Pash gjinin që ta kam dhânë martohu, me shqiptare të Kosovës!

0
212
Sinan Kastrati - Shqipëri 1979

Vazhdon nga numri i kaluar me titull: “Për 10 qershorin e vitit 1979”,

“Kujtime nga jeta si student dhe ekskursionin në Shqipëri” publikuar më 10 e 11 Qershor 2023

Nga Ditari im (Pjesa e dytë)

Rrugës nga Pogradeci, për në Tiranë, nuk ndalëm në Librazhd por në Elbasan ku hëngrëm darkë dhe përsëri vazhduam rrugën.

Edhe pse kanë kalua 44 vjet, mundohem të mos i harroj e ti kap fijet e lamshit por pa i këputë pejtë për ngjarjet e qershorit të vitit 1979. Ditari, bashkë me disa fletore me shënime që i mbaja dhe i shënoja ngjarjet e rëndësishme, me shumë revizta (”Drita”, ”Shqipëria e re”, ”Nëntori”, libra, fotografi e materiale tjera, mu kanë zhdukur e nuk kam shpresë se do ti gjej ndonjëherë, më 1981 ndërsa ato që më kishin mbetur, më 1999, kur kallet *) Kosova, edhe ato pakë letra e shënime, libra, revista e dokumente tjera, pasaportën që isha në Shqipëri, mu dogjën *) në Mihaliq, katund në Vushtrri e në Turjakë

Si e pash atëherë Shqipërinë dhe qysh ishte në të vërtetë ajo ?

Lajmin se kanë ardhur vizat e mësuam jo më shumë se 1 javë, 10 dtë përpara se të niseshim

Kishim kohë sa për me i marrë teshat me mbush çantën me robat e trupit dhe higjenën personala. Dinë Haxhisë, një kusheri nga Turjaka ia mora hua 100 marka e Rasim Brahimit, djalit të Asllan Pagarushës nga Damaneku ia mora setrën *).

-O Sinan, për Shqipëri, jo setrën time që e kam vesh qe dy vjet po edhe arën e shes nëse ke nevojë e ta blej një setër tjetër të re, vetëm shko e udha e marë të koft.

Në Prishtinë e qova setrën në pastrim kimik dhe e pastrova dhe pasi mora gjërat më të nevojshme, u nisa herët në mëngjes nga Konvikti nr 3. Xhevati më përcolli dhe nga mëngjesi i 10-të qershorit kam dy fotografi, një në Ulpianë duke ecur me çantë në dorë, vetëm dhe tjetrën, me studentë të gjeneratës, para fakultetit filozofik.

Me Ismail Kadarenë, në Tiranë, qershor 1979

Nuk na pritej që të shkojmë në Shqipëri. Akrepat e orës më dukej se ishin ndalur e nuk ecnin, derisa sa ta kalojmë Strugën dhe Drinin e Zi. Autobusi ngjitej një kodre jo të të lartë që ishim afrua kufirit, Liqenin të Ohrit në të dy anët e kufirit Drinin i kishim lënë mbrapa, bashkë me qytetine Strugës, qytetin e Mbrëmjeve të Poezizsë e, lundërzat me peshkatarë këtheheshin nga gjahu i natës. Kjo ma kujtonte Poradecin, vjershat për liqenin, për barkat e për Malin e Thatë.

Kur hymë në Shqipëri

Propaganda që përhapte nëpërmes valëve Radio Tirana e shkrimet e Zëri të Popullit, ishin aq të fuqishme sa popullsia brenda Shqipërisë, nuk e besoj se i besonte por shqiptarët jashtë atdheut kijuan përshtypjen se varfëria, skllavëria, shtypja nuk ka vend në vendin e shqiponjave, ka marrë fund varfëria në Shqipëri qysh kur hynë partizanët në qytetin e Tiranës, më 17 nëntor 1944. Nuk ka më varfëri as shtypje sepse, varfërisë ia kishte zënë vendin ”Diktatura e proletariatit” me ”popullin në këmbë e partinë në ballë”, parulla të kohës që i shihje kudo, në male e ara, në fabrika e uzina, nuk kishte më shtypje e shtypës, shfrytëzues e sundimtarë. Ne i besuam asaj që thuhej në Radio Tiranën e shkruhej në Zërin e Popullit, që s`ishte tjetër pos si një vesë e mengjesit që e kishte mbulua Shqipërinë sikur mjegulla e Bunës Rozafatin por që ajo mjegullnajë nuk u largua nga Shqipëria për afro 50 vjet.

Kjo u vërejt më së miri në vizitën që i bëmë Shqipërisë, ne studentë shqiptarë të UP-së më 1979.

