GJYQI I QENIT

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Shkrimtar :: Ueb- & Grafikdizajner

Nga Gjon Marku

  • Tregim

Efti, nusja e djalit të madh, ku Ceni kishte qenë i detyruar të vinte për të jetuar, pasi e kishte palosur dosjen mbi të cilën kishte ndenjur pothuajse gjithë atë pasdite, u ngrit dhe thirri qenin qimegjatë me emrin Flori, që të shkonte në banjo. Ai u ngrit gjithë përtesë prej kolltukut ku flinte dhe, pasi u hodhi një vështrim të dy pleqve, u drejtua për atje, ku pas tij, me një peshqir të madh në duar, hyri edhe ajo.

Xhemali, i biri, me një libër në dorë, rrinte në heshtje pa folur qoftë edhe një fjalë. Ndërsa e shoqja plakë kotej në kolltukun ku ishte ngulur gjithë atë pasdite të gjatë pa luajtur nga vendi. Se si ishte bërë ajo dreq plake! Sikur tretej. Humori i dy pleqve kishte mbaruar prej kohësh dhe tani ata, si kërcunj, heshtnin derisa koteshin në kolltuqet ku rrinin si në gjemba.

Ai nxori nga xhepi kutinë e duhanit dhe drodhi një cigare, por vështrimi përtej syzeve i së mbesës i dha të kuptonte se nuk mund ta ndizte. Kështu kishin rënë në ujdi që në fillim e tash…

Qeni Flori, pas dushit të stërzgjatur, lëvizi nga banjoja në drejtim të dhomës së ndenjjes. Leshrat e tij të gjata binin deri në dysheme, ndërsa sytë i humbisnin thellë nën qime që dukeshin si flokët e ndonjë shtrige, ndërsa macja Keti vështronte ngultas lëvizjet e tij.

Doli prej andej edhe nusja e djalit, e cila, pasi shkoi njëherë në dhomën ku flinin ata të dy, erdhi me një kuti plot vegla, në mes të të cilave e para që hyri në punë qe tharësja e flokëve. Procesi i tharjes së qimeve të gjata të qenit zgjati jo pak. Pastaj filloi ta krihte me kujdes qimegjatin, si të ishte një fëmijë i mitur.

Dhe, sikur të mos kishte mjaftuar e gjitha kjo, edhe pse ora kishte kaluar 11 të natës, ajo thirri Ketin që të rendte drejt banjos.

Ai deshi të thërriste: “Po darkë, kur do të hamë?”, por u përmbajt, edhe pse plaka e tij ishte kërrusur në kolltuk.

I njëjti ritëm pune edhe me macen Keti. Pastaj, në dy pjata u hodh ushqimi për to dhe ato, gjithë qejf, u nisën për në krevatet e tyre.

– Ngrihu, baba, e shko në banjo.

Plaku i trembur vështroi të birin. Vallë, nusja do t’i bënte dush edhe atij si Florit apo Ketit? Por ajo s’e la të thoshte asgjë, sepse e urdhëroi të shkonte në banjo që të lante duart, se do të shtrohej darka.

Ai ashtu bëri. Hyri në banjo, i lau duart, por, kur deshi t’i fshinte, u kujtua se me atë peshqir ishte fshirë Flori. Menjëherë i mblodhi duart. Vështroi edhe peshqirin tjetër, ku, me sa duket, ishte fshirë Keti dhe, pasi i fshiu në trikon që kishte veshur, duke i futur herë njërën e herë tjetrën nën sqetulla, u drejtua për në dhomën ku pritej të hahej darka.

Pas tij qe plaka që vajti në banjo. Kur ajo u nis për atje, ai, me të qeshur, i tha plakës që të mos fshihej në peshqirin e qenit. Efti urdhëroi të bijën që të merrte një peshqir për nënën.

Pas darke, ai u drejtua për në ballkon, ku ishte përshtatur si dhomë fjetjeje për të. Gruaja e tij do të flinte në aneks, ku i montohej një krevat portativ. Ajo hynte këtu sa herë që atyre u vinin vizitorë të “lartë” dhe dilte prej andej vetëm kur ata largoheshin.

