LETRA E OPOZITËS SERBE DREJTUAR BORELLIT, PËR NDËSHKIMIN E VUÇIQIT, E VONUAR!

0
178
Serbët në manastir - Banjskë

Gani I. Mehmeti

Opozita serbe, shumë e mençur, kërkon nga Bashkimi Evropian që të dënohet personalisht presidenti serb Aleksandar Vuçiq, për sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator dhe jo shteti i Serbisë.

Vërtet, mirë do të ishte të ndëshkohet Vuçiqi si kryetar i Serbisë, por bashkë me të, gjithsesi do të dënohej edhe Serbia, deri sa ai është kryetar i saj.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për njoftimet për mundësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë. Çdo veprim armiqësor që prek Serbinë dhe popullsinë e saj vetëm sa do të rrezikonte më tej vendin tonë dhe rajonin, do të forconte euroskepticizmin ekzistues dhe narrativën e rrezikshme nacionaliste dhe do ta kthente Serbinë në imazhin e saj të viteve ’90. Nga ana tjetër, përgjegjësia politike dhe personale e Aleksandar Vuçiqit për situatën aktuale është e dukshme. Prandaj, ndaj tij dhe ndaj aleatëve të tij më të afërt politikë duhet të vendoset çdo masë e mundshme”, thuhet në letër.

Opozita serbe është dashur të jetë konstruktive më heret, ende pa ndodhur kjo. Kjo opozitë është dashur të distancohej nga Vuçiqi qysh kur u sulmua nga serbët KFOR-i në Zveçan dhe kur vetë Vuçiqi kërkoi tërheqjen e serbëve në Kosovë nga të gjitha institucionet e Kosovës. E keqja i ka rrënjët më heret, jo vetëm kur shihen masat, ndëshkimet apo sanksionet.

Ne po e kuptojmë shqetësimin e opozitës në Serbi, që të mos ndëshkohet Serbia dhe populli i saj, se me ndëshkimin e Serbisë, ndëshkohet edhe populli. Mirëpo, edhe këta qytetarë nuk kanë reaguar asnjëherë për të gjitha këto që ka ndërmarrë Vuçiqi, apo më mirë është të themi, se, ata e kanë përkrahur. E, deri sa ata e kanë përkrahur në të gjitha këto, natyrisht edhe me sulmin terrorist më 24 shtator, nuk mjafton të ndëshkohet vetëm kryetari Vuçiq e jo edhe populli serb, si aktor e spektator i të gjitha ngjarjeve.

“Aleksandar Vuçiq dhe qeveria e tij mbajnë një pjesë të konsiderueshme të përgjegjësisë politike dhe përgjegjësi tjera për ngjarjet në Banjskë”, theksojnë opozitarët serbë në letrën dërguar Borrellit.

Pra, se është përgjegjës Vuçiqi  dhe qeveria e tij, nuk ka dyshim, pranohet edhe nga opozita serbe. Dhe çka tani, edhe fajtor Vuçiqi e qeveria, edhe të mos ndëshkohen disi nuk bën.

Edhe fajtor edhe mos ndëshkues, nuk ka. Dhe, sikur të mos ndëshkohej populli, ndëshkimi vetëm për kryetarin,  kryeministrin a politikajë tjerë  nuk do të kishte kurrfarë efekti. Efekti i ndëshkimit në popull është se ai do të reagojë në të ardhmen për çdo parregullsi, padrejtësi a edhe sulme ndaj shtetit tjetër, se ai (populli) do të vuajë nga sanksionet.

E përsëris edhe një herë se, opozita është dashur të reagonte e të distancohej qysh më heret e të mos presë deri tani.

Ndërkaq, jam i bindur se, po mundi, Borell nuk do e ndëshkojë fare bashkëpunëtorin e tij, Vuçiqin. Vetë, edhe Borell është fajtor, pse edhe kur nuk ishte në të drejtë, e përkrahte të padrejtin Vuçiq, ndërsa merrte masa ndaj atij që kishte të drejtë, Albin Kurtin.

Vuçiqi vazhdimisht kërkonte dhe ndërhynte në veriun e Kosovës. E, veriu i Kosovës, është i Kosovës – jo i Serbisë. Kurti asnjëherë nuk kërkonte të ndërhynte në territorin e Serbisë, ai kërkonte mbrojtjen e veriut të Kosovës nga Serbia.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.