Kangës shkodrane i paska dalë boja

0
491
Bujar Qamili - Yuri Kim

Robert PRENNUSHI

Përgjigje për ‘andrrën’ që ka pa miku ynë, Ymer Bala, ku Bik Ndoja,bilbili i Jares, i thotë: ‘Kangës shkodrane i paska dalë boja’.

Shenim: Vetëm për ata që kanë durim me lexue.

I dashtun Ymer,

Andrra, si andrra. Me siguri Biku-dritë pastë i paarritshmi e reformatori i madh-të ka thanë: ‘Ashtu si po e këndojnë, kangës shkodrane po i del boja!’

Po i bie larg e larg…
Gati 80 vjet ma parë, në vitin 1943, Gjon Kolë Kujxhija boton në Firenze VALLE KOMBËTARE (CORI NAZIONALI ALBANESI), Vol. I, me nëntitull DASËM SHKODRANE (NOZZE SCUTARINA).

Përcakton që në fillim se Vallet janë të lashta, autoktone. por ku ndjehet përkatësia përendimore e muzikës shqiptare, si bijt e Iliro-Trakëve, (ashtu si mendojnë edhe gjuhtarët për origjinën e gjuhës). Tue se qenë Shqipnia gjeografikisht ndodhet si urë kalimi mes Lindjes e Përendimit, Kujxhija vëren edhe se ky pozicion mes dy botëve asht pasqyrue edhe në muzikë.

Kujxhija, i harruem krejtësisht mbas Luftës së Dytë, por tashma i njohun nga studiues prestigjozë si ‘pararendësi i etnomuzikologjisë shqiptare’¹⁾në veprën e vet shpreh bindjen:

‘Në Shkodër kemi dy soje muzike, ase ma mirë me thânë, dy perjudha të ndryshme të krijimit dhe të zhvillimit të sajë.

E para, fillon prej kohve të lashta dhe arrinë deri tu pushtimi i Shqipnisë prej Turkisë;
E dyta, përfshin perjudhën e pushtimit deri në kohë të soçme.
Së parës i perkasin ‘vallet’; së dytës ‘kangët e hêngut’

HENGU

Mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeu më 1468 e mbas ramjes së Kalasë së Shkodrës, me 1479, dëshmitari okular i asaj kohe Marin Barleti²⁾ tregon se qyteti u boshatis. Shkodranët e zhgënjyem, zgjodhën mërgimin mos me u dorëzue dhe lundruen përmes Adriatikut për në portet e sigurta të Venedikut. Pjesa tjetër ishte strehue me kohë, gjatë rrethimeve të gjata, në fshatet për rreth e në malësi. Pushtimi praktikisht e boshatisi qytetin. Popullsia shkodrane vërtetë braktisi qytetin, por mori me vete shpirtin e vet, Vallet.

Praktikisht Shkodra, fill pas pushtimit, u boshatis nga banorët e vet autoktonë dhe filloi të banohej nga nji popullsi tjetër, shpesh jo shqiptare. Studiuesi shkodran Hamdi Bushati shkruen: ‘Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristiane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti’. Shtëpitë që lanë kristiant ua dhanë myslimanëve. …ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare’³⁾

Mendim pothuej të njëjtë ka dhe studiuesja shkodrane, Zenepe Dibra: ‘Një pjesë e banorëve të ardhur bashkë me ushtrinë turke si stallierë e kovaçë u vendosën në kodrën në veri të kalasë, pasi kishin afër edhe kullotat e kuajve në fushë të Bunës edhe stallat e kuajve, aty ku sot është lagjia “Liria”.⁴⁾

Kur më 1469 Shkodra mbeti pa shkodranë, valijtë, zyrtarët e naltë e administrata e huej që do të sundonte Shkodrën, sollën me vete dhe formacione me instrumentë si sazja etj, formacione që luenin muzikë të orjentit, të quejtun kangë të hengut. Pra për nji kohë të gjatë Hengu u ba kanga e vetme e qytetit. Kjo deri në vitin 1755 ⁵⁾ e mbas këti viti e gjithë popullsia shqiptare filloi të bahej pjesë aktive e qytetit, tue sjellë me vehte edhe Vallen që kishte ruejtë brez mbas brezi.

