Janina e vitit 1909 në reportazhet e Mithat Frashërit, të botuara në disa numra të gazetës “Lirija”
Përgatiti për botim prof. dr. Luan Malltezi
Nga LUMO SKENDO
9, 10 NË FRASHËR PARË
Gjashtë javë në Shqipëri 14 vjesht’ e parë. Nga Leskoviku në Janinë.
Udha sot është mjaft e gjatë; me qerre na thonë se mban plot 12 orë; ne me kal pa dyshim do ta bëjë dhe ca më tepër. Kur nisemi, pra, nga Leskoviku, atë qytet e lëmë në gjumë.
Vendi ku shkelin patkojtë e kuajve është një shosé e Ahmed Ejub Pashës, e atij valiu që ka bërë të parat udhë në këto vende: në vilajet të Manastirit dhe të Janinës, tekdo që të shoç një shosé mos pyet e kujt është, se 99 për 100 do të thonë që e ka bërë Ahmed Ejub Pasha.
Në të ftohtë të mëngjesit udha s’na duket dhe kaq e mirë, po 20 kilometra larg Leskovikut përnjëherë vërejmë se kemi një shosé të çudiçme; kjo udhë që vete kështu gjer në Janinë s’ka asnjë drudhë pluhur, as një copë gurë të dalë, as më të voglën e gropës; mësoj se kjo shosé e çudiçme është ndërtuar prej Osman Pashës, valiut të Janinës; tartari domethënë me gjithë të metat e mëdha të tij bëri dhe një thërrime shërbim.
Ruajtësit që shohim në kolibet e vogla në çdo 10 kilometra shërbejnë në ruajtjen kaq bukur të kësaj rruge.
Pa vajtur katër ora kapërxejmë Vjosën mbi një urë të bukur dhe të shëndoshë; një han dhe ca zaptije e kollxhinj ruajnë atë vend. Edhe s’andejmi udha shkon në mes të pamjeve me një bukuri të madhe; sa hije ka ky breg i mveshur ku janë shtrirë fshatrat Mesare dhe Karamuratas. Ca më tej shohim Konicën me pyllthin e tij pranë dhe me fushëzën e bukur përpara, ku ndrit Vjosa si rrip i argjentë.
Edhe shoseja gjithnjë e bukur, e pastër dhe shumë herë e mbjellë me drurë, përnjëherë kthehet, bën një bryll; tani më s’shohim as fushën e Konicës, as Vjosën, jemi më një grykë; arrimë në qafë të Dhemës, më thotë shoku që më shoqëron që në Manastir. Ora është 5 e gjysmë allaturka dhe kemi nevojë për një çlodhje, se kemi dalë që më 12 të mëngjesit dhe s’kemi qëndruar asgjëkund.
Një kafene e vogël dhe një karakoll dhjetë çape më tej. Kasollen që shërben për kafene e mban një nga Nivica dhe onbashi i karakollit është nga Tepelena. Duke ngrënë ca mish të ftohtë që kishim në trastë dhe rrushtë që blem atje, lidhëm kuvendin edhe me kafexhinë edhe me onbashin.
Kuvendi i xhandarit më intereson më tepër se ky djalosh, më tregon edhe të pështirat e mjeshtërisë së tij, edhe të paudhat që punohen.
Me 70 groshë në muaj domosdo do të vjedh, më thotë, se njeriu nuk rron me erë. Edhe më tepër tani që do ta nxjerrin fare, se i gjori s’di as të këndojë as të shkrojë dhe tani po i bëjnë t e n s i k xhandarët dhe kërkojnë që të jenë “efendilerë”.
– Po shqip a këndon or mik?
– E kush ma mësoi që ta nxë?
Vërtet kush është përpjekur për këta të mjerë, edhe kur, më ç’kohë?
