XHEVAHIR SPAHIU POEZI TË VITEVE 1970-1990

1
873
Xhevahir Spahiu

XHEVAHIR SPAHIU NJË INDIVIDUALITET I SPIKATUR POETIK

Mujë Buçpapaj
Mujë Buçpapaj

Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Xhevahir Spahiu hyri në poezinë shqipe i mbushur me shumë energji, frymëzim dhe përgatitje, për të çuar më tej arritjet, që poezia shqipe i kishte shënuar në vitet 1960. Autoriteti në ngjitje i tij dha të kuptojë se një individualitet poetik me intuitë të fortë poetike dhe shpesh racionale, po vinte për të marrë vendin e tij në poezinë shqipe.

Ndërsa hierarkia ishte vendosur dhe siç thotë akademik Shaban Sinani “portat ishin mbyllur”, një i ri i ardhur nga një fshat i vogël i Skraparit, kishte jo vetëm imagjinatën, por edhe vendosmërinë për çelur një rrugë të re të pangjashme me të parën.

Fillimi i vitit 1970 do të ndryshonte natyrën e poezisë shqipe duke afirmuar një linjë të re, si përvojë personale, e një brezi të rinjsh si Xhevahir Spahiu, Frederik Rreshpja, Moikom Zeqo, Fasli Halitit, Ndoc Papleka, Skënder Buçpapaj, Sadik Bejko, Natasha Lako, Rudolf Marku, Sulejman Mato, Koçi Petriti, Bardhyl Londo, Hamit Aliaj, Agim Isakut, Agim Spahiu, Bajazit Cahani etj.

Prirja poetike, e këtij grupi poetësh të rinj të çonte më shumë nga modeli perëndimor i vargëzimit, figuracionit dhe strukturës poetike, duke bërë një ndryshim formal edhe me brezin pararendës, i cili kishte dukshëm ndikime nga shkolla e lirikës ruse dhe i përkisnin si të thuash stilit klasik apo neoklasik të poezisë. Sido që ai brez e kishte liberalizuar vargun dhe modernizuar atë, e kishte zgjeruar tematikën dhe bërë një revolucion estetik, kishin ruajtur rimën tradicionale dhe strukturën e qartë dhe të kuptueshme, me pak ndryshime nga njëri poet tek tjetri.

NË FOTO: XHEVAHIR SPAHIU DHE MUJË BUÇPAPAJ, TIRANË 15 MAJ 2023

Akoma më tej, brezi i Spahiut dhe Rreshpjes etj, do ta çlironte poezinë nga ngjyrimet e theksuar politike, fryma e tepërt partiake, aq e pranishme në atë kohë në letërsi dhe arte. Nga pikëpamja e angazhimit letrar, siç thuhej në atë kohë, ky brez e shmangu aq sa mundi rolin e zëdhënësit të revolucionit socialist dhe konfirmimit të fitoreve të kërkuara në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar, duke pranuar një rol më njerëzor dhe kompleks në poezi. Kjo zgjedhje nuk do t’u siguronte karrierë dhe privilegje të tjera këtij brezi letrarësh, por u ka siguruar atyre një vend të gjithëkohshëm në poezinë shqipe.

Xhevahir Spahiu, i sprovuar si askush në një jetë të vështirë, nuk e trembin hijet e rënda të Agollit, Kadaresë, Arapit dhe Qiriazit, por do të luftonte si një konkurent i fortë, për të bërë sfidën me armë të tjera poetike.

Lufta për eksitencë e kishte kalitur qysh në fëmijërinë e hershme në fshatin e tij, kur për të shpëtuar delen e rrëmbyer nga ujku e sulmoi dhe e ndoqi egërsirën pa iu trembur syri. Po çfarë ishte Malindi, që do të bëhej një pjesë e hartës së re të gjeopoezisë shqipe, bashkë me Tplanin e Skënder Buçpapajt, Lekbibajt e Ndoc Paplekës, Dukagjinin e Frederik Rreshpjes dhe më tej Cabratin e Ali Podrimjes, Rugovën e Azem Shkrelit dhe Menkulasin e Dritëro Agollit?

Në disa paragrafë më poshtë jam marrë shkurtimisht me biografinë e poetit, pasi mendoj se ka patur lidhje të drejpërdrejtë me veprën e poetit.

Teoricienët e famshëm Rene Welek dhe Austin Warren në librin e tyre “Teoria e letërsisë”, ndërsa e shikojnë studimin e një vepre letrare në planin e brendshëm dhe të jashtëm, tek kjo e fundit, biografinë e shkrimtarit e shohin si me ndikim në shpjegimin e vetë veprës, si element që hedh dritë mbi vetë veprën e artit dhe me lidhje të drejtpërdrejtë me të.

Sipas tyre: “Për biografinë mund të flitet dhe gjykohet për aq sa hedh dritë mbi vetë veprën e artit; por natyrisht ne e mbrojmë dhe e përligjim biografinë edhe si një studim për gjeniun dhe talentin, për zhvillimin e tij moral, intelektual dhe emocional dhe kjo ka interesin e vet të brendshëm; më në fund themi se biografia jep materiale për një studim sistematik të psikologjisë së shkrimtarit dhe të vetë procesit krijues.”

Nisur nga ky koncept i teoricienëve të njohur amerikanë, unë kam kërkuar dhe gjetur disa të dhëna për poetin, duke filluar nga vendlindja e tij, Malindi i Skraparit.

Po çfarë ishte ky fshat me lidhje të forta shpirtërore me Spahiun?

Malindi është një fshat malor dhe mjaft piktoresk, rreth 25 kilometra në jug të qytetit të Çorovodës, që vendasit thonë se e ka marrë emrin nga “fenomeni natyror i lindjes së diellit”, apo duke marrë trajtat e një metafore të lindjes së malit. Kushedi, por në fakt poetin e ardhshëm, do ta frymëzonte përjetë lirika dhe misteret e fshatit të tij, të pasur me ujëra, drurë dhe kafshë, shpendë, pemë frutore e deri me hardhi të varura në lisa.

Malindi do ta mbushte poetin plot mall dhe kujtime, do ta frymëzonte në krijimtari me përfytyrimin e Malit të Tomorrit, që e shihte përditë dhe me mitin e tij. Për këtë kam lexuar edhe monografi në e prof. Nuri Dragojt “Sfidat e poetit”, i cili ndalet shumë tek vendlindja e poetit.

Siç shkruan ai “Malindi është një fshat i vogël malor, për fat i kufizuar me lumenj. Në veri e pret si më thikë lumi Osum, ndërsa në jugperëndim kufizohet nga lumi i vogël, që mban emrin e vetë këtij fshati. Edhe pse nuk i kalon lartësinë e 800 metrave mbi nivelin e detit prej atje sheh tërë luginën e Apsit (emri i vjetër i lumit Osum) malin e Tomorrit etj.

Nga kjo monografi mësojmë se Babai i Xhevahirit, quhej Myrteza Hysen Spahiu, i cili më 1928 kishte emigruar në Francë, bashkë me të vëllanë Feritin, për shkak të problemeve ekonomike të familjes, duke u vendosur në Budonan (Bourg d’Aisans), ku kishte edhe disa bashkëpatriotë të tij.

Myrtezai punoi për 12 vjet si minator dhe u kthye në vendlindje në Skrapar, ku martohet dhe në vitin 1945 me Sosen dhe vjen në jetë fëmija i parë i familjes së re, Xhevahir Spahiu. Kur poeti ishte vetëm pesë vjeç, vjen edhe goditja e parë nga fati i keq në jetë. I vdes e ëma, duke lindur fëmijën e tretë. Xhevahir bashkë me motrën tre vjet më të vogël, mbesin jetimë. “Pas vdekjes të së shoqes, duke e parë mungesën e perspektivës në fshat, në vitin 1953, Myrtezai shkoi në qytetin e Vlorës, ku punoi si minator. Në Vlorë Myrtezai martohet për së dyti, ku lindën edhe shtatë fëmijë të tjerë.”

Xhevahiri, pesë vjeç e përjetoi me dhimbje të madhe traumën e vdekjes së nënës së tij Soses, dhe bashkë me të motrën e tij Hanëmen atëherë dy vjeçe, u rritën në fshat nën kujdesin e gjyshes së tyre Fatimesë, që ai e quan edhe abetaren e tij të parë, por edhe ndihmës së pakursyer të xhaxhait të tyre, Rizait.

Poezia kushtuar “Gjyshes”, pas ndarjes së saj nga jeta, është një biografi dhimbjeje e vetë poetit, i cili kishte mbështetur ëndrrat e veta fëmijërore në prehrin e saj, deri sa kishte dalë në jetë në të tjera sfida.

Ti na ike gjyshe, na le vetëm,
Një shirit të zi ne qepëm sot;
Flokëbardhë e dhembshur, sa të deshëm,
Dhe me ç’mall na deshe, s’e them dot.

Ne të flisnim që të gjithë “nënë”,
“Nënë” të fliste Fredi vogëlosh,
Ç’hidhërim, si thikë më çan zemrën,
Kur shikoj krevatin që rri bosh.

Ty një shekull plotë të fali jeta,
“Ju dyfish më rrofshi” thoshje shpesh,
Nënë ty të kisha, nënë-shkreta
Më pat lënë të mitur, pesë vjeç.

Netëve të thirra nëpër gjumë,
Po ti ike, kurrë s’kthehesh më;
Unë të desha, gjyshe, kaq shumë…
Vdekjezeza s’pyeska për asgjë!

Dora dridhet, gjoksi dhimbjes shkundet,
Ti po fle nën këtë copëz vend.
Zemra s’mund të heshtë, loti s’mundet,
Të mos bjerë përmbi varrin tënd.

Njëqind rrudha vitet ty të lanë,
Njërën, sigurisht, ta gdhenda unë.
Ndjej sërish urimin tënd të bardhë:
“Ju dyfish më rrofshi, o fatlumë!”

Në vijim, poeti i ardhshëm do të shtërngohej ta zhvillonte jetën mes Malindit dhe Vlorës, gjë e cila do të ndikonte në përfytyrimet e tij poetike në të ardhmen.

Klasën e parë të shkollës fillore, Xhevahiri do ta kryente në fshatin e tij në Malind, por një klasë tjetër tek i ati në Vlorë dhe përsëri do të kthehej në Malind. Për vijimin e shkollës 7-vjeçare, do të shkonte një konvikt në Çorovodë, siç kujton vetë poeti, një ndërtesë e improvizuar dhe në kushte shumë të këqija.

Pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare, u regjistrua në shkollën pedagogjike të Beratit, ku kryen tre vite, për ta mbaruar maturën në pedagogjikën e Vlorës. Por Malindi dhe Berati nuk iu hoqën kurrë nga sytë. Ndërkohë që Vlora me bukuritë bregdetare, i fali atij një përmasë të re ndjeshmërie, që kishte lidhje me detin, ullinjtë etj.

Siç thotë poeti “Vlora ka pjesën e vet në formimin tim, sidomos në moshën e rinisë. Nëse deri atëherë kisha një mal dhe një lumë, tani erdhi deti; atje ishin lisat me rrush, këtu ishin ullinjtë… Vlora me Skraparin janë brenda meje, siç rri ngjyra e kaltër pranë ngjyrës së gjelbër në natyrë.

Xhevahiri gjatë viteve të shkollës së mesme kishte shënuar rezultate shumë të larta. Xhevahiri merrej edhe me sport, ku dallohej posaçërisht në volejboll, por shquhej mes moshatarëve për poezitë që shkruante, hartimet e bukura dhe plot frymëzim, të cilat mësuesja e letërsisë i lexonte para klasës. Xhevahiri shquhej veçanërisht për mbajtjen mend të poezive të poetëve të shquar shqiptarë si Naimit, De Radës, Serembes, Migjenit etj.

Në pedagogjike, në moshën 18-vjeçare boton vjershën e parë në revistën ”Shqiptarja e re”, më 1963, sido që ai kishte shkruar poezi pafund, por nuk kishte patur mundësi t’i publikonte. Talenti tij bie në sy të autoriteteve të kohës, të cilët i japin mundësi Xhevahirit të shkojë direkt në fakultet, duke shmangur edhe një praktikë rutinë të sistemit, stazhin një apo dyvjeçar, që zakonisht duhet të bënin të gjithë nxënësit pas maturës.

Në vitin 1963 ai do të fitonte të drejtën për të vazhduar studimet e larta në Fakutetin Histori-Filogji, në degën e gjuhës dhe letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës.

Jeta në fakultet përpos vështirësive të forta ekonomike, i jep mundësi të njihet me shkrimtarët e famshëm të vendit dhe sidomos të kontaktojë me redaktorët dhe drejtuesit e gazetave qëndrore ku do të botonte vazhdimisht, poezi, skica, reportazhe, shënime udhëtimi, të cilat do ta bënin të njohur në mjediset letrare dhe politike të kohës, si një të ri të talentuar. Në vitin e tretë të studimeve, ai ndoqi paralel edhe kursin e gazetarisë.

Xhevahiri vijon fakultetin në vitet 1963-1967, duke qënë në mesin e shumë studentëve të cilët do të bëheshin në të ardhmen disa nga emrat e njohur të letërsisë shqipe. Bashkëstudentë të tij ishin: Ndoc Papleka, Adem Istrefi, Koçi Petriti, Sipro Dede, Hiqmet Meçaj, Faik Ballanca, Koço Kosta, Nasi Lera, Sulejman Krasniqi, Gaqo Bushaka, Kozeta Mamaqi, Shaban Murati, Fisnik Sina, Seit Mancaku, Astrit Karadaku, Pandeli Koçi etj. Këta njerëz do të bënin një pjesë të atij, që do të thirrej më vonë si “Brezi poetik i viteve 1970”,
i cili do të sillte një erë të re poetike, krahasuar edhe me brezin e vitit 1960.

Studiuesi Nuri Dragoj, që është edhe një nga biografët e Xh. Spahiut konstaton se “ky brez ndryshon skajshmërisht, nga brezi paraardhës i viteve 1960, pasi brezi në fjalë ishte brezi i rusifikikuar, vinte nga shkolla ruse, ndërsa brezi i Xhevahirit nuk e pati këtë dashuri për rusët. Ishte brezi që u lidh shpirtërisht, në radhë të parë me çështjen kombëtare.”

Kam zgjedhur të jap detaje nga jeta e poetit Xhevahir Spahiu, pasi ato janë një dëshmi e formimit të tij si poet dhe si njeri, por edhe i mbijetesës së tij ekonomike.

Bashkëstudenti i tij poeti tjetër, Adem Istrefi, kujton se: Xhevahiri kursente çdo qindrakë që i binte në dorë nga hanoraret e botimeve, për t’ua dërguar vëllezërve dhe motrave jetimë, pasi ai ndjente përgjegjësi, duke qënë edhe më i madhi ndër ta.