Kur nuk kishte njeri të huaj në shtëpi, ajo kotej e ngulur në kolltuk, por pa mundur të fliste qoftë edhe një fjalë të vetme, pasi të gjithë ngjesheshin në libra dhe nuk duhej të bëhej zhurmë.

I biri, mjaft i revoltuar, e kishte porositur Cenin të bënte kujdes. Nuk duhej të fliste, se ndryshe do ta pësonin të gjithë. Madje kishte guxuar t’i thoshte se kishte bërë gabim që kishte thënë atë shprehje për “Rrugën e Partisë”, pale më po ta tepronte sërish.

Nusja, si grifshë, sillej tepër ftohtë me ta dhe, ndërsa Florit dhe Ketit u kushtonte një kohë të gjatë, për ata as që bëhej fjalë. Madje u thoshte të mos bënin zhurmë, kur ata pëshpërisnin ndonjëherë ndërsa ajo lexonte.

U shtri në krevat, por mendja i fluturoi në fshatin e largët ku ai kishte banuar një jetë të tërë, atje ku kishte lindur e jetuar me kushërinjtë e tij, e tani, në moshën 70-vjeçare, e kishte braktisur. Shkak për këtë ishte bërë pikërisht ajo mbledhja e fundit, ku ai ishte thirrur të jepte llogari pse kishte humbur ato dy revista.

Pastaj ai, sekretari i organizatës së partisë së katundit, një budalla e gjysmë, i ishte drejtuar:

– Ke humbur “Rrugën e Partisë”.

Por ai, aty për aty, i ishte përgjigjur se “Rrugën e Partisë” e kishin humbur ata. Edhe pse kishte qenë fjala për revistën, anonimët kishin nisur letrat drejt një dreqi e di se kujt.

Këtë i biri ia kishte përmendur, por plaku shakaxhi kishte luajtur sërish rolin e budallait dhe të birit i ishte përgjigjur se “Rrugën e Partisë” e kishte humbur ai bashkë me atë budallain, e mjerë partia që e ka. Por i biri, tejet i trembur, i ishte lutur që të mos fliste.

Pastaj iu kujtua gjyqi i bashkëfshatarit të tij, i cili kishte thyer dyqanin e katundit, ku ai kishte qenë i thirrur si dëshmitar. Por edhe atje kishte luajtur rolin e budallait dhe nuk kishte pranuar të prononcohej. Madje, kur gjykatësi i ishte drejtuar me provat gjyqësore, ai menjëherë kishte kërkuar njërën prej tyre dhe atëherë gjykatësi i kishte sjellë si provë qenin, i cili kishte vajtur deri te shtëpia e të kushëririt.

Por ai i ishte drejtuar gjykatësit me pyetjen befasuese:

– Pse, kë dreqin beson më shumë Partia, mua apo qenin?

Në sallë kishin shpërthyer të qeshurat, ndërsa gjykatësi menjëherë kishte mbyllur seancën.

Po qeni i tyre, në fakt, nuk ishte si leshgjati i të birit, që gjithë ditën pothuajse flinte.

Hapi dritaret dhe nxori nga xhepi kutinë e duhanit. E mbushi mirë e mirë çibukun e tij dhe nisi të thithte me gjithë mëllef. Pothuajse gjithë natën nuk kishte fjetur. Ai ishte mësuar të bënte shaka gjithë ditën, ndoshta edhe me zarar, por jo të heshtte e të bënte kujdes në çdo fjalë. Sa herë fliste me të birin, ai zihej mat, sepse plaku aty për aty ia kthente muhabetin…

Të nesërmen u ngrit ngadalë dhe hyri në dhomën e ndenjjes, ku plakën e tij, të zbuluar, e kishte zënë gjumi në divan. Krevatin e saj portativ e kishte mbledhur nusja.

I bëri zë të shoqes që të çohej e t’i bënte një kafe. Ajo u ngrit, por s’dinte ku t’i gjente takëmet e kafes.

U zgjua pastaj Flori qimegjatë, i cili hyri në dhomën e ndenjjes i shoqëruar nga Keti. Të dy vështruan pleqtë dhe u drejtuan drejt frigoriferit, derën e të cilit e hapën me këmbë.

