Financieri i parë nga Bulçeshi, Myslym Luca…

0
988
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Me Lymin njihemi që në vitet 80-të. Prej vitesh më ka rënë në sy serioziteti i tij në punë, komunikimi me njerëzit, shokët dhe kolegët e tij. Ai është financieri i parë nga Bulçeshi që ka mbaruar arsimin e lartë në këtë degë. Ky qe motivi që unë të bëja këtë shkrim modest për të, pasi së shpejti del në pension…

Myslym Ali Luca ka lindur në fshatin Bulçesh më 15.07.1957. Ai lindi në një familje të thjeshtë por me tradita në zonë. Familja tregoi kujdes në shkollimin e tij, pasi që fëmijë ai shfaqi interes për shkollën. Shkollën fillore e mbaron në Bulçesh me nota shumë të mira. Ai kujton me shumë respekt mësuesit e tij në ciklin fillor Ramazan Hallvaxhiu dhe Halil Skendo. Shkollën 8-vjeçare e bëri në Zall-Mëner, dhe e mbaroi me rezultate shumë të mira në vitin 1973. Në këtë shkollë kujton me nostalgji mësuesin e matematikës, të ndjerin Bilal Troksi.

Arsimin e mesëm e fillon në vitin 1973 në Shkollën e Mesme Ekonomike në Lezhë. E mbaron atë në vitin 1977 me notë mesatare 8.5. Për këtë periudhë, ai shton: “Këto vite në këtë shkollë janë vitet më të bukura të jetës time.

Drejtori i shkollës Idriz Meti dhe disa mësues si; Can Mulaj, Gazmor Dërvishi, dhe zyshë Myzejeni e matematikës, qenë të shkëlqyer si mësues, komunikues me ne, strikt në zbatimin e rregullores, por edhe të dashur me nxënësit. Bënim tre orë studim të detyruar në ditë. Shkolla qe ndër më të mirat në vend. Ajo kishte bazën prodhuese prej 10 ha. Në vitin e III dhe IV-tër bënim një muaj praktikë mësimore, ku njohuritë teorike i zbatonim në praktikë. Kishim si detyrim edhe punën e normuar në këtë bazë”. Të tilla qenë shkollat e atyre viteve, dhe përgjithësisht shkëlqenin edhe protagonistët e tyre, mësuesit…

Në vitin 1978-79 fillon arsimin e lartë në Institutin e Lartë Bujqësor, dega Financë. E mbaron atë në vitin 1983 me rezultate të mira. Për vitet e shkollës së lartë, ai pohon: “Ishim kursi i parë që morëm titullin: “Financier i Lartë”. Dekani Leandro Harxhi, dhe pedagogët; Palok Kolnika, Liza Joli, Dhimitër Nikolla, etj. qenë tepër të përgatitur, me cilësi të rralla si profesorë, autoritar dhe që lanë gjurmë të thella tek ne studentët e atyre viteve. Djegia e bibliotekës në ’97 qe një krim i madh për këtë institucin arsimor me famë në fushën e tij të dijes”. -Fatkeqësisht edhe sot pas 25 vitesh nuk ka asnjë ndëshkues! Po pse, vetëm ky rast mbetet kështu?! Duhet thënë jo, pandëshkueshmërisë!

Mbas mbarimit të shkollës së lartë, në vitin 1983-84 emërohet ekonomist sektori në fshatin Bastar i Mesëm. Përgjegjës sektori këtu qe Xhaferr Doka (Duka). Për këtë, Lymi thotë: “Me përgjegjësin e sektorit, Xhafën patëm marrdhënie shumë të mira. Ai qe drejtuesi më pozitiv që kam njohur në fillimet e punës time. Qe iniciator, kërkues, autoritar dhe njerëzor”. Arritjet më të mëdha të Xhafës qenë rendimentet në kulturat e prodhimit.