Meqenëse Xhevahiri bashkëpunonte me shumë gazeta në Tiranë, e kryesisht me “Zërin e Rinisë” dhe “Drita” (mundet të jetë njohur prej tyre edhe jeta ekonomike dhe familjare e tij), kryeredaktorja e gazetës “Zëri i rinisë”, Liri Lubonja, i jep një vend si gazetar qysh në vit të tretë të fakultetit. Por jo vetëm kaq, pas mbarimit të universitetit, me ndërhyrjen e saj, Xhevahiri do të punësohet pranë gazetës më të madhe në vend “Zëri i popullit” (bashkë me shokun e tij të klasës, Spiro Deden), me kryeredaktor Todi Lubonja, i ndihmuar edhe nga rekomandimi i Dritëro Agollit, në atë kohë gazetar i njohur te “Zëri i popullit.”

Më 1968 Xhevahiri do të vazhdonte punën si gazetar te “Zëri i popullit”. Më 1969 i vdes i ati në moshën 57 vjeçare, siç thuhet, pas një sëmundje kronike të marrë qysh herët gjatë punës në minierat e Francës, duke ia shtuar edhe një tjetër vështirësi. Pas vdekjes së hershme të nënës së tij, ndarja nga jeta e babait, e fut jetën e familjes së tij dhe të vetë atij në një hall të papërshkruar.

Xhevahiri më 1970, në moshën 25 vjeçare, boton librin e parë me poezi “Mëngjes sirenash”. I konsideruar nga kolegët e tij si një “Mëngjes sirenash” në poezinë shqipe libri hyn me shpejtësi në mjediset letrare dhe gjen interes tek lexuesit.

Libri, siç rezulton edhe nga kronikat e kohës, do të pritej mirë nga kritika letrare. Vendi kishte lënë pas një dekadë të konfirmimit të brezit të poetëve të vitit 1960 dhe të gjithë krahët që kishin debatuar me aq pasion dhe shpesh me vrazhdësi, tashmë ishin pajtuar me pozicionet e tyre. Brezi i viteve 1960 e reformoi poezinë shqipe në të gjitha pikëpamjet, ai kishte sjellë një repertor poetik dominues për më shumë se dhjetë vjet dhe kishte vënë si të thuash shumë lart stekën e zhvillimeve të ardhshme, aq sa të mendoje sfidimin e tyre ishte një rrugë e mundimshme.

Sipas akademik Shaban Sinani, i cili ka shkruar disa studime për poezinë e Xhevahir Spahiut, “kjo ishte ana e inkurajuese e kohës. Tjetra anë ishte se brezi, që kishte bërë ndryshimin, kishte paralajmëruar në mënyrë sfiduese, ashtu si në Shkrimet e Shenjta: “Pas meje porta u mbyll”. Porta e profecisë është mbyllur. Porta e poezisë është mbyllur. Të tjerët, që do të donin ta hapnin atë portë, do ta kishin vështirë edhe me mjeshtërit e tyre, të drejtpërdrejtë. Ata e kishin thënë shumë qartë se do t’ua tregonin vendin: përtej portës.”

I këtij mendimi për kohën e papërshtashme, në të cilin u shfaq Spahiu me shokë, është edhe akademiku tjetër Ali Aliu, i cili në një studim të tij për Spahiun pohon se “Në prag të viteve ’70, kur poeti bënte hapat e parë në krijimtari, në letërsinë shqiptare kishin bërë emër dhe kishin mundur ta ruajnë identitetin e pavarur të fjalës poetike, poetët Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare e ndonjë tjetër. Në pjesën më të madhe, fjala kishte pushtuar së qeni vlerë majash…

Megjithatë për A. Aliun, brezi që po hynte në skenë, nuk do të qëndronte si nxënësi para mësuesit, pra para më të mëdhenjve të viteve 1960, por do të synonin të sillnin një reformë tjetër nga pikëpamja formale, por edhe tematike, deri tek leksiku tjetër, fryma poetike, shqetësimi poetik dhe subjektiviteti lirik.

Siç shkruan ai “Në horizontin e trysnuar socrealist, megjithatë, mundimshëm, po ngrihej një brezni e talentuar poetësh; ngadalë, po vetëdijshëm i largohej retorikës, i hapte udhë më të gjërë metaforës, kërkimeve në formë dhe thellimit në botën intime të individit. Xhevahir Spahiu do të artikulohej si zëri përfaqësues, më i plotë e më i fuqishëm i një breznie, e cila, duke përmbyllur çerekun e fundit të shekullit XX, hapte një epokë të re në poezinë moderne shqiptare.”

Poezia e Xhevahirit kishtë mbërritur tashmë duke sjellë një imazh të ndryshëm poetik, një rikthim tek poezia më e mirë shqipe qysh prej Poradecit e në vijim, më saktë tek lirizmi human dhe marrëdhënia njerëzore universale. E dashura tashmë nuk shihet nga poeti vetëm në aksione apo brezare, por në një sfond vjeshte duke u shndërruar në trishtimin e saj, si tek poezia “Vjeshtë” e përshirë në këtë libër. Siç je, e dashur, rri.

Unë do të hypi me shkathtësi mbi pemë Dhe do t’i shkund gjithë gjethet e verdha; Trishtimi i vjeshtës mbi ty le të bjerë, Që e trishtuar të mos duket pema. Tani, e dashur, çohu.

Shkundi nga supet ato gjethe të verdha, Vishe përsëri bluzën tënde gazmore; Trishtimi le të marrë përmbi supe era, Ti borxh atë vetëm një çast e more. Akademik Shaban Sinani konstaton se qysh me librin e parë “Xhevahir Spahiu është poeti që farkoi mjetet e veta të krijimit dhe hyri me mosbindje në mjedisin letrar që gjeti gati, një mjedis i stabilizuar fort jo vetëm në parimet krijuese, por dhe në hierarkitë e veta. Shumë shpejt ndodhi ballafaqimi i parë.”

Spahiu nuk ishte thjeshtë një poet i ri me mbresa nga një jetë që ndryshonte me të gjitha parametrat e asaj që kishte përfytyruar poeti, por një poet ishte i orientuar nga lirika kombëtare, nga trashëgimia poetike shqiptare. Këtë konstatim e bën edhe akademik Ali Aliu i cili vijon më tej analizën e tij: “Me vete poeti barte tërë trashëgiminë poetike shqiptare, ndaj së cilës, sidomos asaj lasgushiane e migjeniane, ishte i magjepsur. Do mësojë edhe nga të parët edhe nga të dytët, por do ta çajë rrugën e vet, mbase më të veçantën dhe më origjinalen në poezinë e re shqipe: kulti magjepsës ndaj fjalës do të jetë më i rreptë edhe nga ai i idhujve pararendës, edhe nga ai i bashkëkohësve të vet. Për të do të jetë i gatshëm të vërë kokën në litar.”

Spahiu do të vinte në poezinë shqipe jo vetëm me kultin e fjalës, sintetizmin e mendimit dhe peshën semantike, por edhe me filozofinë e jetës së përditshme, me rininë, lëvizjen dhe energjinë e pakrahasueshme me asnjë poet tjetër. “Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poetmurg dhomash të mbyllura apo i një vetmie të humbur në mendime. Poezia e Xhevahir Spahiut, e këtij “enfant terrible” të letërsisë shqiptare është e fuqishme dhe solide, por njëkohësisht është poezi e ngjyrimeve dhe shkallëzimeve kuptimore.”

5.1 KRITIKA E KOHËS PËR XHEVAHIR SPAHIUN

Nga ana tjetër, ardhja e brezit të ri në shkrimet e kohës duket i mirëseardhur. Në disa analiza, por edhe shkrime të tjera si të botuar në atë kohë në gazetën “Drita” dhe revistën “Nëntori” nga drejtuesit e Lidhjes, por edhe të tjerë të afërt me Lidhjen apo që përfaqësonin opinionin e saj, bëhet gjithnjë një listë me emrat premtues, mes të cilëve gjendej gjithnjë edhe Xhevahir Spahiu. Poeti Fatos Arapi në një analizë të botuar më 1968 shprehet entuziast: “E pra, ky kontigjent i ri erdhi. Botojnë nëpër gazeta e revista. Kanë dalë me vëllime të veçantë. Emrat e F. Reshpes, H. Meçës, S. Matos, Xh. Spahiut etj, nuk janë tani të panjohur për lexonjësit tanë. Kurse vëllimet “Rapsodi shqiptare”, “Nisja”, “Shtegu i blertë” jo vetëm që janë një eksperiencë për autorët por gjer në një farë mase, edhe një sintezë e krijimit të gjertanishëm të këtij brezi.”

Politika partiake orientonte që të mbështeteshin talentet e reja dhe të ndihmoheshin ata në rrugën e promovimit, dhe një nga emrat që evidentohen me këtë rast është edhe ai i Xhevahir Spahiut, por edhe një grupi të rinjsh të tjerë që kishin shfaqur talent.

Një nga këto veprimtari, siç shkruan gazeta Drita thotë: “Më 31 tetor 1972, në sallën e klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve u zhvillua një diskutim krijues i organizuar nga Seksioni i letërsisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, për vëllimet poetike “Stinë pas stine” të Viktor Qurkut, “Mbi glob fryjnë erëra” të Sulejman Matos, “Marsi brenda nesh” të Natasha Lakos dhe “Rrezatime” të Ndoc Gjetjes. Në diskutim merrnin pjesë shkrimtarë, artistë, punonjës të institucioneve kulturore, student të Fakultetit të Filologjisë etj.

Rudolf Marku foli për qëndrimin e kritikës ndaj krijimtarisë së të rinjve. Ne të gjithë kemi lexuar me shumë kënaqësi ciklet e poetëve të rinj, që kanë ardhur pas vëllimeve poetike shumë të bukura të M. Zeqos, S. Bejkos, M. Gjetjes, Xh. Spahiut, F. Reshpjes, S. Dedes, S. Matos, V. Qurkut, N. Lakos, F. Halitit, e shumë të tjerëve që të bëjnë të flasësh me gjithë mend për një poezi dinjitoze.”

Kjo ishte një periudhë paqe dhe konfirmimi për Xhevahir Spahiun dhe kjo duket edhe në shkrimet e kohës, ku Spahiu është gjithnjë në mesin e prurjeve të rëndësishme të brezit të tij. Ajo që konsiderohej si frymë liberale, i kishte shkuar për shtat këtij brezi të rinjsh. Tani kritikët i përfshijnë në hierarkinë poetike edhe ata, sido që sapo kishin dalë me librat e parë si Xhevahir Spahiu. Shkrimtari dhe kritiku Xhafer Martini, mjaft i pranishëm në shtypin e kohës në atë periudhë, në një analizë “Mbi problemet e poezisë” të vitit 1972, shkruan: “Duke lexuar vëllimin poetik “Motive me diell”, “Mesditë”, “Ringallja”, “Vite pa thinja”, “Ritme të hekurta”, “Vazhdimi i një bisede”, “Stinë pas stine”, “Mbi glob fryjnë erëra”, si dhe veprat poetike të N. Paplekës, Xh. Spahiut, S. Dedës, M.Zeqos, A. Matos, R. Gjorës, N. Lakos, N. Kacalidhës, etj, nuk mund të mos vësh re përparimin e dukshëm të poezisë sonë.”

Xhevahir Spahiu në të gjitha kritikat dhe analizat që bëheshin për poezinë e viteve 1970-1973 evidentohet pritshmëria e lartë ndaj tij. Profesori i njohur njëkohësisht poeti dhe studiuesi Muzafer Xhaxhiu e përfshin librin e Spahiut në listën e librave më të mirë të pasluftës së Dytë, nga Llazar Siliqi tek Natasha Lako.

Pra është një periudhë ku konkurojnë tre breza poetësh, brezi i luftës. Ai i viteve 1960 dhe ai i viteve 1970 që sapo kishte nisur udhën.

E njëjta pamje paraqitet edhe në Prishtinë, ku krahas Esad Mekulit, Enver Gjergjekut, Din Mehmetit, Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt e Ali Podrimjes konkuronin edhe një grup poetësh që kishin hyrë në poezinë shqipe në fundin e viteve 1960 dhe fillimin e viteve 1970 si Beqir Musliu, Teki Dervishi, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Eqrem Basha, Ibrahim Kadriu, Kadrush Radogoshi, Ibrahim Kadriu, Nehas Sopaj, Mirko Gashi etj. Kuptohet në rrethana të tjera politike dhe shoqërore. Ky brez lëvroi një poezi hermetike të ndikuar nga poezia perëndimore deri në skajshmëri, frymë e kritikuar edhe nga kritika e Prishtinës, siç thoshte ajo “deri në moskuptim”. Në kritikat e Qoses, A. Alit, Rugovës apo edhe Nehas Sopajt dhe F. Aganit analizohet shpesh kjo prirje e këtij brezi poetik.

Prof. Xhaxhiu duke u ndalur në poezinë e Tiranës mes të tjerash thekson se “Në shtratin e poezisë që e zgjeruan edhe më poetë të tillë si Ll. Siliqi në fillim, e më pastaj I. Kadare, D. Agolli, F. Arapi etj, nga gjysma e viteve ’60 konkluduan poetë më të rinj, të pajisur me shije dhe aftësi krijuese si V. Qurku, S. Mato dhe më vonë R. Gjoza, F. Reshpja, M. Zeqo, F. Haliti, B. Muço, N. Lako, etj.

Një tjetër kritik i njohur, Adriatik Kallulli, në analizën e tij mban thuajse të njëjtin vlerësim me Xhaxhiun për arritjet poetike të pasluftës. Ai pasi përmend brezin e luftës, brezin e viteve 1960, në fund rendit edhe një listë emrash nga brezi i viteve 1970, mes të cilëve edhe Xhevahir Spahiun.

Siç shprehet Kallulli: “Në krijimet më të mira poetike të Shevqet Musarajt, Aleks Çaçit, Kolë Jakovës, Llazar Siliqit, Kolë Jakovës, e më vonë të Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Agim Gjakovës, Dhori Qiriazit, Lirim Dedes, Natasha Lakos, Hiqmet Meçajt, Adem Istrefit, Xhevahir Spahiut, Ndoc Gjetjes, Ndoc Paplekës dhe mjaft të tjerëve, ne dallojnë këtë botë të re socialiste dallojmë mendimet, ndjenjat, ëndërrimet e njeriut të ri, që brymoset me ideale komuniste.

Pra, kjo ishte atmosfera letrare në kohën që Xhevahir Spahiu, me brezin e tij poetik, kishin hyrë garën e së ardhmes; nga njëra anë një klimë sociale, që në parim i përkrahte ata të ecnin përpara, por nga ana tjetër rekrutimi politik, në shërbim të partisë në pushtet. Përveç kësaj edhe diferencat mes brezave ishin dukshëm të pranishme, sido që nuk u bënë asnjëherë publike.

