Jusuf Buxhovi: Përvetësimi i Skënderbeut, mëton t’ua marrë shqiptarëve emblemën historike, shpirtërore dhe shtetërore

0
289
Gjergj Kastrioti - portret

(Intervistë: Jusuf Buxhovi, historian dhe shkrimtar)

  • Ajo që këto ditë, u tha nga një urim që Shqipërisë i erdhi nga Ministrisë së Jashtme e Greqisë rreth Skënderbeut “hero i përbashkët”, nuk është urim, por një mesazh për ndërhyrjen historike te grekëve në historinë shqiptare, që do të thotë se shteti shqiptar vihet në pengun e Greqisë përballë çfarëdo ndryshimi.
  • Përkthimi i veprës sime në anglisht dhe tretmani i saj në qarqet akademike, krahasuar me literaturën që vjen nga Beogradi, Moska, Athina dhe qendrat tjera, është si një pikë uji në det, ngaqë një vepër e vetme duhet të konfrontohet me qindra të tjera antishkencore!

Intervistoi: Daut Dauti

Jusuf Buxhovi Shkrimtari Jusuf Buxhovi, është i njohur si njëri ndër prozaistët më të shquar e më produktivë shqiptarë, si dhe ndër gazetarët më të shquar të “Rilindjes” si korrespondent nga Gjermania vite me radhë dhe publicist me penë të mprehtë që ka trajtuar temat e kohëve dramatike të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rrugën e Kosovës drejt pavarësisë. Por dy dekadat e fundit ka botuar një serë librash nga fusha e historisë për të kaluarën  e Kosovës dhe shqiptarëve, në kompletin “Kosova” (deri tash botuar në 8 vëllime) si dhe në studimet “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” dhe “Dardania – antika, mesjeta, janë një kontribut i jashtëzakonshëm, që e bën ndër autorët më produktivë edhe në fushën e historiografisë. Në kohët turbulentë në të cilat kaloi Kosova, nuk mungoi as kontributi politik, sepse ishte ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, forcës së parë politike në vigjile të pluralizmit me në krye dr. Ibrahim Rugovën.

Jusuf Buxhovi është ndër ata intelektualët i cili është vazhdimisht vrojtues i proceseve shoqërore dhe historike dhe shpesh ka çka t’i thotë publikut.

Këtë intervistë e zhvilluam me shkas pas një vendimi të qeverisë së Greqisë për ta shpallur Skënderbeun “hero kombëtar grek”, që rastisi me një “akademi shkencore” në Prilep të Maqedonisë, ku disa autorë maqedonas edhe një herë bëjnë përpjekje për ta përvetësuar si maqedonas, një tendencë edhe më e hershme.

  • Z. Buxhovi, historia shqiptare, pra e kaluara, ka qenë dhe mbetet një fushë “e pambrojtur” sa duhet, sepse shpesh na paraqiten “grabitqarë” që atë që ne pretendojmë se është e jona, të na e marrin. Cak i këtyre sulmeve janë figura madhore si Skënderbeu dhe Nënë Tereza?

– J. Buxhovi: Ka shumë arsye pse ndodhë kështu. Por, këtu duhet përmendur dy faktorë  ndërlidhës që  mundësojnë këtë dukuri. Ato janë politike dhe kuazishkencore. Faktori politik në njëfarë mënyre është i natyrës parashtetërore, pararendës  në këtë ecuri, meqë në hapësirën europiane, nga fillimet e shekullit XIX e këndej, i mbështetur mbi konceptin sllavo-ortodoks të Rusisë,  u ka krijuar platformën shteteve (Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë) në procesin e shembjes së Perandorisë  Osmane. “Naçertanja” serbe, “Megaloidea” greke dhe “Lëvizja bullgaromadhe” këtyre shteteve ua kanë përcaktuar planimetrinë hegjemoniste, që kryekreje është mbështetur në grabitjen e etnisë shqiptare, asokohe nën Perandorinë  Osmane e shkapërderdhur në katër vilajetet evropiane (të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës).

