Kritikë letrare: DIÇKA E BUKUR DHE E FRIKSHME NJËKOHËSISHT

0
484
Fadil Halimi - Ëndrra, shi dhe lule

Fadil Halimi, “ËNDRRA, SHI DHE LULE”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2020, faqe 86. ISBN 978-9951-06-798-0

FILLIMI

Poezi e Fadil Halimit, jep shkas për ta dashur më shumë poezinë. Lirikat e stivuara me shije kanë strukturim meditativ që futet thellë në vetëdijen krijuese, dhe të zgjerojnë esencën e të kuptuarit që drejtpërdrejt ndikojnë në mbamendje, qoftë për stilin estetik por edhe për metaforën eliptike në kuptimin pozitiv e metaforik që kanë poezitë, veçmas me tipikën e vargut: “Diçka e bukur dhe e frikshme njëkohësisht”, (faqe 46.)

Poezia kështu si është shkruar, jep shkas për interpretime të shumta, të gjithanshme e shumëdimensionale, për më tepër edhe për mesazhin e saj universal. Këto përkufizime krijojnë mozaikun e tërësishëm të mendimit kritik, për poezitë lirike të shkruara kujdesshëm dhe të realizuara bukur.

Vëllimi poetik “ËNDRRA, SHI DHE LULE”, ndahet në katër cikle: 1. “SHI DHE LULE – Stinë dashurie”, 2. “PLUMBA – Pluba dhe shi”, 3. “SHI DHE ËNDRRA – Libri i mosdurimit”, dhe 4. “KARANTINA – Cikli i fundit”. Nge vet titujt e cikleve dhe nëntitujt pasues, në këtë vëllim me poezi identifikohet dukshëm “Simboli i SHIUT në poezi!”, simbol ky i dukshëm brenda librit dhe te vet poetit.

MOTIVI MBI DHUNËN DHE LUFTËN

Motiv dallues i poezisë që ka për motiv luftën dhe dhunën e saj nën okupimin klasik të cilin e ka përjetuar poeti, tashmë zgjohet e rikthehet nga kujtesa e fjetur si nënvetdije pasive e individit, dhe do të ndikoj për zgjerimin e imagjinatës së lexuesit për t’i kapur e kuptuar më mirë disa nga metaforat lirike të kësaj poezie.

Të flasim realish, as ky motiv nuk është me aq teprim, por ato që janë, janë estetikisht dhe artistikisht të qëndrueshe. Nga libri i parë, “PROCES NË KAFKË“, të cilin e ka botuar ”RILINDJA“, në vitin 1992, deri në këtë botim të dytë në vitin 2020, ka hyrë ndërmejt një jetë, vuajtje, përjetime, sfida e mbijetesë, sa duket ky kalvar i dhembjes dhe përjetimeve e ka detyruar poetin të mos i përkushtohet aq poezisë, sidomos botimit të saj.

Kjo përllogaritje nuk ka të bëjë me vlerën estetike të saj, por detyrimisht na detyron t’i determinojm disa dukuri të brendshme në formimin poetik dhe lirik të Fadil Halimit si poet, jeta e të cilit lidhshmërisht lidhet me të gjitha lëvizjet shoqërore e politike, lufta dhe tranzicion demokratik, faza nëpër të cilat kaloi Kosova, topikë kjo që ky poet nuk iu nda e as nuk ia ktheu asnjëherë shpinen.

Prandaj, edhe në përgatitjen e këtij libri ka ndjekur të njëjten mënyrë si me librin e parë, duke pasqyruar profilin e vet poetik, madje ka ripërseritur motive të shndërruar në trajta më të avancuara në aspektin artistik dhe meditativ. Poezitë përfaqësojnë momente të ngjarjeve dhe përvojave jetësore për gjatë këtyre viteve, që paskan lënë gjurmë, andaj tani i shijojm si metaforë më e përpunuar dhe më e përparuar. Bashkë me disa trajta të përjetimeve tashmë janë bartur si rezultat i përvojës krijuese, ndërsa notat pesimiste, risjellen si mënyrë shprehëse për të artikuluar mendimin poetik i cilidukshëm është më i avancuar.

