MULLA ADEM PAKASHTICA, PJESËMARRËS NË KONGRESIN E MANASTIRIT PËR ALFABETIN E GJUHËS SHQIPE

0

Mulla Adem Pakashtia

Gani I. Mehmeti
Gani I. Mehmeti

Gani I. Mehmeti

Jo të gjithë njerëzit, edhe po të duan, mund të qëllojnë në kohë e vende ku merren vendime historike. Kjo u takon vetëm atyre që në një mënyrë ia bëjnë vendin, edhe kur duan, po edhe kur nuk duan ata.

Kjo kishte ndodhur edhe me Mulla Adem Hoxhën – Pakashtica. Adem Hoxha, një nxënës i shkelqyeshëm e Medresës në Selanik, kishte pasur fatin të jetë pjesëmarrës, ani pse vetëm si dëgjues e shikues, në Kongresin e Manastirit, aty dhe atë ditë kur u themelua Alfabeti i sotëm e Gjuhës shqipe. Delegatët e këtij Kongresi kishin parë të arsyeshme që si pjesëmarrës të Kongresit të merrnin edhe nxënësit e shkelqyeshëm medresantë për ta bërë sa më madhështor, më interesantë e sa më të ligjshëm. Këtë fat e kishte pasur edhe Adem Hoxha, nga fshati Pakashticë e Poshtme aso kohe, më vonë i njohur me Mulla Adem Pakashtica.

Adem Hoxha i Pakashticës së Podujevës, si nxënës i shkëlqyeshëm, bashkë me drejtorin e Medresës së Selanikut në vitin 1908, bashkë edhe me nxënës të tjerë, ishin pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit me rstin e themelimit të Alfabrtit të Gjuhës shqipe më 22 Nëntor 1908.

Ndërtesa ku u mbajt Kongresi i Manastirit për Alfabetin e Gjuhës Shqipe më 1908.

Mulla Adem Pakashtica vetëm zyrtarisht është njohur si Adem Hoxha. Kjo për arsye se njihej si Mulla Adem Pakashtica.
Mulla-i m. (ar. Mawla – zotëri; tur. mevla) titull fetar mysliman që i jepet hoxhës; hoxhë i shkolluar1, dhe i tillë ishte ai për kohën. Të tillët ishin shumë pak.
Mulla Ademi, si medresant, ishte përparimtar. Ai e shkolloi birin e tij e biri i tij shkolloi edhe dy vajzat, nga pesë sa i kishte.

Mulla Ademi për femrën dhe moralin e saj, thoshte:
– Femna duhet me kanë rraspi veç për burrë të vet!

Mulla Adem Pakashtia ka lindur në vitin 1892 në fshatin Pakashticë të Poshtme. Aty i mori njohuritë e para mbi fenë, me gjasë tek axha i tij Mulla Hyseni i Dytë dhe tek kushëriri Mulla Bekteshi. Shkollën e Mesme Teologjike – Medresenë, e ka mbaruar në Selanik.

Kur Mulla Hamit Sejdiu kishte rënë në kundërshtim me pushtuesit serbë për çështje politike si imam në xhami, Mulla Dema vendoset për imam në këtë xhami, diku në vitet 1914-1915, për plot 27 vjet, deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore.

Ishte imam shtetëror, para të cilit kanë dhënë betimin ushtarak ushtarët e besimit islam kur Mulla Ademi, në kohën e lules së rinisë së tij, kur ishte vetëm 20 vjeçar, pas pushtimit të Kosovës nga Serbia. Me gjasë, ai aso kohe tek sa ishte bërë imam i Xhamisë në Pakashticën e Poshtme. Mirëpo, kur iu desh të largoheshin nga Pakashtica e Poshtme, ku kishte lindur dhe kishte bërë një moshë tani veç 30 vjeçare, i ndjekur prej kolonistëve serbë, ai me gjithë familjen e tij, një kohë kishin qëndruar në Zhiti çipçi, e më vonë vendosen në Pakashticën e Epërme, mbasi kishin arritur të blenin një copë tokë bashkë me truallin.

Dhe, deri sa Xhaminë në Pakashticën e Poshtme e kishte vetëm një 500-600 metra, nga ku e shihte edhe me sy ditë e natë, nga Pakashtica e Epërme i binte të udhëtonte mbi tre kilometra në njërin drejtim, për atë kohë nuk e bënin problem fare trekilometërshin, nga që u dukej shumë afër, sepse rrugën më këmbë, përveç me ndonjë kalë apo me qerre kuajsh, e bënin edhe deri në Podujevë (14-15 km), e shpesh edhe deri në Prishtinë.

Kolonizimi i vndit me serbë nga vise të tjera jashtë Kosovës, ndjekja e shqiptarëve për në Turqi, presion, torturat, vrasjet e shtypja në forma të ndryshme dhe ekonomike e atyre shqiptarëve që po përpiqeshin të mos shpërnguleshin ose që ishte ndërprerë me ndërhyrjen e Europës, e kishin vështirësuar jetën në trojet e tyre të shqiptarëve. Shih nga kjo, është i arsyeshëm gëzimi i pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania, sepse e dinin se nuk do të mund të ishte një armik më gjakpirës se serbët ndaj shqiptarëve, prandaj edhe Mulla Ademi e kishte mirëpritur atë.

Ndoshta për dikë mund të tingëllojë keq kjo, pse e kanë mirëpritur, por kjo është një logjikë e robit, sepse pret diçka më mirë.

Tani, duke qenë në një moshë të pjekur, Mulla Ademi inkuadrohet edhe në politikë, duke bashkëpunuar me gjermanët për gjithë kohën sa ata kishin qenë në Llap dhe kishte hequr dorë nga të qenët imam, në vendin e të cilit kishte ardhur Mulla Hyseni i tretë, edhe ky një kushëri i afërm i Mulla Ademit.

