KRIZË POLITIKE

3
539
Kalosh Çeliku

(Voglusheve që i ka përzënë Nëna Parti)

NGA KALOSH ÇELIKU

(Aferë nëpër Qytet)

Qyteti më merr nëpër gojë
Pse rri me Ty në Tavernë?!
Pusi vë me Dy shtama verë.

Qyteti kurdis edhe aferë:
Se, u mbytëm në lumë.
Kot u përpoqën tellallët
Heu! Poet, jam Unë.

Dexhalli shpalli shpërblim:
Një nënshtetësi në “Xhehnet”:
Për atë që më zë në Tavernë
Natën, me dy shtama verë…

(Dashuri me xhindet)

Ty shpesh të rrokin xhindet
Natën vonë mbi çati?!
E, të shpallin dashuri.

E, Unë i dashuruar në verën
Bocat i kërkoj nëpër shtrat.
Nata m’i lidh sytë nyje:
Hip – zbres, hap dritaren.

Mike, sonte jam Lugat…

(Veten për darkë)

Përditë e ha ngapak Veten
Nga këmbët te koka.
E, përsëri kam uri.

E shtroj në sofër
Veten time për darkë.

E, përsëri kam uri…

(Lugat i dehur)

Ditën i dehur – natën, Lugat:
Më ndjek Urrejtja
Më spiunon te gratë.

E dua Natën. Agimin
Kur me Ty pi verë!
Zgjohu, Urrejtje
Më spiuno te gratë!…

(Jo)

E dua Atë, që më do Natën
Në mëngjes kur më zgjon:
Me një gotë raki rrushi.
Verë. Kafe në shtrat
Ndihmë, thërret – gjëmon.

E dua Atë, që më do Natën
Herët, në mëngjes çmendet.

Dhe, më thotë: Jo!…

(Shulin derës)

Për Ty shkoj edhe në Transilvani
Ta shkruaj Librin për Nesër,
Për Ty do të ikja nga Parajsa
Pash më pash t’i bie Ferrit.

Për Ty do ta braktisja Qytetin
Rrapin që më deshi aq shumë verës.
Për Ty do të hip në Baba Tomor
Edhe, shulin do t’i vë derës…

(Dritaren lëre hapur)

Derës vërja shulin
Shuaje dritën, Mike
E, struku nën jorgan!
Fshihi dardhat e buta
Mos i hanë derrat e egër!…

Derës, vërja shulin!
Dritaren lëre hapur:
Nata është e gjatë.

Ku ta di Unë, pasmesnate
Vij e t’futem në shtrat…

(Vjellja e zorrëve)

Poetesha s’ka cigare
Ia piu Rrospia Mashkull.
Ministri me ambasadorin
Ulen të hanë drekën
Që ua paguan spiuni.

Përshëndeti, më thotë Piktori
Sytë s’ti heqin nga malli!
Kush ua shalon Nënën Parti
Palaçove në mizanskenë
Vetëm në një shfaqje.
Unë jam gjithmonë në Teatër
Publikisht u shpall dashuri.

Spiuni Kurvë lëpi buzët
Kukulla Femër ua mban gunat.

O Imzot, do t’i vjell zorrët…

(Titull i dyshimtë)

Mikes Di, që më do mua dhe poezinë
I tregoj se e përfundova dorëshkrimin
Me poezi: Vjellja e zorrëve.
Ajo më lutet t’ia lexoj një poezi.
Ia lexoj titujt: Testament para vdekjes
Bushtra pas Qenit. Pritje në “Menada“.

Mikja ime, që më do mua dhe poezinë
Posa e dëgjon titullin e fundit:
Bëhet kurreshtare. E mbytë dyshimi.

Mezi e qetësoj, ia lexoj vargjet:
E kam pritur një personazh për libër.
Dhe, një Buçë katundi pas porte.

Nervozohet: pse s’e kam pritur Voglushen?!
E ngre zërin, ma shanë poezinë…

(Zbulimi fshehtësive)

Gjithmonë zbuloj diç të re te Mikja
Kur ma grabisin Xhindet.
Dhe, jam i sëmurë.

Gjithmonë, zbuloj diç të re te Mikja
Kur ma dhunojnë mes librave.