Një arritje tjetër qe edhe shtrimi i rrugës së Bastarit të Mesëm me kalldrëm në gjithë gjatësinë e saj. Ustai që bëri rrugën qe i ndjeri Mahmut Hysa. Në këtë kohë u bë edhe pastrimi e mirmbajtja e varrezave nga Mehmet Hysa. Këto mbajnë “vulën” e Xhafës! Për punën në Bastar, Myslymi vazhdon: “Në Bastar kam gjetur banor të mrekullueshëm, shumë bujar e të pakrahasueshëm. Në shtëpinë e Ferik e Hamza Bylykut rrija si në shtëpinë time, po kështu edhe në shumë shtëpi të tjera”.

Nga viti 1985 deri në shtator 1991 ka punuar si llogaritar i parë në Kooperativën Bujqësore “Shkëndia”, Zall-Bastar me kryetar Sulejman Pëllumbi. Myslymi shprehet: “Me kryetarin Pëllumbi kisha marrdhënie shumë të mira. Ai qe shumë i komunikueshëm, i përkushtuar në punë, dhe respektonte njerëzit e punës. Shef finance ishte Baftjar Ademi, një specialist mjaft profesional ku kemi bashkëpunuar shumë në këtë aspekt.

Edhe sot kam raporte të mira shoqërore me të. Po kështu marrdhënie shumë të mira kam patur edhe me specialistët e tjerë të ekonomisë si, Nuri Sita, Emin Pëllumbi, Hajdar Tafa, Rexhep Bajrami, Osman Pëllumbi, etj. Përveç punës time funksionale, në kohën e lirë kam ndjekur edhe veprimtaritë në Shkollën e Mesme. Atje më ofronin kolegët e mi në arsim dhe drejtori i shkollës së mesme i mirënjohuri Nazmi Shima. Loja e shahut shpesh na bënte bashkë”. Ky qe realiteti i atyre viteve, punë serioze dhe dëfrim në kohën e lirë!

Nga viti 1992 deri më 15 maj 1994, Lymi ka punuar si ekonomist dhe shef finance në Komunën Zall-Bastar, me kryetar Elmaz Koçi, dhe më pas Kadri Elezi.

Nga 16 maj 1994 deri në vitin 2022 punon në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë në Degën e Kontributeve. Në këtë periudhe të gjatë kohore në këtë institucion ka punuar edhe 9-të vjet si Shef i Kontributeve për Rajonin Tiranë-Kavajë. Gjatë periudhës 28 vjeçare në Sigurimet Shoqërore puna e tij është vlerësuar shumë e mirë. Duke qenë modest ai nuk flet për këtë. Kolegët e tij Hasan Mjekra dhe Dëfrim Bitri flasin shumë mirë për të dhe pohojnë: “Lymi ka ndërruar dymbëdhjetë drejtorë. Nuk ka marrë asnjë vërejtje prej tyre, përkundrazi është vlerësuar nga ato, pasi ka qenë korrekt dhe serioz me punën”. Në shumë vite pune njeriu i mirë le mbresa tek të tjerët.

Myslymi nuk mund të bëj përjashtim në këtë drejtim. Ai, konform ligjeve e rregullave, ka ndihmuar njerëz të njohur e të panjohur në zgjidhjen e problemeve të tyre. Kjo i bën nder çdo njeriu, po kështu edhe Lymit! Meqenëse është në limitet e kohës së punës, ai ka një falenderim mirënjohje, ku shprehet: “Falenderoj dhe u shpreh respektin tim maksimal gjithë kolegëve të punës dhe drejtuesve të institucionit në vite. Një respekt e mirënjohje të veçantë kam për të ndjerin Arben Çeliku, drejtuesin më jetëgjatë të këtij institucioni. Ai qe shumë profesional, mjaft korrekt, njohës i shkëlqyer i ligjeve dhe i vecantë në komunikim”.

Myslymi është martuar me Fatime Malin, e cila ka mbaruar Shkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë për edukatore. Kanë lindur katër fëmijë të cilët kanë mbaruar arsimin e lartë: Mirjeta ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë, Dega Financë; Meri ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe atë të Inxhinierisë; Amirda ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë dhe Juridikun; Doriani ka mbaruar Fakultetin e Ekonomisë… Kjo është arritje e madhe! Urime!

Ibrahim Kabili
Tiranë më 30.05.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.