Artan Shkreli
I pranishëm në punimet e një konference teknike me karakter informues për Pallatin e Brigadave, u gjenda para një befasie të këndshme. Sapo hyet në sallën e madhe ceremoniale, në njërin nga paretet e krahut të djathtë, qëndronte varur një hartë gjeografike të cilën nuk e kisha vënë re më parë.
Duhet thënë se për gjetjen e saj në bodrumet e Pallatit më kish lajmëruar një mikeshë që njihte pasionin tim për hartat e lashtësisë, vetëm se, kish shtuar ajo me atë rast, askush nuk dinte të thoshte se ç’përfaqësonte harta misterioze.
E këqyrur në distancë, dukej menjëherë se ishte nga ato hartat e lashta të cilat sot krijojnë emocion të veçantë dhe brofin zemrën e kujtdo që ka njohuri mbi hartografinë e vjetër. Dallohej fill se ishte e periudhës pas shpikjes së shtypit, dhe e ngjyrosur në një kohe te dytë. Ne pamje të parë ngjante e perpiluar ne kapërcyell të shek. XVI-XVII. Nuk u besoja syve, pasi kurrë ndonjëherë tjetër nuk isha ndeshur me një gjë të tillë në mjedise publike a private në Shqipëri dhe mezi prisja pak qetësi për t’u vërsulur drejt paretit atje tej ku ish varur, nën një kornizë të praruar, harta e magjishme.
Do thënë që në krye të herës se bëhet fjalë për një monument të mirëfilltë hartografik, dhe kjo në disa aspekte: qoftë nga vjetërsia, qofte nga autorësia… e natyrisht edhe nga fakti se bëhet fjalë për dokument origjinal.
Kështu, pas një vështrimi e fotografimi, në bazë të çfarë shkruhet në legjendë, del se është përpiluar nga Giovanni Francesco Camocio, autoritet i padiskutueshem i fushës dhe humanist i ‘500 italiane. Camocio, që i përket periudhës kur disiplina e hartografise fillon e merr udhën e modernizimit, ishte editor-hartograf i madh venedikas dhe konsiderohet sot ndër botuesit më të shquar të hartave gjeografike të krejt shek. XVI.
Me teknikën e kalkografisë, ai prodhoi në laboratorin e tij privat një sasi mbresëlënëse materiali hartografik, dhe ndonëse mendohet se vetë nuk ka kryer ndonjë incizim, ai diti të bashkëpunojë ngushtë për këtë me hartografë të tjerë në zë si Zenoni, Bertelli, Forlani apo Gastaldi. Madje subjekte grafike për hartat dhe pamjet e qyteteve apo kështjellave i huazoi edhe nga piktorë epokalë si Tiziano e Michelangelo.
Gjithsesi çka e bën këtë emër skajshmërisht të rëndësishëm për historinë e trojeve tona janë disa harta në format të vogël të cilat ai i botoi midis viteve 1566 dhe 1574 (me iniciativë të Donato Bertellit) në një vëllim fatlum që njihet si “Il Camocio”, por që në fakt mban titullin: “Isole famose, porti, fortezze e terre marittime sottoposte alla Serenissima Signoria di Venetia, ed altri Principi Christiani, et al Signor Turco, nouamente poste in luce. In Venetia alla libreria del segno di San Marco”.
Nga ky vëllim kemi trashëguar sot hartat dhe fytyrimet e para grafike të qyteteve mesjetare arbënore si Tivari, Ulqini, Shkodra, Durrësi, Vlora, Borshi apo dhe Margëlliçi (Çameri). Keto fytyrime janë tashmë mjaft të njohura, edhe për faktin se e kanë parë shumë shpesh dritën e botimit në harkun kohor të një shekulli dhe shtampa të tyre gjenden në mjaft arkiva e biblioteka të botës.
Sakaq harta jonë, e gjendur në rropullitë e Pallatit të Brigadave, pas një kërkimi na rezulton e pazakontë edhe për vetë krijimtarinë e Camocios pasi bëhet fjalë për një hartë vertetë të rrallë ku paraqitet kontinenti europian.
Emri me të cilin njihet ky dokument në rrethet e studiuesve është Harta e Madhe e Europës ndonese ajo nuk mban një titull në legjendën e saj (thjesht shkruhet për “…una simile Europa…” e ca më poshtë “…detta Europa…”). Rrallësia e saj vjen për shkak të pak kopjeve origjinale të mbijetuara dhe, si të mos mjaftonte kjo, mbi të është shkruar shume pak, përposë një artikulli interesant të viteve ’50 botuar në revistën e specializuar “Imago Mundi”.