Vallja, tue u këndue ‘a cappella’, shpetoi pa asnji ndikim të huej, ndërsa kanga e Hengut, tashma e krijueme e këndueme dhe e shoqnueme nga muzikantë shkodranë, filloi të marrë gjithnji e ma shumë ngjyrime vendase tue u ba pjesë e jetës e të gjithë shkodranëve. Vërtetë Hengu i ri mori nga kanga orjentale – ma e pasun si formë nga ana e ndërtimit,- por u pasunue gjithnji e ma shumë edhe nga fryma e Valleve ashtu edhe nga meloditë e rrethinave të Shkodrës. Kjo, jo vetëm nga ana muzikore, por edhe në mënyrën e interpretimit. Ndryshoi pra ngjyrimi, mënyra e interpretimit, ku mbizotnonte ma parë intonacioni grykor dhe hundor me pasthirrma emfatike.

Në këte qytet, me këte zhvillim ekonomik e shoqnor, ku kishte edhe probleme, por urtësia popullore e jo vetëm i vente fre, kishte nji bashkëjetësë të qendrueshme mes Valleve dhe Hengut shkodran. Në kerkimet e veta studjuesi E. Koço citon nji shkrues i Shoqnive të vjetra muzikore, ku mund të kuptojmë se në çfarë pozitash ishte Hengu dhe Vallja. Sipas tij ‘Ahengu… ishte turko-bizantin, ase ma mirë: aheng, oriental i perziem. Vetëm Vallet e Dasmës që këndoheshin prej grave të gjytetit, të shtregullave në priëll e në majë, ashtu kangët kreshnike të malësinave e të katundevet fushore, ishin brumi kombëtar, si në përmbajtje ashtu në melodie”.

Por shton se ‘këto të fundit [pra Vallet e Dasmës], të cilat Shkodra, tue mos qenë aq të kandëshme për vesh, i cilsoi kuerdoherë si të dorës së dytë e të tretë’. Pra kishte nji dominim të kangës së Hengut? E spjegueshme kjo. Por spiralja, në zhvillimin dialektik të kangës shkodrane, nuk u këput.

Nuk u këput sepse fryma e valleve të qytetit dhe aroma virgjën e melodive të Hapsinës shkodrane, influencoi tek hengu, që kulmoi me Jaren. Rol për këte luejten shumë kangëtarë e kompozitorë si Kasem Xhurra, Palokë Kurti, Frano Ndoja, Marie Kraja, Bikë Ndoja, File Gjeloshi, Naile Hoxha, Luçije Miloti, Ibrahim Tukiqi e shumë e shumë të tjerë.

Mbas Luftës së Dytë, gjithnji e ma shumë kompozitorë të rij e lanë Jaren në shejtninë e saj, si klasike, që veç mund të interpretohet, gjithnji e ma mirë e në mënyrë krijuese. Krijuen nji tip të ri kange, të lirë nga forma, e pasun nga ana armonike e ritmike, por kësaj herë, të ushqyeme nga motivet e rrethinave dhe të vetë Valleve, që sollën freski.

P. Jakova, T. Daija, R. Sokoli, Z. Lekaj, L. Deda dhe ma vonë disa krijime të M. Kaftallit, Z. Çobës, por edhe shumë të tjerëve, janë dëshmi se motivet e Hapsinës shkodrane, ku ka lindë muzika shqiptare, ka në genet e saj forcen e ripertrimjes, të zhvillimit.

Kanga shkodrane nuk asht në krizë, ‘nuk i ka dalë boja’. Në krizë asht interpretimi i saj.(Besoj këte ke dashtë me thanë, i dashtun Ymer). Nëse ne na pelqen ta këndojmë me grykë ose zanoret t’i bajmë hundake, ose ta sllavizojmë, tue e mbyllë kangën në maxhor,- tue konsiderue kështu tjetër për tjetër modin,- kjo asht çeshtje shije dhe edukimi. Mos të harrojmë se shkolla me nji orë në javë muzikë ka mundësi shumë të pakta.

Festivalet e kangës në Shkodër që zhvillohen gjithnji në nivele mbimesatare, kontribuojnë gjithnji në mënyrë pozitive edhe kur vihen në diskutim. Edhe festivali i fundit, që mendoj ishte nji kërkim pozitiv për reformim, çon përpara mendimin. Vertetë që Festivali asht puna ma e vështirë, por ka ardhë koha të vendoset se çfarë duhet të nënvizojmë kur bajmë nji festival. Shkodra ka forca e mentalitet të bajë festivale shumë të mira.

