Shqipëria, e bekuar nga Perëndia, e mallkuar nga njerëzia!

0
279
Lumejtë e Shqipërisë

Mentor Kikia

(Ose vendi më i keqqeverisur në botë)

Meqë është verë, po flasim për ujin!
Qytetet shqiptare nuk furnizohen asnjëri me ujë të rrjedhshëm e të pijshëm 24 orë (ndoshta ndonjë andej nga juglindja, që të mos gaboj). Ka qytete që madje vuajnë shumë. Nëpër fshatra nuk ka fare rrjet.

Por Shqipëria është një nga vendet më të pasurë me këtë produkt të natyrës. (Se i treti, se i pesti, apo i teti në Europë, kjo s’ka rëndësi)

Shkurtimisht:
Shqipëria ka një rrjet prej 8 lumenjsh kryesorë që e përshkojnë atë lindje-perëndim në çdo 30-40 kilometra dhe një rrjet lumor dytësor e tretësor, që e përshkojnë të gjithë territorin e vendit, si kapilarët e gjakut një organizëm të gjallë.

Në këta lumenj rrjedh në det 1300 metër kub ujë në sekondë. Mjafton që ne të përdorim vetëm 1% të sasisë së ujit, që na shkarkon natyra për të qenë të mirëfurnizuar me ujë.
Ne kemi rreth 620 liqene artificiale (një numër rekord botëror, në raport me popullsinë), me një rezervë të përgjithshme mbi 42 miliardë metër kub ujë. Kemi një siperfaqe prej 226 km2 të zënë nga uji.

Por çfarë ndodh?
Bujqësia është e etur për ujë. Ne sot ujisim me pak se gjysmën e tokave që ujisnim para vitit 1990 dhe sivjet për herë të parë pas 35 vjetësh po pastrohen kanalet e ndërtuara në periudhën e komunizmit dhe që nuk ishin shkatërruar ende.

Njerëzit janë të etur dhe uji me shishe këtu kushton më shtrenjtë sesa qumështi.
E mendoni qytetin e Sarandës që thahet për ujë, ndërsa uji i kristaltë i Syrit të Kaltër derdhet në Kanalin e Çukës në det? Ndërsa italianët kanë dekada, që qëndrojnë me tuba në dorë për ta marrë e për të dërguar, nëpër det, deri në Pulia.

Dhe, me gjithë këtë ujë që rrjedh mbi tokë, dhjetra mijëra puse nëpër fshatra shfrytëzojnë rezervën nëntokësore të ujit, si të ishin në vendet e thata të Afrikës, një rezervë e krijuar në mijëra vite e që nuk rikrijohet kurrë më.

Një specialist ujërave në Ministrinë e Bujqësisë më ka rrëfyer një histori: Një koleg i Ministrisë së Bujqësisë së Izraelit vjen në Shqipëri dhe mes të tjerash vizitojnë edhe Kalanë e Rozafës. Nga lart shikon bashkimin e lumenjve Drin dhe Bunë, dhe liqenin më përtej.
Ky është një vend i bekuar, ky është më i bekuar se Jerusalemi” – thotë njeriu që i dinte vlerën ujit.

Po! Ky vend është i bekuar nga natyra apo perëndia, por është i mallkuar nga njerëzia. Ky është vendi më i keqqeverisur në botë, pa asnjë dyshim.

Ky vend ka gjithçka, vetëm njerëz që ta qeverisin drejtë dhe ndershëm jo. Nuk ka patur, nuk ka e nuk e di nëse do të ketë ndonjëherë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.