DHEMBJA DHE TRANSFORMIMI FIGURATIV I SAJ

Fadil Halimi, ka vazhduar të përpunoj anën estetike dhe artistike të poezisë, ku tronditja dhe përplasja janë bërë art i vargut, kurse përshkrimi artistik i ngjarjes është prirje dhe afinitet krijues, andaj poezitë janë realizuar në aspektin e mendimt artistik më të sforcuara, kurse metafora tashmë është liruar nga ajo ndjenja e frikës dhe trysnisë klasike, sado që disa aspekte e shpjegojnë atë realitet të rëndë, i kthejnë përjetimet nëpër etapa kah ka kaluar, pashmangshëm poeti si individualitet, dhe shoqëria si tërësi e kolektivitetit. Poezitë kanë fisnikëruar artin e të shkruarit poezi.

Më së miri ky përjetim krahasues duket te poezia “Vit i jashtëzakonshëm 1989“, tashmë e strukturuar në një variant të ri, “1989 (Vit i jashtëzakonshëm)”. Varianti i dytë i ngjarjes është kundruar nën prizmin e retrospektivës për atë kohë që diku paska mbetur në mbamendjen e poetit. Ky transformim kualitativ I poezisë, dhe kjo trajtë e përshkrimit artistik të të njëjtes ngjarje ndeshet rrallë, ppr përfaqëson vlerën e kujtesës dhe të mundësisë artistike të interpretimit, prandaj po i risjell të dy variantet:

VIT I JASHTËZAKONSHËM 1989

Atë vit qyteti u bë vërdallë
Atë vit shiu s’u ndalAtë vit gjethet u thanë
Atë vit bilbilat u vranë

Atë vit dielli perëndoi
Atë vit qielli lotoi
Atë vit nëna rënkoi

Atë vit vetëm gazeta lexova
Atë vit vetëm vargje shkrova
Atë vit vetëm lejlekët ngushëllova

Libri: PROCES NË KAFKË, (1992), faqe 9.

1989 (VIT I JASHTËZAKONSHËM)

Kur e gjitë bota ka për të harruar
unë deri të vdes kam për të kujtuar

Atë vit gjethet u thanë
bilbilat u vranë
lejlekët nga atdheu u ndanë

Kujtoje, ndonjëherë
qe 1989, vit i jashtëzakonshëm
qyteti u bë copë e thërrime
shiu as loti s’u ndal

Mos harro
atë vit dielli perëndoi,
qielli lotoi
nëna për të birin rënkoi

Ishte vit i jashtëzakonshëm
me ty veç gazeta lexova
liri e drejtësi kërkova

Kur e gjithë bota ka për të harruar
unë deri të vdes kam për të kujtuar

Libri: ËNDRRA, SHI DHE LULE, (2020), faqe 38.

 

Këto dy variante të të njëjtes ngjarje janë poezi jashtëzakonisht interesante. Janë botuar në dy kohë të ndryshme dhe flasin për: “Vitin e Jashtzakonshëm 1989”. Simbolet janë të njeta, sepse në të dy trajtat kemi: Vitin kalendarik, vrasjet, shiun, lotët, gjethet e thara, bilbilat e vrarë, lejlekët, perëndimin e diellit, rënkimin e nënave, leximin e gazetave, ku bashkë me kujtesën e pashmangshme të poetit, është ndërtuar ky mozaik tematik i sojit dhe llojit të vet lirik.

Pa u marrë fare me interpretimin metaforik të figurave letrare dhe simbolikën e tyre, ky lloj transformimi figurativ është i rrallë në poezinë e sotme shqipe, madje i papërsëritshëm, sidomos kur kihet parasysh distanca kohre nga libri i parë në librin e dytë, poezia merrë edhe më tepër vlerë.

Edhe një poezi tjetër ka këtë strukturë identike të ndertimit. Poezia “LINDJA NË ORË POLICORE”, kushtuar Filloretës, vajzës së vogël, botuar në librin e parë dhe poezia tjetër “U LINDE NË ORË POLICORE”, përshkruajnë nga këndvështrime të ndryshme po atë ngjarje tepër të rënda për poetin. Fatmirësisht, motivi është pikasur në vemendjen poetike duke e kthyer atë tragjikë në trajtë të re poetike:

LINDJA NË ORË POLICORE

(Filloretes, sime vogëlushe)

Linde në kohë të jashtëzakonshme
Vogëlushja ime
Për herë të parë u takuam
Në orën policore

Në prillin e iluzioneve
Të pagëzova me shiun e mërzisë
Me parandjenjë të dhembjes
E të mallit përvëlues

Ende pa i shqiptuar zanoret e para
U ballafaqove me acarin e madh
Të atij dhjetori të pamëshirshëm

Në periferinë e errtë të qytetit
Me shpirt të ngrirë mbaja në duar
Rrahjet e forta të zemrës

Assesi ta gjejë drejtpeshimin
Kacavarur në tehun e shpresës

Në orët e pasmesnatës policore
Buzëqeshja jote e ngrirë
Dhe sytë e kallur për jetë
Kapërdinin dhembjen time të moçme

Libri: PROCES NË KAFKË, (1992),
faqe 15.