Unë nuk kam të drejtë të flas për përshtypjet e të tjerëve por do të shkruaj vetëm ato që unë i pash e njerëzit që i takova.

Vizitat dhe takimet

Pas Pogradecit, vazhduam rrugës së vjetër, një xhade *) që më shumë i ngjante rrugëve që lidhnin Rahovecin me Malishevën, Kijevën, Orllatin e Duhlën në Kosovë, se sa rrugët kryesore që lidhin qytetet, Shkupin, Tetovën e Strugën me Pagradecin, Elbasanin e Tiranën dhe shtetin e Maqedonisë me Shqipërinë. Ishte një rrugë e ngushtë gjarpërore me asfalt të prishur e gropa të shumta. Por edhe s`kishte makina. Rrallë mund të shihej ndonjë autobus, traktor ose makinë ushtarake.

Në të dy anët e rrugës shiheshin kooperativistet me flamuj brigade të ngulur në ara, me veglat e punës në duar, shat, drapër e … që prashitnin grurin, çudia e Zotit në grupe të mëdha e të vogla. Ato gra, nuk ishin më gra por vegla pune që vetëm flasim ndërsa jo edhe femra. Ne ishim ulur në autobusin turistik që mbrapa lente zhurmën e tymin, dhe e kishim mbushur barkun me ushqim të shishëm, e i përshëndesnim të gjorat gra me grushtin përpjetë.

Sinan KastratiGati për rrugë. Në Ulpianë, Prishtinë. Qershor 1979

Si e kanë ndier ato gra vehtën kur ne i kemi përshëndetur me grushti e Pavel Vllasovit ?
Me siguri keq sepse përshëndetja me grusht, iu ka dalë për hune.

Gratë e ngrata kanë qenë të detyruara të punojnë err e terr e dielli iu ka djegur lëkurën sikur të ishin lëkura bulli e jo femra, gra e vajza. Punonin si të burgosura e qendra tjera internimi që vetëm mund ti lexoje në librat e shkrimtarëve disidentë e filmat për krimet e komunizmit kundër njerëzimit por jo edhe në jetë. Por për çudi dhe tash më vie ianti pse ne iu gëzoheshim vuajtjeve të tyre.

Ato gra që iu kishte mbetur vetëm hieja, punonin pa guxua as kryet me e qu. Ato janë gra që i kishte kalit partia, janë veprat e PPSH-së dhe Enver Hoxhës që as sot e gjithë ditën nuk harrohën. E ato gra kishin harrua pse kanë lindur, për dashuri e punë apo punë të detyrueshme e mjerim.

Vizitat tona në qytetet shqiptare dhe takimet me personaleitet kulmore të letërisë.

Çdo vizitë deri në detaje në Shqipëri ishte e planifikuara dhe ato përcilleshin nga puntorët e sigurimit shtetëror shqiptar.

Ne edhe pse ishim mysafirë të Universitetit të Tiranës, na shoqëronte vetëm një asistent e një grua ”sistente” që nuk dihej se a punonin në universistet a jo dhe dy puntor të sigurimit. Njëri e kishte emrinë Dedë.

Sjelljet e tyre vëreheshin kudo. Ishin sjellje policës, artificiale dhe me plote gojën, lavde për Partinë e Punës dhe shokun Enver, tjetër nuk dinin.

Asnjë institucion shkollor e shkencor nuk e vizituam. Në Fakultetin Filologjik që pritëm se do të na presin studentë e profesorë, kjo nuk ndodhi. Na pritën 2, 3 profesorë të panjohur për neve dhe për shkencën albanologjike.

Në pyetjen tonë:

– Ku janë studentët e letërsisë e të gjuhës, përgjigja ishte qesharake:
– Janë në pushime vjetore dhe nuk e kanë «ditur», ishte përgjigja e tyre.

Në qytetin e Fierit, në një kafe që i ngjante më shumë mejhaneve turke, «rastësisht» e gjetëm poetin dhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agollin.

Nuk ka dyshim se u gëzuam.
Unë u ula afër Dritëroit dhe pas përshëndetjes iu drejtove Agollit:
– Shoku Dritëro, çka doni me pi?
– Kam pirë 12 kafe e 12 gota raki, tha ai.

– Do të pish edhe një kafe dhe një gotë me raki, ngula këmbë unë dhe filluam bisedën për poezinë, për gruan, për tokën e për rakinë e fortë e specin e sertë.

Biseda me Agollin ishte e sinqertë dhe shumë e lirë. Ai fliste sikur të ishte rritur e jetuar në katundet tona. Pinte duhan ”Partizan” e ne e dëgjonim. Kishim mbyllur gojët e i kishim hapur sytë e veshët.

