NË LUFTË PËR BUKËN E GOJËS DHE DREJTËSI

0
216
EM - vërtetim - prokuroria

Dosja e emigrantit

Nga Enver MEMISHAJ
Dekoruar “Mjeshter i Madh”

Një nga problemet më të mëdha që ka sot shoqëria shqiptare është emigracioni, problem me pasoja për sot dhe më shumë për të ardhemen e vendit, pasi nga vendi largohet rinia, forca e punës, që do të punonte në vendin e saj duke kontribuar për sot por më shumë për të ardhmen.

Ky problem ka tërhequr vëmëndjen e politikanëve dhe elitës së kombit, por deri më sot ka mbetur në dëshira dhe diskutime dhe nuk kemi pasur asnjë zgjidhje konkrete duke humbur shpresat për të ardhmen e vendit.

Thirrjet për të mos u larguar nga vendi janë thjesht ose propagandë nga politikanët ose dëshira të mira nga intelektualët, por që nuk sjellin bukën e përditëshme në familjet shqiptare.

Kjo është çështja themelore që i shtynë  shqiptarët të lenë vendin e tyre dhe me lot në sy të zvarisen udhëve të botës, larg nënës e babës.

Por ka edhe raste kur nevoja e bukës së përditëshme kombinohet me mungesën e drejtësisë që shqiptarët nuk e gjejnë në vendin e tyre dhe kërcënimin e mafjes pastaj ik të ikim…

Këto ditë, një miku im më tregonte rastin e një oficeri të policisë së Vlorës, Andi BEGAJ, I kërcënuar nga Mafia, për jetën e tij dhe të fëmijëve të tij.

Andi ishte efektiv në Komisariatin e Policisë së Vlorës për shumë vite. Ai kishte punuar me ndërgjegje të lartë dhe me aftësi profesionale në fronte shumë të vështira ku ishte ndeshur me kriminelë dhe banda kriminelësh.

Andi, më thoshte miku im, edhe me shaka nuk dinte të tërhiqej se ishte nga Velça, pra punonte për rend, qetësi dhe drejtësi. Ky shërbim i tij në favor të qytetarëve vlonjatë, kishte tërhequr vëmëndjen e qytetarëve për ta respektuar atë, por njëkohësisht edhe urrejtjen dhe hakmarrjen e kriminelëve.

Andi Begaj kishte tërhequr vëmëndjen edhe të oficerëve të Bashkimit Europian ku kishte bashkëpunuar me ata në ruajtjen e kufirit. Në një artikull që boton në internet Andi shkruan ndërmjet të tjerave: “Të shërbesh dhe të bëshkëpunosh me oficerë të policisë të Bashkimit Europian është një kënaqësi dhe që lë mbresa të pa shlyera për një oficer shqiptar. Këtë kënaqësi e pata edhe unë kur me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të datës 1 nëntor 2019, shërbeva në forcat e Fronteks, në kufirin me Greqinë në zonën e Korçës në bashkëpunim me oficerët gjermanë të Fronteks”. (Internet Albspirit Tiranë 26 dhjetor 2019)

Mafia nuk vonoi të hakmerret me nëpunësin e shtetit. Në vitin 1912 atij i hodhën në erë me dinamit makinën e parkuar pranë shtëpisë së tij. ( Vërtetim i Prokurorisë së Vlorës datë 27.2.2018). Siç del nga veprimet e më poshtëme të konfirmuara nga prokuroria e Vlorës ky kishte qenë vetëm paralajmërim për oficerin e policisë shqiptare.

Në 11 shtator 1921 persona të pa njohur tentojnë që Andit t’i rrëmbejnë djalin e tij 11 vjeçar, por që shpëtoi për fat të tij dhe rrethana rastësore.

Andi bëri menjëherë denoncimin në prokurori dhe prokuroria ia përcjell denoncimit policisë për hetime të më tejshëme. (Vërtetim i Prokurorisë së Vlorës 14 shtator 2021)

Andi i kërcënuar me jetë nga Mafia, vazhdonte të më tregonte miku im, priti për mbrojtje dhe drejtësi nga shteti, por gjeti vetëm indiferentizëm të eprorëve të tij.

Në këto rrethana ai bëri kërkesë që të largohej nga policia. Edhe pse pati kundërshtimin e eprorëve, pasi ata panë këmbënguljen e Andit e lejuan që të largohej.

Një natë vonë, më tregonte miku im, Andi Begaj më erdhi në shtëpi dhe më tha: “Kam fëmijët në rrezik, se sa për jetën time nuk pyes dhe do të iki”

Nuk e kuptova se ç’po më thoshte miku im, por kur u binda se oficeri policisë Andi Begaj do të largohej nga vendi sepse nuk kishte gjetur drejtësi dhe mbrojtje dhe se jeta e tij dhe e fëmijëve të tij rrezikohej nga kriminelët, Mafia,  që kishte ndjekur e arrestuar Andi, mbeta pa fjalë dhe nuk dija çfarë t’i thoshja mikut tim, të shqetësuar dhe të zemëruar me shtetin e tij.

Të nesërmen, mora vesh nga prindërit e Andit, se ai kishte marre dy djemtë e tij të mitur dhe ishte larguar nga Shqipëria.

  • Ku ka vajtur Andi i pyeta prindërit e tij?
  • As ne nuk dimë gjë, ishte përgjighja e tyre me lot në sy…

Para dy vjetësh një officer tjetër i policisë së Vlorës, Zagani denoncoi publikisht mafien e drogës dhe tentuan ta vrisnin edhe ai si Andi mundi të shpëtoi dhe sot ndodhet në Svicër me strehim politik. Pas Zaganit një tjetër i larguar nga Shqipëria, aq më tepër një nëpunës i këtij shteti i kërcënuar nga Mafia, që nuk gjeti mbrojtje dhe drejtësi tek shteti dhe kolegët e tij, një baba me dy fëmijët e tij mori rrugët e botës…

Tek po e përfundoj këtë shkrim pyes veten time: Ku do jetë vallë ky prind me dy fëmijët e tij të miturr? A ka gjetur një copë bukë për të shuar urinë e fëmijëve të tij? A ka gjetur një strehë për të future kokën?

Se mos është vetëm një Andi Begaj, me mijëra shqiptarë si Andi enden udhëve të botës për për bukën e gojës dhe për DREJTËSI.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.