U LINDE NË ORË POLICORE

U linde në kohë të jashtëzakonshme
në prillin e iluzioneve
të pagëzova me shiun e mërzisë

Në orën policore u takuam për herë të parë
sytë shkëlqenin zjarr
nga një parandjenjë dhembje e malli

Ende pa i shqiptuar zanoret e para
u ballafaqove me acarin e madh
të dhjetorit më të ftohtë

Në përiferinë e errët të Prishtinës
zemra jote e madhe rrihte fort
në fluturimin lamtumirës

Në orët e pasmesnatës policore
Sytë e kallur për jetë
E buzëqeshja jote ngriu në dhimbjen time

Libri: ËNDRRA, SHI DHE LULE, (2020),
faqe 44.

 

Këto dy poezi në dy trajta interpretimi, përshkruajnë të njëjtin rast, të njëjten fatkeqësi, por mënyra dhe trajta e interpretimit, bashkë me frymëmarrjen poetike tashmë kundrohet ndryshe, por me shprehje, figura dhe simbolikë identike, prandaj kanë dalë dy poezi, dhe dy interpretime vetanake të cilat për mua janë art poetik dhe padyshim është aftësi krijuese për të sajuar imazh të ri dhe kuptim më fisnik.

Këto dy trajta interpretimi, dëshmojnë afinitetin për interpretim ndryshe, pa e transformuar kuptimin e përmbajtjes dhe të ndodhisë në diçka tjetër, poeti ka arritur të përshkruaj ndodhinë e njejtë me dy mënyra të ndryshme të rrëfit duke mos u nisur nga e njëjta pikë.
Karshi këtyre dy poezive mjaftë intersante, poeti po me këtë frymëmarrje ka interpretuar artistikisht edhe një ngjarje tjetër, e ndodhur me të birin – fëmijë në kohë lufte.

Vargjet e poezive rrëfejnë dy raste të kundërta, e para ka ndodhur në orë policore, kurse rasti i dytë paska ndodhur në kohë lufte. Protagonist i të dyja poezive është vet poeti, ndërsa në duart e tij, në rastin e parë është vajza-foshnje, e në rastin e dytë, djali-fëmijë, përball tyre okupatori serb. Derisa në rastin e parë me rroba policie në rastin e dytë ky okupator tashmë është veshur me uniformë ushtrie, prandaj ky përshkrim i dhembjes është art i dhembjes, tamam siç shprehet poeti: “Vuajtja ime/ është plagë e moçme?!”.

Edhe në lexim e sipër përjetohet ai trishtim, ajo situatë, pasi po ky prind, baba i dy fëmijve, në dy raste të ndryshme përjeton tmerrin e dhunës serbe. Shkenca e psikoanalizës, sigurisht do të thoshte se po të vritej NJERIU në luftë, ai do të përjetonte vetëm një dhembje, por nëse INDIVIDI do të tërturohej deri në këtë masë, dhembja do ta torturoj atë tërë jetën e më pastajme.

PLUMBA DHE SHI BIEN, VOGËLUSHI IM

Shpejt je rritur
vogëlushi im
e s’mundem me të mbulue
me trup
nga plumbat
ndërsa shiu bie sixhim 

Ta kapërcejmë edhe këtë mal
e pastaj flasim
për shtëpinë,
për shkollën,
për çantën me lodra,
dhe për gjithçka
që ka mbetur në flakë pas shpine

Në luftë mungon edhe buka,
edhe ilaçet,
por Ti mos u mërzit

nga vuajtja ime
është plage e moçme kjo

Në luftë,
veç kokën ruaje vogëlushi im
nga plumbat që bien
si shi

Sepse edhe ky shi,
edhe plumbat e armikut
e kanë fundin e vet

thonë në luftë
kur fëmijet vriten,
liria është afër

Libri: ËNDRRA, SHI DHE LULE, (2020),
faqe 33.