Për më shumë, për takimin dhe bisedën me Agollin, do të shkruaj ndonjëherë tjetër.

Në shtepinë e Lidhjës së Shkrimtarëve në Tiranë, na pritën Ismail Kadare dhe Shefqet Musarai, një takim i planifikuar.

Të dytë folën për poezinë, prozën, romanin shqiptar gjatë kohës së luftës (”Para agimit” …) dhe poezinë e sotme (Kadareja, poemat ”Përse mendohen këto male”, romanin ”Gjenerali … ”etj.)

Në fund, përveç debatit, pyetje e përgjigjeve, bëmë edhe disa fotografi me Kadarenë. Me Sh. Musarain, nuk më kujtohët se a kemi bërë por ndoshta, dikush nga ish studentët e Prishtinës ka ndonjë fotografi edhe me Musarain, një burrë thatanik si Nezir Cufa i Turjakës, kusheri imi, bujk i njohur që bereqtin ia merrte arave me zor.

Në Tiranë, në hotelin “Arbëria”, tash Ministria e Drejtësisë, aty ku u vvendosëm erdhën shumë burra e gra, familjarë, të cilët ishin ndarë padrejtësisht, të gjithë shqiptarë nga Kosova që kishin ikur nga Kosova nga zullumi serbe dhe kërkonin a mos është dikush nga ai katund që ata kishin ardhur. Dëshironin të merrnin vesh më shumë për njerëzit e tyre, të parët e për tokën që e kishin lënë batall.

Mua më thirri recepcionisti i hotelit. Të kërkojnë vëllezërit kosovarë. Dola në teracë dhe pash se disa që kishin ardhur e më kërkonin, drejtuan sytë nga unë. Ishte Sylejman Krasniqi *, nuk e njihja pos që e dija se është romansier që shkruan me tema historike, për Kosovën. Ishte edhe Myzafer Xhaxhiu*), profesor fakulteti.

Profesor Xhaxhiut, edhe tash nuk e di se kush i kishte tregua që unë kam temë diplome në fakultet “Poemat për fëmijë të Ismaik Kadaresë”. Ai kishte pasur një studim, ese në revistën “Drita” apo në “Nentori” dhe ma dorëzoi në dorë revistë me eseun për veprën e Kadaresë. Nuk besoj se ka ndejtur ai me pi një kafe me mua por nderin dhe respektin e profesor Xhaxhiut, nuk e harroj.

Pastaj në radhe më priste Syla, Sylejman Krasniqi, i ikur në fund të viteve 1950.-ta, nga një fshat i komunës së Rahovecit, prej nga vija edhe unë.

Baca Sylë kishte ardhur me gruan, një drenicake, vajzën e vogë, Albanën, tash e martuar për ish ambasadorin e Kosovës në Zvicërr, me mbiemrin Mala. Baca Sylë e kishte marrë edhe djalin e vogël, Sokolin.  Më vonë, Albana më ka thënë se iu ka lindur edhe 1 vëlla.

Baca Sylë nguli këmbë që unë të shkoja te ai, në banesë që nuk ishte larg hotelit, Pranova. Shkuam këmbë. Rrugës dhe në banesë me tregoi se nëna kur kishte ardhur, pas një kohe i kishte vdekur por dëshira e saj kishte qenë që ai të martohej me një vajzë shqiptare nga Kosova e pastaj, e lumtur kishte vdekur.

Disa nga librat që i kishin mbetur, baca Sylë mi dha mua “Qiellin e përflakur” e “Toka të nëndheshme”, sepse më tha baca Sylë, nëna kushdo që vinte mysafir nga Kosova, ia falte librat.

Edhe për bacën Sylë kam shkruajtur e do të shkruaj përsëri por kësaj radhe do të tregoj vetëm disa porosi e amanete të bacës Sylë që mi ka dhënë dhe unë ia kam krye.

Baca Sylë, kështu i thoja unë, më tregoi se pas shumë vitesh, nënes iu kishte lejua leja e qëndrimit në Shqipëri. Kur ajo erdhi, nuk kisha banesë timen. Banoja si mos më keq por më vonë me punë vullnetare, banorët e lagjës e ndërtuam një pallat dhe unë isha njëri nga ta që mora banesë, aty ku unë shkova dhe rrija, si mysafir.

Nuk mbaj shumë mend se si ishte banesa, a ishte e mobiluar mirë, a kishte bibliotekë të pasur sepse malli që kishim për Shqipërinë, asgjë të ligë e të keqe nuk e shihnim. Më kujtohet se televizor bardhë e zi, kishte. Kishte edhe një makinë shkrimi.

