Disa fjalë për përmbledhjen “Mëngjese të arta” të poetes Xheni Koka-Vrapi

0
Xheni Koka-Vrapi - Mëngjese të arta

Zymer Mehani

Xheni Koka-Vrapi është nga ato autore, që në poezitë e veta e ka të theksuar mallin dhe dhembjen. Ajo, në horizontet e poezisë shqipe ka hyrë me fizionominë dhe profilin e vet të përcaktuar dhe të kristalizuar, qoftë me tematikën e motivet, qoftë me mënyrën e të shkruarit (stilin). Duhet theksuar se një pjesë e lirikave intime (të dashurisë) në vëllimin poetik “Mëngjese të arta” kanë si sfond vetminë, ambientin dhe atmosferën e zymtë. Pra, mjaft poezi të vëllimit në fjalë, që vërtet janë të bukura i kushtohen dashurisë.

Përgjithësisht në vëllimin “Mëngjese të arta” do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm. Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh. Me pak përjashtime, poezitë e autores Xheni Koka-Vrapi shquhen me proliksitetin, ngase nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetes.

Të thuash me pak vargje atë që mund ta themi me dhjetëra a qindra vargje, të thuash vetëm të domosdoshmen, pa rënë në përsëritje idesh dhe në stërzgjatje të kota, është një cilësi sa e nevojshme, aq edhe e mundimshme për ta shtjelluar. E këtë dukuri e hasim te poezitë e autores Xheni Koka-Vrapi, fakt ky që flet jo vetëm për talentin, por edhe për punën e ndërgjegjshme artistike të autores.

Autorja Xheni Koka-Vrapi e përdor me kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Aty gjen figura të mjaftueshme, të sakta e të kuptueshme nga të gjithë. Poezia e autores Xheni Koka-Vrapi mund të merret edhe si bisedë e afërt, e ngrohtë, miqësore, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar, prandaj poezia saj shquhet edhe për komunikim të afërt.

Poetja Xheni Koka-Vrapi në punën krijuese shquhet edhe për kujdesin ndaj gjuhës. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, shprehës dhe i saktë. Veç poerzive të shkruara në gjuhën shqipe, kësaj radhe, në faqet e këtij vëllimi, autorja Xheni Koka-Vrapi ka shkruar disa poezi edhe në gjuhën angleze dhe një tjetër në gjuhën greke. Zymer Mehani, Podujevë, më 15 korrik 2023.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.