Dhe, pres të shërohem nën Urë…

(Vetëm një natë)

Ty të përfolin, të gjuajnë me gurë
Duan të të djegin me zjarr!
Pse, me mua pi verë:
Dashurinë s’e shet në “Bit-Pazar”.

Ty të shpallin dashuri
Të mjerët: s’dinë se dashuria është art.
Dudumët që e shesin edhe Partinë
Vetëm me Ty të flejnë një natë…

(Vrapim pas shpërblimit)

Mijëra vjet në këtë Tavernë
Ne të dy pimë verë.
Lehin gojëligat – lehin qentë.

Mijëra vjet në këtë Tavernë
Ne shkruajmë poezi.
Plasni gojëliga – lehni qenë
Të mos mbetni pa shpërblim!…

(Mëkati i Mikes)

Veten desha ta vras sonte
Mes dy shtamave me verë.

Më nxorri nga Parajsa
Mikja, të digjem në zjarr.
Para derës së Ferrit:
Më shpalli tradhtar…

(Njëqind vjet ndarje)

Në çdo ndarje, më thua mes lotëve:
Mos më kërko më, sot e njëqind vjet!
Se, e kam ndërruar banesën
Jam me shtëpi në tjetër botë…

Ditët e gjata – muaj. Vite
Ti s’e mban fjalën, Mike.
Nuk shkojnë as dy javë
Dhe, cingrron telefoni.

O Imzot, si u çmenda mbi varre
Shpejt ikën njëqind vjet ndarje…

(Diagnozë e rrospive)

Ehu, miqtë e mi me një këmbë në varr
Trumbetoni se, jam kundër të gjithëve!
Në Unionin e viçave të palëpi
Me një torbë taxhi përaqfe në Livadh.
Një krah kashtë në grazhd
Ma keni paraparë diagnozën:
Se, së shpejti do të çmendem.

Hi-hii-hiii… Viçat e mi – shkencëtarë
Që, s’ngopeni me barin mbi varr…

Krizë politike

(Voglusheve që i ka përzënë Nëna Parti)

Mikja ime besnike Di, hyri në dhomë:
Çka je dalldisur mbi dorëshkrime
A, e di se, askush më nuk lexon libra?
Shkrimtarët gjithmonë qenë të marrë
Njerëz të çmendur që s’u ka ecur tregtia.
Dashuritë i kanë harruar në bibliotekë
E kanë ngatrruar ditën me natën,
Kur të tjerët flenë, ata rrinë mbi vepra
E përcjellin Hënën, e presin Diellin.

Qesha, me Miken time besnike Di
Që, s’e di se aq më bën për trusakatët:
Oborrtarët. Dhe, Unionin e viçave.

Unë dua të më lexojnë pasmesnate
Voglushet që i ka përzënë Nëna Parti…

(Testament para Vdekjes)

Ebu Xhehli më pret te xhamia
E di, do të më shpjerë në “Xhehnem”.
E Unë do ta lë me testament:
Të më përcjellin rrugës pas Çuke.

Mike, shqyeji daullet e ciganëve
Poetë, mbani një minutë heshtje
Para dy shtamave me verë:
Sa ta mashtroj Ebu Xhehlin
E, t’i futem tinëz në “Xhehnet”!…

(Prostitucion me letërsinë)

Vështirë është sot të shkruash libra
Edhe më vështirë t’i nxjerrësh në dritë,
Kur para s’ke as edhe për bukë.
E, kulturofagët t’i mohojnë vlerat
I shpërblejnë shkrimtarët e Oborrit.

Vështirë është sot të kesh edhe lexuesë
Shkrimtarë që shkruajnë për Nesër,
Kur haptas shiten recensionet
Njëqind marka, ose dy tollumba…

(Takime letrare)

Xha Deralla satirist i madh shqiptar
Sa herë që vdiste ndonjë fshatar
Thoshte: Erdhi Zonja Vdekje
E më trokiti vonë te porta.
– Këtu banon Xha Deralla?
Jo. I përgjigjesha, unë plaku
E dërgoja në tjetër shtëpi.

