lejon tiu sjell nje krijim tim; tituluar:*HISTORIA me CLODH*mare nga libri ime botim i vitit 2005 ne kushte emigracioni; *LIBRIN*-kryefjale.*.Me ndjeni-sot 87 vjecar; tej oqeanit me mendie e zeme ne ATDHE!.. .. * Poeti theret , pake drite! pak drite!
    …Koha kerkon shume dije velleze!
    ..Shpirterat kerkojne te verteten-gjeneze!. .. Ate i takon HISTORISE ta thote! …*HISTORI: nga te kesh burimin, nga do te jesh…
    ..*EJA…me trego prijesat tane n’ato rruge,
    ..Spekulohet profetia ime. po t’vesh vesh,
    ..Me c’tregojne n’ato shkrime pa buke>
    ** Ata me shkole, sado te pakta dije kane, ..Mjegulen e kohe, se nates se gjate e kane,
    .. Mjegulen e kohes se nates se gjate, .. S’paku te tregojne historine e NURAVE te MOTIT. . Brezave , gjithnje borxhlli..POPULIT tim si ZOTIT. *** Mnbeshtetur tek bemat nga burat Iiriane, .. Krenohemi.. me to flasin Bato e Teuta.
    ..Me bemat e tyre, vitesh fitimtaresh; . Pasues;Gjergj Kastrioti-gjer tek kushtetutat… ..** Kryetrimat shfaqen ngadhnjimtare,.
    .. Historine shkruar me PENE e jatagane, .. .
    . N’apongje ngriur me, Ismail Qemale.
    .. Te ece si shoqet …cakejte se lane> *** Ketu.. *thahen PENAT…?!
    … Cdo germe e historise skalitur me gjak e lot, .
    ..Kerkon ne Jete e MOT- TOKEN e T”PAREVE; …Asgje me teper ; kete tregon; KOSAVA sot!(1)
    ****. .Toronto 10 Korrik 2003. Tishkruar sot 24 tetor 2023!- Guri Naimit D.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.