Dy abetare që kemi pranë i duken si një dhuratë e madhe tepelenasit të gjorë edhe që atë çast zë a be ce…
Pastaj na rrëfen se grekomanët vendës kishin marrë vendime të liga dhe shpresa të dëmshme; pas h y r i j e t i t vendi ish mbushur me armë dhe komitat po lëvrinin si pleshtat në pleh. Po të shkuarët e topave nga Manastiri në Janinë e qetësojë vendin; të rrungullisurit e atyre pirgjeve hekur mjaftoi që të shtrojë mendimet dhe ndjenjat.
Grekomanët e vendit? Oh sa i hidhur më është dukur ky udhëtim i sotëm, me gjithë bukurinë e udhës! Po ç’është bërë shqipja në këto vende, ku ka vajtur gjuha jonë? Pse qëkur kam dalë nga Leskoviku më s’e kemi dëgjuar mbi udhë, ashtu si na përkëdhelte veshin gjer më tani?
Me një fjalë: këta njerëz që pjek mbi udhë grekër janë, apo shqiptarë të grekosur dhe të helmuar? Ashtu sikundër që shqiptarët janë unjur në Greqi dhe kanë mbuluar një tok
vende, ashtu pra dhe grekërit kanë ardhur gjer këtu, apo me anë të kishës dhe të propagandës gjuha greqishte ka hedhur kaq rrënja të forta? Pa dyshim në Janinë dhe më poshtë do të gjej dot përgjigjen e këtyre pyetjeve.
Tani më s’kemi as kohë që të vërejmë shumë, se akoma s’jemi në mes të udhës dhe ora po shkon.
Pas hanit të Kalibaqit bijmë në fushë ku dremit pellgu Lapsishta, një pellg që mund të thahet me pak të prishura dhe mund të lerë një dhè pëllor dhe të bukur.
Po kuajve i do rënë, se dhe në han të Likostomit s’mund që të rrimë; dielli i është fare qasur qarkut.
Kur hyjmë në Janinë ora kish vajtur një e natës dhe mezi shohim udhën që shkojmë dhe miqtë që na kanë dalë përpara.
“Lirija”, Nr. 82, f. 3
Selanik, 3 prill 1910
Gjashtë javë në Shqipëri
15 vjesht’ e parë. Në Janinë
Në Janinë! Kur ngrihem, më e parë e punëve është të nxitoj në dritare dhe të hedh një vështrim jashtë, të shoh këtë qytet, këtë Janinë kaq të dëgjuar.
Nga shtëpija që jam, shoh një pjesë të madhe të qytetit. Kënetën atje poshtë dhe Miçqelën më anë tjatër, mali Miçqel i xhveshur e i kuqëreshmë.
Po kam nxit që të dal dhe ta shoh më mirë këtë qytet dhe dua të kuptoj a më ka mbetur nonjë kujtim i vogël nga kohët e foshnjërisë që kam shkuar atje.
Me afro 30 mijë njerëz, Janina është një nga më të bukurit qytet të Shqipërisë, nga më të pastërt dhe më të qytetëruarët.
Rrugat tek ecinj i gjej të ndrequra dhe të rregullta, sadoqë të shtruara me gurë të fortë nuk janë rrugë qerreje, po dhe këto qerre ku janë në Janinë.
Vizitë e parë është për në klub, pastaj për në shtypshkronjën shqipe të gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”. I çelur nja dy muaj pas konstitucionit, klubi ka hedhur një dritë të madhe
shqiptarizmi në këtë qytet dhe ka zgjuar shumë ndjenja kombtare që flinin dhe dremitnin. Po dhe akoma sa punë e madhe, sa mundim të palodhur duhet që të dalën në dritë gjithë ndjenjat e fshehura dhe të panjohura të mëmëdhetarëve tënë të Janinës.
