MIRUSH KABASHI – SOKRATI I TË GJITHA KOHËRAVE

0
121
A. Ashiku dhe M. Kabashi

Nga Abdurahim Ashiku

Mirush Kabashi, artisti i madh shqiptar, portreti i të cilit në penë e penel, është i pakapshëm, i paarritshëm, sot, 5 dhjetor 2023 u shkëput nga kjo “botë virane” – siç i pëlqente ta thotë, për t’u vendosur midis yjeve të universit si i rrallë mes të rrallëve.
Më dhëmbi…

E kujt nuk i dhëmbi…
Nga ata që e panë në skenë,
Nga ata që e panë në ekranin e vogël,
Nga ata që takoi,
u dha dorën,
përqafoi…
Një ndër ta edhe unë…

Nuk e kisha takuar ndonjëherë. Fati e solli ta takoj në Athinë, ikanak si të gjithë të tjerët.
E ruaj zërin në diktofon, e zbardha dhe hodha faqeve të gazetave e internetit.
Ia mora pamjet tek përcillte në mënyrë brilante në skenë “Sokratin” shqiptar.
Më futi krahun sikur të ishim njohur në fëmijëri e jo vetëm disa orë para shfaqjes…
Më ftoi në skenë.

Dikujt i dhashë aparatin fotografik…
Foto-gjëja më e vyer e jetës time…
Unë, krahas “Sokratit” shqiptar…
Një kujtim i bukur që më bën nder.
Kaluan vitet…

E ndiqja skenave të botës dhe krenohesha, siç mund të krenohet çdo njeri në krah e pranë tij…

E pashë një ditë, 9 vjet më vonë, në hollin e hotel Internacional Tirana.
Më pa nga larg dhe më thirri me emër e mbiemër.

Dhe vrapuam drejt njeri tjetrit.
Bëmë përsëri një fotografi.
Tash si dy miq të vjetër…

Mirush Kabashi ka një kujtesë fotografike të mrekullueshme.
U ndjeva i privilegjuar kur thirri emrin tim…

Sot, 5 dhjetor 2023, tek Ai fluturon drejt yjeve, po ripërcjell çastin e bukur kur biseduam me zemër në dorë…

 

BISEDË ME MIRUSH KABASHIN, ATHINË, JANAR 2009

Është një rrugë goxha e gjatë. Kam një kënaqësi shumë të madhe për të thënë se është një rrugë shumë e gjatë, goxha të papritura, fatmirësisht të këndshme. Ka filluar në vitin 1997, përpara zgjedhjeve, në atë vit të mbrapshtë që shpresojmë që do t’i takojë vetëm historisë. Po atë vit, mbas disa muajve unë kam pasur fatin që ta prezantoj shfaqjen, krejt rastësisht në një festival goxha gjigant në pikëpamje të përmasave, në Kajro ku merrnin pjesë rreth pesëdhjetë shtete, ku kishte shtete që vinin edhe me dy shfaqje, shumë seriozë. Çuditërisht personi që luante “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” mori “Sfinksin e artë”.

Isha Unë. Me interpretimin tim mora një nga gjashtë statujat që ishin ndarë për njëmijë artistë. Bile kam kënaqësinë të them se si aktore femër më e mirë u evidentua një aktore greke, me “Atridësin” të Euripidit, në mos gabohem, me emrin Hrisanthi. Unë nuk e harroj kur të nesërmen ajo zonjë erdhi dhe më uroj për çmimin. Nuk e njoha. Mu prezantua dhe kur unë e urova dhe i kërkova ndjesë se duhet ta kisha bërë unë këtë gjest, ajo më tha:

“Jo, zoti Kabashi, kam ardhur t’ju kujtoj që më bëri shumë përshtypje që ndërmjet këtyre njëmijë artistëve që përfaqësojnë pesëdhjetë vende nga pesë kontinente Sokrati shqiptar dhe Artidësi grek u vlerësuan si aktori dhe aktorja më e mirë”

Kjo gjë mua ma dyfishoj gëzimin që një kolege e një vendi shikon ato që ne kemi të përbashkëta dhe jo si një pjesë e politikanëve të mbrapshtë, apo një pjesë e oratorëve të mbrapshtë përpiqen të gjejnë cikla-mikla për të hedhur benzinë në disa nacionalizma prej të cilave ka vuajtur jo pak gjithë Ballkani dhe jo pak edhe vendet tona.

