Për poetin Avni Çunaku, poezia është një mundësi e mirë dhe e shumanshme për të menduar dhe imagjinuar

0
Avni Çunaku - Metafora të kryqëzuara

Zymer Mehani

Vërtet poezia e Avni Çunakut është e mirë, ngase në vetvete ajo është estetike dhe duke qenë e tillë i tërheq lexuesit me përjetimin e gjuhës, përbërjen e vargut, mprehtësinë e mendimit, sipas këndvështrimit dhe vetë stilit të autorit.

Mund të themi se jetojmë në një kohë komunikimi absolut. Ka mundësi të shumta për trajtim të çdo teme, qoftë edhe të parëndësishme në dukje. Kushdo që dëshiron mund të arrijë t’i bartë te publiku mendimet dhe preokupimet e veta, ashtu siç vepron nëpërmjet poezisë edhe poeti Avni Çunaku. Ky autor, megjithatë, është tejet i përgatitur për të shkruar për çdo temë. Ai para se ta thur vargun e tij, së pari e vlerëson me kujdes natyrën e mendimeve të tij për dukuritë dhe fenomenet që e rrethojnë.

Nganjëherë, vërtet ai mendon seriozisht, por di ta luajë edhe rolin prej ndonjë ekzibicionisti verbal, pse jo di të bëhet edhe “ ekspert” për shumë gjëra. Përveç kësaj, shpesh është e vështirë të dallosh një mendim nga qëndrimi i tij për dukuri e ngjarje, kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm gjatë leximit të poezive të tij.

Edhe poezia e Avni Çunakut mund të jetë roje dhe bartëse e mesazheve humaniste në planin afatgjatë. Sigurisht, e kam fjalën për ca poezi, me të cilat autori do të vazhdojë të jetë i kujdesshëm në kompleksitetin e gjuhës, e që nuk do të kënaqet me vetveten ose nuk do t’u përshtatet idiomave prestigjioze aktualisht.

Vëllimi poetik “METAFORA TË KRYQËZUARA“ përmban poezi, të cilat janë thelbësisht të ndryshme për sa u përket motiveve, intonacionit, ritmit dhe stilit. Vargjet përmbajnë në mënyrë metaforike çdo gjë që mund të shkruhet në një moment. Ato përmbajnë poashtu gjurmë të vetëdijes dhe nënvetëdijes, sisteme imazhi të ditës dhe natës, gjurmë imagjinate, lojërash, nervozizmi, leximi…

Unë do të thosha se sapo të hasësh në artin krijues të Çunakut do të ballafaqohesh me kërcimshmërinë, por edhe me paparashikueshmërinë e futjes së autorit në rrjetin intrigues të motivikës dhe tematikës së larmishme, duke lozur me fjalë e shprehje të panumërta, e shpesh edhe të padëgjuara më parë.

Nëse do të mendoja se mund të ketë një çelës që do të ndriçonte përmbajtjen e librit, ndoshta nuk do të quhej “METAFORA TË KRYQËZUARA”. Dera e librit është e hapur dhe errësira që ekziston në të fsheh mendimin, emocionin, humorin dhe ironinë – edhe pse ato shfaqen në mënyrë impulsive, në një rend që nuk mund të përcaktohet racionalisht.

Është lexuesi ai që mund të ndezë dritën dhe të krijojë diçka nga ajo që ka lexuar, natyrisht në kuadrin e përvojës së tij. Po, besoj se e tëra mund të shihet në detaje. Por detaje domethënëse të këtij koleksioni, si heshtja, ecja, pylli, rregullimi i orës, historia, fjalët, veset etj., mund të jenë potencialisht sinjale të subjekteve të ndryshme.

Të paktën nga këndvështrimi im, poezitë e Çunakut janë një vendtakim i disqeve dhe diskurseve të ndryshme, si dhe mënyrave të ndryshme të të krijuarit. Libri alternohet midis vargjeve të lira dhe të lidhura, një poezi psh., me dy strofa, një paksa më e gjatë, tjetra gati poemë në prozë dhe vargjet letristike, vërtet të arrira.

Autori Avni Çunaku s’e duron heshtjen, sepse s’është as ai, si karakter i heshtur. Ai s’i do as heshtakët, që s’flasin kur duhet. Heshtja edhe për Çunakun është ana e kundërt e fjalës. Meqë autori, në fund të fundit, sugjeron që nuk mund të flas fjalë për fjalë, se nuk duhet kërkuar retorikë me pankarta në vargjet që shkruan. Por edhe me atë paradoks, thekson se ka një marrëdhënie me gjërat dhe ngjarjet që e rrethojnë dhe se nuk heziton t’i tematizojë në poezitë e veta. Ai nuk është një autor që mendon se misioni i tij është të fillojë ndonjë reformë. Ai si poet kërkon mjete të përshtatshme reagimi, ose arrin t’i ndërtojë ato brenda gjuhës poetike, që duhet prore të estetizohet. Ai beson vërtet se ironia, sarkazma, madje edhe cinizmi në disa situata mund të jenë baza e polemikave lirike.

Zymer Mehani, më 5 qershor 2023, Besianë

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.