– Pic e dreq! – thirri plaku dhe u turr t’i trembte, por ata të dy e vështruan me mospërfillje, ndërsa plaka ndërhyri menjëherë:

– Lëri, plak, se do të hanë ushqimin e tyre. Kështu tha nusja.

Të dy hëngrën në pjatat e vendosura në katin e parë të frigoriferit dhe pastaj u ulën.

– Po ne, moj plakë, s’paskemi ditur asgjë! Pse, për t’u lënë jashtë ka qenë ai qeni ynë…

Plaka, teksa vështronte të shoqin, i tha se ishte mërzitur e nuk e shtynte dot më. Pastaj kishte plasur sherri.

– Për fajin tënd i kemi të gjitha këto. Ty s’të pushonte goja. Ti talleshe me Partinë, prandaj na solle këtu. Pse, keq ishim ne atje? Jetonim si mos më mirë. Këtu s’ke me kë të flasësh, s’ke me kë të rrish. S’guxon të flasësh, se u prishet qetësia. Boll më… Qeni çohet çdo mëngjes e ha mish, ndërsa ne presim deri pas mesnate që të shtrohet darka.

Qeni dhe macja vështronin njëri-tjetrin dhe ata të dy që ziheshin në divanin përballë tyre. Nisi edhe ai të lehë, ndërsa macja të mjaullinte.

– Boll, plakë, se do t’ia tregojnë nuses kur të vijë, – ndërhyri plaku dhe, pasi mori xhaketën, tha se do të dilte.

Plaka e ngratë lutej që të zbatonte porosinë e të birit. Qeni lehte, ndërsa ai përplasi derën.

*

* *

Në fshat, historitë plot humor të xha Cenit ishin ngjarje e ditës. E çfarë nuk kishte thënë ai! Nuk kishte mbledhje të katundit ku ai të mos i kishte bërë të gjithë të qeshnin. Të vetmit që e kishin inat ishin drejtuesit a ndonjë trutharë, i cili më së shumti kthehej në personazh të tregimeve plot humor të xha Cenit.

I biri me të shoqen ishin kthyer nga puna, ndërsa ai akoma nuk kishte ardhur dhe plaka e shkretë rrinte gjithë frikë se i biri do të niste sërish sherrin dhe fjalët për të atin «grindavec», që grricej me katundin…

Kur po shtronte tavolinën për të ngrënë Efti, ai menjëherë thirri:

– Baba, hajde të hamë drekë, se kam sjellë edhe dy shishe me verë…

Plaka u drodh e tëra. Qeni qimegjatë nisi të lehë.

O Zot, mendoi ajo, mos i thotë për fjalët e atij matufit.

– Hajde, baba, se tavolina është gati…

– Ka dalë, more bir, të keqen nëna…

– Kush ka dalë? – pyeti tjetri i trembur.

– Yt atë. Ka dalë që në mëngjes e nuk është kthyer fare.

– Po ku ka vajtur?

– E ku ta di unë, e shkreta? – u përgjigj plaka.

Ai u vesh dhe doli, duke e lënë tavolinën të shtruar.

Efti u ul të hante e shoqëruar prej dy vajzave të saj, ndërsa plaka, gjithë merak, priste të birin.

Nuk kishte kaluar shumë dhe të dy u kthyen. Dukej se kishin këmbyer ndonjë fjalë të keqe, edhe pse asnjëri nuk foli.

U ulën në tavolinë dhe i biri hapi shishen e verës, por tjetri nuk piu asnjë gllënjkë.

Macja u afrua e nisi të fërkohej nëpër këmbën e tij.

– Pic, he dreq! – bëri ai, duke i rënë me shqelm, sikur t’i ishte afruar një shpifurinë e jo macja Keti, që ishte aq e dashur për të gjithë.

Mbasdite vonë ata dolën, duke thënë se po shkonin në teatër.

– Ku dreqin ishe? – pyeti plaka.

– Kam qenë në varrezat e vjetra të qytetit, ku është varrosur ai djali i xhajës, por varrin nuk e gjeta. Nuk orientohesha dot. Kanë kaluar kaq vite që kur unë e solla atë këtu, ku u operua e më pas vdiq. S’ia dimë as varrin. Po si dreqin e paskam harruar… Nejse…

– Bëtë llafe me tët bir? – pyeti ajo butë, sikur të donte ta mëshironte.