5.2 ANA TJETËR E MEDALJES

Insistimi për identitet dhe konfirmim si një brez tjetër letrar, i shprehur më së shumti te rebelimi social dhe metaforik i Xhevahir Spahiut ka krijuar shumë kundërshti të pashprehura tek brezi pararendës dhe vetë sistemi i cili e mendonte të mbyllur çështjen e ndërrimit të brezave, një problem i diskutuar me shumë zhurmë prej fillimit të viteve 1960. Prirjet formaliste, që patën prekur strukturën poetike ligjërimin poetik, fjalorin, tematikën dhe vetë psikologjinë e heroit lirik, nuk u pritën me aq entuziazëm nga kritika zyrtare dhe vetë krerët e sistemit.

Përkundrazi në prapaskenë orientuan politika bllokuese dhe tulatëse ndaj saj. Mundet që për shumë arsye të mos i këtë interesuar sistemit, hapja e një debati tjetër rreth diferencave estetike mes brezave, jo thjeshtë për ndryshimin e hierarkisë të konsoliduar tashmë prej një dekade, se sa prej rrezikut që vinte prej prirjeve formaliste të këtij brezi.

Një lloji arti që ata e kishin kundërshtuar si dekadent, të rrezikshëm dhe të papërshtatshëm për letërsinë komuniste. “Eshtë e ditur tashmë se brezi letrar që hyri në rrugën e vështirë dhe të pamëshirshme të krijimit në një kohë kur letërsia shqipe kishte gjetur paraprijës të tillë si I. Kadare, D. Agolli, Dh. Qiriazi … për një gjysmë shekulli ata e trembën procesin letrar në tërësi. Ndoshta më shumë se një gjysmë shekulli.

Sipas Akademik Sh. Sinanit: “Në fillimin e viteve 1970 jo vetëm rendi letrar i trashëguar, por edhe hartuesit e politikave kulturore, i kërkuan Xhevahir Spahiut të vihej në radhë. Dikush i tregonte portën e mbyllur, dikush kufijtë ideologjikë. Kritikave e qortimeve dhe kësaj hierarkie frikësuese ai iu përgjigj me sfidën e vet.

Poezia e Xhevahir Spahiut në thelb refektonte vetë jetën e tij bashkë me zhvillimet dramatike të vendit. Poeti kishte një prirje të fortë për të mbrojtur të vërtetën të cilin e kishte ngritur deri në mit, jo vetëm në sjellje e reagime, por edhe përmes një figuracioni dhe përfytyrimesh paralele që mundet buronin si një dhunti qysh nga fëmijëra e tij e largët ku poeti kaloi provën e parë të mbijetesës dhe të kundërvënies ndaj së keqes.

“Mosbindja e Xhevahir Spahiut nuk qe në formën e mosnjohjes së meritave të paraardhësve, por në formën e dëshmisë se ndryshimi nuk kishte mbaruar.

Në fillim të viteve 1970, në letërsinë shqipe po ndodhnin ndryshime. Poezia që kishte dominuar letrat shqipe qysh prej Rilindjes deri më tani, i kishte lënë përparësinë prozës dhe prozës së gjatë.

Profesor Agim Vinca, duke cituar një të dhënë të Agollit në një studim të tij thotë: “Tani në Shqipëri botohen 30-35 vëllime me poezi dhe 35-40 libra me prozë”, shënon arritje sidomos romani me autor si S. Drini, T. Laço, V. Koreshi, Nasi Lera, K. Blushi, Zija Çela.”

Sipas Vincës një studiuesi të përkushtuar të poezisë shqipe, brezi i viteve 1970 po i çonte më tej arritjet e kësaj poezie të shënua nga brezi pararendës.

“Fryma qytetare shprehet veçanërisht në vëllimet e “Ndoc Gjetjes, N. Paplekës, Xh. Spahiut, Agim Isakut, Rudolf Markut etj.” Ai vëren se “Tendencat dhe proceset krijuese të filluara nga brezi i viteve 1960, brezi i Kadaresë, Agollit, Arapit, thellohen dhe kristalizohen më tutje nga poetët e viteve 1970…

5.3 NË VITIN 1973 BOTON VJERSHËN ME TITULL “POEZIA”

Në vijim të studimit tim kam përdorur disa dokumente që flasin jo thjeshtë për jetën e poetit, por që provojnë hipotezën time se faktorët jashtëletrarë ndikuan jo vetëm në ndryshimin e drejtimit të procesit krijues apo në krijimtarinë e autorit, por ndërhynë dhunshëm edhe në vetë jetën e tij.

Publikimi i vjershës “Poezia” e nisur siç thuhet si një ngacmimim shoqëror ndaj mikut të tij Teodor Laço, në atë kohë bashkëgazetar më të, i jep një kthesë dramatike jetës së Xhevahir Spahiut. Siç thuhej ai regjim i bazuar tek censura dhe lufta ndaj armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, kishte më shumë frikë një poezi apo një këngë me nënkuptim, se sa një ushtri dhe kjo duket edhe në reagimet që pasuan atë, me akuzën se ajo aludonte për diktatorin komunist.

Se prapa simbolit të zogut qëndronte poeti, poetët dhe njerëzit e letrave në tërësi, ndoshta edhe bota intelektuale që tek e fundit kishte një mendim të heshtur që nuk përputhej me qëndrimin zyrtar të lumturisë së skajshme dhe imazhit të një demokracie popullore. Aludimet në poezi në fakt ishin të forta dhe kushdo që e lexonte nënkuptonte vetë diktatorin. Ja teksti i plotë i saj.


POEZIA

Zogj kini një armik për vdekje
Do t’ju shkulë pendët dhe do t’ju thyejë krahët
Do t’ju kthejë në gur të palëvizshëm e pa zë…
Zogj kini një armik për vdekje .
Ju për të të pakapshëm
Ai u turret poetëve
Armiku juaj është armiku ynë
E do pa krahë poezinë
Hapsirë e saj?
Ja sa një kthinë!…
Zogj të dashur
Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
Ata sy që shohin lart dhe larg,
Nxirriani sytë
Me sqepat tuaj.

1973

BORXHET E MIJA

Do te vdes,
do te vdes i mbytur ne borxhe,
s’eshte asgje mbytja ne lum a ne dhomat e gazit
I kam borxhe nenes qe s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit qe s’ia hodha pjergullen,
i kam borxhe dashurise qe ia vodha te dielen,
i kam borxhe krimit qe s’i vura emer.
Do te vdes,
do te vdes i mbytur ne borxhe.
I kam borxhe fjales qe s’e pashe ne enderr
i kam borxhe korbit qe s’ia zbardha pendet,
i kam borxhe vitit ’13 qe s’ia mbylla plaget
i kam borxhe ardhemrise qe ia lashe tek pragu
terin e nje kohe te larget.
Do te vdes,
do te vdes i mbytur ne borxhe.
U kam borxh te gjalleve,
u kam borxh te vdekurve;
gurin e varrit e shes
te laj borxhet.
Dhe ve piken ketu.
Tani mund te flisni
per borxhet qe me kini ju.

JETË

Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit
Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje fletët e trishtimit
Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të ulërinte era
Degët do të ëndërronin
Të vinte pranvera…
Do t’i ftoja zogjtë
Të vinin tek unë të ngrinin fole,
Të uleshin, të cicëronin një çast mbas shtegëtimit,
Mbi mua pastaj papritur të vërshenin ujrat
E trungun dallgët të ma rrihnin,
Zogjtë le të iknin, në liri
Të iknin…
Fëmijët të kacavireshin,
Gjethet t’i këpusnin për herbariumet e tyre,
Mbas turnit, punëtorët të pinë cigare
Me pëllëmbët e trasha si dy copë trungje,
Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,
Djema,
Mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.
Jam ai që s’kam qenë,
Do të jem ai që nuk jam.
Trungun tim druvarët le të vinë e të presin
Në tokë, në kohë e në zemra,
Rrënjët –
Për t’u rilindur sërish le të mbesin.
Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,
Por jo arkivole,
Mbi krye le të kem vetëm qiellin e madh,
Nën këmbë – as hije,
Mbi tavolinat e bëra nga trupi im,
Mbështesni brrylat,
Bini në mendime.
Jam ai që s’kam qenë
Ai që do të jem nuk jam.

REKUIEM PER OREN 6…

Ora 6
Akrepat si dy krahe te hapur qe presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as ne 6 e nje minute
ne 6 e dy minuta vetmia ish me mua
une isha me vetmine ne 6 e tre minuta
ne 6 e kater bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtes si dy pika uji
6 e shtate, 6 e tete, 6 e nente, 6 e dhjete
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
ne 6 e pesembdhjete
hodha syte si dy vetetima ne fushen e ores se qytetit
akrepat u thyen si dy krahe te nje zogu
qe s’ekziston
Une mora pikellimin per dore
dhe ika

MIÇO

Unë s’jam i vdekur që të mos gaboj.
Hiqi syzet, Miçooo!
Diçka ti përtyp:
“Ç’të raportoj?”
O ju sy, sy të Miços që dhelpërisht shkëlqeni,
kur unë gaboj.
Gjoja rastësisht u the shefave,
në kafe kur pagove:
“Vjershat i kërren në orarin zyrtar,
dhe … si shumë u kundërshton eprorëve …”
Kur e di që ka Miço
unë e gdhij gjer në tre pas mesnate;
po ti pse u zverdhe,
ç’pate?
Thyeji syzet, Miçooo,
kuptoje bujarinë time të pafund.
E ç’do të ishe ti, o mor i gjorë,
po të mos gaboja unë?

1972

LIGJËRIM MBI QENIN PA JETË

Qeni im, kush të vrau,
e pse të vrau, qeni im?
Shtrirë si dhembje përmbi bar
pranë lules së gjakut tënd;
sytë e tu të hapur dikë presin t’i mbyl1ë,
dy lehje të pakuptuara sytë e tu.
Po vijnë delet gjakun tënd të lëpijnë,
tunde pakëz bishtin si biskonjë prilli.
S’ka paksa që hënës mitikisht i lehje,
dhe tani … dru i prerë … heshtje …
Një histori dhelprash është varrosur me ty;
atje në bjeshkë,
atje në vërri
ujku nga tronditja bren këmbën e tij.
Ti i pagjumi kur edhe krojet flinin,
ti bir i besës kur pabesitë nxinin,
ma ktheve kërrabën në hakërrim drejt qiejve;
e ndien si rrëzohen mbi sytë e tu të zbrazët
lotët e nxehtë të mi?
Angulli dhe njëherë,
të mos angullij.

1985

MIGJNI FLET

Më veshët raso, rason ua grisa,
më lypët këngë, këngët s’ua dhashë;
ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra,
me thikat e sarkazmave ju rashë.
Kur patë se goditja keq u theri,
ju shpikët heshtjen, si një mur të ftohtë;
një ditë gjithëçka mund të ma merrni,
po penën kurrë nuk ma merrni dot!

Gusht 1977

SHIGJETË

Nuk është sëmundja që ma bren mushkrinë;
as brengë e dashurisë. As dhe fati,
Jo, mos ma shkulni heshtën që në brinjë
ma nguli koha me sa fuqi që pati.
Ndodh që poetit zemra t’i përgjaket
nga një trishtim i vogël, nga një fjalë;
po mua sot tollumbat e vocërrakve
kanë hapur gojën dhe po më hanë të gjallë.
Një plumb i verdhë tejpërtej më mori:
ah, s’ishte plumb, ish një kokërr misri;
nga thesi i grisur i ra një malësori
dhe era s’di në ç’barqe e gremisi.
Nga ky mjerim dhe gurët do të qanin,
s’mund të mos çahej zemra si me plor.
Këndoni për mustaqet e sovranit,
poetë të oborrit mbretëror.
Kur grushti nis t’i hakërrohet zotit,
më lind një shpresë… Dridhuni, tiranë!
Ma shkulni, atë heshtë-helm prej gjoksit,
me të u bini atyre që më ranë!

PLAGOSJA OSE MIGJENI I CENSURUAR

Ju vetë e ndieni
se diçka mungon,
diçka është prerë;
prandaj,
kur zemrën e pashprehur gjer në fund
midis “Vargjeve të lira” zbuloni,
kujtoni statujat pa duar, pa këmbë,
invalidët e luftës,
kujtoni.
VETMI
Po bie nata
pa një yll rrëqethës.
Sërish jam vetëm.
Vetëm.
Nën dhe si vemje
ndryshku po bren hekur.
Sërish jam vetëm.
Vetëm.
Më griu grija e përditshmërisë.
Boshin shurdhan,
– e di,
– s’ma merr askush.
Po shkoj në tjetër vend.
Përtejshmëria
S’dhemb.

BUKA JONË E PËRDITSHME

Ti erdhe pranë dhe më the:
ta hëngra zemrën!
Unë mbylla sytë
dhe shpleksa ëndrrën.
Shoh si përgjaket zemra ime
në buzët e tua prej mishi dhe drite.
Të bëftë mirë, e dashur.
Po tani, tani, a s’më thua
Ti the dy fjalë,
hodhe një gur:
ta hëngra zemrën.
Dhe unë i përgjakur numëroj
rrathët e ëndrrës.
E di: zemra ime
zemrën tënde e ka bërë copë e çikë,
kullon gjaku prej saj
si kokrrat e shegës, pikë-pikë.
Ti the: Ta hëngra zemrën,
kur unë fatziu e kisha sosur tënden.
Ish koha e zisë.
dhe zemrat na u bënë buka jonë e përditshme

17 gusht 1986

LETËR NJË SHOKU

Është e vërtetë:
macja e kaloi detin.
Po më duket se harrove diçka të thjeshtë:
në kurrizin e qenit.
Eshtë e vërtetë:
lulja e parë lulëzoi në të dalë të dimrit.
Ti më duket se harrove të paharrueshmen:
ish e para që iku.
Eshtë e vërtetë:
njeriu flet, njeriu hesht.
Po s’besoj se harrove:
barku s’ka veshë.
Është e vërtetë:
ai burrë që çapitet asnjëherë s’ka gabuar.
Po më duket harrove të pyesësh:
ka jetuar?
Të vërtetën përgjysmë mos e ndaj,
gjysma tjetër komploton kundër saj.

KOKA IME, ÇUDITEM ME TY

Koka ime,
çuditem me ty.
S’t’u shurdhuan ata veshë?
S’t’u verbuan ata sy?
Si të mban qafë e hollë?
Je mbi shpatulla ende?
S’u mërzite aty?
Koka ime,
çuditem me ty.
Të të merrja në duar
të t’i prekja pak flokët,
ballin bërë për plumba;
Të të rrokja nën sqetull,
gurë e drurë të këndonin:
shkon njeriu kokëprerë.
Në një këngë të moçme
kjo ka ndodhur njëherë.
Po ti prapë si mushka
mizorisht rri aty.
Koka ime,
çuditem me ty.