Athinë, janar 2009

APOLOGJIA E VËRTETË E MIRUSH KABASHIT

Ajo, tashmë, nuk është një “Apologji vërtetë e Sokratit”, filozofit të madh të lashtësisë që me gjuhën e vet u flet të gjitha kohërave, të gjitha sistemeve shoqërore me “patricë e plebenj”, me të pasur dhe të varfër…nuk është as e Varnalit që e shkroi dhe ua dha artistëve ta ngjisin në skenat e mëdha të botës…

Ajo, tashmë, është “Apologjia e vërtetë e Mirush Kabashit”, njeriut të madh të skenës shqiptare, artistit të madh shqiptar që pasi e çoi në Kajron e Egjiptit të lashtë, për ta marrë pastaj e për ta përcjellë në të pesë kontinentet, e solli në vendlindje, atje ku lindi dhe u rrit për tu bërë një pemë të madhe degëshpërndarë në të gjitha kohërat.

Pas asaj që ndodhi në Athinë më 22 janar 2009 ajo tashmë, më shumë se kujtdo në kohën tonë i takon Mirush Kabashit, është “Apologjia e vërtetë e Mirush Kabashit”.

Këtë e ndjeva kur e pashë në skenë, e ndjeva kur ai u mbulua me lule e duartrokitje, kur për të u thanë, në shkallë sipërore, fjalët më të mira që mund të thuhen për një artist…
Në suksesin e Mirush Kabashit nuk mund të lëmë mënjanë lojën e bukur të aktorit emigrant Lefter Simoni, lidhjen organike që ai i bëri artistit të madh shqiptar me spektatorin grek…

Një bisedë me Të para shfaqjes është pak për të thënë të gjithë ato që ndjeva dhe ndjenë njerëzit kur u ndodhën përballë Mirush Kabashit –Sokrat i vërtetë…

* * *

Mirush Kabashi! Mirëserdhe! Emigrantët e rinj në moshë, ardhur këto vite, duke u larguar nga Shqipëria janë larguar edhe nga jeta kulturore dhe, si të thuash kanë filluar ta harrojnë, e kësisoj ndoshta pak ju njohin. Unë do të desha që nëpërmjet gojës tuaj të bëjmë për ta një prezantim. Kush është Mirush Kabashi?

Thjeshtë mund të them se Mirush Kabashi është një qytetar shqiptar me profesion aktor, në moshë gjashtëdhjetë vjeçare, me origjinë kosovare, gjakovar, me nënë durrsake, ka lindur në Shkodër, domethënë kam nga të gjitha pjesët e Shqipërisë (qesh). Jam rritur në Durrës dhe realisht unë tani njihem si Aktori Durrsak. Dhe me të drejtë. Që nga mosha katërvjeçare dhe deri sapo flasim dhjetë vjet, rezidenca ime, në qoftë se konsiderohet shtëpia, ka qenë Durrësi. Dhe kur them shtëpia nuk kam parasysh vetëm objektin fizik – shtëpinë, por kam parasysh familjen, jetën time shoqërore, jetën time personale… Jetën time artistike e kam filluar në Durrës, qytetin e Durrësit. Jam i martuar, kam dy vajza.

T’i kesh me jetë! Me aktrim merren?

Jo. Edhe pse unë jam martuar vonë ato janë në përcaktimin e rrugës së jetës së tyre. Njëra e ka përcaktuar këtë rrugë, studion në juridik ndërsa vajza tjetër mbaron të mesmen në një shkollë teknike me emrin “Harri Fults” që ka qenë shkollë e gjyshit të saj. Babai im ka mbaruar këtë shkollë, bile edhe daja im ka mbaruar këtë shkollë.

Në çfarë profesioni?

Im atë ka qenë teknik elektriku, hidroelektrik. Ndërsa vajza është për menaxhim biznesi. Shpresojmë që ndoshta mund të jetë edhe kjo e ardhmja e saj. Ime shoqe punon në bibliotekën kombëtare. Ka qenë studentja ime në akademinë e arteve, dega dramatike por në gjykimin tonë si çift ishte që dy artistë ishte e vështirë të krijonin një familje tamam të shëndetshme dhe t’i përkushtohen fëmijëve dhe gjykuam që ajo të sakrifikonte profesionin dhe tashmë ajo është diplomuar si bibliotekare, ka dhjetë vjet që punon në Bibliotekën Kombëtare.