Krijimi i këtyre shteteve mbi këto platforma si dhe gjenocidet e kryera prej tyre  ndaj popullatës shqiptare gjatë dhe pas shembjes së Perandorisë Osmane, është dashtë ta kenë edhe “mbulesën historike” dhe shpirtërore, të mbështetur mbi mite dhe falsifikime të njohura, siç është ai i “shtetit mesjetar serb” në Kosovë, Kishës ortodokse serbe në Kosovë, mandej doktrina helene e megaloidesë “me tapi nga antikiteti”, e të ngjashme. Kuazishkenca, në Beograd, Athinë, Moskë dhe përreth me metodat e njohura të  falsifikimeve të dokumenteve kishtare të rishkruara kryesisht në shekullin XIX, thuajse i kanë përjashtuar shqiptarët nga historia europiane, paçka se ata janë në themelet e antikitetit të saj dhe faktor tepër i rëndësishëm gjatë Bizantit dhe pranimit të krishterimit në Ilirik tetë shekuj para invazuesve sllavë. Kështu, një popull  me histori të ngjeshur nga antikiteti, është zhveshur nga historia e tij mijëvjeçare për t’u kthyer në një  “turmë të mjegulluar  ardhacakë” bashkë me osmanët, në ndihmesë të ekspansionizmit  osman!

Pa u zgjatur në stereotipat e këtyre falsifikimeve që erdhën dhe vazhdojnë të jenë të tilla nga Akademia Serbe e Shkencave, Akademia Greke dhe ajo ruse e së voni edhe nga ajo maqedonase, kjo kornizë kuazishkencore, me ndonjë përjashtim, vazhdon të dominojë në qarqet shkencore botërore! Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe realitetet e reja që u krijuan prej saj, jo vetëm që nuk i ndaluan këto trendë antishkencorë, por ato u shtuan me daljen në skenë të faktorit politik shqiptar në anën e Perëndimit (me dy shtete: Shqipëri, Kosovë) dhe të shfaqjes së tyre si faktor i pakapërcyeshëm në shtetin e Maqedonisë, ndonëse  me statusin e pakicës.

Ky kapërcim historik është shqetësues për kundërshtarët e shqiptarëve, të cilët i frikësohen faktorizimit të tyre rajonal dhe proceseve tashmë të pandalshme integruese të tyre në rrafshin kombëtar në përputhje me rrethanat e reja, që doemos duhet të jenë demokratike dhe në pajtim me perëndimorët dhe interesat e tyre gjeostrategjike dhe  gjeopolitike në rajon. Andaj, ky zhvillim  synohet të  pengohet ose parandalohet  disi duke i paraqitur si “grabitqarë” të historive “të huaja”, lavdisë dhe heronjve “të huaj”, siç paraqiteshin dje si “grabitqarë të tokave  të huaja”! Nuk është aspak e rastit pse Skënderbeu shfaqet herë hero serb, herë bullgar, herë maqedonas e së voni edhe grek! Nuk është e rastit pse  mbi këtë hipotekë, Kosovës i janë përvetësuar objektet e kultit të krishterë (manastiret ortodokse, si ai i Deçanit, të Pejës, Graçanicës e të tjera) të mbrojtura madje edhe nga UNESC-o si “trashëgimi shpirtërore serbe”!

Mbi këtë hipotekë bëhen përpjekje që, me përvetësimin e figurave të tyre madhore historike, shqiptarët të dezintegrohen nga brenda, pra të humbin besimin te personalitetet e tyre të lavdishme historike mbi të cilat u ngrit shqiptarizmi dhe platforma e Rilindjes Kombëtare, e cila edhe më tutje mbetet formulë e ridefinimit të neoshqiptarizmës në rrethanat e reja. Kontestimi dhe përvetësimi i tillë, po ashtu, ka për qëllim edhe përçarjen e shqiptarëve nga brenda, në mënyrë që identiteti kombëtar të zëvendësohet me atë fetar. Andaj, nuk është e rastit se në periferinë e mendësisë  shqiptare kryeheroi i tyre të shikohet “me dyshime” nga përvetësimet nga jashtë dhe thashethemet nga brenda rreth origjinës së tij herë “serbe”, herë “bullgare” e herë “greke”. Kësaj i kanë ndihmuar edhe sjelljet e disa mediokreve nga radhët e institucioneve shkencore shqiptare,  me ç’rast, në emër të gjoja rishqyrtimeve historike, nga jashtë, u pranuan edhe ndërhyrje në tekstet tona shkollore!