 

Në rastin e dytë, te poezia “PLUMBA DHE SHI BIEN, VOGËLUSHI IM”, babai tashmë është i pjekur dhe plotësisht i vetëdijshëm. Ai bëhet sfidues kundrejt dhunës së okupatorit, dhe me kurajen e tij e ka këshilluar të birin se në luftë vetëm kokën duhet ruajtur. Ndërsa në rastin e parë, te poezia “Lindje në orë policore“, kemi metamorfozën e përjetimit të dhembjes si proces fiziologjik, që si dhembje artistike është përpunuar, dhe në vëllim e tashëm kjo poezi, përmes kodit të retrospektivës është transformuar në kujtesë: “U LINDE NË ORË POLICORE”, atëherë kur poeti ishte prind i ri, rrëfimi poetik risjell artistikisht gjunjëzimin e detyrueshëm dhe trishtues në orën policore, për të puthur vajzën me të cilën ”për herë të parë u takua/ në orën policore?!“.

Ky moment shpreh një gjendje apokaliptike të asaj kohe, të atyre orëve policore, kur me dekret policie është ndaluar edhe lëvizja e fëmijës nga barku i nënës, ashtu siç e ka përshkruar poeti: ”Në orët e pasmesnatës policore/ Buzëqeshja jote e ngrirë/ Dhe sytë e kulluar për jetë/ Kapërdinin dhembjen time të moçme“. Kjo “dhembjen e moçme”, është bartur si varg i ndjeshëm poetik edhe në poezinë “PLUMBA DHE SHI BIEN, VOGËLUSHI IM”. Ndërsa simboli në këto tri poezi, si dhe figurat tjera letrare e stilistike, bashkë me metaforat, janë me dukje amorfe, materje kjo që përshtatet nga rasti e çasti i ndodhisë.

SIMBOLI I SHIUT NË POEZI

Tipologjia në fushën e letërsisë, kryesisht merret me format e klasifikimit të shprehjes e të gjuhës, metaforës a të simbolit në një vepër letrare a poetike. Prandaj tipologjia e SHIUT në këtë poezi më shumë ka figurën e simbolit që shpeshherë ndeshet edhe si metaforë e rrjedhës dhe e vazhdimësisë, por si ndjenjë është trishtim tematik. Kjo analogji ka të bëjë me raste reale por edhe të imagjinuara për nevojat artistike të vargut dhe poezisë.

Shiun si simbol në këtë poezi e ndeshim në titullin e librit “ËNDRRA, SHI DHE LULE”, pastaj në titujt e cikleve “Shi dhe lule”, “Plumba dhe shi”, “Shi dhe ëndrra”, si dhe në titull poezie “Shiu i mallkimit”, kurse nëper vargje të poezive e kemi evidentuar si: “Të pagëzova me shiun e mërzisë”, “E rrah shiu i mallkimit”, “Shiu i mallkimit të ka përcjellë”, (në rast dëshperimi), “Ndërsa shiu bie sixhim”, (më shumë në ndonjë rast kritik), “Nënë, qielli rigon gjak” dhe “Shiu as loti s’u ndal”, (shprehet dhembje e përjetim), kurse vargjet: “Binte shi i zi në pikëllim”, “Shi dhe ëndrra”, “Me ditë, me net shi nuk ra”, “Të pagëzova me shiun e mërzisë”, dhe “Për dashurinë/ për shiun e për lulet”, janë raste që në një formë a në një tjetër shprehin simbolikën e dhembjes, dëshpërimit e të mos rehatis, ndërsa “Shiu”, i përdorur si shprehje simbolike për metaforë, shpreh dukshëm ndjenjën e tragjikës, dhembjes dhe dëshpërimit, shprehur në këto vargje: “Shi plumbi bie në plagën e moçme”, “Plumbat që bien/ si shi”, “Edhe ky shi/ edhe plumbat e armikut”, “Të plumbave që binin si shiu” etj. Por “Shiu – simbol”, më qartë është trajtuar te poezia “Shiu i Mallkimit”:

SHIU I MALLKIMIT

Shi i mallkimit
Rrah në dritarën e shpirtit
E gjethet e vjeshtës bien në zemërNatën e verbër përsëritet
Në gotën e qelqtë fati im ndrydhet

E rrah shiu i mallkimit

Gjithçka që më rrethon
Nuk është imja, as hija në mur
Që më tërheq zvarrëGjërat pësojnë metamorfozë
Njeriu se njeh veten
Në pasqyrën magjike

Faqe 55.