1986

FJALA

I thanë fjalës: tani je e lirë.
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhet?
Kam mbetur pa krahë,
kam mbetur pa qiell,
jam jetë pa ëndërr,
jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë.
Vështirë, tha fjala, sa vështirë
të besosh se je e lirë;
pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
pasi ke mbetur cung
dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhëton.
I thanë fjalës: ti je liria.
Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.
Ajo e besoi,
ajo hapi gojën,
po në vend të tingujve
prej saj doli gjak.

21 shkurt 1986

KOHË MODERNE

M’i morën shokët zyrat, aeroportet,
simpoziumet ndërkombëtare,
në skaj të kujtesës së tyre
të tjera fytyra e kanë zënë vendin tim;
a thua të ketë mbetur ndonjë humbëtirë për mua
në këtë marramendje harrimi?
M’i morën shokët pa mëshirë,
shihemi rrallë,
rrallë e më rrallë piqemi;
më buzëqeshin maturisht prej tribunave,
më përshëndesin fluturimthi pas xhamave të
makinave,
për Vit të Ri postojnë emrat në kartolina standarte,
flasin ndryshe,
ndryshe hanë,
pas drekave, darkave u kuqojnë faqet.
Kanë lidhur krushqira,
i tundon horoskopi;
kolltuku altar
ku rri vetë Zoti.
M’i morën shokët e më lanë cung.
Mbi kohët arkaike një qiell i zbrazët dimri.
E bukur kujtesa,
po më i bukur harrimi.

1989

NJERIU PA EMËR

Jam njeri pa emër,
Ç’është ai që kalon? – pyesin njerëzit në rrugë.
Si e quajnë? Si?
O shok!
O burrë i dheut!
O njeri!
Unë eci dhe kokën s’e kthej,
jam njeri pa emër dhe në ç’kohë jetojmë nuk e di:
emrin ma kanë kyçur në dosje dhe zyra,
ia shtrëngojnë qafën me rrathë kuqalashë,
ia shtojnë pikëpyetjet si kosa kërcënuese,
tmerrohen kur unë dhe emri im jemi bashkë.
Jam njeri pa emër,
jam emërharruar.
O zot, më keq akoma:
kanë harruar të duan.
Ku shkoi emri im,
Mos njerëzit kanë harruar të flasin, të shkruajnë?
ma tregoni pak varrin.
Kam frikë se ndonjë ditë do të dal si i çmendur,
të kap cilindo për mënge në rrugë e ta pyes:
Më thuaj, o njeri:
Si quhem unë?

25 gusht 1985

ZEZONA

Ka muaj që duart e ngrata s’më punojnë
dhe koka më bën dimër tej e tej;
s’e di se nga më vijnë dhe ku shkojnë
ca akuj kallur tinëz nëpër dej.
Çdo ditë gishtërinjtë i flasin nikotinës
ca fjalë uloke … dhe … sot… ashtu si dje;
aq sa je gati me grusht t’i biesh pasqyrës,
fytyrën tënde ta rrëzosh përdhe.
Mungesa e vetmisë më ka munduar,
tani i vetëm ndihem, si në morg;
në se përshesh me kocka më kanë shtruar
as korbit vetë unë nuk i ndolla kob.
Ngre kurthe ditënata; dimër vera
shtrigon, mpreh thikat; ç’besëlidhje e zezë!
Pas çdo rrënoje iluzionesh, era
fryn, o njeri, mbi ty si mbi varrezë…

Dhjetor 1984

MONOTONI

Shushurijnë shelgjet në fushë, shushurijnë;
mërmërijnë mizat në mriz, mërmërijnë.
O Zot,
lësho një bubullimë.

1986

ULJE ÇMIMESH

30 lekë një kg. mish,
një bukë e zezë 4 lekë.
Po më lirë?
Një kg dinjitet.
VIJA TË BARDHA
Vija të bardha majtas,
vija të bardha djathtas,
vija të bardha para,
vija të bardha mbrapa,
vija të bardha,
vija të bardha,
vija të bardha, ma nxitë jetën.

ZEZONA

Ç’mënxyrë ia ul kokën
asaj pishe që s’tundet?
Çdo ditë mbi të një sorrë shkon e ulet.

1981

PYETJE E RREZIKSHME

Përtej dritares një qiell i heshtur.
Akuariumi i hënës
pa peshkun.
Pa tringëllima guaskash
që bishti pas qelqit i përplas
e ëndrrën ta lë pezull
nëpër natën e nartë.
Dy sy fëmije lodronin rreth tij
dhe në bebëz të syve një pyetje:
– Peshqit pse s’flasin?
Pyetje e rrezikshme. Përgjigje
enciklopeditë nuk japin.

1990

PËRVËLIMI I FJALËS SË PATHËNË

Ulej në shkallë
dhe thinjej çdo ditë nga pak;
diçka desh të thoshte,
u bë gati,
po s’e tha.
Një muzg s’ishte më:
në mur nekrologji gërmëzeza.
Vdiq fjala e pathënë;
mbi gur ishin ulur pikëllimi dhe heshtja.
Ç’ish ajo fjalë që s’ma tha ai plak?
Fjalë e pjekur nën saç të një jete,
fjalë e thënë vetëm kur flokët zbardhen.
Të ngrihet nga varri,
të ma thotë atë fjalë,
në mos po kam për të plasur
siç pëlcet një gjinkallë.
Ma thoni atë fjalë.

VERBIMI

Mos më fol për Zakinon.
Tak-tak trokiste mbi gurë
shkopi i syve të verbër.
Bota varrosur në bebëzat boshe,
si nata e përmbytjes së përbotshme.
Tak-tak. As dashuri. As urrejtje.
Zjarr i fikur. Tak-tak. Kohë e palexueshme.
Tak-tak. E përjetshme.
Zakino, ç’kërkon atje lart?
Ti po shkel hijen tënde?
Po për mua, ç’thonë për mua në botën e përtejme?
Me Zakinon apo natën flet zëri njëherësh?
Ndërroja rrugë sa e shihja,
nga verbëria e tij edhe eshtrat më dridhen.
Prej teje jam sulur si i verbri drejt dritës,
faleminderit, Zakino.

1989

LIGJËRIM MBI QENIN PA JETË

Qeni im, kush të vrau,
e pse të vrau, qeni im?
Shtrirë si dhembje përmbi bar
pranë lules së gjakut tënd;
sytë e tu të hapur dikë presin t’i mbyllë,
dy lehje të pakuptuara sytë e tu.
Po vijnë delet gjakun tënd të lëpijnë,
tunde pakëz bishtin si biskonjë prilli.
S’ka paksa që hënës mitikisht i lehje,
dhe tani … dru i prerë … heshtje…
Një histori dhelprash është varrosur me ty;
atje në bjeshkë,
atje në vërri
ujku nga tronditja bren këmbën e tij.
Ti i pagjumi kur edhe krojet fl inin,
ti bir i besës kur pabesitë nxinin,
ma ktheve kërrabën në hakërrim drejt qiejve;
e ndien si rrëzohen mbi sytë e tu të zbrazët
lotët e nxehtë të mi?
Angulli dhe njëherë,
të mos angullij.

1985

KËNGA E LIRISË

Toka, qëngj i therur, përpëlitet.
Pyet bari: ç’do të thotë jetë?
Pyet i vrari: hyj a dal në mesjetë?
Si lumenj të turbullt,
nga zemërimi fl asin përçart
poetët.
Plumbin ua vodhën,
me plumb i goditën,
gotat delirante kryeqyteteve ngritën.
Po foshnja e mbytur në gjak,
po plaku i këputur në prag,
edhe të vdekur
shpallin shpagë e fj alë zgjimi:
Bashkimvëllazërimi – perdekrimi.
Po këngët,
këngët a do të gdhihen pa pranga?
A do ta shkulë jeta me dorën e vet
atë thikë të ngulur mbi shpinë?
Kosova është në muajin e nëntë
dhe do të pjellë lirinë.

1990

NJË PYLL ME SHELGJE DHE NJË PISHË E VETME

Kam parë një pyll të tërë me shelgje,
të gjithë të krrusur
sipas urdhërit të erës së rreptë.
Kam parë dhe majë malit një pishë të vetme,
të djegur nga rrufeja,
po të drejtë!

1972


Xhevahir Spahiu themeloi rrymën formaliste në poezi

XHEVAHIR SPAHIU zëri i mbijetesës në poezinë bashkëkohore shqipe

“Vjersha problematike u botua dhe u pëlqye shumë nga njerëzit. Por gjërat do të ndryshonin për keq më vonë, kur atë do ta lexonte bashkëshortja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. “Ajo u pre në fytyrë dhe tha: kjo vjershë është kundër Enver Hoxhës dhe lihet të kuptohet se armiku i zogjve, d.m.th. i poetëve, është vetë Enveri.

Sidoqoftë poezia kishte aludime të forta kundër regjimit, pasi në fakt dihej se kush e vendoste censurën në vend dhe kush e kontrollonte çdo varg dhe figurë, biles ngandonjëherë qysh në dorëshkrim të poetëve. Poeti ka mundësi ta ketë kamufluar atë si një poezi miqësore ndaj një tjetër shkrimtari, që siç thuhej i kishte alergji cicërimat e zogjve, por në fakt ajo do të ishte poezia më e rrezikshme e shkruar në epokën socialiste.”

Mujë Buçpapaj
Mujë Buçpapaj

Nga Mujë Buçpapaj,
Doktor i shkencave letrare

NË VITIN 1973 BOTON VJERSHËN ME TITULL “POEZIA”

Në vijim të studimit tim kam përdorur disa dokumente, që flasin jo thjeshtë për jetën e poetit, por që provojnë hipotezën time se faktorët jashtëletrarë ndikuan jo vetëm në ndryshimin e drejtimit të procesit krijues apo në krijimtarinë e autorit, por ndërhynë dhunshëm edhe në vetë jetën e tij.

Publikimi i vjershës “Poezia” e nisur siç thuhet si një ngacmimim shoqëror ndaj mikut të tij Teodor Laço, në atë kohë bashkëgazetar më të, i jep një kthesë dramatike jetës së Xhevahir Spahiut. Siç thuhej, ai regjim i bazuar tek censura dhe lufta ndaj armiqve të jashtëm dhe të brendshëm, kishte më shumë frikë një poezi apo një këngë me nënkuptim, se sa një ushtri dhe kjo duket edhe në reagimet që e pasuan atë, me akuzën se ajo aludonte për diktatorin komunist. Se prapa simbolit të zogut qëndronte poeti, poetët dhe njerëzit e letrave në tërësi, ndoshta edhe bota intelektuale, që tek e fundit kishte një mendim të heshtur, që nuk përputhej me qëndrimin zyrtar të lumturisë së skajshme dhe imazhit të një demokracie popullore. Aludimet në poezi në fakt ishin të forta dhe kushdo, që e lexonte nënkuptonte vetë diktatorin. Ja teksti i plotë i saj.

Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu

POEZIA1

Zogj kini një armik për vdekje
Do t’ju shkulë pendët dhe do t’ju thyejë krahët
Do t’ju kthejë në gur të palëvizshëm e pa zë…
Zogj kini një armik për vdekje.
Ju për të të pakapshëm
Ai u turret poetëve
Armiku juaj është armiku ynë
E do pa krahë poezinë
Hapsirën e saj?
Ja sa një kthinë!…
Zogj të dashur
Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
Ata sy që shohin lart dhe larg,
Nxirrjani sytë
Me sqepat tuaj.

1973

Kjo vjershë u botua dhe u pëlqye shumë nga njerëzit. Por gjërat do të ndryshonin për keq më vonë, kur atë do ta lexonte bashkëshortja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. “Ajo u pre në fytyrë dhe tha: kjo vjershë është kundër Enver Hoxhës dhe lihet të kuptohet se armiku i zogjve, d.m.th. i poetëve, është vetë Enveri.” 2

Sidoqoftë poezia kishte aludime të forta kundër regjimit, pasi në fakt dihej se kush e vendoste censurën në vend dhe kush e kontrollonte çdo varg dhe figurë, biles ngandonjëherë qysh në dorëshkrim të poetëve. Poeti ka mundësi ta ketë kamufluar atë si një poezi miqësore ndaj një tjetër shkrimtari, që siç thuhej i kishte alergji cicërimat e zogjve, por në fakt ajo do të ishte poezia më e rrezikshme e shkruar në epokën socialiste.

Revolta e poetit në fund të poezisë, qe nënkuptuar edhe si kundërvënie e hapur ndaj regjimit.

Zogj të dashur
Me një sinqeritet prej fëmije me ju po flas:
Para se ai të na nxjerrë sytë,
Ata sy që shohin lart dhe larg,
Nxirrjani sytë
Me sqepat tuaj.

Sipas prof. Nuri Dragojt: “Një nga inatet personale të Nexhmijes me Xhevahirin ishte fakti, që përmbajtja tematike e poezive të Xhevahirit, nuk kishte shumë tituj për Enverin, për partinë etj. Dhe këtë ajo nuk mund t’ia falte. Pas kalimit të këtij sulmi ndaj poetit, bashkëshortja e diktatorit që drejtonte Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste kishte dhënë edhe porosinë: “Mbajeni afër dhe caktojeni me detyra shoqërore, por asnjëherë në poste me rëndësi: i kishte thënë ajo Anstas Kondos. Dhe në këtë mënyrë karriera e ardhshme e Xh. Spahiut ishte e djegur.3

Një tjetër poezi që do ta vendoste Xhevahir Spahiun përballë sistemit të censurës dhe akuzave “për rënie në ndikimin e ekzistencializmit” është poezia “Jetë”, e botuar në revistën “Nëntori”, numër 12, të vitit 1972. Prej atëherë ajo u bë një nga poezitë më të përfolura, jo vetëm nga kritika letrare edhe gati pas 50 vjetësh.

Në fakt kjo poezi mund të shënonte konsolidimin e rrymës formaliste në poezinë shqipe të filluar rreth viteve 1970. Kjo poezi me elemente iracionalë shumë shtresorë, është një krijim i sofistikuar, sido që në harmoni të plotë me jetën njerëzore dhe përfytyrimet personale, humaniste, të poetit për vetë jetën. Kjo poezi dhe disa të tjera të botuara kryesisht gjatë vitit 1972 nga Frederik Rreshpja, Moikom Zeqo, Skënder Buçpapaj, Sadik Bejko, Anton Papleka, Rudolf Marku etj, shënojnë distancën më të madhe estetike me brezin e vitit 1960. Tashmë kishte lindur një poezi tjetër e nxitur nga intuita individuale e këtyre të rinjve, si një frymë universale e gjithëbotshme dhe në kontrast të plotë me poezinë e angazhuar të realizimit socialist.

