Kush është Krijuesi i Bitcoin, Satoshi Nakamoto? Çfarë dimë – dhe nuk dimë për të?

0
1004
Satoshi Nakamoto

Një statujë e Satoshi Nakamoto qëndron në Budapest edhe pse identiteti i krijuesit të bitcoin nuk është konfirmuar. PHOTO: JANOS KUMMER/GETTY IMAGES

Në një epokë, në të cilën është e vështirë të jesh anonim, identiteti i shpikësit të kriptomonedhës mbetet një mister

Nga Paul Vigna, 7 dhjetor 2021WSJ.comPërktheu Arben Çokaj

Trembëdhjetë vjet më parë, një person ose grup që përdorte emrin Satoshi Nakamoto publikoi një letër, që përshkruante një sistem të ri softuerësh, të quajtur bitcoin. Sot bitcoin vlen më shumë se 1 trilion dollarë dhe ka ndezur një fenomen që, sipas përkrahësve të tij, mund të rilidhë të gjithë rrjetin financiar global.

Sidoqoftë, ekziston një mister në zemër të bitcoin. Kush është në të vërtetë Satoshi Nakamoto?

Jeta e shkurtër publike e Satoshi Nakamoto

Më 31 tetor 2008, Satoshi Nakamoto dërgoi një letër me nëntë faqe një grupi kriptografësh, duke përshkruar një formë të re të “parave elektronike” të quajtur bitcoin.

Në atë kohë askush nuk kujdesej për identitetin e Nakamoto-s. Shumica e njerëzve në atë grup ishin skeptikë për vetë idenë e bitcoin.

Kriptografët dhe zhvilluesit si Hal Finney, Nick Szabo, David Chaum dhe Wei Dai ishin përpjekur për më shumë se një dekadë të zhvillonin një version elektronik të parave të gatshme. Të gjithë ata kishin dështuar, për një sërë arsyesh.

Më 9 janar 2009, Nakamoto nisi rrjetin e bitcoin. Z. Finney ishte një nga të paktët, që ishte i intriguar prej tij dhe në javët e para të dy punonin nga distanca për të funksionuar rrjeti. Transaksioni i parë me bitcoin shkoi nga Nakamoto te Z. Finney.

Për rreth dy vjet, ndërsa bitcoin rritej ngadalë, Nakamoto shkroi në bordet e mesazheve dhe shkëmbeu privatisht emaile me zhvilluesit. Në dhjetor 2010, Nakamoto ndaloi së postuari publikisht dhe ndaloi së foluri me zhvilluesit në vitin 2011. Nakamoto ia kaloi udhëheqjen e projektit Gavin Andresen, një zhvillues softuerësh.

A dimë diçka për Nakamoton si person?

Jo në të vërtetë. Në mesazhet publike, madje edhe në mesazhet private që u publikuan më vonë, Nakamoto nuk foli kurrë për asgjë personale. Asgjë biografike, as për motin, as për gjërat që ndodhin në vend. Gjithçka kishte të bënte me bitcoin dhe kodin e tij.

Nakamoto përdori dy adresa emaili dhe një faqe interneti. Identiteti i personit, që i ka regjistruar është i bllokuar.

Nuk ka asnjë informacion tjetër publik. Në një epokë, në të cilën është e vështirë të jesh anonim, Nakamoto mbetet një fantazmë.

Por a nuk është Nakamoto i pasur?

Janë rreth një milion bitcoin, që janë “minuar” në vitin e parë të bitcoin dhe që nuk janë zhvendosur kurrë.

Sot ato bitcoin kanë vlerë rreth 55 miliardë dollarë. Kjo do ta bënte Nakamoton një nga 30 njerëzit më të pasur në botë, sipas listës së miliarderëve në kohë reale të Forbes.

Supozohet se ato një milion bitcoin kontrollohen nga Nakamoto – dhe vetëm Nakamoto. Për t’i zhvendosur ato duhet të keni “çelësin privat” – një varg i gjatë dhe unik shkronjash dhe numrash që kontrollon aksesin.

Personi që i lëviz ato do të kishte një pretendim shumë të fortë për të qenë Nakamoto.

