Poezi bashkëkohore italiane

0
1755
Nunzio Tria

Nuncio Tria (Nunzio Tria)

ÇKA MENDON SE ËSHTË QIELLI?

Çka mendon se është Qielli?
Sy të mëdhenj.

E deti?
Të mëdhenj sy.

Po era?
Njëmend nuk është shkaku
i vajit tënd, dashuria ime.

Beson se nuk të shoh?
Se nuk e vërej ndëshkimin tënd,
kopshtet dhe pritjet?

Çka mendon se është ëndrra
nëse jo gjithë ajo që
s’kam ditur të të jap?

Edhe më tej mund të bëj të krisurin
e të bëj të qeshësh: të them përsëri se
në asnjë vend nuk ndihem mirë
ku të mos jetë buzëqeshja jote;
të përgatis një çaj të luleradhiqes
e ta lëpij me buzë të puthitura.

Çka beson se është jeta
nëse nuk është hapërim i përbashkët
në diell
e të perëndojmë së bashku?

Pra,
më mjafton të jem
e të të kem pranë. Përherë.

TË KËNDOJ

Më thirr
më thirr fort
që mund të të dëgjoj

Më thirr yll, dragua, burim
Më thirr çadër, në stuhi, në fluturim
Më thirr në humnerë, bricjap, duke marrë frymë
Më thirr

Më thirr në pantofle, në det, natën
Më thirr në mjegull, në detyrë, të vogël
Më thirr në telefon, Vanxhelis, e papërvojë
Më thirr

Më thirr ndërsa flas për kompozicionin, të Burkina Faso-s,
Ndërsa rruhen, ndërsa lëndohem, Më thirr!

Më thirr kur era t’i shpalon këmbët, kur të bjerë borë,
Kur t’i përgatitesh petullat, kur të kesh dëshirë, Më thirr!

Më thirr
Më thirr në mosmarrëveshje, më zgjo mistershëm e më puth
Më thirr zhveshur, në shtratin e dashurisë e më vrit

Më thirr
Më thirr fort
Që unë mund të të dëgjoj

Më thirr që të jetë vrik poezia
që unë
të mos jem asnjëherë poet.

Ç’NEVOJË ËSHTË TË VDIQËT?

(Tetor 2011 – Italia)

Shoh nga dritarja
dritaret e mbyllura

Duket se të gjithë e kanë ndërprerë mbërritjen
unë asnjëherë s’kam lëvizur nga këtu

Nëse ende dita vijon në natë
në mbarim të kësaj nate, do të jetë përsëri ditë

E tani mund të shkruaj
diçka të befasishme
të paparë
diçka që përshkon
tavanin qiellin shekujt
dhe vdekjen

Po unë jam unë
dhe këtu:
një përemër
një folje
një ndajfolje vendi
dhe gjithë kjo kryevepër e krijuesit

Ç’nevojë është të vdiqët?

ASGJË S’KA PËR TË QESHUR

Asgjë s’ka
për të qeshur –
as për të lëvizur –
Të fshehësh në
këpucë
gjithnjë më të vogla,
gurëz
gjithnjë më të mëdhenj.
Keqësohem në nyje
baroke, ide të tjera
dhe sy të fashuar.

Të largët, edhe më parë
se nga “ne”
nga ne vetë
në varrin e përgjithshëm
elektromagnetik
e ndarë e padepërtueshme:
secili – me padijen e vet –
ta përlavdërojë mashtrimin e fundit
për vdekje i injektuar
nga një zot apokrif, i bërë
tregtar.

Jo,
nuk ia dal

në këtë
botë të ndyrë!

Shqipëroi nga italishtja
ANTON NIKË BERISHA

SHËNIME PËR AUTORIN

Nunzio (Nuncio) Tria u lind më 1956 në Castellaneta (Itali) dhe jeton në Laterza (La Terca) në Pulja. Është gazetar dhe veprimtar kulture.

Deri më tani ka botuar katër libra me poezi: “Io Contro” (Unë kundër), “Sconcetti” (Kundërkoncept), “Enucleo” (Zbërthim) dhe “L’amore è un Lupo che Sanguina nella Neve” (Dashuria është një ujk që përgjak në borë).

Është fitues i një varg shpërblimesh për poezi,
Është përfshirë në disa antologji dhe revista letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, nga të cilët duhet përmendur “A Sud del Sud dei Santi” /Në Jug të Jugut të shenjtërve).

Poezitë e tij janë përkthyer në greqisht, në shqip, në polonisht.
Mban kurse për poezinë në shkollat e mesme.
Është kryetar i UTEP të Laterza (Universiteti territorial për edukimin e përhershëm).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.