JETË4

Pemë po të isha e të mbija ndanë lumit
Do të gjelbëronin shpresat, do të binin prej meje
fletët e trishtimit
Mbi degët e përkulura do të thithej bora e do të
ulërinte era
Degët do të ëndërronin
Të vinte pranvera…
Do t’i ftoja zogjtë
Të vinin tek unë të ngrinin fole,
Të uleshin, të cicëronin një çast mbas shtegëtimit,
Mbi mua pastaj papritur të vërshenin ujërat
E trungun dallgët të ma rrihnin,
Zogjtë le të iknin, në liri
Të iknin…
Fëmijët të kacavireshin,
Gjethet t’i këpusnin për herbariumet e tyre,
Mbas turnit, punëtorët të pinë cigare
Me pëllëmbët e trasha si dy copë trungje,
Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,
Djema,
Mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.
Jam ai që s’kam qenë,
Do të jem ai që nuk jam.
Trungun tim druvarët le të vinë e të presin
Në tokë, në kohë e në zemra,
Rrënjët –
Për t’u rilindur sërish le të mbesin.
Me drurin tim le të bëjnë gjithçka,
Por jo arkivole,
Mbi krye le të kem vetëm qiellin e madh,
Nën këmbë – as hije,
Mbi tavolinat e bëra nga trupi im,
Mbështesni bërrylat,
Bini në mendime.
Jam ai që s’kam qenë
Ai që do të jem nuk jam.

Vetëm disa ditë pasi del në qarkullim revista “Nëntori” kreu i shtetit Enver Hoxha, në një fjalim të mbajtur në Presidiumin e Kuvendit Popullor, më 9 janar 1973, në mesin e disa “direktivave për artin dhe letërsinë” do të merrej personalisht me këtë vjershë të Spahiut. Hoxha mes të tjerave u shpreh se “Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore”.

Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu

Diktatori e akuzon Spahiun për ndikim nga “Ekzistencialzimi i Sartrit”, një vlerësim që e vinte poetin në pozita të rënda armiqësore dhe jo vetëm me realizmin socialist, por edhe vetë sistemin politik, që bazohej tek filozofi a materialiste. Filzofia idealiste e modernizmit apo e arteve avangarde ishte shpallur në kundërshtim me estetikën marksiste. Pra, për Xhevahirin do të thoshte se kishte rënë préh e artit dekadent dhe në pozitat e borgjezisë ndërkombëtare, një term ky shumë i përdorur atëherë për të goditur politikisht “grupet antiparti”, që sistemi i nxirrte herë pas here.

Por çfarë ishte ekzistencializmi sipas konceptit marksist të Tiranës. Për këtë po citoj “Fjalorin Shpjegues të Termave të Letërsisë”, botim i Institutit të Historisë dhe i Gjuhësisë: “Ekzistencializëm (fr. Existentialisme nga lat. existentia-ekzistencë; qënie). Drejtim filozofik letrar borgjez me frymë idealiste subjektive, që ka ushtruar ndikim të madh në letërsinë perëndimore të këtij shekulli. Zuri vend në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, u zhvillua shumë sidomos në Francë, me përfaqësues kryesor Zhan Pol Sartre, A. Kamy (Camus), Simon dë Bovuar (Beauvoir) etj.

Ekzistencialzimi përshkohet tejpërtej nga një botëkuptim pesimist për jetën, mohon karakterin objektiv të qënies, dhe mban si diçka reale vetëm ekzistencën e njeriut, edhe këtë duke e shikuar vetëm në aspektin thjesht subjektiv. Njeriu i ekzistencialistëve është një qënie abstrakte, e shkëputur nga shoqëria, klasa, shtresa në të cilën bën pjesë. Shkrimtarët ekzistencialistë përqëndrohen tek bota subjektive e individit, sidomos tek gjendje të tilla negative si frika, vetmia, ankthi.

Sipas ekzistencialistëve njeriu në jetën e përditshme, të zakonshme, nuk mund ta kuptojë veten plotësisht; që t’ia arrijë kësaj duhet të gjendet në situatë ekstreme, në pikën e fundit të vështirësive, p.sh. përpara rrezikut të vdekjes.5

Është e qartë se poezia përputhet më shumë me pikëpamjet e poetit për jetën, me idealet humaniste të autorit, me idealitetin e tij si njeri, apo me vetëflijimin për njerëzit, apo edhe për të bukurën, një përvojë apo shembull që poezia shqipe e kishte hasur qysh prej Naim Frashërit, dhe që ishte e shpeshtë në lirikën popullore shqiptare me vargjet ku poeti popullor i kërkon Zotit të jetë pemë, të jetë bylbyl në pemë, të jetë zog në krua apo edhe çdo objekt tjetër që të mund të kontaktojë me të dashurën e tij, etj.

Vargjet e famshme të poezisë “Jam ai që s’kam qenë/ Do të jem ai që nuk jam”, u përdorën gjërësisht për ilustrim nga diktatori dhe pas tij, ushtria e kritikëve dhe burokratëve të sistemit, për të sulmuar atë dhe gjithë brezin e tij letrar, për prirje idealiste dhe hermetike në poezinë e dy-tre vjetëve të fundit.

Poeti tashmë ishte i sulmuar si një njeri i prirur për gabime, mosbindje, rebelim estetik, si një poet, që kishte formuar një sistem të vetin individual, figurativ e gjuhësor.

Krijimtaria e Spahiut edhe pas këtyre goditjeve të rënda nuk pësoi ndonjë devijim të madh estetik. Pas Plenumit të Katërt, poezia shqipe rrezikoi të binte deri në nivelin e bisedës, ligjërimit bisedor apo zhargonit të komunikimit klasës punëtore, me luftë klasash, armiq të revolucionit, si dhe idealizimit të figurës së udhëheqësit që fitonte në të gjitha këto beteja ideologjike, shpesh imagjinare, gati në trajtën e baladave folklorike.

Spahiu, refuzoi të shkruante përsëri për “armikun e zogjve” dhe kjo do të thoshte për mbikëqyrësit e tij vigjilentë se ai nuk kishte nxjerrë mësime nga kritikat e bëra nga udhëheqja. “A thua ekzistencialzimi u bë shkak, që poeti Xhevahir Spahiu të gjendej në ferrin e gjallë të dhunës në vitin 1977? Çfarë mund ta shpjegojë përsëritjen e të njëjtës sjellje dhe të të njëjtit fat të rrezikuar në dy kohëra të ndryshme ndaj tij? Lëvizjet e ndikimit janë të rrezikshme në një rend shoqëror. Ato qeveritë nuk i durojnë.”6

Për studiuesin Shaban Sinani “Ndëshkimi i tij nga filozofia “antimarksiste” e Sartrit, është thjesht, një alibi për t’i kujtuar poetit dhe kolegëve të tij se duhet të shkruanin “për partinë e tyre” e jo për të tjera gjëra, “për atë që ju dha shkollë, punë” etj. Kurse, të harrosh këtë, aq më keq, të bësh të kundërtën…7

5.4 XHEVAHIR SPAHIU, POEZIA VIJON TA PËRPLASË ME REGJIMIN

Poeti Xhevahir Spahiu duket se nuk kishte hequr dorë nga stili i tij të shkruarit, një poezi konçize, jetësore përherë me frymë proteste e revolte qytetare, si dhe e distancuar nga shfaqjet e theksuara politike dhe sidomos në raport me figurën e dikatorit. Në këtë periudhë, që një poet i talentuar dhe gazetar i një medie partiake si gazeta “ZP” t’i shmangej lavdërimit të diktatorit në ndonjë poezi apo poemë, ishte si një krim, në mos më madh. Zakonisht gjendeshin gjithmonë mënyra qoftë për t’ia kujtuar poetit, qoftë edhe duke e paralajmëruar atë për kalvarin e vuajtjeve, që mund ta prisnin. Në këtë rast refektimi autokritik i shprehur me vepra konkrete, apo përpunim të tyre nën frymën e partishmërisë ishte një formë e mirë shpëtimi.

Ndërkohë që Spahiu u qëndronte besnik bindjeve të tij estetike, shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë shkruanin në grup letra drejtuar Enver Hoxhës, me zotimin se “do të krijojmë vepra të tjera të bukura, të denja për partinë, për popullin, për komunizmin.” Njëra prej këtyre letrave është e prillit të vitit 1973. Letra në fakt është një dëshmi edhe e presionit të fortë politik ndaj shkrimtarëve dhe artistëve.

Në vitet 1967-1970 një numër i lartë i shkrimtarëve dhe artistëve të Tiranës ishin degdisur nëpër kooperativa, ndërmarrje dhe kantjere ndërtimi në zonat më të largëta të vendit, nën pretekstin për të njohur jetën socialiste dhe ndjekur pulsin e zhvillimit socialist, por në
fakt ishte një presion direkt për t’i nënshtruar dhe siguruar një bindje qorre dhe poshtruese ndaj direktivava partiake, që natyrisht shkonin gjithnjë në kundërshtim me natyren e pavarur të artit dhe letërsisë. Ja teksti i letrës:

“Shokut Enver Hoxha
Sekretar i parë i Komitetit Qëndror të PPSH

I dashur shoku Enver,

Ne shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë socialiste, jemi të ndërgjegjshëm për detyrën e lartë, që na kanë ngarkuar populli e partia, për të milituar në frontin e madh të ideologjisë dhe të kulturës sonë të re, pikërisht për këtë na kanë rrethuar dashuria dhe respekti i popullit, i partisë dhe juaji i dashur shoku Enver.

Me besim të patundur në mësimet tuaja, duke njohur thellë gëzimet dhe hallet e popullit, ne do të vazhdojmë më me ngulm luftën për forcimin e partishmërisë në letërsi dhe arte, për forcimin e tabanit të tyre kombëtar popullor socialist, për ngritjen në një nivel më të lartë teorik marksist-leninist të kritikës letrare e artistike dhe të shtypit tonë.

Me besim e optimizëm të plotë me frymëzim, ne do të krijojmë vepra të tjera të bukura, revolucionare të denja për partinë për popullin, për komunizmin.”8

Por poeti Xh. Spahiu dukej qartë, se nuk ishte i kësaj rruge kompromisi. Brenda vitit 1973 Spahiu goditet dy herë. Pas të ashtuquajturit fjalim të Presidiumit të Kuvendit Popullor në fillim të janarit 1973, ai bëhet përsëri objekt i kritikave të “udhëheqësit” edhe në Plenumin e Katërt të KQ të PPSH-së në fund të qershorit të vitit 1973, i dedikuar pikërisht shfaqjeve të huaja në letërsi dhe arte dhe luftës kundër tyre.

Diferencimi politik e ndjek atë deri në hapjen e dosjes nga Ministria e Brendshme e kohës, që do të thotë se ishte një hap larg nga arrestimi. Në disa dokumente të publikuara nga studiuesi Arshin Xhezo, mik i vjetër i Spahiut jepen prova që arrestimi i tij kishte qënë vetëm çështje ditësh.

Unë i kam përfshirë këto dokumente në këtë studim për faktin e thjeshtë që të provoj se sa brutale dhe e egër ka qenë ndërhyrja e faktorëve jashtëletrarë në jetën krijuese, shkrimtarëve, ndërhyrje, e cila është bërë përcaktuese jo vetëm e temave dhe subjekteve letrare, çfarë ishte normale në këtë sistem të kontrolluar, por edhe e vetë jetës së poetit.

Për të provuar se dalja jashtë një kuadri të paracaktuar strukturor, figurative dhe të shprehjes poetike, apo e formave të tjera ligjërimore, që mund të linte nënkuptime, apo dykuptimësi, ishte e rrezikshme dhe me pasoja, jo thjeshtë me mosbotimin e disa poezive, apo të një libri, por për vetë jetën e poetit. Më 1968 regjimi e kishte dëshmuar këtë egërsi kur kishte pushkatuar poetin Trifon Xhagjika.

Këtë përfundim ndaj poetit Spahiu kërkonte edhe dokumenti i firmosur nga vetë ish-zëvendësministri i brendshëm Feçor Shehu, i emërtuar “Dokumenti 1.”

Sipas studiuesit të njohur Shaban Sinani: “Udha poetike”, e Xhevahir Spahiut “na kumton, se poezia e tij është zhvilluar në një drejtim krejt të përkundërt. Ajo është poezia e shqetësimit, deri në alarm për çështjet më të qenësishme, më ekzistenciale të jetës së njeriut. Poezia e Xhevahir Spahiut është poezia e mitit të prejardhjes, e kultit të vendlindjes, e hymnizimit të lashtësisë, e krenarisë për historinë, atdheun, njeriun. Fatin vetjak, poeti e ka hedhur tutje9

Dokumenti “Sekret 1”, të cilin në vitin 1977, Ministria e Brendshme ia dërgonte Enver Hoxhës, për Xhevahirin ishte shumë i rëndë. Relacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme sugjeronte arrestimin e poetit të shquar me akuzën: “Xhevahir Spahiu i implikuar, armik dhe antiparti. Shkruan poezi armiqësore dhe ironizon klasikët e marksizëm-leninizmit.” Në vijim përmendet edhe një provë tjetër, që u kishte rënë në dorë kundër poetit.

Siç thuhet “Në një material të përgatitur nga Xhevahir Spahiu, i ashtuquajturi “Simpozium për rakinë”, përçmohen dhe ironizohen mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimi i tyre në mënyrë krijuese nga Partija t’onë”, duke vijuar se “Të rinj si Xhevahir Spahiu janë të pakënaqur. P.sh. Ali Oseku ka hedhur fjalë fyese ndaj ish-pedagogeve të tij, duke e quajtur thjesht, bojaxhinj…” Shkresa sekrete është firmosur nga vetë Zv. Ministri i Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, në Tiranë, më 1.VI.1977.10

Në këtë material sekret të Ministrisë së Brendshme, i cili do ta dërgonte poetin deri në prag të burgut thuhet: “Xhevahir Myrteza Spahiu, i datëlindjes 1945, lindur në Skrapar e me banim në Tiranë, anëtar Partie, me arsim të lartë, i martuar, me punë korrespondent i “Zërit të Popullit”.


Xhevahir Spahiu themeloi rrymën formaliste në poezi

XHEVAHIR SPAHIU
– ZËRI I MBIJETËSËS NË POEZINË BASHKËKOHORE SHQIPE

Në mbledhjen e organizuar posaçërisht e “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e viti 1977, poetit Xhevahir Spahiu i bëhet një gjyq i rëndë politik, si i ndikuar nga filozofia e Sartrit. Dhe si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.