– Jo, jo, po ai ka frikë nga hija e tij. Është leshko nga trutë e s’merr vesh nga kjo dynja. Librat e kanë bërë hutaq. S’e sheh si ia luan gishtin e shoqja? Këtu bëhet si thotë ajo. Pa le, më kreh e më lan qenin, si ta ketë djalin e shpirtit. I blen kuti mishi çdo ditë.

– Mos fol, se…

– Mirë, mirë, se ia rregulloj atij…

Keti ishte afruar te plaka dhe fërkohej.

Ai mori një jastëk dhe ia ngjeshi maces, e cila u largua duke mjaullitur, por menjëherë i doli në mbrojtje Flori, i cili filloi të lehte.

Erdhi darka. Ata, gjithë humor, hynë në pallat. Edhe pse atë natë munguan librat, pleqtë sërish qenë të detyruar të futeshin në ballkonin e përshtatur si dhomë.

Atë natë prisnin disa vizitorë “të lartë”, ndaj pleqtë u mbyllën sërish në ballkonin që shërbente si dhomë fjetjeje dhe dolën prej andej vonë, pas orës njëmbëdhjetë, kur u shtrua darka.

Sapo u vendos mbulesa, xha Ceni e urdhëroi të birin të sillte shishen e rakisë. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë tjetër, kështu që të gjithë u stepën.

– Shishen e rakisë! – urdhëroi sërish ai.

Efti, me mospërfillje, tha se nuk kishte as edhe një pikë.

– Shishen e rakisë! – iu drejtua sërish të birit me një ton urdhërues, saqë urdhri i tij i ngjante urdhrit të një gjenerali.

– Të thamë që nuk ka, baba, – ndërhyri i biri me një ton foshnjori, edhe pse ishte drejtues i një teatri prestigjioz.

– Spurdhjak! Kur të kam pritur unë ty pa raki? Fytyra e tij kishte marrë një pamje të pazakontë. Thellë tij ndjehej një duf i brendshëm. Pse, çfarë jemi ne? S’e sheh jot ëmë si është bërë?

– Pusho, baba, – ndërhyri Efti. – Gjuha jote është tepër e gjatë. Ne të morëm e jeton si zotëri e s’të lamë atje që të ta shkurtonin.

– S’ke turp! Guxon të më thuash mua se gjuhën e kam të gjatë? Ti, që gjithë ditën kreh e përkëdhel një qen, e trajton më keq se qenin të jëmën e këtij këtu që të vjen ty mbas ojnash, e fsheh herë në banjo e herë në ballkon sa herë të vijnë ty zuskat këtu. E ngre që pa gdhirë dhe e vë të flerë pas mesnate. Mban këtu një qen e një mace, pse shpirtin e ke si ato. Këtu na keni marrë se kishit frikë nga hija juaj. Kishit frikë se ju rrëzohej karriera. Na fshihni në ballkon sa herë vijnë njerëz. Pse, kush e polli këtë?! Kush? Të kemi dërguar dyshet e fundit të lekëve që të shkolloheshe ti!

Dora e tij dridhej. Qeni nisi të lehë fare afër tij. Pa u menduar, i futi një shqelm dhe ai nisi të cingërojë.

Ajo e mori qenin në krah dhe hyri në dhomën e fjetjes, duke e puthur në kokë.

– Baba…

Tjetri e vështroi rreptë dhe u ngrit nga tavolina, duke i dhënë asaj një të shtyrë aq sa desh u derdhën pjatat. Pastaj, duke përplasur derën e dhomës, hyri në ballkon.

Ditët ia kishin lënë vendin njëra-tjetrës. I njëjti avaz: leximi i pasdites, larja e qenit, e maces, ushqyerja e tyre, pastaj, tepër vonë, darka. Plaka ishte bërë si kërcu i zi, ndërsa ai ishte mbyllur në vetvete aq ditë, saqë dukej tjetër njeri, derisa i kishte shprazur të tëra. Gjithë natën nuk fjeti e, më në fund, kishte vendosur të ikte.

