Psikologia Donjeta Loshi – Berisha flet për ndikimin e komunikimit në shëndetin mendor, identitetin dhe marrëdhëniet familjare.
Gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi. Ajo është edhe ura përmes së cilës shprehim mendimet, ndjenjat, shqetësimet dhe identitetin tonë. Por çfarë ndodh kur fjalët nuk mjaftojnë për të shprehur atë që ndiejmë?
Për fëmijët dhe të rinjtë që rriten në diasporë, mes dy apo më shumë gjuhëve dhe kulturave, kjo pyetje merr një rëndësi të veçantë. Vështirësitë gjuhësore, presioni shkollor, pritshmëritë familjare dhe sfidat e integrimit mund të ndikojnë në vetëbesimin, marrëdhëniet shoqërore dhe mirëqenien psikologjike.
Por a janë problemet e komunikimit gjithmonë çështje gjuhësore, apo pas tyre mund të fshihen edhe vështirësi emocionale dhe psikologjike? Dhe si mund t’i ndihmojmë fëmijët, të rinjtë, por edhe të rriturit, që të ndihen të kuptuar dhe të pranuar?
Për të biseduar rreth këtyre çështjeve, sot kam biseduar me psikologen shqiptare Donjeta Loshi Berisha, e cila ka ardhur në Zvicër në moshën dyvjeçare, është rritur mes dy gjuhëve dhe kulturave dhe ka përfunduar studimet për psikologji në Friburg..
Sot, ajo ushtron profesionin e saj si Këshillëdhënëse në qendrën për orientim dhe zgjedhje të profesionit dhe në kabinetin e vet psikologjik në Alle në Kantonin Jura, ku u ofron mbështetje të rinjve dhe të rriturve.
Me Donjeten do të flasim jo vetëm për lidhjen mes gjuhës dhe shëndetit mendor, por edhe për identitetin, familjen, integrimin dhe sfidat emocionale të jetës në diasporë.
NM: Zonja Loshi Berisha, ju jeni rritur mes dy gjuhëve dhe dy kulturave. Si e keni përjetuar këtë rrugëtim dhe sa ka ndikuar përvoja juaj personale në vendimin për të studiuar psikologji?
DLB: Jam rritur mes dy gjuhëve dhe dy kulturave, një përvojë që më ka pasuruar, por që nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Në fillimet e shkollimit tim, vështirësitë me gjuhën frënge më kanë bërë të kuptoj sa shumë mund të ndikojë gjuha në vetëbesimin e një fëmije.
Kjo përvojë më ka mësuar të jem më e ndjeshme ndaj vështirësive të të tjerëve. Besoj se pikërisht dëshira për të kuptuar atë që njerëzit nuk arrijnë gjithmonë ta shprehin me fjalë ka ndikuar edhe në zgjedhjen time për të studiuar psikologji.
NM: A mund të ndikojnë vështirësitë në të shprehur, qoftë në gjuhën amtare apo në gjuhën e shkollës, në vetëbesimin dhe personalitetin e fëmijës?
DLB: Padyshim. Gjuha është një nga mënyrat kryesore përmes së cilës fëmija shpreh mendimet, nevojat dhe personalitetin e tij. Kur nuk arrin të shprehet ashtu siç dëshiron, mund të ndihet më pak i aftë ose të tërhiqet nga komunikimi.
Por duhet të kujtojmë diçka shumë të rëndësishme: një fëmijë që ka vështirësi të shprehet nuk është domosdoshmërish një fëmijë që ka pak për të thënë. Ndonjëherë bota e tij e brendshme është shumë më e pasur sesa fjalët që arrin të përdorë.
NM: Çfarë pasojash psikologjike mund të ketë për një fëmijë kur vazhdimisht korrigjohet, kritikohet apo krahasohet me të tjerët për mënyrën si flet?
DLB: Kur një fëmijë korrigjohet vazhdimisht, ai mund të fillojë ta lidhë të folurin me frikën e gabimit. Me kalimin e kohës, kjo mund të ndikojë në vetëbesimin dhe gatishmërinë e tij për të marrë fjalën.