Sipas dokumentit të mbledhjes të publikuar, së pari nga Arshin Xhezo, në përfundim, mbledhja i jep pesë masa ndëshkimore Spahiut:
1) Përjashtim nga partia;
2) Të largohet nga gazeta “Zëri i Popullit:
3) Të largohet familjarisht nga Tirana e të çohet në Pukë;
4) Të dërgohet në minierë që të edukohet në gjirin e klasës punëtore;
5) T’i ndalohet botimi…

Nga Mujë Buçpapaj,
Doktor i shkencave letrare

Gjatë ndjekjes dhe zbulimit të veprimtarisë armiqësore të grupit armik e antiparti në sektorët e artit e të kulturës të kryesuar nga Fadil Paçrami, Todi Lubonja e Dashnor Mamaqi, rezulton se në ngarkim të Xhevahir Spahiut kanë dalë këto materiale.

– I pandehuri Fadil Paçrami, në proceset hetimore ka deponuar “…

Në poezitë hermetike, të cilat në vetvete paraqitnin paqartësi; linin shumë kuptime, ishin të errëta dhe shkaktonin keqkuptime e ide të shtrembra tek lexuesit. Më të dhënë për këtë proces kanë qenë Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu. Kjo është një tendencë e njohur në botën perëndimore dhe ka marrë një zhvillim kohët e fundit në Kosovë e si rrjedhim në vendin tonë u fut si rezultat i kontakteve tona me poetët dhe krijimtarinë e tyre në Kosovë.

…Përveç pasojave që pati në krijimtari kjo veprimtari, pasoja të rënda shkaktoi në ndarjen
në breza të krijuesëve dhe në hedhjen në luftë midis tyre. Në fakt shenja të ndarjes në breza ka pasur edhe para vitit 1960, por kjo ndarje u bë më e dukshme dhe me pasoja pas viteve 1960.

Sidomos në vitet e fundit, unë inkurajova një ndarje të tillë. Me pikëpamjen e ndarjes së brezave ka qenë edhe Xhevahir Spahiu. Si rezultat i kësaj ndodhën gabime të llojeve të ndryshme krijuesish me koncepte dhe shije të ndryshme në bazë shoqërie, njohje, në bazë estetike ose interesa të tjera, deri tek ato lokaliste.

Shumë krijues u tërhoqën, u bënë të pakënaqur për trajtimin, që u bëhej si nga unë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ashtu edhe nga i ashtuquajturi brez i ri. Disa nga të rinjtë si Ali Oseku, hidhnin edhe fjalë fyese ndaj ish pedagogëve të tyre, duke i quajtur thjesht bojaxhi.

Duke vepruar në këtë mënyrë u inkurajuan të rinj me pikëpamje të shtrembra ideo-artistike, të cilët u bënë propagandues të shfaqjeve të huaja në letërsinë dhe në artet tona, siç ishin Xhevahir Spahiu, Fatos Arapi, Sulejman Mato, Faslli Haliti, Moikom Zeqo, Ali Oseku, Llambi Blido, Ksenofon Dilo, Nikolla Zoraqi, Shpëtim Kushta, Kristaq Dhamo, Minush Jero e ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Kundërshtimet dhe acarimet midis këtyre grupeve shkuan duke u trashur. Unë këtu gabova sepse mora anën e të rinjve. Këtë e bëra për vetë pikëpamjet e vjetra, që kisha në këtë drejtim qysh kur punoja me rininë…11
Por dokumenti sekret, i publikuar fillimisht nga studiuesi Arshin Xhezo, gazetar i njohur i kohës, dalin edhe disa të dhëna të tjera, që e rëndojnë së tepërmi poetin lidhur me një shkak tjetër, që poeti mund të kishte bërë në një zyrë partie në Përmet. Dokumenti në fjalë thotë: “Xhevahir Spahiu, kur ka qenë në Përmet, ka pasur shoqëri me Arziko Ismailin, ish sekretare e Komitetit të Partisë, e dënuar kohët e fundit, me 10 vjet privim lirie për veprimtari armiqësore. Mbas arrestimit të Arziko Ismailit, në shtëpinë e saj, gjatë kontrollit, është gjetur një material për një të ashtuquajtur “simpozium mbi rakinë”. Në këtë material bëhet fjalë, midis të tjerave, për tema e kumtesa që përçmojnë dhe ironizojnë mësimet e klasikëve të Marksizëm-Leninizmit dhe zhvillimin e këtyre mësimeve në mënyrë krijuese nga Partija t’onë. Aty, janë planifikuar tema të tilla si:

– Ç’kanë thënë klasikët për rakinë.
– Lufta kundër ideollogjisë borgjeze që nënvleftëson rolin e rakisë në revolucion.
– Rakija dhe e ardhmja e njerëzimit.
– Përmeti, si pellgu më i lashtë i rakisë.
– Etimologjija e fjalës raki dhe zamzane.
– Artitektura e klubeve të rakisë.
– Recitim nga Omer Kajami.
– Si duhet t’i prodhojë gotat e rakisë fabrika e Kavajës.
– Ndarja e çmimeve për të dalluarit në këtë fushë.
– Përshëndetje e pionierëve.
– Telefon komunales për gotat e thyera.
– Ç’mendohet për ngritjen e fabrikave të reja të rakisë.
– Kur duhet të fillojë femra të pijë rakinë.
– Vërejtje mbi projektbuxhetin e rrethit.
– Detyrat e kontrollit punëtor për zbatim të këtyre detyrave.

Arziko Ismaili, e pyetur në gjyq ka deklaruar se ky material është përgatitur nga Xhevahir
Spahiu, në zyrën e saj, kur ajo ka qenë sekretare partie. Duke u mbështetur në materialet e mësipërme, arrijmë në:

KONKLUZION
Për Xhevahir Spahiun: Të informohet Partia dhe materiali të ruhet.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT HETIMOR
PËRGJEGJËSI I GRUPIT OPERATIV12
/Elham Gjika/
/Nevzat Haznedari/

Tashmë ishte e qartë se poeti Xhevahir Spahiu ishte në harmoni me njerëzit, me lexuesit dhe përkrahësit e shumtë në të gjitha nivelet shoqërore, në misionin që Aristoteli i kishte njohur poezisë qysh prej antikitetit, frymës së saj universale, por në konflikt të fortë me sistemin burokratik.

5.5 PESË MASA NDËSHKIMORE NDAJ POETIT XHEVAHIR SPAHIU

Në mbledhjen e organizuar posaçërisht e “me porosi nga lart” në redaksinë e gazetës “Zëri i Popullit”, në verën e viti 1977 poetit Xhevahir Spahiu i bëhet një gjyq i rëndë politik, si i ndikuar nga filozofia e Sartrit. Dhe si poet rebel i pandreqshëm dhe i kritikuar disa herë nga vetë Enver Hoxha.

Sipas dokumentit të mbledhjes të publikuar së pari nga Arshin Xhezo, në përfundim mbledhja i jep pesë masa ndëshkimore Spahiut:
1) Përjashtim nga partia;
2) Të largohet nga gazeta “Zëri i Popullit:
3) Të largohet familjarisht nga Tirana e të çohet në Pukë;
4) Të dërgohet në minierë, që të edukohet në gjirin e klasës punëtore;
5) T’i ndalohet botimi…13

Për poetin dhe familjen e tij nisin të tjera vuajtje dhe vetëm për shkak të poezisë së tij. Por nuk ishte i pari poet, që përjashtohej nga partia, përpara tij poeti Lame Kodra (Sejfulla Malëshova) ishte përjashtuar qysh me 1946 nga partia si opurtunist i djathtë. Prej atëherë ai e kishte kalur jetën si magaziner deri sa kishte vdekur në vetmi.

Shumë dekada më parë surrealistët Andre Bretoni, Pol Elyari, Kreveli qenë përjashtuar nga Partia Komuniste Franceze, pas vetëm shtatë vjetësh në atë organizatë. Bretoni prej atëherë nuk e shihte të drejtë angazhimin e aritit në luftën politike. Por në Shqipëri, përjashtimi dhe demaskimi politik ishte baraz me burgun dhe izolimin politik dhe jetësor.
Egërsia ndaj poetëve ishte e pranishme në jetën e vendit.

Po ato ditë, më 17 korrik 1977 ishte kryer ekzekutimi i poetëve të talentuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Poeti Genc Leka (1941-1977), ishte 36 vjeç kur u ekzekutua, ndërsa
sipas dokumenteve “prej vitit 1959 ishte vënë në përpunim të organeve të Sigurimit të Shtetit. Ishte arrestuar më 31.8.1976. Vilson Blloshmi (1948-1977), ishte 29 vjeç kur u ekzekutua. Raportimet e para për të nga Sigurimi janë nga viti 1966, ndërsa ndjekja aktive është nga viti 1970. U arrestua më 5.8.1976.”14

Jeta letrare e Xhevahir Spahiut është e çuditshme. Edhe pse arrin t’i shpëtojë burgosjes, nuk i shpëton largimit nga Tirana, puna dyvjeçare në minierën e Valiasit dhe heqjen e të drejtës së botimit.

Studiuesi Robert Elsie, në librin e tij për Historinë e Letërsisë Shqiptare bën zbulimin e plotë të veprës së tij dhe karakterit të saj antikomformist: “Xhevahir Spahiu (1945), një nga poetët më të fuqishëm e më të talentuar të Shqipërisë së sotme, që mund të quhet një zë i mbijetesës. Gjatë spastrimeve të shkrimtarëve dhe inteletualëve në vitin 1973, diktatori Enver Hoxha e përmendi Spahiun me emër pse kishte shkruar vjershën “Jetë”. Kjo vjershë përmbante vargjet “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që nuk jam”, pse të kujton edhe pse fare rastësisht, një varg të Zhan Pol Sartrit (Jean Paul Sartre, 1905-1980).

Ndonëse poeti nuk e kishte pasur kurrë mundësinë për të shijuar frytet e ndaluara të filozofit frëng (sikundër me sa duket, kishte pasur mundësi diktatori shqiptar) ai u demaskua si ekzsitencialist, baraz me tradhëti të lartë. Shpëtoi për qime, duke i kanalizuar energjitë e tij në hullinë e entuziazmit revolucionar. Pas pak vjetësh për fatin e tij të mirë dhe të vetë poezisë shqiptare, iu lejua përsëri botimi.”15

Poezia e Spahiut është një dëshmi e jetës së tij, artit dhe filozofisë së tij krijuese e ndërtuar me një kujdes të veçantë për fjalën dhe shprehjen poetike.

– “Kënaqësia e Spahiut është të hetojë dhe të zbulojë skajet e gjuhës poetike.”16

5.6 KRITKA PËR SPAHIUN

Libri i parë i Xhevahir Spahiut e prezanton atë si një poet kurajoz, që sjell një frymë të re në poezinë shqipe, sidomos për fjalën e mirëmenduar, mendimin e ngjeshur dhe filozofinë që përcjell përmes tyre, më së shumti mesazhin kombëtar të ripërtëritjes dhe ekzistencës.
Ai nga ciklet e para të botuara në fund të viteve 1960 e në vijim erdhi në ngritje. Kritiku Dallan Shapllo e konstaton këtë zhvillim tek shprehet se “Poeti i ri Xh. Spahiu ka bërë përparime në poezinë e tij, por si edhe të poetëve të tjerë, më tepër duhet të ndihet jeta, materiali i qartë jetësor në krijimet e tij. Ai ka shkruar poezi të ndjera, me brendi të shëndoshë, por hera-herës vuan edhe nga organizimi i vargut dhe konkretizimi i idesë.17

BRIRËT E DEMIT18

Dikujt tani mund t’i kujtohet e dashura,
dikujt nëna.
Mua një dem i zi më kujtohet
me brirët si dy gjysmëhëna.
Demi nën qiell një ndërkryerje e bukur,
brirët mbi kokë si mbi shkëmb ishin ngulur.
E doja shumë;
sidomos shumë ia doja brirët,
krenaria e qeve, mendoja unë.
Por një mbrëmje të hidhur, të zymtë,
një dorë e çartisur u ndeh;
mori sharrën dhe brirët e demit
i hodhi si drurë përdhe.
I mora të dy gjysmëhënat,
lotët natën m’i ndritën mbi buzë.
Prej brirëve ku flinin vikamat,
si qepallë dridhej qielli pa fund.
Dikujt tani mund t’i kujtohet e dashura,
dikujt nëna;
Një dem në kujtesë vërtitet,
në duar dy gjysmëhënat.

1965

Kjo poezi e shkruar në moshën 20 vjeçare është një imazh i fëmijërisë së tij të hershme në fshat, ku jeta lëviz në të tjera dimensione shpesh herë të çuditshme, si demi me brirë të lartë që e ka mallëngjyer, por edhe e ka pikëlluar poetin pas prerjes së brirëve të kaut mitik. Me të drejtë Rene Ëelek dhe Austin Warren shprehen se “Letërsia është institut shoqëror, që përdor si mjet komunikimi gjuhën, e cila gjithashtu, është institut shoqëror.”19

Energjiku Xhevahir Spahiu nuk është poet murg dhomash të mbyllura apo edhe i një vetmie të humbur në mendime. Ai e ndien veten më së miri vetëm mes njerëzve. Tamam atëherë fillojnë dhe i shndrijnë sytë si shqarth, kurse zëri fillon të përcjellë gjithë atë emocion që vetëm poezia e vërtetë është në gjendje të shprehë. Dëgjuesit mbetën përherë të magjepsur. Në një vend ku deri vonë çdo vjershë, çdo fjalë, çdo mendim i nënshtrohej një filtri të dendur konfirmizmi ideologjik e personal, ky zakon deklamimi të zjarrtë e spontan, e bënte atë njëfarë dukurie unikale nëpër rrugët e zymta të Tiranës. Poezia e këtij “enfant terrible” të letrave shqiptare është e fuqishme, ndonëse nganjëherë me një frymë artificialiteti.20

Pavarësisht pse në Tiranë, Xhevahir Spahiu ishte vënë preh e masave represive për rënie në hermetizëm apo formalizëm dekadent, aq të dënuara në atë kohë, në Prishtinë një studiues dhe profesor universiteti Agim Vinca gjen tek ai “një poezi realiste jetësore”.

Vinca thotë se “në mesin e poetëve, që u afirmuan në vitet 1970, përveç Koçi Petritit me
talentin dhe fizionominë e tyre dallohen: Ndoc Papleka, Ndoc Gjetja, Xhevahir Spahiu. Nuk
duhet harruar këtu me profilet e veçanta poetike edhe Sulejman Mato, Moikom Zeqo, Llabro Ruçi, Betim Muço, Spiro Dede, Bardhyl Londo, apo edhe më të rinjtë si Hamit Aliaj, Skënder Buçpapaj, Rudolf Marku, Agim Isaku, Petrit Ruka, etj.21

Jeta në lëvizje dhe fatet njerëzore, që takohen dhe shkëmbehen në këtë zhvillim të natyrës socialiste të jetës dhe komunikimit, vjen nga njëra poezi tek tjera, por poeti zgjedh të ndërtojë poezinë e tij përmes detajesh dhe rrjedhe poetike, që e bën poezinë të lexohet edhe sot, nga një tjetër lexues dhe një tjetër sistem vlerash estetike.