 

TOPIKA, PËRKATËSISHT METAFORA MBI LLAPIN

Edhe në këtë libër, si në vëllimin e parë e kemi të theksuar topikën identike për “Llapin”, si vend, si trevë e njohura e atdheut, pa dyshim me bëmat dhe lavditë e veta. Por për Fadil Halimin është edhe vendi ku nis frymëzimin muza e tij poetike, mjaftë e lakuar edhe si metaforë. Derisa në vëllimin e parë kemi këtë frymëzim epik për Llapin: “Llapi (nuk) është përrallë/ për të hyrë, për të dalë…. Llapi u mblodh në shtratin e vet/ e vërteta krejt nuk dihet/ Ditë as natë shi nuk ra/ në Merqez lakmia u vra“, (Libri: PROCES NË KAFKË, (1992.)

Ndërsa te vëllimi i tashëm e ndeshim edhe topikën mbi Gllamnikun: “Në vendenisin e lashtë/ Gjen ashtën dhe rrashtën/ Hieroglifë e gjuhës që më kuptojnë”, (poezia ARKEOLOGU, faqe 41). Kurse topika mbi Llapin, shihet se nga libri paraprak metamorfoza e transformimit është më estetike: “Llapi nuk është përrallë/ Për të hyrë, për të dalë/ Si troku i Kalit të Trojës”, (poezia MIKU IDHNAK, faqe 53). Por transformimi i simbolit si topikë mbi Llapin është mjaftë e kompletuar si shprehje metaforike, te poezia në vijim:

LEGJENDË MBI LLAPIN

Troku i Kalit Trojan
Atë natë shtigjeve të besimit
Helmoi lumin tim të përgjakur
Dhe gjelin e shpëtimit e verboiLlapi u mblodh në shtratin e vet

E vërteta krejt dihet
Me ditë, me net shi nuk ra
Në Merqez lakmia u vra
Tehut të shpatës iknin korbat

Duke lënë eshtrat e kafka
Në tokën e përgjakurSepse miku im
Llapi (nuk) është përrallë
Për të hyrë,

Për të dalë

Poezia LEGJENDË MBI LLAPIN,
faqe 62.

 

Përpos këtij frymëzimi nga epika legjendare e kësaj krahine, poeti Fadil Halimi, ka të zhvilluar motive të tjera nëpër poezitë: “Stina e dashurisë”, në të cilën ka shprehje estetike dhe artistikisht mirë e realizuar. Poezia në vete përmban një mallëngjim atipik për dik që e takon vetëm në stinën e verës, dhe si duket fjala është për ndonjërin nga fëmijet e tij që e përcjell për diku larg, gjithmonë në prag të vjeshtës, dhe aty ai pret kthimin e sërishëm “duke fshehur mallin në sy”. Edhe poezitë: “Ajo fytyrë e ëmbël”, “Vendi i zbrazët i Nanës”, “Shtëpia e vjetër e babës”, “Vetmia si mallkim”, “Ecja në dritën e hënës”, “Gajkë në shuplakë”, “Një shekull vetmi”, “Maska”, “Armiqt e Atdheut”, “Diçka e frikshme po ndodh”, “Kohë barbaresh”, “Shiu i mallkimit”, “Dita e parë në Karantinë”, “Nata e fundit në karantinë”, “Kohë diktature”, “Kosovë, fjalë e gozhduar”, “Hijet e natës”, bashkë me poezinë kushtuar poetit e gazetarit të vrarë në luftë Afrim Maliqi, e ndonjë tjetër, plotësojn edhe më mirë mozaikun lirik e tematik të kësaj përmbledhje poetike.

Në dy poezitë kushtuar gjyshit: “Ëndrra e venitur e gjyshit” dhe “Shekulli i mortit”, poeti ka trajtuar një motiv të panjohur në poezinë e Fadil Halimit. Ngajrja kthehet diku njëqind e sa vjet prapa në kohën e dëbimeve të mëdha e masive të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, Kurshumlia, Prokupla, Tullari, Pusta Reka etj., pra atje ku shtëpi e katandi kanë mbetur në pritje të kthimit të robit e të Zotit, ndërsa poeti pohon se: “Gjyshi im/ Vdiq nga dëshpërimi me ëndrrën e venitur në sy/ Me kujtimet dhe fotografitë e tokës së djegur”, (faqe 16).

FUND

Në mbyllje të këtij shkrimi kritik, tash mund të shprehemi më lirshëm se poezitë e Fadil Halimit, në tërë shtrirjen e librit kanë ngritje cilësore, janë poezi të përpunuara me kujdes estetik dhe artistik, dhe si tërësi tematike e motivore, janë me vlerë, prandaj lirshëm radhiten te radha e epërme e poezisë së sotme shqipe, jo vetëm në Llap!…

St. Gallen, 08 janar 2023.
Shefqet DIBRANI

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.