Pra, pse nuk janë shitur?

Në vitet e para, komuniteti i kriptomonedhave supozoi se Nakamoto mbeti anonim dhe i la ato bitcoin të paprekura, kryesisht nga frika. Nuk dukej e paarsyeshme, që shpikësi i bitcoin mund të arrestohej. Në vitet e fundit, megjithatë, shumica e qeverive – Kina është përjashtimi i madh – kanë pranuar bitcoin në shkallë të ndryshme.

Ka kaluar një dekadë, që kur Nakamoto u zhduk. Është e mundur që krijuesi i bitcoin ka vdekur, pa i dhënë dikujt tjetër çelësat privatë. Është gjithashtu e mundur, që Nakamoto ka humbur çelësat dhe nuk mund t’i lëvizë bitcoinat e bllokuar.

Dikush duhet të jetë Nakamoto, megjithatë, apo jo?

Po, dhe me kalimin e viteve, pothuajse kushdo që punonte edhe nga distanca të ngjashme me bitcoin – si z. Finney, i cili vdiq në 2014 dhe z. Andresen – është cilësuar si Nakamoto. Të gjithë e kanë mohuar dhe nuk ka prova, për të vërtetuar të kundërtën.

Në vitin 2014, një grup studentësh dhe studiuesish në Universitetin Aston në Birmingham, Angli, kryen një analizë gjuhësore dhe arritën në përfundimin, se zoti Szabo kishte shumë gjasa të ishte Nakamoto. Të tjerë kanë pohuar se ai është gjithashtu Nakamoto. Z. Szabo e ka mohuar pretendimin.

Kush është Craig Wright?

Z. Wright është një programues australian, që jeton në Londër, i cili në vitin 2016 pretendoi se ishte Nakamoto. Pretendimet e tij u analizuan shpejt dhe u refuzuan në komunitetin e bitcoin. Ai u zotua të provonte se ishte Nakamoto, duke lëvizur disa nga ato bitcoin të hershëm. Deri më sot, ai nuk e ka bërë këtë.

Vitet e fundit, z. Wright është përpjekur të grejë çështje gjyqësore për pretendimin e tij. Ai ka paraqitur kërkesë për patentë, për softuerin e bitcoin, edhe pse ai u lëshua si një projekt me burim të hapur, dhe paditi një host të podcast-it, i cili tallte publikisht pretendimin e tij për shpifje.

A e zbuloi padia në Florida identitetin e Nakamoto-s?

Vetë zoti Wright u padit nga familja e një kolegu të ndjerë të quajtur Dave Kleiman. Padia pretendonte se zotërinjtë Wright dhe Kleiman zhvilluan bitcoin së bashku, si pjesë e një partneriteti biznesi dhe se zoti Wright i detyrohej familjes së zotit Kleiman gjysmën e atyre një milion bitcoin.

Megjithatë, juria nuk gjeti prova, që të dy e krijuan bitcoin së bashku. Nëse do ta kishin bërë, zoti Wright mund të ishte detyruar ligjërisht të shiste disa nga ato bitcoin, për të ndihmuar në pagimin e çdo çmimi monetar. Pra, ndërkohë që nuk do të ketë asnjë presion ligjor, nëse zoti Wright nuk provon pronësinë e bitcoins të Nakamoto-s, shumica e njerëzve në botën e bitcoin do të vazhdojnë t’i hedhin poshtë pretendimet e tij.

Dhe derisa dikush t’i lëvizë ato bitcoin, nuk ka gjasa që dikush të pranohet si krijuesi i vërtetë i bitcoin.


Një strukturë e minierave të bitcoin në veri të Nju Jorkut, po përdor energjinë elektrike nga një hidrocentral lokal, i fuqizuar nga lumi Niagara. Kompania është pjesë e një grupi minatorësh, që përpiqen ta bëjnë industrinë më të qëndrueshme, si në aspektin mjedisor ashtu edhe në atë financiar. Ilustrimi: Alex Kuzoian/WSJ

Shkruaj për Paul Vigna at Paul.Vigna@wsj.com

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.