Emine Konushevci-Durmishi filloi të shkruante vargje si filloriste, kur lexuesi ynë filloi ta njohë, sapo ajo i nisi “cicërimat” e para poetike nëpër faqet e revistës së njohur të kohës “Zëri i rinisë”, në vitet ’70 të shekullit XX. Ajo atëherë nisi të eksperimentonte me shprehjen poetike. Në fillim nisi të fuste motive të ndryshme në poezinë e saj, duke shfaqur kështu edhe idetë për jetën.
Kjo autore, tani në verën e vitit 2023, ka vendosur të dalë para lexuesve me përmbledhjen e parë poetike, “Shtigjeve të jetës”. Poezitë e këtij vëllimi shquhen me një laryshi motivore dhe tematike. Pra çdonjëra poezi ka temën e vet kryesore. Në këto poezi trajtohet tema e dashurisë (në kuptimin e gjerë të fjalës) dhe tema të tjera, që vërtet janë imazhe poetike, të thurura me një imagjinatë, në të cilat autorja paraqet edhe qëndrime personale.
Motivet që trajtohen në këtë vëllim poetik janë i dashurisë, i atdheut dhe motivi i kurbetit. Por, autorja në këtë vëllim identifikohet me vargun e motivit të dashurisë, ngase lajtmotiv i vargjeve të saj është dashuria, si ndjenja më fisnike e njeriut.
Për poeten Emine Konushevci-Durmishi, e gjithë poezia e saj është një lloj autobiografie personale, madje shpirtërore. Nëpërmjet poezive të saj shohim sesi poetja kërkon ëndrrat e humbura të fëmijërisë (poezitë “Koha”, “Meditime”). Ca poezi të tjera shprehin edhe kujtimet e rinisë së saj (poezitë “Fletorja e vjetër”, “Sonte” e ndonjë tjetër) dhe më pas, autorja merret edhe me dukuri e fenomene meditative (poezitë “Koha”, “Loti”, “Heshtja” e ndonjë tjetër).
Pra vëllimi poetik “Shtigjeve të jetës” është konceptuar me poezi të dashurisë, me disa poezi të atdhedashurisë, me poezi të kurbetit dhe me poezi refleksive (filozofike). Ky vëllim përbëhet nga 63 poezi të lidhura tematikisht dhe konceptualisht. Poezia më e gjatë është ajo me titullin “Si zanë mali” (me 21 vargje) dhe më e shkurta, poezia “Aty” (me 7 vargje).
Trinomin motivor, që është mbizotërues në këto poezi, e përbëjnë dashuria, atdhedashuria dhe motivi i kurbetit. Krahas kësaj, në këto poezi takojmë edhe imazhe sensualiteti dhe ndjeshmërie.
Poezitë e vëllimit në fjalë vërtet janë piktoreske, që përmbajnë lojëra fjalësh e herë-herë mendime të shpërndara, por forma e vargëzimit është harmonike, kurse ritmi i theksuar. Me këto lloj poezish, autorja solli freski në lirikat e saj, jashtëzakonisht të bollshme, të vrullshme, shprehëse, plot përmbajtje të re dhe ndjesi të ndryshme.
Te motivi i dashurisë, autorja përshkruan se sa e bukur dhe sa e fuqishme është dashuria për të
Ajo do të shprehet:
“sa e bukur është jeta kur me dashuri e jeton,
sa e lumtur jam unë që ty dhe tri yje ju kam”.
(Poezia DASHURI DEKADORE).
Ku autorja shpërfaq dashurinë për “tri yje”, siç i quan metaforikisht bashkëshortin dhe fëmijët e saj).
Këto dy vargje e përshkruajnë magjinë e dashurisë – edhe lumturinë që ajo u sjell bashkëshortëve, me ardhjen në jetë të fëmijëve, si fryt i saj. Dashuria përshkruhet si një botë më vete. Ajo vetë është magji; është unike, por pothuajse e barabartë për të gjithë njerëzit. Ajo është edhe “helm që mbyt” edhe “mjaltë që shëron”, siç do të shprehej Shekspiri.
