Arben Çokaj
Shoqëria shqiptare ka kohë që priret më shumë drejt vdekjes si shoqëri, se sa drejt jetës. E kjo po na ligëson, po na mbaron si komb! Ne gjoja kemi fituar liri, por atë nuk po dimë ta përdorim, ta shfrytëzojmë, për të përmirësuar jetën tonë dhe cilësinë e jetës. Po vdesim gradualisht si shoqëri shqiptare – ngjashëm ose më keq se nën një pushtim të huaj. Dhe pa i menduar mirë këto punë, po rrimë duke sharë komunizmin… Komunizmi ishte i keq, ndaj e rrëzuam, por ne nuk e rrëzuam atë, që ta bëjmë shoqërinë tonë edhe më të keqe se nën komunizëm… Apo jo?
Sa njerëz e ndajnë këtë mendim me mua?
Kjo tregon pra, se feja nuk ndikon edhe aq në mirësinë e njerëzve, në cilësinë e mendimit të tyre, në parandalimin e njerëzve nga mëkati, aq sa ndikon rendi dhe ligji, shteti i fortë dhe i drejtë, shkollimi e dija dhe orientimi racional i shoqërisë.
Atëherë ne si njerëz me arsye, pse nuk fokusohemi në ato mënyra e metoda më eficiente, më efektive, që ndikojnë që shoqëria jonë të bëhet më e mirë, më e jetueshme, t’i hedhim paratë në një orientim racional të shoqërisë, në shkollim e dije, punë, produkt e zhvillim, në shërbime cilësore, që përmirësojnë e mbrojnë jetën, por merremi kaq shumë me një orientim irracional të shoqërisë, me vese, hajni, kriminalitet, korrupsion e poshtërsi?!
Merremi e hedhim kaq shumë para në aplikimin e disa feve arkaike, të cilat edhe mund t’i duhen dikujt, si duhani duhanpirësve, si alkooli alkoolikëve, por nuk janë domosdoshmërisht aq të nevojshme për jetën, aq të pashmangshme, sa ç’janë insinktet e jetës, ato që i sjellin përparim dhe zhvillim një vendi e një shoqërie. Po vdesim ngadalë, si të shpëtojmë? Unë e kam një zgjidhje, më mirë se Lea Ypi, por sa njerëz janë realisht në një mendim me mua?
Kjo tregon se jemi një popull i pavetëdijshëm, një popull që në tërësinë e tij, po t’ia heqësh hundën, han barë. E kjo nga krerët e bashkive deri te ministrat e deri te kreu i qeverisë, shën Pal Gjatoja, ose katoliku me brekushet e bektashiut, që e kanë shtysën kryesore të jetës së tyre, vektorin drejtues në jetë, hajinë e korrupsionin, jo se si ta bëjnë e ta zhvillojnë këtë vend. Zbavisin veten me korrupsion, hajni, kriminalitet e poshtërsi, zhyten brenda kësaj bote të inkriminuar, pa e ditur se e gjithë kjo veprimtari, jo vetëm që është e paligjshme, por është edhe një prirje irracionale, destruktive dhe vetë-shkatërruese për shoqërinë – është një prirje, që të çon në dështim, nëse i referohemi Frojdit, të cilin shumë intelektualë shqiptarë po shihet se nuk e njohin, një prirje drejt instinkteve të vdekjes.
Kësaj shoqëria i mungon mendja, në radhë të parë, i mungon dija, e pas kësaj vullneti për të punuar, e për t’i bërë punët mirë e si duhet. I mungon nervi i reagimit, e të gjithë biem në një batak shoqëror të mediokritetit, të konformizmit, të pranimit të gjithçkaje, qoftë edhe të së keqes, e cila shtohet gradualisht, e po na shkatërron. Nuk po them të bëhemi robotë, makina, por të jemi deterministë, përcaktues, të kemi orientim shoqëror më shumë drejt veprimtarive, që i japin hov jetës e zhvillimit, me punë, dije e produkt, se sa të priremi drejt veprimtarive, që na çojnë drejt vdekjes si shoqëri, drejt ligësisë, veseve, e prirjeve iracionale. Të zgjedhim më shumë të mirën, se të keqen, dhe të jemi në gjendje, të dimë të zgjedhim.
Të gjithë fajin e ka injoranca, padija. Sa më i paditur të jetë njeriu, aq më pikëpyetje ka në jetë, ka në kokën e tij. Dhe më e keqja është, se sa më i paditur të jetë njeriu me pushtet, aq më i zgjuar i duket vetja, dhe ta bën marrinë, sa të dhemb koka. Prandaj çelësi i suksesit në një shoqëri janë njerëzit relativisht sa më të ditur, me dije racionale, të cilët janë edhe të vetëdijshëm për veprimtarinë e tyre. Një njeri i ditur as gënjen, e as merret me teori konspirative. Por i bën gjërat ashtu si duhet në shërbim të shoqërisë, dhe prirjet drejt vesit e ligësisë, i shmangë me kujdes. Sa njerëz të tillë njohim ne? Nuk janë shumë, por po i injorojmë edhe ata që janë, po na duken demode, po themi: ‘ai nuk din me rrejtë, ai nuk din me vjedhë, nuk duhet gjë‘, e kjo tregon pra, pikërisht prirjen tonë drejt irracionales. Kështu e humbim betejën, dhe jemi këtu ku jemi.
Nëse i kthehemi titullit, që të mos keqkuptohem, nuk po them se komunizmi ishte i mirë e se duhet zgjedhur si model, po them, se në shoqërinë demokratike, duhet të fokusohemi në bërjen e ligjeve të mira dhe në zbatimin e tyre, që të shmangim anarkinë, mosfunksionimin e shtetit, gjë që ka treguar se është edhe më i keq se komunizmi. Ka një tendencë të fuqishme irracionale në vend, drejt korrupsionit, krimit e poshtërsisë, jo drejt virtyteve, por drejt vesit. E kjo tregon se jemi shoqëri e paditur dhe e pandërgjegjësuar.
Duhet të mendojmë, e të ndryshojmë për mirë. Përndryshe, ne si shoqëri deri te shën Pal Gjatoja, e lexon ose jo këtë mesazh, do i paguajmë konsekuencat.