Kur jeni ngjitur për herë të parë në skenë?

Më duket se ka qenë një dëshirë e kahershme imja, domethënë fëmijërore. Kam pasur jashtëzakonisht emocione dhe shumë përgjegjësi. Më dukej si një gjë e shenjtë, altar, skena dhe gjithmonë kam pasur një kompleks inferioriteti ndaj skenës. Kur i shikoja nxënësit që ishin më të hapur, më të çiltër, ma të zhdërvjellët ua kisha zili. Kam pas bërë prova që në shkollën fillore, edhe për të shkruar ndonjë gjë, edhe për ta thënë. E ndjenja që më mbysnin emocionet dhe nuk e pasqyroja atë që doja të thonja. Pastaj shkolla shtatëvjeçare në atë kohë, kështu kanë qenë ciklet – shtatëvjeçarë, kanë pas një traditë me të vërtetë shumë të bukur, zhvilloheshin festivale dhe konkurse teatrore ndërmjet shkollave të cikleve të ndryshme.

Një mësues imi i letërsisë, i cili nuk jeton më, Ramadan Kalaci, një zotëri burrë prej Shkodre, më pat aktivizuar edhe mua në këto me pjesë një akt-she sa ishin për ciklin shtatëvjeçar. Atij duket i pëlqente fakti që unë isha një nga pjesëmarrësit sepse e vija re që në çdo vit që bëheshin konkurrimet ai do të më merrte që edhe unë të isha pjesëmarrës. Në gjimnaz, në shkollën “Nako Spiro” pastaj në vitin e tretë, mbi bazën e seksionit të arsimit për gjimnazet e Durrësit u bë një konkurrim dramaturgjik. Ishte një pjesë e Tefik Çaushit, “Qielli i kuq” titullohej ku mua mu dha roli i një kuestori italian.

Merrte pjesë edhe një mësuese, Beni Qiraxhias, nuk e harroj, mësuese shumë e pasionuar e anglishtes, luante edhe ajo së bashku me ne. Në rolin që luajta, shkruan edhe gazetat, duket se u evidentova pak. Megjithatë dëshira e prindërve të mi, tim eti në mënyrë të veçantë, unë jam vëllai i tretë i katër djemve që ka Musai që sot vetë nuk është, ishte që unë të vazhdoja shkollën o për inxhinier elektrik, o për fizikë, o për anglisht. Po me që dy vëllezërit e mi më të mëdhenj vazhdonin universitetin atëherë ka qenë një si ligj jo i saktë që po të kishe një vëlla e shumta dy, me që vëllai i dytë ishte për matematikë dhe për të kishin precedencë sepse quheshin si të sakrifikuar, atëherë mua nuk më jepej mundësia për të vazhduar shkollë të lartë.

Ne, të katër vëllezërit kemi qenë me rezultate maksimale në shkollat e mesme. Qe këmbëngulja e një ish drejtori të gjimnazit, tashmë shef i seksionit të arsimit, i cili tha se ky djalë mund të bëjë për aktor, prandaj duhet të konkurrojë për aktor. Dhe ai me një këmbëngulje, nuk e di se pse, ma hapi mundësinë, me që ishte shkollë me konkurs, edhe pse jashtë dëshirës së tim eti, por me influencën e dy vëllezërve më të mëdhenj si vetmja rrugë që unë të vazhdoja një shkollë të lartë. Unë dhashë konkursin, fitova dhe fillova Institutin e Lartë të Arteve, tani Akademia e Arteve, dhe fillova në degën dramatike.

Shkolla ka qenë një periudhë me peripecia sepse në një pjesë të mirë të kohës unë akoma nuk arrija të hapesha, të shpalosja atë që mund të jepja apo atë që mund të dija, gjithmonë kishte një kompleks frenues, por në vitet e fundit pata fatin e madh që nëpërmjet atyre pedagogëve shumë të vlefshëm: kam punuar edhe me Kujtim Spahivoglin, Serafin Fankon, me Pirro Manin që me të vërtet ishte një fat i madh i gjithë kursit tonë që kishim në krah një profesor, një regjisor, artist të pasionuar me një bagazh jashtëzakonisht të madh që kishte lënë gjurmë edhe në Moskë, në atë shkollën që kishte mbaruar.