Autorja thekson se në gjendje dashurore, ëndrrat e saj janë të gjera dhe të thella. Shoqërohet me të gjithë, sepse dashuria për bashkëshortin dhe fëmijët i zgjeron dashurinë për gjithçka.
Portreti i nënës është jashtëzakonisht i qartë në poezinë e autores Emine Konushevci-Durmishi. Ajo ndër të tjerash do t’i drejtohet nënës me këto vargje:
“Nëse malli do të kishte një emër, do të thosha emrin tënd,
se vetëm atëherë ndoshta do të kuptoja sa mall kam për ty.
Nëse dashurisë i duhej ndërruar emri, do ta pagëzoja me emrin tënd,
se vetëm atëherë do ta ndieja edhe më thellë në zemrën time”.
(Poezia NËSE)
Për të vazhduar me vargjet emblematike:
“Nëse dhembja do të donte një emër tjetër të kishte, do ta thirrja me emrin tënd,
se vetëm atëherë do ta ndieja thellë n’palcën e eshtrave dhembjen për ty”.
(Po aty)
Në realitet, por edhe sipas vargjeve të poetes Emine Konushevci-Durmishi, nëna kalon një jetë të tërë duke menduar vetëm për ne. Jeton në këtë botë, por zemra dhe mendja e saj ndodhet pranë nesh. Gjithkush mund të të mohojë në këtë jetë, por nëna s’të mohon kurrë. Është një suvenir që veçantinë dhe vlerën ia njeh vetëm i madhi Zot që e krijoi.
Autorja normalisht se shpeshherë në kurbet, larg nënës e babait, do të ndjejë edhe dhembje për ta:
“Bora m’kujton dhembjen e ashtit që kishe, nënë,
mjegulla m’kujton luftën për frymëmarrje, babë,
thellë n’shpirt kishit mërzinë e mallin për vajzë,
shtat vite jetë tutje, ishte tepër, shumë e rëndë.
Jetoj me fjalët dhe dashurinë e mbyllur n’gji,
me kujtimet e kohës që do t’i ruaj si këta sy,
përkulem edhe para emrit tuaj për çdo gabim,
lutem që qetësinë e shpirtit të keni n’amshim”.
Do të shprehet ajo për prindërit e saj (te poezia PËR JU).
Vargje vërtet të bukura janë edhe ato që autorja ia ka dedikuar vëllait të saj.
Për të, ajo do të shprehet:
“Jeta rrjedh si valët e lumit valë-valë,
shtëpinë e prindërve po na mban gjallë,
aty ku kujtimet na zgjohen nëpër stinë,
aty ku dashurinë mes veti thellë ndiejmë”.
(Poezia TY, VËLLA)
Por, autorja vargje ka thurur edhe për motrën e SAJ të ndjerë, e cila kishte ushtruar profesionin e mësimdhënies sa ishte gjallë. Poezi dedikuar motrës janë “U NISA, MOTËR”, “FUSTANI I BARDHË”, “NISEM TEK TI”, “SIKUR” DHE “7 MARSI”.
“Pluhurin nga kujtimet e kahmotshme
sot me lot për ty largova.
Koha mban kujtimet me emrin nuse,
emër që thoshe sa pak e gëzova.
Fustanin e bardhë more me vete atje larg,
gjerdani mbeti peng i kujtimeve pa fjalë”…
do të shprehet autorja me tone elegjiake për motrën e ndjerë, në poezinë FUSTANI I BARDHË…
Përmes vargjeve të Emine Konushevcit-Durmishit zbulohet gjendja komplekse psikologjike e saj. Këtu, në disa vargje shihet qartë malli i autores për diçka që ka kaluar, për ditët e shkuara të fëmijërisë dhe të rinisë (një pjesë goxha e mirë në mërgim, larg atdheut dhe njerëzve të gjakut e të gjuhës).
Gama e mendimeve dhe ndjenjave që përmbajnë poezitë e poetes Emine Konushevci-Durmishi janë kuptimplote, të fuqishme dhe në shkallë të gjerë në mendime, ngase mund të perceptohen edhe si një histori personale rrëfimtare e poetes duke emocionuar të tjerët.
