“Buka dhe thika”​ – “Mësonjëtorja”​ dhe qeveria

0
208
Mësonjtorja e parë shqipe

UDHA E SHKRONJAVE
Principal at UDHA E SHKRONJAVE – Cambridge International School

Nga Artur Shkurti, 7 mars 2023
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Sot, më 7 mars 2023, përkujtojmë edhe aktin antikombëtar të Qeverisë Shqiptare që hoqi emrin “Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës – 7 mars 1887” nga godina e saj, nga hipoteka e saj reale dhe historike. I hoqi muzeut edhe statusin “Muze Kombëtar i Arsimit”.
Vini re teknikën e pabesë të heqjes së emërtimit dhe të statusit zyrtar Muze Kombëtar i Arsimit

Me ligjin 27/2018 “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, ishte detyrim i qeverisë që të lajmëronte deputetët që ky ligj i ri shfuqizonte statusin “Muze Kombëtar i Arsimit” për “Mësonjëtoren e parë shqipe të Korçës”. Nuk u njoftuan edhe pse ligji i detyronte. Kjo u bë qëllimisht (prapa shpine) që deputetët të mos kujtoheshin se çfarë prishte ky ligj.

Nuk do të mbanin mend deputetët apo opinioni publik, që mund të ndiqte ecurinë e miratimit të ligjit listën e Muzeve Kombëtarë që kishte Shqipëria në atë çast. Në ligj bëhet lista e muzeve kombëtarë që miratonte qeveria këtej e tutje. Kjo ishte tepër ngatërruese dhe ia dolën të shmangin vëmendjen të deputëve dhe të opinionit publik.

Me VKM 146 datë 10 mars 2021, pra tre vjet më vonë, (dhe vini re disa ditë pas datës 7 mars, prapa shpine) Qeveria, pas një kohe të mjaftueshme “topitje” të publikut, vendosi të krijonte Muzeun lokal të Arsimit Korçë. Kështu vulosi përfundimisht zhdukjen e “Mësonjëtores së parë shqipe Korçë – 7 mars 1887”.

Kjo është e vërteta e nguljes së thikës pas shpine.
Në titull kemi vënë “Buka dhe thika” sepse ky është titulli në origjinal i skenarit të filmit “Udha e shkronjave”. Nuk është metaforë ngulja e thikës “Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë” por është thjesht një fakt ligjor.

Që të mos kujtojë lexuesi se qeveria është e keqe, por opozita është e mirë, ne u kemi shkruar në ato kohë edhe përfaqësuesve të opozitës dhe ata heshtën. Heshtën edhe ata që e kishin nën mbikqyrje sektorin e edukimit. Jo vetëm që nuk dolën kundër (përveç deputetes së Korçës znj. Sorina Koti) por vajtën e bënë mbledhje me karrige pikërisht para kangjellave dhe stendës që sanksiononte heqjen e emrit të Mësonjëtores së Parë Shqipe.

Ne u kemi shkruar edhe drejtorive të shkollave në Tiranë që ato të kishin ndonjë reagim, u kemi shkruar Ministrisë së Arsimit, u kemi shkruar
Ministrisë së Kulturës, i shkruajmë qeverisë. U shkruajmë e ua kujtojmë vazhdimisht.

Ata janë të vendosur në rrugën e tyre, që në fakt nuk është e tyrja, por e të tjerëve për interesa të të cilëve punojnë dhe që ne nuk e dimë se cilët janë, por e dimë shumë mirë që nuk mund të jenë shqiptarë.

Muzeu qëllimisht është lënë në administrim të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, që me siguri është foleja e fetarizmit që është e kundërta e laicizmit të “Mësonjëtores së Parë Shqipe” të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Sot, më 7 mars, mësuesit anembanë Shqipërisë bëjnë sikur nuk shohin, bëjnë sikur nuk lexojnë, bëjnë sikur nuk ka rëndësi se kush ua dhuroi në të vërtetë këtë ditë.

Ndryshimi shumëvjeçar i thelbit të 7 marsit nga ditë përkujtimore kombëtare e Rilindjes Kombëtare në ditë marrjesh masive të dhuratave e ka një lidhje. “dhuratë” dhe “mësonjëtore” nuk shkojnë bashkë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.