Dhe duhet thënë që shkolla ruse ishte një shkollë e cila shpërndante koncepte artistike për të gjithë botën. Ne kemi fat që kuadrot tonë të parë artistë erdhën me eksperiencën ose me traditën e konceptet ruse. Kjo e adresoi artin dhe kulturën shqiptare në një rrugë me të vërtetë me perspektivë sepse ata binin një traditë shumë të përparuar. Kështu përfitova shumë nga shkolla edhe pse vetëm në vitin e fundit arrita diçka të hapesha.

Shkollë e vërtetë për mua, duhet të pranoj, ishte teatri “Aleksandër Moisiu” ku unë punova. Teatri “Aleksandër Moisiu” kishte një trupë jashtëzakonisht të pasionuar, të talentuar por edhe shumë serioze dhe të predispozuar për punë. Emra si Nikolin Xhoja, Vangjel Heba që nuk jetojnë më, Marta Burda, çifti Urumi, Vera dhe Spiro, Teodor Upi, Filika Dimo…janë artistë të vërtetë me emër me të cilët unë konsolidova profesionin, me seriozitet, me bagazh qytetar të cilët i kishin dhënë një karakteristikë teatrit të Durrësit. Ishte teatër i dramës por edhe i satirës dhe i humorit.

Në këtë aspekt ato dallonin nga teatrot e tjerë dhe mirëpriteshin në të gjitha rrethet. Ju tashmë e dini sepse jeni një brez me mua zoti Ashiku, se në atë kohë teatri frekuentohej jashtëzakonisht shumë. Sallat e teatrit ishin plot gjithmonë. Dhe ne kur shkonim nëpër qytete të ndryshëm gjithmonë kishim salla të garantuara si rezultat i aftësisë, talentit dhe i shfaqjeve shumë të bukura që vinte teatri i Durrësit. Ne, në këtë pikëpamje na kishin hapur një rrugë shumë të mirë për të mësuar. Atje kam kontribuar rreth njëzet e sa vjet me regjisor të ndryshëm duke filluar nga Vangjel Heba, Haxhi Rama, Mario Ashiku. Nga fundi i karrierës pata fituar disa çmime.

Teatrit të Durrësit kam pas fatin t’i sjell çmimin “Aktori më i mirë” në vitin 1989 në festivalin kombëtar gjë që nuk kishte ndodhur më përpara. Kisha fituar edhe një çmim si aktori i dytë më i mirë me ato peripeci që ka patur koha. Në shtatëdhjetë e katrën më patën hequr për probleme biografie por jo që të lidheshin me mua por siç i kishin gjithë familjet. Pastaj përsëri u riktheva në teatër. Pastaj me vështirësi arrita të inkuadrohem edhe nëpër filma…

Spektatori shqiptar ju njeh nga afër nëpërmjet filmit, ekranit të madh dhe të vogël. Cili ka qenë filmi i parë?

Filmi im i parë nuk ka qenë një ngjarje e zakonshme. Për të gjithë artistët pjesëmarrja në film është ngjarje e jashtëzakonshme. Për mua kishte diçka më tepër se ngjarje e jashtëzakonshme. Unë kam filluar të luaj film mbasi kisha bërë tetë vjet jetë aktoreske teatrore. Në vitin 1978 kam filluar të xhiroj sepse , siç ju thashë, për ato peripeci biografike nuk më lejonin. Ka qenë këmbëngulja e Ylli Pepos, pastaj edhe e Saimir Kumbaros që duke argumentuar se “rol negativ ka për të luajtur” dhe ato funksiononin në atë kohë që unë të jem pjesëmarrës në një film televiziv, filmin “Emblema e dikurshme”.

