MIRËNJOHJE, 10  VITE JETË E DYTË DHURUAR NGA USA

0
Qatip Mara - America

Para 10 viteve, në 9 gusht 2013, ime bijë e shtrenjtë Brunilda së bashku me bashkshortin paguan një ambulance fluturuese, avion i vogël privat që të më trasportonte nga spitali Milanos në spitalin e Nju Jorkut. Dilema e mjekve të spitalit të Milanos ishte: A do të arrija gjallë në Nju Jork?! Disa i kishin thënë sime bije mos harxhoni parat se nuk do përballojë udhëtimin. Kisha 54 ditë e netë që dergjesha në shtratin e spitalit të Torinës e Milanos. Në mëngjesin e dates 9 gusht 2013 në dhomën e spitalit më erdhën mjekët, që do më shoqëronin në udhëtimin me ambulance fluturuse. Ata ishin mjek gjermanë të shoqërisë italo-gjermane. Më instaluan aparaturat e tyre në trupin tim që mbushej me ujë sepse barkushja e majtë kishte rënë në gjumë dhe punonte me 30% barkushja e djathë.

Trupi im ishte kockë e lëkurë i dobësuar, që nuk ngrihesha dot në këmbë. Pasi më vendosën aparaturat, më hipën në ambulancën fluturuse, duke më lidhur me aparaturat e laboratorit mjeksor të ambulancës fluturruese. Ambulanca fluturuse ishte e vogël që merrte vetëm 6 persona. Ishin dy pilotë, dy mjekë dhe unë me time shoqe. Udhëtimi nga Milano në Nju Jork do të bëhej me 6 ndalesa në pikat e furnizimit me karburant. Ndalesa e parë ishte në Islandë. Mjekët ishin të përqëndruar tek aparaturat e laboratorit që tregonte ritmin e zemrës të sëmurë. Nuk kisha frikë se mund të vdisja rrugës, por më vinte keq për shpenzimet financiare të sime bije. Më kanë thënë se kam vdekur disa herë në spitalin Nënë Tereza, Tiranë, në spitalin gjerman Tiranë, në spitalin Torino, në spitalin Milano. Vdekja nuk duhet të na tremb më shumë se çdo gjë tjetër në këtë jetë. Misteri i vdekjes nuk duhet të na fusë në panik, apo frikë, sepse njeriu nuk takohet me vdekjen.

Kur zgjohesha nga koma që zgjatnin 3-4 ditë, në shtratin e spitalit ndjeja dhimbje të shumta të trupit, por nuk e dija se çfarë kishte ndodhur gjatë ditëve që kisha qenë në koma. Vdekja në filozofinë moderne është e tjetrit. Askush nuk e takon vdekjen. Vdekjen e ndjejmë kur na largohen nga jeta njerëzit që duam shumë. Janë të tjerët që e jetojnë vdekjen tonë. Jemi ne që jemi gjallë që përjetojmë e ndjejmë dhimbjen e vdekjes së të tjerëve. Ambulanca fluturuse ndalesën e dytë e bëri në brigjet e para të gadishullit Grenlandë. Era e akullt  e borës hyri në shtratin tim. Kishin kaluar disa orë udhëtim dhe udhëtimi do të zgjaste shumë orë me ndallesat e tjera. Ndalesën e tretë ambulance fluturuse e bëri përsëri në brigjet e gadishillit Grenlandë. Kur ishim duke afruar mbi brigjet  Toka e re dhe Labradori, aparaturat e zemrës alarmuan mjekët se mund të pësoja ndalesë të zemrës.  Mjekët më jepnin kuroja me shikimet e tyre dashamirëse.

Ndalesa e katërt u bë në brigjet e para të Canadasë. Mjekët u gëzuan që ishin përmirsuar ritmet e punsë së zemrës. Ndalesa  e pestë u bë në qytetin Kebeku të Canadasë. Pasi u bë furnizimi me karburant u nisëm për Nju Jork. Pas 14 orë udhëtimi në mbrëmje vonë arritëm në aeroportin e qytetit brenda në Nju Jork. Kur u hap dera e ambulanës fluturuese pashë vajzën e shtrenjtë Brunilda që së bashku me bashkshortin prisnin me padurim të shtrohesha në spitalin  “MonteFiore”. Me shpjetësi ambulance e spitalit Montefiore më shtroi në pavionin e trasplantit të zemrës. Mjekët gjerman më shoqëruan  deri në dhomën e shtrimit. Më përshëndetën me shumë dashamirësi.

Pas pak minutash në dhomë erdhi ekipi mjekve amerikan, të cilët pasi bënë analizat  vendosën që do më bënin operacion e pare të trasplantit duke vendosur aparatura elektronike në brakushen e majtë që nuk funksiononte fare. Në mëngjesin e 14 gushtit  2013, mjeku professor  David  D’Alesandro më tregoi aparaturat që do vendosnin në barkushen e majtë, të cilat ishin si tubo çezme dhe do të lidheshin nga jashtë trupit me aparatura të tjera. Mjeku kirurg professor David D’Alesandro më tha se mund të vdisja gjatë operacionit, Pas operacionit që kishte zgjatur shumë orë, mjeku kirurg professor David D’Alessandro u kishte thënë vajzës dhe bashkshortit  se:

“- Ka dashtë Zoti që ka ardhur i gjallë nga spitali Milano. Aorta e zemrës ishte gati të shpërthente.