Në poezinë e Xhevahir Spahiut, sikundër edhe në poezinë e Dritëro Agollit, të Fatos Arapit, të Ndoc Paplekës etj, është e theksuar prirja që realitetit të kapet në lëvizje. Sikurse tek autorët e përmendur, edhe tek ai, kjo prirje ngrihet thuaj në një parim krijues…22

Për shembull këtë atmosferë, përcjell edhe poezia “Buzëqeshje që rend23:

Eh, ky djallo shi!
Eh, kjo dreq dëborë!
Në kabinë që nga fotografia
E bukura të përshëndet me dorë!
Jashtë – ftohtë.
Brenda – ngrohtësia e dëshëruar e së dashurës,
Ti e shikon,
timonin dredh.
Dhe nuk e ke aq të vështirë të kalosh Qafën e
Thanës.
Hypin e zbresin në kabinën tënde
Fshatarë e minatorë,
Cigaret në buzë
Të shuara nga era.
E bukura nga fotografia
Buzagaz u thotë:
– A u lodhët, bre burra?
Shkundini mushamatë te dera!
Skoda dridhet. Motori, si zemra rreh.
Vrapon buzëqeshja (shumë e njohur për ty)
E panjohur dhe e njohur për ne.

Poeti dhe kritiku Ali Podrimja ka shkruar disa herë për poezinë e Spahiut duke evidentuar ato karakteristika kryesisht të spektrit gjuhësor, që e veçojnë atë nga poetët e brezit të tij. Ai pohon se “Poezia e këtij poeti, njërit ndër më të talentuarit e peozisë sonë të modernitetit, mahnit me sensibilitet dhe qasje. Duke u përballur me përmbajtje, ide, figura dhe mesazhe, hetohet se shkrin e poezisë, nuk e pranon si vargnim por si mjeshtri, art, si nevojë të domosdoshme shpirtërore shoqërore – historike, të një krijuesi të angazhuar e të njëmendtë në kohë krizash e shqetësimesh traumatike.”24

Një nga studiuesit më të spikatur të poezisë së Xhevahir Spahiut, prof. Shaban Sinani, kur
bën dallimin mes brezit të viteve 1960 dhe atij që i përket poeti, apo më saktë mes poezisë së tij dhe brezit pararendës vëren se “Në poezinë e Xhevahirit nuk ka qytete të përfytyruar, ardhmëni postindustriale, antena, trena të shpejtë, kibernetikë, urbanizim të qëllimshëm, teknologji të frikshme për vetë fatin e poezisë.25

Kjo zgjedhje poetike mund të konstatohet lehtë edhe në poezinë “Rrugëve të vjeshtës”, ku poeti shkrihet me natyrën, duke i dhënë poezisë nota tejkohësie të papërcaktuara. Imazhet e tij kanë përjashtuar notat politike aq të zakonshme në poezinë e kohës. Vetëdija letrare e Xhevahirit është e shkëputur nga sistemi i figuracionit politik, duke bërë qëllimisht një distancim ndarës me botëkuptimin dominues në letërsi dhe arte, atë materialist, biles marksist, që nuk e kuptonte poezinë “vetëm si përvetësim artistik”.

RRUGËVE TË VJESHTËS26

Pemë, gurë, më flisni pse heshtni;
Ditë vjeshte, ç’luhati kështu?
Krejt pa drojtje në gjoks m’u mbështetni,
Të mbështetem dhe unë tek ju.

Dashuri? Ndoshta, pra, ndaj s’më heshtet,
Ndaj si erë rrugicat përshkoj;
Jam shkëputur nga gjoksi i pranverës,
Dhe në udhët e vjeshtës shtegtoj.

Përmbytja e poezisë së kohës nga nervi i tepruar politik dhe aksiomat politike, ishte shumë në modë. Ky stil i të shkruarit, i shtyrë masivisht edhe nga politikat botuese, redaktuese, promovuese, por edhe nga formuluesit dhe përcaktuesit apriori të karakterit të letërsisë dhe arteve në socializëm dhe me më keq akoma, në kushtet siç thuhej, të rrethimit të egër imperialisto-revizionist e kishte çngjyrosur poezinë dhe gati nxjerrë atë nga funksioni i saj estetik. Këtë konstatim e bën edhe prof. Agim Vinca, atëherë mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës…


Xhevahir Spahiu themeloi rrymën formaliste në poezi

XHEVAHIR SPAHIU ZËRI I MBIJETËSËS NË POEZINË BASHKËKOHORE SHQIPE

Nga Mujë Buçpapaj,
Doktor i shkencave letrare

Këtë konstatim e bën edhe prof. Agim Vinca, atëherë mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, qysh në atë periudhë teksa shkruan se “shikuar nga aspekti ideor, poezia që krijohet në Shqipëri ka karakter të theksuar politik, aq sa mund të thuhet se asaj i kanoset, seriozisht, rreziku i politizimit të tepërt, mirëpo, megjithëse nuk janë krejtësisht imunë ndaj parullave dhe slloganeve politike, poetët më të mirë i karakterizon përpjekja dhe insistimi i vazhdueshëm për të mos e shndërruar poezinë në traktat politik, në pllakat dhe fletërrufe.

Poetët e brezit të ri përpiqen të vënë njëfarë drejtpeshimi midis këtyre komponentëve në poezi, duke synuar njëkohësisht që të dalin nga ky rreth vicioz i temave, motiveve subjekteve dhe ideve ‘të preferuara’, në njërën anë dhe metaforave, epiteteve, krahasimeve dhe figurave të tjera standard dhe të konsumuara, në anën tjetër.27

Në kontrast me këtë frymë entuziaste apo industriale, Xhevahir Spahiu përpiqet shumë që ta ruajë poezinë në profilin e saj strukturor dhe lëndor, duke mos e ngatërruar me fjalimin poetik, reportazhin poetik apo kronikën e zakonshme të jetës socialiste. Metaforat, simbolet dhe bota mistike e Baba Tomorrit me imazhin e të cilit ishte rritur, ndjehen në poezitë e tij, sido që ishin bërë një kërcënim për të.

Xhevahir Spahiu
Xhevahir Spahiu

Teoricienët e famshëm amerikanë Welek dhe Warren theksojnë se pas “klasifikimit të veprave poetike sipas përmbajtjes dhe temës, pasi shtruam pyetjen se ç’përfaqëson poezia, si një lloji i caktuar i fjalës artistike, edhe pasi thamë më tej se ‘mendimi’ i një vepre poetike nuk përftohet me perifrazim, por shquhet nga një konstekst i tërë strukturash, si struktura kryesore poetike, veçojmë katër kategoritë e përmendura në titullin e këtij kapitulli.” (Figura, metafora, simboli, miti).28

Poezia “Dashuri” është një tjetër lirikë me vlerë e vëllimit “Mëngjes sirenash”, e cila e shikon dashurinë në një dimension njerëzor dhe gati mistik, që nuk mund ta deformojë as njeriu i ri i revolucionit që dashurinë si rregull e gjente në gjirin e kolektivit.

DASHURI29

Mbi xhamin e ftohtë ballin e mbështeta.
Jashtë gjëmon dimri, brenda gjallon jeta.

Krejt m’u kjartësua qielli i mendimeve,
Si nga rreze dielli shtigjet e luginave.

Dhe m’u ngrit në kokë një statujë brune,
Si një krah pëllumbi larg e larg lëkundet:

Herë humbet në mjegull, herë kaq pranë hepohet,
Në një çast të vetëm katër stinët ndërrohen.

Ç’bardhësi hapësirash! Ndjenjat zjarre ndezin,
Përmbi tela flokësh gishtat tinguj çelin.

Gishtat nëpër flokë, rrezet nëpër re,
Jetë e lashtë shumë, dashuri e re.

Këto erëra, dallgë të përjetshme
Vallë si na mblodhën në një rrugë të vetme?

Treni trokon rëndë, si kavaleri…
Ku mjafton një kalë për ty, dashuri!

Gishtat derdhin tinguj, dielli shket mbi re,
Botë e lashtë shumë, dashuri e re!

Të gjithë kritikët e veprës së Xhevahir Spahiut bien dakort se poezia e tij e përzgjedh fjalën, si mjeshtri i mirë gurin në mur. Fjala vihet në varg me peshë mendimi, figurative dhe nuk mund ta luash më, nuk mund ta zëvendësosh, siç mund të bësh me vargun e një poeti tjetër. Ai e mendon gjatë fjalën para se ta shkruajë në letër. Përdorim i gjuhës merr një trajtë shumëkuptimore në poezinë e tij, e bën atë të veçantë por përherë të diskutueshme edhe domethëniet e tij dhe mesazhet filozofike që përcjell.

Aventura krijuese, imagjinata e lëshuar në mundësitë e pashtershme fonetike të gjuhës, në poezinë e Xhevahir Spahiut është më origjinalja dhe çudibërëse. Në çdo hap e freskët, e papërsëritshme, gjuha e kësaj poezie nuk fsheh – ajo qartëson fshehtësi përmes ekspresionit estetik të mahnitshëm.”30 Poezia ‘Ylberi”31 sjell një imazh të strukturuar mirë, ku përmes paralelizmash të përsëritur ngrenë një përjetim të fortë emocional dhe poetik.

Dielli i fshehur,
Horizonti – gri:
Si një hark triumfi u mbërthye
Fasha e ylberit përkarshi.

Njeri krah u pleks mes portokallesh,
Tjetri përmi dallgë u mbështet,
Një grusht rëre sikur do të marrë,
Sikur do të lidhë tokë e det.

Retë u derdhën njerëzve përmbi flokë
Shi të imtë – copëza nga qielli.

Rizon shiu,
Rrotullohet bota
Varur në një vjegë prej ylberi.

Edhe Ali Podrimja e cilëson këtë veçori të Spahiut si një reflektim të stilit të tij si një mënyrë poetike e të menduarit të Spahiut, i cili vjen gjithnjë i veçantë dhe brenda natyrës së tij poetike dhe njerëzore, biles qysh prej poezive të para të botuara në shtypin e Tiranës.

Ai shprehet se Spahiu “Është konçiz në atë që thotë, ka dendësi vargu, shpirtëzon dhe mesazhi është shumë njerëzor. Teksti na shpie te poezia aforistike që shënon kulmin e një krijimi, ëndërr për krijuesit e njëmendtë.32

Jo vetëm Podrimja por edhe akademik Ali Aliu ka shkruar për veçantitë e përzgjedhjes së fjalës, por edhe strukturën e ngjeshur organizuese të poezisë së Spahiut, natyrën sintetike, të kursyer, shpesh alegorike por edhe të vargjeve që kanë peshën e fjalëve të urta, apo sentencave filozofike, duke e krahasuar me poezinë e Azem Shkrelit.

Duke rishikuar edhe një herë mishërimin e rreptë të poetit ndaj fjalës, me kënaqësi po vërej dhe po përmend një tipar të ngjashëm të tij me poetin Azem Shkreli, te i cili, fjala po ashtu kishte pastërtinë e majave të alpeve të Rugovës, vendlindjes së poetit, që e kishte të lindur “një fjalë prej guri”.33

Spahiu ka një fjalor të gjërë dhe një gjeopoetikë po kaq të gjërë. Ashtu si Podrimja apo Rreshpja ai është poet i atdheut, i fateve të tij. Përgjithësisht ky brez poetësh vë kombin përpara idealeve të partisë dhe internacionalizmit proletar. Natyrisht nuk jam duke thënë se ata ishin poetë nacionalistë, por që ishin patriotë, është mjaft e dukshme.

Ai në këto tema shkëlqeu pasi shmangu gjuhën banale, shabllone e të ngarkuar me retorikë politike, apo publicistike që ndeshej në shumë poetë të kohës, kryesisht tek ata të nivelit mesatar, diletantë apo të pa talent dhe që përpiqeshin ta kompensonin këtë mungesë me poezi partiake apo të tjera të stilit të poezisë popullore, rapsodike. Poezia “Skrapar”34 është një poezi e tillë e shkruar me strofa dyshe por që mbart krejt emocionet e poetit për vendlindjen e tij.

Male kapriçioze me formë të çuditshme,
Njerëz me zemër të madhe fisnike.

Muzgu si parashutë vigane po bie,
Muzgun e shpojnë këmborë dhe zile.

Në shpatet, që mbajtën beteja mbi supe,
Nata mbi grurë dhe vreshta po ulet.

Grykat e maleve, grykat e lugjeve –
Të thella, të ngushta si grykët e pushkëve.

Mbi maja: burbullojnë zjarre që s’shuhen,
Mbi shkrepa: Harusha e Madhe përkulet.

Peisazh i ngatërruar i tokës skrapare:
Astronom, ku janë yjet? Bari, ku janë zjarret?

Spahiu është një poet që ka tërhequr kritikën më të skajshme ndaj tij. Si atë konfi rmuese, pozitive ashtu edhe atë që është përpjekur ta shkatërrojë.

