LAMTUMIRË KOLEGU DHE MIKU YNË I SHUMËDASHUR, MALUSH GASHI!

1
118
Malush Gashi

Malush Gashi (1944 – 2024)

Malush Gashi rrjedh nga një familje atdhetare, e provuar përgjatë shekullit të shkuar, në përballje me fqinjtë lakmitarë dhe zullumqarë. Ai trashëgoi atdhedashurinë dhe virtytet më të mira të traditës shqiptare. Njeri me karakter të fortë dhe integritet të plotë. Dhe, këto cilësi dalluese i ruajti deri në frymëmarrjen e fundme, madje me një fanatizëm proverbial, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive politike, që ishin të shpeshta dhe të bollshme. Mësues veteranë, rrjedhimisht, mësues i mësuesve.

Lajmi i hidhur për ikjen Tënde kësaj bote, i shumëdashuri shok Malush Gashi, na lëndoi skajshëm ne, kolegëve dhe miqëve Tuaj të çiltër e besnikë, si dhe komunitetin e komunës të Istogut dhe më gjerë, të cilët aq shumë ju deshën dhe ju respektuan, përgjatë gjithë jetës Tuaj: si edukator, mësues, veprimtar shoqëror dhe politik dhe, mbi të gjitha, si njeri i kompletuar, me të gjithë katalogun e cilësive më të mira njerëzore. U njohëm në vitet `60-a, në Shkollën fillore “Hysni Zajmi”, në Vrellën piktoreske, fshatin më të bukur të Kosovës.

Ishin vite turbulence, në përpjekjen tonë legjitime, për t`u bërë pjesë e barabartë të një shoqërie të arnuar dhe të bashkuar, dhunshëm, nën slloganin klishe të “bashkim-vëllazërimit”! Edhe pse, në vitet `40-a, shteti jugosllav kishte ekzekutuar, me gjyq dhe pa gjyq fare, mijëra nacionalistë, kombëtarë shqiptarë, për të vazhduar me arrestime, burgosje e dënime drastike, deri në vitin 1965!

Në këtë rrjedhë të trishtë, u shoqëruam, u bashkuam dhe vepruam me shokun tonë, të mirë e besnik, Malush Gashin. I dashur, i përkorë, imençur, bollshëm i heshtur në veprimtarinë ilegale, dhe i zëshëm në atë legale, e mbi të gjitha, i përkushtuar në misionin e shenjtë të mësuesisë. Një jetë të tërë kushtuar arsimimit të brezave shkollarë dhe çështjes kombëtare. Ishte mik i sinqertë i Presidentit Rugova.

Mësuesi Malush kishte një korrektësi të pashoqe me kolegët dhe një dashuri të dlirë për nxënësit. Andaj, sot e përjetojmë rëndë shuarjen e Tij fizike, duke i ruajtur kujtimet më të mira të viteve të shkuara.

Lufta është e frikshme për egërsinë e saj, por ka edhe shenjtërinë, kur ajo motivohet me lirinë. Me kundërthëniet e luftës së fundit, u përballë edhe miku ynë Malush Gashi. Disa aventurierë, të prirur për mujëshi e vetëjakësi, me veprimet e tyre, me shumë sabotuan luftën, se sa i kontribuan asaj. Vrazhdësinë e tyre mafioze, e përjetoi edhe Malushi ynë, duke e tejkaluar mençurisht dhe dinjitetshëm, me përgjegjësinë që e kërkonte koha.

Krenarë për miqësinë tonë me Malush Gashin.

I përjetshëm kujtimi i mirë për mikun tonë.

Kolegët dhe miqtë:
Binak Ulaj,
Qerim Spahiu,
Idriz Zeqiraj

1 KOMENT

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.