Kapuçonët e zinj…

Kapuçonët…Kam pas rolin e një astmatiku që mbillte shishet. Dhe kjo ka qenë një mundësi shumë e mirë për mua dhe e quajta si një fat të madh. Saimir Kumbaro arriti të influencojë për të siguruar pjesëmarrjen time, edhe pse në një rol të dytë, në filmin Koncert në Vitin ’36. Ishin dy role që ishin goxha të ndarë në pikëpamjen e karaktereve por që përbënin një front pune për mua, një mundësi për tu evidentuar ose jo. Ishte një kontribut që i ra në sy për fatin tim të mirë edhe udhëheqjes që ka qenë në atë kohë që evidentuan këtë gjë. Pas kësaj mu hap “drita jeshile” që unë të isha pjesëmarrës aktiv në filma apo koncerte. Pastaj kam marrë pjesë në njëzet e ca filma…

Spektatorët, ata që ju duan dhe ju respektojnë, kur ju takojnë cilën batutë përmendin më shumë?

Ka disa batuta si “edhe kështu edhe ashtu”, më përmendin batutat në Koncert në Vitin ’36 fjalën “Pjano”, por batuta që qarkullon më tepër është “Bishti i qenit”. Atë e përmendin më shumë se ka mbetur si një nocion filozofik sepse bishtin e qenit sado që ta drejtosh ai prapë i shtrembër mbetet. Ma kujtojnë spektatorët tashmë sepse si tekst filmi unë e kam harruar. Spektatorët më ngacmojnë, kjo natyrisht që më vjen mirë kur kujtojnë jo vetëm filmat ku kam marrë pjesë dhe jo vetëm batutat.

Fakti që ajo traditë kinematografike e atyre viteve shikohet nga brezi i ri me shumë ëndje për mua është shprehje e padiskutueshme e vlerave artistike që ka pasur krijimtaria filmike në atë periudhë. Dhe në këtë aspekt ka se çfarë të mësojë, për fat të keq dua ta them mirëpo është e vërtetë, kinematografia. Niveli kinematografik i sotëm ka çfarë të mësojë shumë nga niveli artistik i kinematografisë ose i filmave të xhiruar në periudhën e përpara nëntëdhjetës, në pikëpamjen artistike, pavarësisht kufizimeve ideore. Ata kanë pasur ekzigjencë, shpirt dhe pasion artistik të dukshëm.

Kur keni qeshur në skenë ?

Kjo është një pyetje nga ato intimet. Nuk mund ta mohoj që rrallë herë krijohen tek ne situata të tilla të cilat edhe provokojnë të qeshurën por jo rrallë herë qëllojnë situata dramatike të cilat më mbrapa kujtohen me të qeshur. Edhe teatri, edhe filmi, por teatri me që është drejtpërdrejt me spektatorin dhe luhet në moment, është i mbushur me nga këto peripeci apo histori me humor të cilat bile nga kolegët, që u ka ndodhur kolegëve më të moshuar, edhe korifenjve të teatrit shqiptar këto unë i kam treguar ndonjëherë edhe si gazmore. Edhe unë kam qenë “viktimë” e këtyre situatave të papritura që kanë provokuar nganjëherë dramacitet shumë të fortë dhe humor në radhët e aktorëve.

Keni qarë ndonjëherë në skenë?

Shumë herë. Kam pasur rastin që vitet e fundit të jem para spektatorit edhe si recitues në disa prej kryeveprave të poezisë shqiptare si dhe në pjesë dramaturgjike në të cilat, në çdo shfaqje materiali letrar më ka provokuar ashtu si edhe spektatori. Kanë qenë emocione shumë të forta që jo rrallë herë janë pasqyruar edhe me pikat e lotit.

Vjen në Athinë me “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Cila është rruga e “Apologjisë së vërtetë të Sokratit” ?

Është një rrugë goxha e gjatë. Kam një kënaqësi shumë të madhe për të thënë se është një rrugë shumë e gjatë, goxha të papritura, fatmirësisht të këndshme. Ka filluar në vitin 1997, përpara zgjedhjeve, në atë vit të mbrapshtë që shpresojmë që do t’i takojë vetëm historisë. Po atë vit, mbas disa muajve unë kam pasur fatin që ta prezantoj shfaqjen, krejt rastësisht në një festival goxha gjigant në pikëpamje të përmasave, në Kajro ku merrnin pjesë rreth pesëdhjetë shtete, ku kishte shtete që vinin edhe me dy shfaqje, shumë serioz. Çuditërisht personi që luante “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” mori “Sfinksin e artë”.

Kush ishte ai?