Të bukura janë edhe poezitë dedikuar fëmijëve. Të tilla janë poezitë FËMIJË dhe FESTA LARG BABIT… Në këto vargje, sidomos te poezia FESTA LARG BABIT, e shohim shpirtin prej humanisteje të poetes Emine Konushevcit-Durmishit, atë shpirt të dëlirë e të bardhë mu si manteli që bart si infermiere e fëmijëve. Vërtet s’ka si të jetë ndryshe, meqë autorja edhe vetë, në radhë të parë është femër dhe nënë, prandaj për të pikë e dobët janë fëmijët, sidomos ata që kanë probleme të ndryshme shëndetësore, për të cilët përkujdeset në maksimum. Prandaj edhe në këtë vëllim poetik figura e fëmijës paraqet tablo dhe imazhe nga jeta e tyre.
Se është shpirt-humane, poetja tregon përmes vargjeve:
“Kur t’shoh fytyrën e lotin kur qan,
me ty thellë në shpirt vajin e ndiej,
kur ndihmën time shoh si e kërkon,
me shpirt mundohem ta përjetoj.
Edhe unë kam shpirt nëne, dije,
edhe ndjenjën e frikën e saj ndiej,
duhet nganjëherë “e pashpirt” të jem,
se dua buzëqeshjen n’fytyrë t’kthej.”
(Poezia FËMIJË)
Ndër poezitë, ku trajtohet motivi i kurbetit, nga më të bukurat janë “TRI DEKADA”, “SHTIGJEVE TË JETËS”, “GJYSHJA E NIPI”, “NJË DITË” etj., ku autorja ka ravijëzuar me realizëm jetën e mërgimtarëve tanë nëpër vise të ndryshme të Evropës e më gjerë. Është kjo tematika dhe motivi që na e rikujtojnë të kaluarën dhe aktualitetin, ngase, për fat të keq, këto personazhe përditë po i hasim në qytetet dhe metropolet e botës, ngase valët e ikjes së të rinjve tanë nga atdheu s’po kanë të ndalur as sot e gjithë ditën. Këto karaktere autorja i përshkruan pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete të qëlluara artistike dhe me shumë emocionalitet.
Autorja do të shpjegojë, se:
“Atëherë kur këtu këmba ime shkeli,
nuk besova se kaq gjatë këtu do mbesi,
atëherë kur këtu doja diçka t’merrja,
kurrë nuk besova se as sot nuk do ta gjeja.”
(Poezia SHTIGJEVE TË JETËS)
Për të na rrëfyer, se:
“tri dekada luftova shumë herë me vetveten,
duke menduar se do të kthehem përsëri.
Nëna më dha ujë t’pi atëherë kur u nisa,
me shpresën n’gji se shpejt do kthehet bija,
baba m’shikoi në sy e fjala n’fyt i mbeti,
vonë e kuptova, e dinte çka thotë kurbeti”.
(Poezia TRI DEKADA)
E nga plagët e kurbetit, doemos se do të lëngojnë prindërit dhe gjyshërit, që rrojnë me barrën e pleqërisë mbi supe dhe me mallin për fëmijët e tyre, për nipërit dhe mbesat, që është i pashuar.
Ja çfarë tabloje të motivit të kurbetit na e paraqet autorja, ku në njërën anë është gjyshja dhe në anën tjetër nipi, të dy të mbushur me mall:
“N’pragun e shtëpisë nënëlokja diç po thotë
e në rrudhat e fytyrës po i pushojnë lot.
Ku ju kam, o fëmijë, nuse, nipa e mbesa?
Pse kaq e rëndë për mua është bërë jeta?
Një herë në vit veç më hapet dera.
…
Jam Mërgimi gjyshe, fshije lotin n’faqe,
erdha t’festojmë festën sot bashkë n’paqe,
historinë tënde t’jetës në festa t’kujtojmë,
këtu jemi bashkë e këtu bashkë do të qëndrojmë.