Në këte drejtim ndihmon tradita shumë pozitive e së kaluemes. Në nji pluralitet mendimesh duhet të vendoset që në fillim nëse do të bajmë Festivalin e Kangës në Shkodër (e me këte i japim ngjyrë kombëtare dhe për këte nuk kemi pse të kemi asnji kompleks inferioriteti), apo Festivalin e kangës shkodrane (a ‘Lule Borë’, epitet që, për mendimin tim, asht shumë reduktiv).

Kur Prenkë Jakova shkroi ‘Margjelo-n’, ajo ishte shkodrane, kombëtare e moderne nga ana ritmike (për atë kohë). Kështu ‘Flakë e borë’ e Tish Daisë e disa të tjera. Nuk asht aspak reduktive kur vemë epitetin Shkodrane. Shkodrane e kombëtare janë gati sinonime. Shkruen albanologu i shquem E. Çabej: ‘Meloditë që do të jenë muzikalisht dhe kronologjikisht ma të vjetra, rrojnë në kangët e malësorëve të Shqipërisë Veriore’. Mendoj se mbështetja e kompozitorëve në motivet e Hapsinës shkodrane, – (Jaren ta lamë në shejtninë e saj!) – për krijimet në gjininë e kangës, nuk e pengojnë ate të jetë edhe kombëtare, nuk e pengojnë ate të jetë lirike, por edhe Rock. Në farën e saj të vogël ka nji potencial të madh shprehës.

Shkruen Koliqi për Vallet e mbledhuna nga Kujxhija: ‘Nji muzicist i madh Zandonai, auktori i veprës “Françeska nga Rimini’ (emnin nuk e shenjon në vepër por ma tha me gojë kur u takuem në Selín e Institutit të Stdineve Shqiptare) i pat premtue se do të vehej me i studjue imtisht motivet e muzikës rudimentale të valleve për të mujtë me i dhanë popullit shqiptar kontributin e tij me vu bazat e nji muzike kombtare.’ (Dhe në fakt në Parathanien e vepres GJ. Kujxhija shkruen: ‘Posë këtyne, ia kam dergue personalisht nji muzikologut të njoftun, emnit e të cillit, si mbas dishirës së tij, rizervohem për tash me e diftue’).


1) Janë tre botime të kësaj vepre: në vitin 1943 nga vetë autori Gjon K. Kujxhia, me 2006 nga dr.Sokol Shupo dhe me 2018 nga Prof.dr. Eno Koço (botime anastatike). Nuk di të ketë vepër të këti lloji që ka pasë tre botime. Madje në botimin e vititi 2018, editorit Koço, bashkë me nji historik të shkurtë për zhvillimet muzikore në Shkodër dhe mendimin e tij për vepren, ka përfshi edhe ajken e shkrimeve e studimeve që i janë kushtue Valleve e Dasmes Shkodrane, pra veprës së Kujxhisë
2) Marin Barleti: “De obsidione Scodrensi”, “Rrethimi i Shkodrës”, (botue më 10 janar 1504 Venedik), autor dhe i ‘Historia e Skënderbeut’ (Titulli i plotë: ‘Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve’), botuar në Romë, rreth viteve 1508-1510.
3) Hamdi Bushati: ‘Shkodra dhe motet’, Shkodër 1999, kapitulli i VI, ‘Familjet shkodrane me origjine të huej’).
4) Dott. Zenepe Dibra: ‘Qyteti që lindi nga një kështjellë’ – Histori e ndertimeve në qytetin e Shkodres
5) Me 1755 pushteti në qytet kaloi në duert e një personaliteti të zgjuet dhe të aftë, Mehmet Alija i Bushatlijve. Ky, në një farë kuptimi, mbasi kishte vërejtë çka kishte ndodhë në Shkodër në vjetët e maparshme, e pranoi ekzistencën edhe të fesë katolike me gjithçka sillte kjo gja me vete. Kështu, puna e tij i siguroi qytetit nja njëzet vjet…qetësie dhe paqeje, kjo edhe për arsye se qëndrimi i tij largpamës u përqafue edhe nga i biri, Mahmut Pasha. (Italo Sarro: ‘Kontribut për historinë kishtare të Shqipnisë së Epërme’, Shek. XVII-XIX, përkth. Arben Ndreca).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.