Korrigjimi është pjesë e të mësuarit, por mënyra si bëhet ka shumë rëndësi. Fëmija duhet të ndiejë se gabimi është një mundësi për të mësuar, jo një arsye për t’u turpëruar.
NM: Sa e rëndësishme është gjuha për zhvillimin emocional dhe psikologjik të një fëmije? A mund të themi se vështirësitë gjuhësore janë ndonjëherë edhe vështirësi psikologjike?
DLB: Gjuha dhe emocionet janë të lidhura ngushtë. Përmes fjalëve, fëmija mëson jo vetëm të komunikojë, por edhe të njohë, të kuptojë dhe të rregullojë emocionet e veta.
Megjithatë, vështirësitë gjuhësore nuk duhen ngatërruar automatikisht me vështirësitë psikologjike. Ato mund të ndikojnë te njëra-tjetra, por nuk janë e njëjta gjë. Prandaj është e rëndësishme të kuptojmë çfarë qëndron pas vështirësisë, përpara se të nxjerrim përfundime.
NM:A mund të ndodhë që një fëmijë të ketë aftësi të mira intelektuale, por për shkak të vështirësive gjuhësore të ketë rezultate më të dobëta në shkollë dhe të humbasë vetëbesimin?
Absolutisht. Një fëmijë mund ta kuptojë shumë mirë një koncept, por të mos ketë ende fjalorin e nevojshëm për ta shpjeguar. Në këto raste, rezultatet shkollore nuk pasqyrojnë gjithmonë potencialin e tij të vërtetë.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët që mësojnë në një gjuhë tjetër nga ajo që flasin në familje. Nuk duhet ta ngatërrojmë mungesën e fjalëve me mungesën e aftësive.
NM: Kur një fëmijë nuk arrin të shprehë atë që ndien, si mund ta dallojmë nëse kemi të bëjmë me një vështirësi gjuhësore, me pasiguri emocionale apo me një problem psikologjik?
DLB: Duhet të shohim fëmijën në tërësinë e tij, jo vetëm mënyrën si flet. A ka vështirësi në të gjitha gjuhët që përdor? A shprehet më lirshëm në familje sesa në shkollë? A ka ndryshuar sjellja e tij?
Këto janë pyetje që na ndihmojnë të kuptojmë situatën. Ndonjëherë nevojitet edhe një vlerësim nga specialistë të ndryshëm. E rëndësishme është të mos nxitojmë me etiketime, sepse pas një heshtjeje mund të fshihen arsye shumë të ndryshme.
NM: Çfarë ndikimi mund të kenë kritikat, krahasimet me bashkëmoshatarët, talljet apo përjashtimi shoqëror në zhvillimin psikologjik të fëmijëve që kanë vështirësi në komunikim?
DLB: Fëmijët ndërtojnë një pjesë të rëndësishme të imazhit për veten përmes mënyrës si i trajtojnë të tjerët. Talljet dhe përjashtimi mund të krijojnë ndjenja turpi, pasigurie dhe vetmie.
Një fëmijë që ka frikë se do të përqeshet mund të zgjedhë të heshtë, edhe kur e di përgjigjen. Prandaj, shkolla duhet të jetë një vend ku fëmija ndihet i sigurt të provojë, të gabojë dhe të mësojë. Askush nuk duhet të ketë frikë të flasë vetëm sepse nuk flet në mënyrë të përsosur.
NM: Shumë fëmijë në diasporë rriten mes gjuhës së familjes dhe gjuhës së shkollës. A mund të krijohen pengesa në komunikimin emocional mes prindërve dhe fëmijëve kur ata nuk arrijnë t’i shprehin ndjenjat me të njëjtën lehtësi?
DLB: Po, dhe kjo është një situatë që mund të shfaqet në familjet e diasporës. Ndonjëherë fëmijët e kanë më të lehtë të shprehin emocionet në gjuhën e shkollës, ndërsa prindërit ndihen më të sigurt në gjuhën shqipe.
Kjo mund të krijojë keqkuptime, edhe kur dashuria dhe dëshira për t’u kuptuar janë të pranishme nga të dyja anët.