E pra një kopje, për më tepër me ngjyra dhe e paspaltuar në një kornizë të praruar me fletë ari, pa e ditur askush më parë ekzistencën e saj, ndodhet pikërisht në pallatin tonë presidencial, në Tiranë. Në tërësinë e saj Harta e madhe e Europës përbëhet nga disa tabakë letre të fortë të bashkuar mes tyre. Përftuar nga gërvishtja në fletë remi (bakri), tabakët formojnë një tërësi, d.m.th. formatin e plotë të hartës afro 140 x 100 cm.
Grafika e saj është tipike e shekullit XVI dhe, pavarësisht shkallës së paraqitjes, vizatimi është mjaft i detajuar e i kujdesshëm, incizimi elegant dhe toponimet të qarta e lehtësisht të lexueshme. Gjuha e përdorur është italishtja, por ka edhe toponime të shkruara në variantin lokal. Në krahasim me pjesët e tjera të kontinentit, mund të thuhet se ALBANIA është e mirëdetajuar.
Kujdes i veçantë i është kushtuar sistemit hidrik të rajonit (lumenj, liqene e vijë bregdetare) dhe, në përputhje me traditën e portulaneve, çka bie më tepër në sy janë kepet, gjiret dhe ishujt e bregdetit. Orografia (malet) e rajonit tonë nuk është përfaqësuar thuajse fare dhe kjo tregon për njohjen e dobët që europianët kishin ndaj hinterlandit arbënor në shek XVI; kjo si rezultat i mbylljes së pashoqe që vendi pësoi pas ngadhënjimit turk në Arbëni. Malet në hartë paraqiten në trajtë konesh të vegjël, ndërsa qytetet paraqiten herë si kulla te fortifikuara e herë si shtëpi, kjo në varësi të rëndësisë që kanë.
Sa i takon konformacionit të territorit dhe saktësisë së paraqitjes gjeografike, ky dokument luhatet midis hartës së Mesdheut Lindor (v. 1571) të Forlanit e Pinargentit dhe hartës së famshme të Gastaldit, v. 1560 (Geographia particolare d’una gran parte dell’Europa nuovamente descritta…); por një analizë e hollësishme mbetet ende për t’u bërë në lidhje me shtrirjen e trevave tona historike: Albania (veri), Macedonia (qendër) dhe Ianina (jug).
Gjendja në të cilën ndodhet dokumenti nuk është e mirë e për këtë motiv data e legjendës lexohet me vështirësi, por ndërkohë deshifrohet lehtë vendi i prodhimit të hartës: “Vinegia alli 26 di Lulio AD [1573]” si dhe emri: “Gio Franc Camoccio”. Gjithsesi, dimë me siguri se harta nuk është bërë pas vitit 1575, pasi ajo i dedikohet kontit Antonio Valmorana “Principe dell’Accademia Olimpica di Vicenza”, i cili ishte president i Akademisë deri këtë vit, kur ajo do mbyllej për shkak të një epidemie murtaje.
Eshte logjike se objekti do konsideruar me vlerë për trashëgiminë kulturore dhe duhet trajtuar si inventar i çmuar i fondit kartografik të Republikës. Harta do kataloguar dhe pasaportizuar sipas të gjitha rregullave ndërkombëtare si dhe të fotografohet e skanerizohet me kujdes për të ruajtur memorien e saj në gjendjen në të cilën ndodhet sot.
Për vetë rëndësinë që paraqet kjo hartë – edhe se është harta më e vjetër e Europës që ndodhet në Shqipëri, shtrohet si emergjente të konsoliduarit e hartës në një laborator të specializuar për restaurimin e letrës. Kështu minimalisht do të ndalohet degradimi (tashmë evident) i saj, dhe mundësisht të rikuperohen dhe pastrohen (nxirren në dritë) pjesët e dëmtuara nga lagështia, për shkak të vendit ku ajo ka qenë e depozituar për dekada të tëra.
Më pas do studiuar nga ekspertë të Institutit të Gjeografisë dhe do botuar, në të gjithë plotëninë e saj, në një periodik të specializuar; ndërkohë që vetë harta është mirë të depozitohet në fondin kartografik të Bibliotekës Kombëtare dhe kopja e digjitalizuar profesionalisht e saj, vënë në kornizën origjinale, mund të vijojë të dekorojë mjedisin dinjitoz ku ajo ndodhet aktualisht në Pallatin e Brigadave.