Sulmi ndaj vetvetes

0
250

Ardit Bido

Meqë u zgjidh çështja e integrimit të serbëve në Kosovë, tanimë elita politike shqiptare e atyshme iu kthye të zgjidhë dhe çështjet e pakicave në Shqipëri. E për këtë u “zbulua” se Dejona Mihali, që është me kombësi shqiptare, ka baba me kombësi greke e mama me kombësi shqiptare.

Pra, për të sulmuar Kurtin, u gjet ky fakt nga të zëshmit kundër tij, të cilët rrëfejnë se nuk ia kanë haberin (porsi ai) mbi çka janë pakicat.

Se Dejona ka babain me kombësi greke, kjo nuk e bën atë më pak shqiptare. Edhe sikur të kishte të dy prindërit, e rrjedhimisht të ishte edhe vetë greke, nuk do e bënte më pak shqiptare.

Panajot Pano, që bënte zemrat shqiptare të buçisnin shqiptarisht, nuk ishte më pak shqiptar se Albini, Ganimetja apo Arditi, pse kishte kombësi greke.

Irini Qirjako, me zërin e së cilës krenohemi për trashëgiminë tonë kombëtare muzikore, nuk është më pak shqiptare pse është greke.

Lefter Talo, që dha jetën për flamurin kuqezi, është shumë më shumë shqiptar se ata që janë të gjallë pasi nuk luftuan kurrë për këtë atdhe.

Sterjo Spase, maqedonas safi, është më shqiptar se tamtamistët e nacionalizmit folklorik e populizmit pseudokombëtar që na shurdhon veshët.

Dhimitër Beduli, grek den baba den, dha gjithçka për një Kishë Ortodokse Shqiptare, pa ndikim të Athinës, e krenarisht këndonte për këtë komb, duke mos qenë aspak më pak shqiptar a më pak grek se shqiptarët e grekët e tjerë.
Serafim Jovanoviç, serb e peshkop i Kosovës, nuk qe më pak shqiptar se ne, kur bënte që dioqeza e tij të fuste dhe shqipen në meshim e të betohej para flamurit shqiptar.

Dejona, edhe nëse do të ishte me kombësi greke, nuk ka sesi kjo ta bënte më pak shqiptare, ashtu sikurse 90% e minoritarëve në këtë vend, që të qenit grek a maqedonas a bullgar, nuk ua ul asnjë vizë patriotizmin e tyre shqiptar, krah krenarisë së tyre etnike të pacënueshme e të pashueshme.

A ka pse të kritikohet Dejona? Këtë nuk e di. Mund ta kritikojmë pse përvojën e saj familjare nuk e shfrytëzoi për të bërë qeverinë e VV-së të tentojë të krijojë politika të mirëfillta integruese mbi pakicat. Mund ta kritikojmë pse nuk çoi pranë eprorit të saj ekspertë, nga ata realisht të paktët ndër nesh, që ia kanë haberin e politikave të pakicave dhe feve, në ndryshim nga të shumtët sharlatanë që s’ia kanë haberin e bëjnë dëm. Por edhe këto, me “mund”, sepse nuk e dimë në ka tentuar, në ka fuqi, a në ka mundësi.
Sulmi ad hominem ndaj saj, ama, rrëfen më së miri se Albin Kurti është thjesht një ndër të shumtët në elitën politike shqiptare në Kosovë, që politikë ndaj pakicave mendon teknikalitetin “kushtetues”, integrimin e Vuçiçit, a sulmin ndaj Vuçiçit.

Rrëfeu më së miri se elita politike shqiptare në Kosovë nuk di, nuk do, dhe nuk mundet të bëjë politika mbi pakicat; që mendon se të qenit serb në Kosovë është e papajtueshme me të mos qenit i Vuçiçit: që mendon se serbët mund të integrohen ose nga njëri esktrem duke i dhënë kompromise Vuçiçit, ose nga ekstemi tjetër duke i lënë nën hyqmin e shqiptarëve; që mendon se serb etnik e kosovar/shqiptar patriot njëherazi nuk mund të jesh.

Jo se nuk e dinim. Është kjo elitë, e çdo kahu, që kur kishte deputetë serbë që njihnin pavarësinë e Kosovës, zgjodhi të mos i bëjë ministra për të bërë Listën Srpska gogolin që njohim sot, që është formuar 50% nga Vuçiçi e 50% nga elita politike shqiptare e Kosovës; që zgjodhi që interesat financiare e milionat e eurove e punësimet t’i dirigjonte Beogradi dhe jo serbët që njihnin pavarësinë e Kosovës; që zgjodhi që të vendoste kryetarë shqiptarë në veri të Kosovës “se nuk gjente dot serbë”, të cilët i gjeti lehtësisht për nënkryetarë.

Kjo elitë politike edhe kur mbron, edhe kur sulmon, tregon qartazi se nuk di të bëjë politikë mbi pakicat, duke riskuar funksionalitetin e një shteti unitar, që ka çdo mundësi të jetë shqiptar dhe jo multietnik, por që me patetizmin populist të nacionalizmit folklorik riskon të jetë multietnik artificialisht prej gafave të veta.

Këtë sulm ndaj vetvetes le të mos e eksportojmë në jug të Shqipërisë politike, aty ku belerët e bollanot, kacifasit e papasët, janë një pakicë e papërfillshme, edhe pse e zëshme, që nuk ndikon në realitete në terren, veçse në zhurmë mediatike.

E ardhtë dita, që këtë sulm ndaj vetvetes në veri të hapësirave shqiptare, që nuk ndikon në zhurmën mediatike se ajo është e uzurpuar nga togfjalëshat millosheviçiane “serbët janë të gjithë njësoj”, ta shkërrmoqim që të prodhojë realitete të reja në terren, si ato të Serafim Jovanoviçit, një serbi par excellance etnik, që tregoi patriotizmin shqiptar deri sa vdiq nga dhuna jugosllave përmes duarve shqiptare.

Sepse kush nuk kupton se paradigma e integrimit do të thotë se dikush mund të jetë 100% shqiptar e njëherazi 100% pjesëtar i grupit etnik të vetë, thjesht e pastër dëmton interesin tonë kombëtar me dritëshkurtësinë që populizmi prodhon.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.