Dritëro Agolli: “Xhevahir Spahiu është një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria, poet me një shprehje të fuqishme metaforike, me përplasje idesh, me një frymë lirike dhe zhvillim dramatik të vargut, me një fi guracion të plotë, por kryesisht me ide të thella, tronditëse.”35

Ali Podrimja: “Duke shpalosur përmbajtjet, tropet, fi gurat dhe imazhet hetohet se shkrimin e poezisë ky poet nuk e ka zeje, as nuk e kupton si mjeshtëri siç e kuptonin simbolistët, por nevojë shpirtërore-shoqërore-historike të një individi të angazhuar e artisti të njëmendtë në këtë kohë krizash botërore e shqetësimesh tronditëse. Brenda kreativitetit, atë që rrëfen eroi lirik thuhet pa ngurrim e halë në gjuhë, me dashuri e bukuri, dëshmi për talentin që ka poeti.”36

Rudolf Marku: Në opusin krijues poetik të Xhevahir Spahiut, është e pamundur të gjesh një poezi, e cila me fuqinë artistike, mos të ngulitet fort në kujtesën e lexuesit. Në poezinë e tij ndihet fuqishëm zëri i kohës, i problemeve të saj, qofshin ato morale, shoqërore, politike etj. Kjo poezi e ka në qendër të vëmendjes gjithçka që ndodh në realitetin ekzistues të poetit, gënjeshtrën që sillet si e vërtetë, dhunën, padrejtësinë, të shëmtuarën, të ligën, ashtu sikurse të bukurën, dashurinë për njeriun, vendlindjen, fëmijërinë, nënën, motrën, Naimin, Nolin, Migjenin etj. “Poezia e këtij autori është një poezi e kohës, e angazhuar dhe njëherësh fine, me nerv dhe njëherësh fisnike, është një poezi polivalente dhe me nëntekstin ka shqetësimin e kohës dhe lëvizjen e saj”.37

Ante Popovski: “…me poezinë e Xhevahir Spahiut, edhe vetë poezia evropiane përfiton në origjinalitet dhe modernizëm… Talenti i tij poetik luksoz e identiteti krijues i pakrahasueshëm, bashkon rreth vetes tematikën me një përsosmëri të vazhdueshme të gjykimit të tij, e cila, padyshim flet në mënyrë absolute për rrugët e reja të poezisë bashkëkohore botërore e për mesazhe qëndrueshmërie të ndërtesës së tij poetike, themeluar sipas traditës dhe mitit nacional”.38

Gjatë asaj periudhe Spahiut i janë kthyer shumë poezi në përbërje të vëllimeve në dorëshkrim që i dorëzonte për botim, apo edhe me cikle të veçantë të dërguara për publikim në shtypin letrar të Tiranës. Disa nga poezitë e e mëposhtme, të kthyera nga botuesit si krijime që kishin “frymë antiregjim” dhe “aludonin më të keqen”, kanë qënë pjesë e ciklit “Migjeni flet” në përbërje të librit në dorëshkrim “Zgjidhmi i thellësive”:

SHIGJETA

“Nuk është sëmundja që ma bren mushkrinë,
As brengë e dashurisë. As dhe fati.
Jo, mos ma shkulni heshtën, që në brinjë,
Ma nguli koha, me sa fuqi pati.

Nga ky mjerim, dhe gurët do të qanin,
S’mund të mos çahej zemra si me plor,
Këndoni për mustaqet e sovranit,
Poetë të oborrit mbretëror.

Kur grushti nis t’i hakërrehet zotit,
Më lind një shpresë… Dridhuni tiranë!
Ma shkulni, shokë, atë shigjetë prej gjoksit,
Më të u bini atyre që më ranë!”

POETI

“Me veshët raso, rason ua grisa,
Më lypët këngë, këngët s’ua dhashë.
Ju prisnit trëndafilë, ju hodha hithra,
Me thikat e sarkazmave ju rashë.

Kur patë se goditja keq ju therri,
Ju shpikët heshtjen si një mur të ftohtë,
Një ditë, gjithçka mund të ma merrni,
Po penën kurrë nuk ma merrni dot!”

NË EMËR TË GËZIMIT TUAJ

Ju mund të pyesni; pse kaq dhembje, Pse në çdo fjalë pikon trishtim? Marr penën, nis t’ja them një kënge Kënga del britmë rebelimi.

5.6 KONKLUZION

Xhevahir Spahiu hyri në poezinë e viteve 1970 si një poet i identifikuar shpejt për stilin origjinal dhe kompeks. Spahiu u bë shpejt simbol i disidencës artistike dhe i refuzimit estetik në një shoqëri totalitare.

Papajtueshmëria e tij estetike me sistemin, në lidhje me konceptet e tij formaliste që ngjajnë më shumë si parime individuale dhe të papërsëritshme, e vunë atë në situatë të sikletshme dhe shpesh të rrezikshme.

Kjo përndjekje ndaj poetit ndikoi shumë në jetën e tij dhe sidomos në krijimtarinë e tij, përveç të tjerash sepse i është dashur që të gjitha energjitë t’i kanalizonte në mbrojtjen e vetvetes dhe mbijetesën njerëzore. Prandaj Robert Elsie e quan “zë të mbijetesës”.

Mendoj se potenciali i tij krijues e evidentoi atë edhe në kohët më të rrezikshme duke i lënë vazhdimisht një shteg nga mund të dilte tek liria.

Vlerat e kësaj poezie mund të kuptohet nëse lexuesi i sotshëm i ka disa njohuri paraprake për kohën kur janë shkruar, si dhe për funksionimin e censurës dhe të autocensurës në shoqëritë totalitare.

Pavarësisht këtyre kufizimeve, poezia e Xhevahir Spahiut është demokratike, novatore dhe e hapur për t’i dhënë kënaqësi estetike lexuesit të çdo kohe, pasi ajo inspirohet nga dashuria për njeriun, cilësia e jetës në liri dhe krenaria kombëtare.

Spahiu ashtu si edhe Rreshpja dhe poetët tjerë të këtij brezi, u penguan me mjete politike për të zhvilluar eksperimentin e filluar në fillim të viteve 1970 duke u sjellë një dëm si autorëve, ashtu edhe vetë poezisë shqipe. Ata patën një barrierë ideologjike për të komunikuar me poezinë perëndimore, duke qenë tërësisht produkt të shkollës shqiptare. Në një shoqëri të hapur me siguri do të kishim sot disa poetë të njohur në nivel ndërkombëtar, nga ky brez i quajtur liberal…

Spahiu mendoj se është një fenomen në poezinë moderne shqipe. Ai ruajti profilin e tij autentik poetik pavarësisht rrethanave të mbikëqyrjes që aplikonte sistemi i censurës. Profilin poetik të Spahiut mendoj se ndikuan edhe rrethanat e jetës së tij dhe vetë origjina.

Spahiu lindi në një fshat të vogël të Skraparit që i dha atij përveç mësimit se në jetë duhet luftuar për ekzistencë edhe përfytyrimet më të gjalla poetike imazhet e papërsëritshme që do ta frymëzonin gjithnjë krijimtarinë e tij.

Këto imazhe dhe imagjinata e shfrenuar e fshatit të vogël do të thyheshin shpesh nga egërsia me të cilën do të ndëshkohej nga sistemi i censurës në letërsi dhe në jetë. Arsimi i tij u bë në rrethana të vështira ekonomike por i dha atij kulturën e nevojshme për të njohur letërsinë e pararendësve dhe eksperiencën botërore.

Ai e shfrytëzoi këtë eksperiencë jo si imitues, por si një zë i veçantë i poezisë së pas viteve 1970 dhe në vijim.

Spahiu filloi të shkruaj qysh herët, por librin e tij të parë “Mëngjes sirenash”39 do botonte në vitin 1970, në moshën 25 vjeçare, duke tërhequr vëmendjen e kritikës letrare.

Spahiu hyri në letërsi, në kohën kur ishin vendosur jo vetëm hierarkitë e ngurta, por edhe mure që nuk do ta lejonin të ecte përpara.

Pavarësia dhe kultura e mosnënshtrimit e ngulitur thellë edhe si një mënyrë jetese, e armiqësuan me sistemin i cili kërkonte njerëz të nënshtruar dhe poet ndihmës të partisë në edukimin e masave.

Stili i tij i gjallë poetik, sintetik dhe më prirje formaliste, që konsideruar i pakontrollueshëm dhe i papërshtashëm nga regjimi.

Edhe pse një gazetar i politikës, ai nuk ia dorëzoi talentin dhe frymëzimin e tij kultit të diktatorit, çfarë nuk ishte diçka e rëndomtë në jetën letrare të kohës, në këmbim të një jete më të qetë, karriere dhe favoreve të tjera që kishte sistemi.

Ai ndoqi rrugën më të ndershme, sido më të vështirë për të dhe familjen tij, në shenjë të refuzimit estetik të realizimit socialist. Pas viti 1973 ai u sulmua direkt nga diktatori komunist si i implikuar në rrymat moderne si ekzistencializmi, duke iu nënshtruar një gjykimi dhe pastaj dënimi në punë të rënda në minierë, të përsëritur disa herë. Ai do të dërgohej në minierë për riedukim dhe do t’i hiqej disa herë e drejta e botimit, por këto masa nuk e bënë të hiqte dorë nga ëndrra e tij për një letërsi ndryshe.

Ndikimi i tij në poezinë bashkëkohore ka qënë i madh dhe domethënës. Spahiu ishte mishërim i shpresave të thyera të një brezi për të sjellë ndryshime cilësore në poezinë shqipe. Spahiu është edhe një përkthyes i njohur i poezisë botërore, kryesisht nga gjuha frënge.



1. Xhevahir Spahiu: Libri “Udha”, vëllimi I, f.81.
2. Spiro Dede, Kujtime, cituar nga N. Dragoj, monografia “Sfidat e poetit,” f. 137.
3. Nuri Dragoj: “Sfidat e poetit”, f. 141.
4. Xhevahir Spahiu. “Nëntori” 1972, nr.12, f.110.
5 Fjalori Shpjegues i Termave të Letërsisë”, botim i Institutit të Historisë dhe i Gjuhësisë, (Tiranë, 1972, f. 49-50.
6. Sh. Sinani: Poezia e vetëflijimit, cituar “Për letërsinë shqipe të shek të 20-të”, f. 286.
7. Sh. Sinani “Për letërsinë shqipe të shek. XX, f, 329.
8. Gazeta “Drita”, 15 prill 1973, faqe 1.
9. Sh. Sinani “Për letërsinë shqipe të shek. XX, fq. 329.
10. Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto) https://www.voal.ch/zbulohet-dokumenti-ku-sigurimi-i-shtetit-kerkonte-arrestimin-e-poetit-xhevahir-spahiu/ 1 tetor 2015.
11. Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto). https://www.voal.ch/zbulohet-dokumenti-ku-sigurimi-i-shtetit-kerkonte-arrestimin-e-poetit-xhevahir-spahiu/ 1 tetor 2015. Materili gjendet edhe në Arkivi i Ministrisë së Rendit, Dosja Hetimore Nr. 2370 A e procesit ndaj Fadil Paçramit. Viti 1975-1976. Cituar nga libri “Kadare dhe regjimi komunist, f. 419-430.
12. Intervistë e gazetarit Arshin Xhezo, mik dhe koleg me Xhevahir Spahiun, dhënë gazetarit Naim Zoto) ( https://www.voal.ch/zbulohet-dokumenti-ku-sigurimi-i-shtetit-kërkonte-arrestimin-e-poetit-xhevahir-spahiu/ )
13. https://www.voal.ch/zbulohet-dokumenti-ku-sigurimi-i-shtetit-kerkonte-arrestimin-e-poetit-xhevahir-spahiu/
14. https://www.balkanweb.com/40-vjet-nga-ekzekutimi-ipoeteve-genc-leka-dhe-vilson-blloshmi-si-u-kurdis-gjyqindaj-tyre/
15. Robert Elsie: historia e letërsisë shqiptare”, pejë tiranë, 1997, f.422-423.
16. Robert Elsie: Historia e Letërsisë Shqiptare”, Pejë Tiranë, 1997, f.423.
17. Dalan Shapllo: “Pleniumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kushtuar problemeve të poezisë”, revista Nëntori nr. 8, 1975, f.22.
18. Xhevahir Spahiu. “Nëntori” 1972, nr. 12, f.110.
19. Rene Welek dhe Austin Warren: Teoria e letërsisë”, Tiranë 2015, f.94.
20. Robert Elsie: Historia e Letërsisë Shqiptare”, Pejë Tiranë, 1997, f.423.
21. Agim Vinca: Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Enti Botues i Mjeteve dhe Teksteve Mësimore, (Prishtinë 1997, f. 404.
22. Agim Vinca: Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Enti Botues i Mjeteve dhe Teksteve Mësimore, Prishtinë 1997, f. 413.
23. Xhevahir Spahiu: Nga libri “Mengjes sirenash”, f. 10-11.
24. Ali Podrimja: “Në ferkun e zgjimit”, citimi nga libri “Sfidat e poetit”, i Nuri Dargijt, f. 364.
25. Shaban Sinani: Poeti që hapi një portë të mbyllur”, marrë nga libri “Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të”, Tiranë, botim i dytë, f. 292.
26. Xhevahir Spahiu: Nga libri “Mëngjes sirenash”, f. 10-11.
27. Agim Vinca: Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980), Enti Botues i Mjeteve dhe Teksteve Mësimore, Prishtinë 1997, f. 423.
28. Welek dhe Woren: “Teoria e letërsisë, Tiranë 2015, f. 191.
29. Xhevahir Spahiu: Libri “Mëngjes sirenash”, f. 16-17.
30. Ali Aliu: “Koha e pamposhtur e poezisë”, parathënie e librit “Xhevahir Spahiu poezi të zgjedhura”, f. 5-21, Tiranë.
31. Xhevahir Spahiu: Libri “Mëngjes sirenash”, f. 32.
32. Ali Podrimja: “Në ferkun e zgjimit”, citimi nga libri “Sfidat e poetit”, i Nuri Dargojt, f. 366.
33. Ali Aliu: “Koha e pamposhtur e poezisë”, parathënie e librit “Xhevahir Spahiu poezi të zgjedhura”, Tiranë.
34. Xhevahir Spahiu: Libri “Mëngjes sirenash”, f. 29.
35. Dritëro Agolli: “Poezia e Spahiut një xhevahir që shkëlqen”, marrë nga libri “Sfi dat e poetit”, i Nuri Dargijt, f. 360.
36. Marrë nga libri “Sfidat e poetit”, i Nuri Dargijt, f.361.
37. Marrë nga libri “Sfidat e poetit”, i Nuri Dargijt, f.360.
38. Marrë nga libri “Sfidat e poetit”, i Nuri Dargojt, f. 361
39. Xh. Spahiu ka botuar këto vepra: Mëngjes sirenash (1970 ), Ti qytet i dashur (1973), Vdekje e perëndive (1977 ), Dyer dhe zemra të hapura (1978 ), Zgjimi i thellësive (1979), Bashkohësit (1980), Agime shqiptatare (1981 ), Zambakët e Mamicës (1981 ), Kitaristët e vegjël (1983 ), Nesër jam aty (1987), Heshtje s´ka (1989), Dielli i lodrave (1990), Poezia shqipe, antologji (1990), Kohë e krisur (1991 ), Ferrparajasa, 1994, 1998, 2000, Pezull 1996, Rreziku 2001, 2003, Udha I, II poezi të zgjedhura (2005), Zogj të kaltër, poezi për fëmijë 2010, Vetëtimë, 2013.

Marrë nga Nacional

1 KOMENT

  1. Ju lumte i ndruar Arben Cokaj kete BOTIM bere per veprat e te madhit Poet Xhevahir Spahiu. THESARI i PENAVE te atdheut tone. *NAIMJAN i Diteve qe jetojme*, Dite NJEMIJE atij sa Ju dhe Gazetes Botuar. Nga Toronto me mbi 100 *VETERANE e Pasardhes* JU pershendesim-Dite 1000-je-POETIT nderuar – e gezuar FESTAT e Majit. Me Ju *Pasuresi Veteran* 87 vjecar.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.