Kur dëgjon njeriu kuvendimin e janiotëve pandeh se gjuha e tyre është greqishtja. Po me sa çudi të ëmbël kemi vërejtur se, në mos të gjithë, të pakën gjysma e njerëzisë në Janinë
e kupton dhe e flet shqipen. Pastaj pyetni një herë më ç’anë janë, nga vinë janiotët dhe do
të kuptoni se di /kush/ është nga Çamëria, di /kush/ nga Labëria, tjatri nga Përmeti dhe të
tjerët nga Gjirokastra. Ahere pse ta dëgjojmë kaq rallë shqipen, pse të mos i ndjejmë zënë që na vjen kaq i ëmbël në vesh dhe në zëmrë? Pse?
Po kjo është që na gjakos dhe na hidhëron zëmrën! Se është një faj i yni dhe vetëm i yni,
se nuk kemi dashur që të qëndrojmë në këmbë, po jemi unjur pak.
Tregu ka dyqane të mira dhe lëvizje të mjafta; duket se do të kete shumë të marrë dhe të dhënë. Po si më thonë, ku është tregtia që bëhesh tridhjet e dyzet vjet më parë, ahere kur
Thesalia akoma s’ish dhënë te Greqia!
Qyteti i moçmë, mbase dhe në shekuj të parë emëruar Dodonë, ashtu si kuptohet nga të zënët ngojë te “episkopi i Dodonës”, Janina merr emrin që ka sot dhe zihet ngojë për herën e parë më 1081 prej historishkronjëses Ana Komnena; në ato kohë shohim se princi norman, Boemundi, e merr nën urdhër /sundim/ të tij Janinën dhe për pak kohë, mbretëri e këtyre princëve katolikë qe fort e shkurtër në Epir. Po pa shkuar shumë, Janina i bie në short dhespotisë së Epirit, një principatë e themeluar më 1206 prej Mihail Dukas, me kryeqytet Nartën.
Si u ndodh dhe pak kohë nën sundim të serbëve, që erdhën dhe ranë si një breshër me mbretin Stefan Dushan, në Janinë gjejmë një fëmijë / familje/ princësh shqiptarë, fëmijën /familjen/ e Topias të cilët pastaj i lënë vendin ca fëmijë /familje/ princësh të vegjël gjersa më 1396 Janina epet vetvetiu te sulltan Bajazidi i Parë, një dhënje në paqe që më pastaj u forcua dhe me luftë në kohë të sulltan Muradi i Dytë më 1431.
Që ahere, pa histori dhe pothua e shuar dhe e harruar, Janina merr një shkëlqim dhe emër të fortë me Ali Pashën, në kohë të cilit thonë se kish gjer më 40 a 50 mijë njerëz. Pa dyshim, as fytyrë e sotmë as histori e tij nuk është pa interes në këtë qytet.
Edhe tek shëtit në këto rrugë, po mejtohem se tridhjetë vjet më parë, ky qytet kaq i vlefshëm dhe i dashur për të tërë shqiptarët, mend na doli nga dora, se diplomatët e Evropës në Kongres të Berlinit e kishin parë të udhës që t’i epesh si dhuratë a si lëmoshë (sadaka) Greqisë! Edhe le të flasë pastaj njeriu për shpirtmadhësi dhe për drejtësi të “Evropës” e kësaj shoqërie të madhe, për të cilën vetëm një fjalë ka dëftesë dhe shpirt: interesi!
Këto kujtime të hidhura bëjnë dhe suzhetun e fjalës sonë në vizitat që bëjmë te miqtë; suzhetë të hidhura vërtet po prej të cilëve dilte dhe kuptohej nevoja e madhe që kemi për të punuar dhe për të mos flejtur.
Të punuar, të punuar pa dëshpërim dhe pa lodhje! Ky është dhe kuvendi që rrjedh në klub, ku pas darke, përpara më tepër se njëqind e pesëdhjetë shpirt kam nderë që të jap sumim /përfundimet/ nga Kongresi i Elbasanit si mëkëmbës që më kish dërguar klubi.
“Lirija”, Nr. 83, f. 3.
Selanik, 10 prill 1910
Marrë nga Nacional