(Poezia GJYSHJA E NIPI)
Pra, nipi s’do ta lërë gjyshen të vetmuar, por do të qëndrojë përfundimisht në atdhe bashkë me të…
Ndërsa, subjekti lirik (vetë autorja) do të thotë:
“(do të) kthehem një ditë tek ti,
ku këmba lehtë hapëron,
…
Aty ku gëzimi vullkan ndihet,
aty ku fjalën heshtja plotëson,
….
Do të kaloj fusha, male e dete,
do të sjell ëndrrën e ruajtur për ty,
ëndrrën rinore me epsh e dashuri,
toka ime do të vij, por dikur n’pleqëri”.
(Poezia NJË DITË)
Ngase e ka zhuritur malli për vendlindjen…
Në përmbledhjen “Shtigjeve të jetës”, poezitë e autores Emine Konushevci-Durmishi zgjerohen edhe me motivin atdhetar, siç janë poezitë: “N’SHUPLAKË DORE” dhe “TY, KOSOVË”.
Në frymën e tematikës patriotike, autorja do të shprehet:
“Rreth e rrotull eca përskaj kalasë së gurit,
u ngjita shumë lart duke vrapuar pas flamurit,
dorën e majtë hapa, zemra u bë mal me borë,
me kë kufizohet Shqipëria, lexova në dorë”.
(Poezia N’SHUPLAKË DORE)
Dhe nga malli prej mërgimtareje e nga dashuria e pakufishme për vendlindjen, autorja do të shprehet, se:
“të shkrova vargje me penë dhe lot,
ty, Kosovë, t’qofsha falë për jetë e mot.”
(Poezia TY, KOSOVË)
Përgjithësisht në vëllimin e poetes Emine Konushevci-Durmishi do të gjejmë poezi interesante, të shkruara me frymëzim, me ndjenja dhe realizëm.
Veçoritë teoriko-letrare që e shquajnë këtë vëllim poetik janë të shumta. Ne do të përmendim disa syresh.
Me pak përjashtime poezitë e kësaj autoreje shquhen me proliksitetin, d.m.th. nuk i kalojnë 5-6 strofat, madje s’janë të pakta edhe poezitë me 2-3 strofa. Ky sens mase, kjo fuqi sintetike, është nga veçoritë dhe meritat e rëndësishme artistike të poetes.
Poetja Emine Konushevci-Durmishi e përdor me mjaft siguri dhe kujdes vargun, duke e shtjelluar me saktësi, pa e penguar spontanitetin e tij. Po ashtu, në këto poezi gjejmë edhe mjaft krahasime, simbole e metafora të bukura, që luajnë rol meditativ e artistik. Aty gjen figura të mjaftueshme, vërtet origjinale, të natyrshme, të sakta e të qarta, të kapshme, të kuptueshme nga të gjithë. Këto figura flasin për dëshirën e poetes për të qenë origjinale, por flasin edhe për rëndësinë krijuese, që ajo i kushton figuracionit poetik.
Poezia e Emine Konushevcit-Durimishit mund të merret edhe si dialog i afërt, i ngrohtë, miqësor i saj me lexuesin, duke marrë herë pas here edhe karakter tregimtar. Prandaj poezia e saj shquhet edhe për komunikim të afërt.
Poetja ka treguar një kujdes të veçantë edhe për gjuhën. Fjalori i përdorur është mjaft i pasur, e mbi të gjitha, shprehës, i qartë dhe i saktë. Kryesisht ajo përpiqet që në vargjet e veta të përdor shprehje të përshtatshme, të marrura nga gurra e dëlirë dhe e pasur e gjuhës shqipe.
Duke e lexuar vëllimin poetik “Shtigjeve të jetës”, mund të përfundojmë se gjatë realizimit të vet poetik e artistik, autorja Emine Konushevci-Durmishi është orvatur që në bazë të një evolucioni të vazhdueshëm e cilësor, ta pasurojë gjithnjë opusin poetik të saj.
Zymer Mehani, Podujevë, më 19 korrik 2023