-Unë, doja të fejohesha me një vajzë të një nga personaliteteve më të njohura të shkencës në Shqipëri, tregonte baca Sylë por nëna më tha:

-Djali jem pash gjinin që ta kam dhânë, mos u marto me qika t`Shypnisë por merre gruen nga Kosova.

Gjatë bisedës që kam pasur me vonë me Albanën, vajzën e bacës Sylë i kam tregua disa nga ngjarjet që mi ka thënë baca Sylë, kur ishte ushtar në Suboticë të Vojvodinës, për dashurinë që kishte pasur ai, me një maxharre (hungareze), kur ndahet nga grueja që baba e kishte martua, në Hoç të Rahovecit. I kishte tregua se nuk don të jetoj në Kosovë dhe nuk don të ketë fëmijë …

Dhe fati deshti e ata nuk kishin fëmijë, pasi baca Sylë kishte vendosur me ni mene, me ikur në Shqipëri … dhe për një lidhje dashurie që kishte pasur me një vajzë nga Shqipëria, para se të martohet, i pata tregua Albanës, edhe pse ajo nuk ma tha, nuk i erdhi mirë sepse më nuk më shkruajti.

Ajo ma dërgoi me postë librin autobiografik të bacës Sylë por bashkë me librin që më humbi, më humbi edhe adresa e numri i telefonit i Albanës.

Baca Sylë më porositi që kur të këthehem nga Shqipëria në Kosovë, të shkoj në katundin Studençan, te motra e vogël, emrin ia kam harrua por, tha ai, ajo është e martuar për Hajdar Gashin dhe nëse pyetni sigurisht se iu tregojnë ku e ka shtëpinë.

Amanetin e kam krye. Kur kam ardhur në Kosovë, diku në fund të muajit korrik ose fillim të muajit gusht kam shkua këmbë nëpër bjeshkët e Turjakës deri në Zatriq, 3 orë, në katundin e gjyshërve të mi. Në Zatriq kam hëngër drekë te Isuf Nushi, pulë, pite e sugjuk shtëpie. Xilaja, gruaja e Isufit, qika e Sylë Hajrullahit nga Rudi, ishte aq e shpejtë dhe e zonja, sa me hy në zjarr, nuk kallej. Ende pa i pi kafet erdhi me sofër Xilaja. Buka ishte gati. Pas hëngrëm bukë e dhe e shikova e u shmalla me Zatriqin, Isufi më përcjelli deri afër Drenofcit, sepse atje doja të shkoja te djemtë e Hasan Makshanës. Rruga nga Zatriqi ishte një tatpjetë që duhej pasur kujdes kah ecja, duke u kapur për shkoza e drunj frashëri se mund të rrotulloheshe si top. Per me zbrit nga Zatriqi, në Drenofc nuk bënte me shumë se 20 min ndërsa nga Drenofci për me ardhur në Zatrqiq, së pakut 2 orë këmbë ose me kalë. Rrugë nuk kshte pos rrugë dhive e dhenëve. Në Drenofc, të nesrëmen bashkë Skënder Gashin dhe Fetah Beisishën kemi në Rahovec. Aty kemi fjetur të Isuf Kafexhiu, ish përkthyes në Gjykatën Komunale, shok shkolle me Featahun e ai, të nesërmen me makinën e tij ka ardhur me ne te Hajdar Gashi, në Studençan.

Edhe për këto, shkurt kam folur.

Një tjetër ngjarje interesante që ma tregua baca Sylë, po tregoj, pjesë nga ngjarja.

Sylejman Krasniqi ka kur nga Kosova, më 1958. Në Kosovë kishte lënë nënen plakë dhe 3 motra. Më vonë ka shkruajtur një libër me titull “Tri motra, tri histori” që iu kushtohet tri motrave, libër që nuk e kam pasur, pra nuk e kam lexua.

Motra që shkuam te ajo, unë Fetahu, Skënderi dhe na voziti Isuf Kafexhiu, më kishte tregua baca Sylë se kur erdhi nëna në Shqipëri, dyert e oborrrit të shtëpisë u mbyllën. Oxhaku nuk tymonte e motrat më nuk kish kush shkonte me i marrë. Mërzia e malli ishte i madh.

Motra e vogël, kishte vendosur me e shitur një arë në marrëveshje edhe me dy motrat tjera dhe paratë e tokës së shitur me ia dërgua bacës Sylë në Shqipëri. Kur e kishte marrë vizën për me shkua te vëllai në Shqipëri, 15.000 marka i kishte mëshehur… dhe ia kishte dhënë në dorë vëllait. Kështu na tha edhe motra e vogël, kur e vizituam në Studençan.