Prandaj u them prindërve: mos u përqendroni vetëm te gjuha që përdor fëmija, por edhe te ajo që përpiqet t’ju thotë. Ndonjëherë një dëgjim i vëmendshëm vlen më shumë se një fjali e formuluar bukur.
NM: Ju vetë jeni rritur në Zvicër mes dy gjuhëve dhe kulturave. Si e keni përjetuar ndërtimin e identitetit tuaj?
DLB: Për mua, identiteti është ndërtuar gradualisht, duke marrë vlera nga të dyja kulturat. Familja dhe shkolla shqipe më kanë ndihmuar të ruaj lidhjen me rrënjët e mia, ndërsa shkollimi dhe jeta në Zvicër më kanë hapur horizonte të tjera.
Me kalimin e kohës kam kuptuar se nuk kam pse të zgjedh mes këtyre dy përkatësive. Ato janë pjesë e së njëjtës histori.
Sot nuk e shoh veten si dikë që jeton mes dy botëve, por si dikë që ka pasurinë t’u përkasë të dyjave.
NM: Si ndikojnë përjashtimi shoqëror, paragjykimet dhe diskriminimi në shëndetin mendor të të rinjve?
DLB: Adoleshenca është një periudhë kur nevoja për t’u pranuar dhe për t’i përkitur një grupi është shumë e fortë. Kur një i ri përballet vazhdimisht me paragjykime ose diskriminim, kjo mund të ndikojë në vetëvlerësimin, ndjenjën e sigurisë dhe mirëqenien e tij emocionale.
Është e rëndësishme që të rinjtë të kenë njerëz që i dëgjojnë dhe i marrin seriozisht përvojat e tyre. Sepse përkatësia nuk duhet të jetë diçka që një i ri duhet ta fitojë duke fshehur një pjesë të identitetit të vet.
NM: Cilat janë shërbimet kryesore që ofron në kabinetin tënd dhe si mund të përfitojnë prej tyre fëmijët, të rinjtë, të rriturit dhe familjet shqiptare në Zvicër?
DLB. PsyEduca është një hapësirë këshillimi dhe mbështetjeje psikologjike për fëmijë, të rinj, të rritur dhe familje.
Shërbimet përfshijnë menaxhimin e stresit dhe ankthit, marrëdhëniet familjare, prindërimin, zhvillimin personal, orientimin shkollor e profesional, si dhe sfidat e migrimit dhe integrimit.
Konsultimet ofrohen drejtpërdrejt në kabinetin tim dhe përmes internetit në largësi edhe në gjuhën shqipe.
Për më shumë informacione: www.psyeduca.ch
NM. A është dygjuhësia një sfidë apo një pasuri psikologjike? Si mund ta shndërrojnë familjet dhe institucionet arsimore këtë përvojë në një përparësi për zhvillimin e fëmijëve?
DLB: Dygjuhësia është mbi të gjitha një pasuri, edhe pse procesi i përvetësimit të dy gjuhëve mund të shoqërohet me sfida. Ajo i jep fëmijës mundësinë të komunikojë me më shumë njerëz dhe të njohë këndvështrime të ndryshme kulturore.
Familja dhe shkolla duhet t’i vlerësojnë të dyja gjuhët, pa e paraqitur njërën si pengesë për tjetrën.
Një fëmijë nuk ka nevojë të humbasë një gjuhë për të fituar një tjetër. Përkundrazi, kur gjuhët dhe kulturat e tij respektohen, ai ka më shumë mundësi të ndërtojë një identitet të sigurt.
NM: Çfarë mund të bëjnë prindërit për t’i ndihmuar fëmijët të shprehin lirshëm mendimet dhe emocionet e tyre?
DLB: Së pari, t’i dëgjojnë pa i ndërprerë dhe pa nxituar t’u japin zgjidhje. Fëmijët kanë nevojë të ndiejnë se emocionet e tyre pranohen, edhe kur sjelljet e tyre duhet të korrigjohen.
Si psikologe, por edhe si nënë e dy vajzave, e di se kjo nuk është gjithmonë e lehtë në përditshmëri.
Megjithatë, një pyetje e thjeshtë si «Si je ndier sot?» mund të hapë një bisedë shumë më të thellë sesa «A ke qenë i mirë sot?».
