Merita Curri
“Paradigma e Parajsës” (libri i fundit i Gjekë Marinaj), që shpesh më vjen t’i them, “paradigma e dashurisë“, ngaqë parajsa e dashuria më ngjajnë mrekullisht me njëra-tjetrën, ishte sot shoqëruesja më e mirë e imja.
Një libër me lirika dashurie, më vjen si një ylber ndjesishë të bukura në këto orë të kësaj pasditeje dimri me shi. I lexoj e rilexoj këto perla poetike e çdohere tek zhytem thellë e më thellë në magjinë e tyre, zbulohen këndvështrime të reja, qasje të reja, asosacione poetike të mahnitshme.
Vërtetë poeti ia ka kushtuar dashurisë së jetës (së bukurës Dusitë), të shumtën e këtyre lirikave, dashuri e njësuar përjetësisht “si një shpirt në dy trupa“, mesazhi që rrezatojnë këto vargje, ngjan sikur i tejkalon dimensionet (personale) të kësaj dashurie, e bëhet natyrshëm përçuese e ndjenjë universale, për të cilën bota këto kohë, ka shumë nevojë.
Më sugjerojnë këto vargje sa ngjyra orfeike për nga fuqia shprehëse e ndikuese, sa ngjyra danteske për nga nga arkitektura metrike e boshti shpirtëror rreth të cilit sillen e duhet të sillemi (si tek disa te tjera të ngjashme për nga teknika metrike, po ndalem tek poezia
“Unë dhe ti”. Vini re (ju qe e keni librin) vargun me pèsèritjen e fjalëve kyç, dashuri, ngjitëm, parajsë, ndërmjet strofave katërshe.
Njè melodi e pakëputur, “ngjitëm dashurinë në parajsë/në parajsë ngjitëm dashurinë/dashurinë në parajsë ngjitëm”, varg i cili ngjan si materiali që ngjit tullat (strofat) e një ndërtese (poezinë dhe vetë lidhjen në çift), duke e bërë fort të qëndrueshme e duke e lartësuar drejt qiellit, a “trèndafilit qiellor”.
Një harmoni perfekte mes formës e përmbajtjes, që fillon me ngjitje e vazhdon ngjitjen si synim a rrugëtim jetësor, si përsosje shpirtèrore, si dashuri që nuk shterron, si fuqi poetike gjithnjë në rritje e kèrkuese drejt përsosmèrisë.
E vargu i fundit, (dashparngji, ngjipardash, parndashgji), esenca e gjithçkaje, lèngu i jetës, magjia e lidhjes në çift, fryma e shenjtë nga tè cilat lindin ndjenjat, fjalët e vargjet.)
Vini re simetrinë ideore të dy strofave të para te poezia “Dusitës”, (për sa të jem gjallë unë,/ ti je e përjetshme/ dhe unë jam i pavdekshëm / për sa të jetosh ti …etj).
A nuk èshtë e admirueshme kjo simetri?
A nuk vjen hyjnore kjo ndjenjë e ky premtim, a nuk do ishte bukur sikur këto vargje të bèheshin lajtmotivi i jetès së shumë çifteve, që sot fatkeqsisht kalojnë kriza tè thella??
E pra ashtu si Dante që i këndoi dikur Beatriçes si kurrë më parë nga ç’i kishte kënduar një burrë një gruaje që dashuronte, kèshtu më vjen sot nè kohèrat moderne dhe poezia e Gjekë Marinaj për “Beatriçen” e tij, e cila fatmirësisht ecën përkrah me të, duke ia sjellë parajsën në tokë.
Lexojeni këtë libër, do ndiheni bukur.