Në saje të njohjes dhe dijes ushtarake dhe të qëndrimeve të tij patriotike e trimërisë, Mulla Ademi ishte emëruar komandant i kufirit Kosovë – Serbi në rrethin e Llapit, nga se ai kishte gradën ushtarake Kapiten i klasit të parë, çka do të thotë se ka pasur njohuri ushtarake, strategji, e teknikë luftarake.

Mulla Ademi, edhe pse po punonte me gjermanët, ai ishte i lidhur edhe me partizanët. Ai ishte vizionar, i shihte gjërat larg, sikur e dinte se edhe gjermanët nuk do të mund të qëndronin gjatë, prandaj ishte lidhur edhe me luftën e partizanëve në mënyrë të fshehur.

Deri sa vet ishte lidhur me gjermanët, edhe i biri i tij ishte lidhurme Jahja Fushën, duk u bërë sekretar i tij, por që të dy, po bashkëpunonin me partizanët. Këta po u jepnin krahun edhe partizanëve, ani pse këta po e luftonin gjermanin, kishin mbajtur ilegalisht tre muaj Meto Bajraktarin bashkë me Ali Shukriun në Çenogë, lokalitet malor në veriperëndim të Pakashticës, pse ata po ndiqeshin nga gjermanët.

Mulla Adem Pakashtica ishte i ditur, krentar, një filozof, në realitet ishte edhe i drejtë, dhe gjatë kohës së okupimit gjerman, ka qenë anëtar i Islihatit për pajtimin e gjaqeve në trevën e Llapit gjatë gjithë kohës së pushtimi gjerman.

Bashkë me të birin, Muharremin, kanë marrë pjesë në Marrëveshjen e Trepçës më l944, por nuk kishin mundur të pajtojnë me kushtet e ofruara nga serbët dhe kishte pasuar një luftë e ashpër mes shqiptarëve dhe serbëve.

Siç dihet, forcat serboçetnike kishin marrë sërish Kosovën mbas kapitullimit të Gjermanisë. Në Serbi ishin të organizuar dhe të armatosur mirë. Ata, nën emrin e Partisë Komuniste, po bënin mizerje nëpër Kosovë. Edhe në Llap po vrisnin e po prenin, duke i quajtur bashkëpunëtorë të fashizmit edhe ata që nuk kishin qenë fare. Mulla Ademi mbetet në male, por problemin e kishte tek Muharremi, djali i vetëm i tij, i cili kishte qenë edhe sekretar i Jahja Fushës në Podujevë.

Pas LDB-së, për një kohë të dy këta, babë e bir, Mulla Ademi me Muharremin, kishin jetuar në male, pa guxuar të binin në dorë, sepse po ndiqeshin nga serbët. Kjo ilustrohet edhe me një anekdotë vërtet të ndidhur vërtet.

Ishte vera e viti 1946. Edhe duke qëndruar në mal, këta të dy, gjatë natës shkojnë për të ujitur arën. Një Sallah Revuçi e dinte se këta ishin të ndjekur. Dhe, për ta ujitur ai arën e tij në Valavica, po bisedonte në gjuhë serbe vetmevete, por sikur ishte edhe me dikë tjetër, duke e përmendur Hoxhën dhe të birin Muharremin, se duhet zënë ata.

Kur Mulla Ademi e dëgjon, por nuk shihej, e merr Muharremin e marrin arratinë, duke e lënë të ujiturit. Sallahu, tani shkon e merr ujin dhe e ujit arën e tij gjithë natën, se nuk kishte ujë të mjaftueshëm për të ujitur të dy palët.

Mulla Adem Pakashtica, disi bie në dorë përmes njerëzve dhe pas Luftës së Dytë Botërore është marrë vetëm me pleqni në Llap dhe në mbarë Kosovën, që i kishte mbetur veprimtaria e vetme humane deri në vdekje, duke dhënë një kontribut të çmuar në këtë lami. Kur dikush nga Llapi pyeste për çkado qoftë ndonjërin nga krentarët tjerë të Kosovës, për probleme të ndryshme, ata u përgjigjeshin llapjanëve: ”Ju të Llapit e kini Mulla Ademin. Nuk kini nevojë të harxhoheni e të vini te na. Shkoni tek Mulla Ademi! Ai di ma shumë se na! – tregonte Jahir Potoku, krentar, i cili ka ndejtur e ka pleqnuar kohë të gjatë me Mulla Ademin.

Mulla Ademi është shquar edhe si shumë humorist, krijues i shumë anekdotave. Mulla Ademi pati fatin të jetojë gjatë – deri në moshë të thyer, po mendjen e kishte të mprehtë gjithherë. Për të flasin me admirimin më të madh të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin, prandaj nuk është për t`u çuditur se pse ai është fytyrë e shquar e Pakashticës gjatë gjithë shekullit njëzet edhe në jetën politike, shoqërore, edukuese dhe të pleqnive brenda e jashtë trevës së Llapit. Ishte orator dhe shumë i gjindshëm sipas rasteve.

Në vitin 1968 qe shpërngulur në Podujevë, duke blerë tokën e një serbi prej më shumë se dy hektarësh vend. Aty sot jetojnë nipat e stërnipat e tij.
Vdiq më 7.VII.1979, në moshën 87 vjeçare, në Podujevë. U varros në Pakashticë, në varrezat te Xhamia.

Shtëpia – Kullë e Mulla Ademit, në Pakashticën e Epërm


[1] Mikel Ndreca: Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, “Rilindja” 1986, faqe 483.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.