Dita ishte me diell, e kthjellët si xham, ndërsa ajri i pastër si në një ditë pas shiu. Xha Ceni doli prej shtëpisë së tij vetëm pak pasi ata ishin nisur për në punë. Por nuk ishte vonuar. Kishte trokitur në derë fort, me një padurim të dukshëm.

– Ç’ke që bën si i çmendur?

– Bëhu gati, plakë, se do të ikim.

– Ku? – pyeti ajo gjithë hutim.

– Në fshat, te shtëpia e vjetër.

– Çfarë? Mos ke luajtur?

– Vishu, të thashë, se do të ikim! S’dua të ta përsëris më!

Plaka hyri në dhomën-ballkon që të vishej.

– Dëgjo, merri të gjitha, se do të shkojmë të banojmë atje.

Flori, te frigoriferi, mbllaçiste ushqimin e tij të përditshëm.

– Puh, e dreq! – dhe i ra prapë me shqelm.

Por ai nisi sërish të cingërojë.

– Ta rregulloj unë ty! – mërmëriti me vete dhe i thirri Florit.

E rrëmbeu në krah dhe, si të ishte një lëmsh leshi, e hodhi përtej dritares së ballkonit.

U përpëlit gjatë i ngrati Flori, i rënë përmbys mbi barin e lulishtes, ndërsa xha Ceni vështronte si jepte shpirt kafsha.

Studentët në godinën përballë kishin dalë në dritare dhe vështronin e bënin me gisht nga ballkoni, prej nga ishte hedhur Flori.

Plaku e mbylli kanatën, duke e lënë qenin të ulërinte katër kate më poshtë, në lulishte, dhe doli me një çantë të vogël në dorë.

– Ikim! – urdhëroi të shoqen me një ton aq të rreptë, saqë ajo nuk pati forcë të kundërshtonte.

Kur dolën, panë se poshtë pallatit ishin mbledhur shumë njerëz e vështronin Florin, ndërsa nga godina e studentëve vinin thirrje dhe zëra, si të ishin në ndonjë karnaval.

Vetëm pak minuta më pas, Xhemali u gjend atje, në shtëpinë e tij bosh.

I ra telefonit dhe urdhëroi Eftin të kthehej menjëherë në shtëpi.

– Jam bërë gati të hyj në skenë. Si mund të vij tani?

– Shpejt në shtëpi! – urdhëroi me një ton të pazakontë.

Efti e bëri atë copë udhë nga teatri në shtëpi me një frymë.

Kush dreqin të ketë vdekur? – mendoi me vete. Mos babai?

Kur pa poshtë ballkonit Florin ashtu të dërmuar, desh ulëriu dhe ngjiti me një frymë shkallët. Duke menduar atë të cilin do ta kapte për gryke, por brenda gjeti veç Xhemalin, të plandosur në divan.

– Idiot! Ç’më rri si guak? Dil e merre qenin… se u bëmë gazi i botës! Të kisha thënë se është matuf.

Tjetri u ngrit dhe papritur ia ngjeshi një shuplakë. Kjo nuk kishte ndodhur herë tjetër, edhe pse ata kishin gjashtëmbëdhjetë vjet martesë.

Hyri në dhomë, mori paketën e duhanit të të atit dhe ndezi një cigare. Doli duke përplasur derën dhe rendi drejt njërës prej kafeneve afër universitetit.

Hyri brenda dhe porositi një konjak e një kafe.

Një grup studentësh qeshnin dhe tregonin historinë e qenit të hedhur nga ballkoni i katit të katërt përballë godinës së tyre.

E piu menjëherë gotën e konjakut dhe doli, duke harruar të paguante.

Nuk dinte ku të shkonte.

Kthimi i xha Cenit në fshatin e tij të lindjes ishte pritur si ngjarje e veçantë. Qysh natën e dytë të mbërritjes atje, ai ishte gjendur në njërën nga mbrëmjet e të rinjve të fshatit, ku gjoksi i tij sikur kishte marrë frymë më lirshëm.

Kishin nisur sërish batutat dhe humori i tij i vjetër; xha Ceni po merrte frymë si njeri i lirë.

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Shkrimet e fundit