Përveç me Muzafer Xhaxiun, Sylejman Krasniqin, Agim Gjakovën, Adem Istrefin, sportistë, aktorë e të tjerë, një natë erdhi edhe Hysen HasanTahiraj nga Belegi Deçanit që kishte ikur në Shqipëri e tash jetonte në Lushnjë .

Ai erdhi bashkë me gruan, Vasilikën, vajzën, Leonorën dhe djalin Agimin për me e pa Imetin që babëgjyshat i kishin våellezër. Gjithë natën nuk fjetëm duke bisedua në dhomën e hotelit, ku unë isha me Ismet Tahirajn.

*) XHADE f.

  1. bised. Rrugë e gjerë zakonisht e shtruar (jashtë qendrave të banuara), ku kalojnë mjetet dhe njerëzit; rrugë për automjete. Xhade e gjatë (e gjerë). Xhadeja e vjetër (e re). Xhade e shtruar.
  2. përd. mb. edhe fig. I shtruar, i rrafshët, i sheshtë që nuk ka pengesa a vështirësi, shesh me lule. E bënë fare xhade. E ka rrugën xhade. Jeta nuk është xhade. fj.u.

*) KALL II kal. krahin.

Ndez. Kalli zjarrin (cigaren, eshkën). Kalle një! ndize një cigare!

* I kalli (i dha) barut shih te JAP.

*) DJEG kal.

  1. I vë zjarrin diçkaje a e hedh në zjarr dhe e bëj shkrumb e hi, e shkatërroj, e asgjësoj a e prish në zjarr; e dëmtoj diçka me zjarr a me një send shumë të nxehtë, e shkrumboj. Djeg drutë (barin, kashtën). I dogjën shtëpinë. Djeg me benzinë. Djeg në zjarr (në flakë). E dogji fare. I dogjën kufomat. Dogji flokët (vetullat). Dogji këmishën (fustanin, pantallonat). E dogji rrobën me hekur…

*) SETËR f.

Xhaketë burrash; xhaketë prej cohe të trashë a prej shajaku. Setër prej leshi (prej pambuku). Me setër krahëve.

*) Shevqet Musaraj (Matogjin, 27 prill 1914 – Tiranë, 28 korrik 1983) ka qenë poet, satirik, tregimtarm romansier dhe partizan shqiptar.

*) Sulejman Krasniqi (Hoçë e Vogël, 7 dhjetor 1937 – Tiranë, 16 korrik 2011) ka qenë shkrimtar dhe arsimtar shqiptar.
https://sq.wikipedia.org/wiki/Sulejman_Krasniqi

*) Muzafer Xhaxhiu (Gjirokastër, 15 maj 1921 – 28 janar 2012) ka qenë studjues, shkrimtar dhe përkthyes shqiptar.

Biografia

I diplomuar në Beograd dhe në Moskë, për letërsinë klasike greke dhe latine, jeta e tij i është kushtuar gjithmonë klasikëve të mëdhenj të njerëzimit. Shkrimet e para letrare të profesorit kanë të sigluar vitin 1939. Veprimtaria krijuese është e shtrirë në atë shkencore, letrare, në përkthime etj. Si studiues profesor Xhaxhiu do të punonte për etnogjenezën e shqiptarëve, si pasardhës të pellazgëve dhe ilirëve.

Krijimtaria letrare e tij përmendet që nga “Lirikat” në vitin 1957 dhe deri në “Këngët e Mjellmës”, botim i vitit 1999. Ndërsa, dy nga veprat e tij më të spikatura janë “Letërsia antike greke” dhe “Letërsia romake”. Muzafer Xhaxhiu mbante titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës për punën e tij afro shtatëdhjetëvjeçare dhe kontributin e çmuar për letërsinë dhe fjalën shqipe.

*) Agim Gjakova (Gjakovë, 11 korrik 1935) është shkrimtar shqiptar autor i 32 librave, 22 romane dhe 10 përmbledhje poetike.

*) Adem Istrefi, lindi me 14.3.1942 në fshatin Strellc i Epërm të Pejës. Në moshën 14-vjeçare u largua nga vendlindja për në Shqipëri (1956). Studimet e larta i kreu ne Universitetin e Tiranës (dega Gjuhë e Letërsi shqipe). Ndër të tjera ka punuar edhe si redaktor në revistën “Nëntori “.

“A dini me folur shqip?” , në vazhdimin tjetër

( Vazhdon )

Sinan Kastrati, Suedi
Malmö, 12 qershor 2023
sinankastrati09@hotmail.com

 

 

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.