NM: Çfarë duhet të bëjnë prindërit dhe mësuesit kur vërejnë se një fëmijë po tërhiqet në vetvete, ka frikë të flasë ose shfaq ankth? Kur është e nevojshme ndihma profesionale?
DLB: Së pari, duhet të afrohen me qetësi dhe pa gjykim. Tërheqja në vetvete mund të jetë një mënyrë përmes së cilës fëmija shpreh një shqetësim që ende nuk di ta shpjegojë.
Nëse këto ndryshime vazhdojnë, përkeqësohen ose ndikojnë në shkollë, në marrëdhëniet shoqërore apo në jetën e përditshme, është e rëndësishme të kërkohet këshillim profesional.
Nuk duhet të presim që një vështirësi të bëhet e rëndë për ta marrë seriozisht. Ndërhyrja e hershme mund të bëjë një ndryshim të madh.
NM: Në praktikën tuaj profesionale, a hasni persona që e kanë të vështirë të flasin për problemet e tyre, edhe pse e zotërojnë mirë gjuhën?
DLB: Po. Të dish një gjuhë nuk do të thotë domosdoshmërisht të dish t’i shprehësh emocionet. Ndonjëherë njerëzit kanë fjalorin e duhur, por u mungon siguria për të folur për atë që i shqetëson.
Frika nga gjykimi, përvojat e mëparshme apo vështirësia për të pranuar cenueshmërinë mund ta bëjnë komunikimin emocional të vështirë.
Prandaj, në këshillimin psikologjik, rëndësi nuk kanë vetëm fjalët, por edhe besimi, respektimi i ritmit të personit dhe hapësira që i krijojmë për t’u shprehur.
NM: Kur duhet të kërkohet ndihmë nga një psikolog dhe kur nga një specialist i zhvillimit të gjuhës, si logopedi?
DLB: Kur vështirësitë lidhen kryesisht me zhvillimin e të folurit, shqiptimin, kuptimin apo përdorimin e gjuhës, logopedi është profesionisti i duhur për vlerësim dhe mbështetje.
Kur vërejmë se vështirësitë shoqërohen me ankth, frikë, tërheqje sociale ose shqetësime emocionale, mund të jetë i nevojshëm edhe vlerësimi psikologjik.
Në disa raste, bashkëpunimi mes psikologut, logopedit, shkollës dhe familjes është zgjidhja më e mirë. Qëllimi nuk është thjesht ta ndihmojmë fëmijën të flasë më mirë, por edhe të ndihet më mirë.
NM: Në përfundim, çfarë mesazhi do t’u përcillnit prindërve, të rinjve dhe të rriturve shqiptarë në diasporë për rëndësinë e komunikimit, ruajtjen e identitetit dhe kujdesin ndaj shëndetit mendor?
DLB: Do të dëshiroja t’u përcillja një mesazh të thjeshtë: flisni me njëri-tjetrin, por mbi të gjitha, mësoni ta dëgjoni njëri-tjetrin.
Ruajeni gjuhën shqipe dhe rrënjët tona me dashuri, duke u dhënë njëkohësisht fëmijëve lirinë të ndërtojnë identitetin e tyre mes kulturave.
Dhe mos harroni se kujdesi për shëndetin mendor është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për shëndetin fizik.
Sepse në fund, ajo që na afron me njëri-tjetrin nuk është vetëm gjuha që flasim, por ndjenja se dikush na dëgjon, na kupton dhe na pranon ashtu siç jemi.
Ju falënderoj për këtë bisedë të vlefshme, për këndvështrimin tuaj profesional dhe për mesazhet që ndatë me ne.
Shpresojmë që kjo intervistë të nxisë më shumë mirëkuptim, komunikim dhe kujdes për shëndetin mendor në familjet tona dhe në shoqërinë ku jetojmë.
Le të mos harrojmë: nuk ka rëndësi vetëm gjuha me të cilën flasim, por edhe mënyra se si e dëgjojmë dhe e kuptojmë njëri-tjetrin.
Nexhmije Mehmetaj