Unë. Me interpretimin tim mora një nga gjashtë statujat që ishin ndarë për njëmijë artistë. Bile kam kënaqësinë të them se si aktore femër më e mirë u evidentua një aktore greke, me “Atridësin” të Euripidit, në mos gabohem, me emrin Hrisanthi Doçi. Unë nuk e harroj kur të nesërmen ajo zonjë erdhi dhe më uroj për çmimin. Nuk e njoha. Mu prezantua dhe kur unë e urova dhe i kërkova ndjesë se duhet ta kisha bërë unë këtë gjest, ajo më tha “Jo, zoti Kabashi, kam ardhur t’ju kujtoj që më bëri shumë përshtypje që ndërmjet këtyre njëmijë artistëve që përfaqësojnë pesëdhjetë vende nga pesë kontinente Sokrati shqiptar dhe Artidësi grek u vlerësuan si aktori dhe aktorja më e mirë”.

Kjo gjë mua ma dyfishoj gëzimin që një kolege e një vendi shikon ato që ne kemi të përbashkëta dhe jo si një pjesë e politikanëve të mbrapshtë, apo një pjesë e oratorëve të mbrapshtë përpiqen të gjejnë cikla-mikla për të hedhur benzinë në disa nacionalizma prej të cilave ka vuajtur jo pak gjithë Ballkani dhe jo pak edhe vendet tona.

Nga Kajro ku udhëtoi “Sokrati” ?

Pastaj ka udhëtuar në disa vende të botës. Kam qenë në Toronto në Kanada, kam qenë në Vjenë, kam qenë në Kiev, kam qenë në Beograd ku ishte shfaqja e parë shqiptare e dhënë në historinë e kulturave midis dy vendeve, në 2004. Natyrisht kam qenë në Maqedoni në Manastir, në Kosovë në të gjitha qytetet. Së fundi kemi qenë në Bullgari në Plovdiv. Këto kanë qenë prezantimet e para ose përvoja e parë teatrore shqiptare. Unë kam parasysh intervistat që kam dhënë me specialistët e Kievit të Ukrainës, në një festival më shumë se evropian sepse atje kishte edhe trupa amerikane, që kanë qenë sipërore, kanë qenë befasuese për ata vetë. Nuk dinin asnjë gjë dhe e kanë mirëpritur maksimalisht shfaqjen.

Ata e renditën në shfaqjen e parë emocionet që përftuan nga kjo. Kam parasysh edhe objektivitetin dhe entuziazmin e shtypit serb që për ne qe një befasi. Edhe pse prej dyzet vjetësh atje luante një aktor shumë i madh, Ljuba Kadiç, me të cilin unë kam edhe një fotografi, por që ishte Sokrati i Platonit jo i Varnalit. Ata e vlerësuan si Sokrat bile një nga titujt e gazetave ishte “Sokrati i gjithë kohërave”. E vlerësuan maksimalisht. Natyrisht këto fjalë shumë të mira, maksimalisht të mira, u thanë edhe në festivalin e Plovdivit në Bullgari ku mu dhurua edhe kupa e ministrit të kulturës që ishte një gjë e rrallë.

Erdhët në Athinë…

Ardhja në Athinë ishte krejtësisht e veçantë. Prej vitesh e kam dashur jo për të treguar se çfarë bëj por për ta konfirmuar shfaqjen në vendlindjen e heroit që i jep nder jo vetëm Greqisë por gjithë Ballkanit dhe Evropës siç është Sokrati, ky mendimtar konceptet filozofike të të cilit janë shumë aktuale edhe për ditët tona, busull ndoshta për ndërtimin e një demokracie të pastër dhe me perspektivë por njëkohësisht edhe në vendin e Varnalisit që për mua mbetet një nga satiristët më të mëdhenj të të gjithë kohërave. Është një vlerë e jashtëzakonshme e letërsisë greke, ballkanase por edhe evropiane.

Faleminderit! Më bëtë të përlotem.

Ju faleminderit shumë. Më besoni, unë sot në këtë shfaqje e konsideroj veten njeri nga ju, një nga shqiptarët të cilët me modesti vijnë të pasqyrojnë artin dhe kulturën shqiptare dhe të hedhin urat e bashkëpunimit artistik ose të forcojnë sepse tashmë janë hedhur…

Athinë, Janar 2009

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.