Pas operacionit të parë përballova shumë vuajtje. Në vazhdimësi vajza e shtrenjtë Brunilda  që punonte në spitalin Montefiore ishte shumë e përkushtuar për  të realizuar operacionin e dytë,që ishte shumë i vështirë sepse do të hiqeshin aparaturat nga barkushja e majtë dhe do të hiqej zemra që më lindi Nëna ime e shtrenjtë. Dilema ishte çfarë zemre do të trasplantonin?  Ishin dy alternativa : A dhe B.  Varianti A ishte zemër e të moshurve. Varianti B ishte zemër e re. Varianti pare ishte pa rreziqe por do jetoja pak vite. Varianti B kishte shumë rreziqe me pasoja sëmundjen e Sidës etj.  Vajza e shtrenjtë vendosi variantin B. Në operacionin e dytë zemra erdhi me avion nga Florida. Ndjeva shumë emocione dhimbje që nga kraharori im do hiqej zemra e Nënës së shtrenjtë, me të cilën jetova jetën time active në atdhun tim të dashur.

Kur fillova jetën e dytë me zemrën e tjerit isha një fëmijë me trup të drobitur me shumë plagë nëpër spitale që më vishinin dhe ushqenin të tjerë, Kujjtesa më kishte ngrirë. Metabolizimi në organizmin tim hyri në një betejë të pandërprerë për mbijetesë me zemrën e tjetrit . Sfidat me kërcënimmet e vdekjes ishin në vitin e parë të traspalantit. Në vitin e dytë të trasplantit isha rritur nga fëmijë në një adoleshent me iluzione të shumta. Në vitin e tretë dhe të katërt të trasplantit rifitova disa energji fizike të moshës së rinisë së rritur,duke shkuar dy herë në atdhe me zemrën e tjetrit. Botova librat e kujtimeve që i kisha shkruar pas dy operacioneve të zemrës. Në vitin e pestë zemra e re më fuqizoi gjithë organizmin duke përballuar edhe punë fizike.

Duke ecur në vitin e 10  të jetës sime të Dytë falënderoj familjen time, miqësinë që më kanë dhënë kurajo e optimizëm në vitet e vështira nëpër spitale. Falënderoj vendin e bekuar SHBA që më bëri dy operacione falas dhe më dhuroi zemër të re dhe në vazhdimësi spitali trasplantit Nju Jork më shërbeu falas me të gjitha shërbimet dhe ilaçet. Jetoj në kushte komode me kujdesin e familjes, të vajzës së shtrenjtë Brunilda, e cila ka sakrifikuar aq shumë për jetën time të Dytë, por malli për atdheun më djeg në gji. Edhe pse kam nënshtetësi amerikane, dëshira ime është të jetoja në atdhe, atje ku kam bërë jetën time aktive me ish nxënësit, kolegët, miqtë, e vëllazërinë time të pazvëndësueshme. Eci çdo ditë në vende të bukura me lulishte e urbanizim që noton në gjelbërim, por malli larg atdheut të lë pa gjumë.

Jeta ime e dytë me zemrën e tjetrit është vazhdim i jetës të parë që bëra në vendlindje e atdheun tim të dashur, e cila me kujtimet e fëminisë, të adoleshencës, rinisë, të jetës familjare e jetës pedagogjike nëpër shumë shkolla, të jetës shoqërore me miq e shokë më shoqëronte në ditët e netët e vështira në spitale duke më frymëzuar të përballoja sfidat me sëmundjen e zemrës. Për mua janë të përjetshme dekadat e jetës sime të parë që bëra në atdheun tim të dashur e jetova jetën aktive me zemrën që më kishte lindur nëna ime e shtrenjtë, por që e humba në Tiranë për moskuptim apo paaftësinë e klinikës mjeksore të urgjencës Tirana e Re, e cila më kuroi për helmim ushqimi duke më dërguar me regjim shtrati në shtëpinë e banimit, ku kisha kaluar në gjëndje kome.

Kaluan 10 vite jetë e dhuruar nga USA, Mirënjohja është pakufi. Vazhdimisht falënderoj edhe Zotin që më dha  shansin e jetës së dytë
Sigurisht tani me jetën e dytë jetoj me kujtimet e atdheut tim të pazvëndësueshëm,por kam edhe atdheun tjetër USA që më dha shansin të jetoj jetën e Dytë, e natyrshëm ndjej mall për shokët e miqtë e mi larg oqeanit.

Përshëndes me respekte e mall gjithë miqtë e mi. Rrofshi sa më gjatë me zemrën e Nënës tuaj! Nuk ka si zemra e Nënës. Zemra e Nënës është Diell. Zemra e tjetrit është si Hëna, sepse jetohet pa rruzat e bardha të gjakut që janë ushtria mbrojtëse e organizmit nga infeksionet e mikrobeve. Sigurisht është fat të shpëtosh nga vdekja,port ë mbrosh zemrën e tjetrit në kraharorin tendë është një proçes me shumë shqetësime. Dita kalohet me punë, por nata është shumë shqetësuese për trasplantin, sepse ilaçet e darkës shkatojnë pagjumësi dhe veprime anësore që gjumin e bënë pjesë – pjesë.

Me zemrën e tjetrit shikon endrra të shumta, përjeton emocionet e donatorit që ka dhuruar zemrën. Që kur u zgjova nga koma pas operacionit të trasplantit të zemrës, i lutesha zotit që shpirti i personit të aksidentuar në Florida që më dhuroi zemrën të Prehet në Paqe! Këshillojë gjithë miqtë e mi: Kujdesuni sa më shumë për ruajtjen e zemrës të Nënës tuaj, me analiza të vazhdueshme në klinikat mjeksore të zemrës.

U bekoftë zoti me gjithë të mirat!

Qatip Mara
North Carolina USA, 12.10.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.