Xha Deralla më Zonjës Vdekje
Nuk i del para te porta:
Ia hodhi, e presin anekdotat.
Dhe, Unë Kalosh Çeliku – rebel
Që për çdo natë me Zonjën Vdekje
Lexojmë poezi dhe pimë verë…

(Dritë e ndezur)

Ditën vdes, natën zgjohem jerm
Kështu jetoj me Zonjën Vdekje:
Në një dhomë me ditë, muaj e vite
E, kurrë s’u lodha mes librave.

E ndez llambën, vjen Vdekja
I them: Prit ta shuaj dritën!
Ajo pret matanë hekurave
Unë harroj ta shuaj dritën.

Zemrohet, ikën më lë për nesër…

(Libër për Nesër)

Ika dy javë nga ky Qytet
E u strehova në „Blue Moon„:
Bëra plazh, drekova peshk
Për çdo ditë piva edhe verë
Te Ustai plak, thellë në det.
E, kisha harruar se jam vetëm.

Ika dy javë nga ky Qytet
Me mallin Tënd nën sjetull.
Të kërkova rrugë më rrugë
Buzë detit i dehur. Etshëm
Mes dallgëve i sëmurë.

Pas dy javësh i çmendur
Kthehem me Librin për Nesër…

(Dera ime – oxhaku)

Në jetë dikush
Hyn nga dera.

Derën ma mbyllën kulturofagët
Dritaren – Rrospitë meshkuj.
Mua fisit të kaçakëve
Që, hyj nga oxhaku…

(Miqtë e Kalosh Çelikut)

Unë jam Kalosh Çeliku – rebel
Aq më bënë për policët:
Oborrtarët. Dhe, pushtetin.

Miqtë më të mirë i kam gratë
Poezinë. Dhe, verën.

Unë jam Kalosh Çeliku – rebel
Aq më bënë për spiunët:
Kukullat, mashat shqiptare.

Miqtë më të mirë i kam gratë
Poezinë. Rakinë. Dhe, verën…

„Blue Moon„ – Durrës (Shqipëri)
26 shtator, 1995

Nga libri: VJELLJA E ZORRËVE (Shkup, 1996).

3 KOMENTE

  1. Me te lumte ajo pene, o Kalosh Celliku Poet…
    86 vjecar tej oqeanit po te rilexoj si *TRIITRINE*…
    Me bere te jetoj me vite e tua, qe pe Ne,
    Ato ishin VITE KRENARIE-per te sinqerten-Dashurine.
    Kendduar Ti qe, me ca DERTE* te kohes, perjetuar…
    Ditet NJEMIJE te uroj, qe pleqerine krah TEJE po e kaloj!

  2. Pershendetje, Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D)
    Dhe, Dite te mbare! Pergezime! Mirese vjen ne
    Atdhe. Mos harro te kethejsh edhe ne Shkupin
    Historik!…

  3. Mik e shkuar Mikut Celik PETRITI…permes PENES njohur;
    Pena Yte TRINITRINE* KOREKTOR i pare per mua…
    Nese sot e 40 vjet s’do ishim si i TILLE-mjesher;
    Do te te ENDEROJA si, Naimin,Cajupin e Migjenin;
    Fatmiresi mik,emri Tuaj -n’faqet e para -KUVENDOJ:
    *Ne gjurmet e jetes* korektor- Celik Petrit ,
    Redaktore; mbesa Marta Anrea Xhoga.
    Kopertinen Alber Zholi,sa PARETHENIEN-skalitur;
    Sponsorizuar; femijet Lindita e Ariani ne jete dale;
    Faleminderit sot me nostalgji, tej oqeanit me ju JETOJ.
    Bukur Ti zgjedhur vargjet e para te PARATHENIES:
    ” SHQIPERI e MIRA NENE,
    C’cibane te kane Zene,
    Mblidhi; djem e vajze ne i ke;
    HIDHE TEJ KETE SIKLET..! *
    ** Sot prag *TRE NENDOREV te PV e Clirimit;
    Me ju dhe ATDHEUN- krah *Pasardhes Veterane;
    10 Tetor 2023-Mes Torotos nje DITE te RALLE:
    Nga Atdheu- kryetari Tiranes Erion Veliaj;
    Takim me Bashkeatdhetare-duar-ARTE- bere!

    Toronto Pwr Ju 16 TETOR 2023. 87 vjecari-uri Naimit D.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.