  • Të kthehemi konkretisht te figura e Skënderbeut. Janë të njohura pretendimet e botës sllave për ta trajtuar si sllav. Së pari janë autorët serbë, e dekadave të fundit, janë ndërlidhur disa autorë maqedonas. Por, befasia më e madhe erdhi nga Athina, pasi qeveria greke e ka shpallur si “hero kombëtar grek”. Në çka mund të bazohen grekët?

– J. Buxhovi: Siç u tha edhe mësipër, ky agresivitet ndaj historisë shqiptare, nuk është as i rastit e as jashtë qëllimeve politike. Duhet të prek shtyllat kryesore historike të shqiptarëve (mohimi i përkatësisë ilire, përjashtimi i tyre nga mesjeta me çka trajtohen si “mbetje të fundamentalizmit islamik” , antiperëndimorë e të ngjashme), në mënyrë që në rrethanat e konsolidimeve europiano-perëndimore në rajon (veçmas atyre veriatlantike), ku nuk përjashtohen proceset e integrimeve shqiptare në formën siç u përmendën më sipër, t’u hiqet çfarëdo përkrahje e perëndimorëve atyre.

Natyrisht se përvetësimi i Skënderbeut, bashkë me mohimin e tij si hero kombëtar shqiptar, paraqet pikën më të ndjeshme të lëndimit apo edhe rrënimit të përkatësisë perëndimore dhe qytetërimit europian. Mohimi ose përvetësimi i Skënderbeut ka për qëllim që shqiptarëve t’u rrënohet shtylla kryesore identitare kulturore dhe historike, që i lidh me përkatësinë  perëndimor në rrethanat e pushtimeve osmane, kur ai shfaqet si i vetmi që nisi luftën kundër tyre.

Në këtë luftë, ndër më të mëdhatë e kohës, kur popujt tjerë kishin pranuar nënshtrimin, ndërsa shumë nga fuqitë katolike mesdhetarë të kohës, silleshin si vasalë të osmanëve ose mbanin lidhje tregtare me ta, Skënderbeu shfaqet si mbrojtës i vetëm i  krishterimit, po edhe themelues i shtetit të Arbrit, të cilin Skënderbeu, jo rastësisht e lidhte me mbretërinë  maqedonase dhe atë të Epirit, siç pasqyronte dhe përkrenarja e tij. Këto komponentë përbëjnë emblemën shpirtërore, kulturore dhe shtetërore shqiptare.

Andaj, këto përvetësime dhe denigrime nuk kanë gjithaq të bëjnë me të kaluarën, por me frikën nga e ardhmja shqiptare, e bashkimit të tyre politik dhe shtetëror mbi platformën e historisë së përbashkët mijëvjeçarë. Ajo që këto ditë, u tha nga një urim që Shqipërisë i erdhi nga Ministrisë së Jashtme e Greqisë rreth Skënderbeut “hero i përbashkët”,  nuk është urim, por një mesazh për ndërhyrjen historike te grekëve në historinë shqiptare, që do të thotë se shteti shqiptar vihet në pengun e Greqisë përballë çfarëdo ndryshimi.

Avazi i mohimit të shqiptarëve në Maqedoni nga Akademia Shkencave Maqedonase dhe disa historianë përreth, është shumë më drastik  nga përvetësimet  e natyrës diplomatike greke të Skënderbeut, ngaqë, tek e fundit, Shqipëria është shtet sovran dhe në NATO, gjë që askush nuk mund t’ia rrezikojë ekzistencën. Ndërsa shqiptarët në Maqedoni, përkundër asaj që paraqesin një popullatë autoktone, thuajse e barabartë me atë maqedonase, ende nuk trajtohen si popull shtetformues, po si pakicë “e shkëputur nga etnia”, pikërisht siç trajtohen edhe nga Akademia e Shkencave Maqedonase!

Ky diskurs manifestohet në realitetin shoqëror, institucional dhe politik, meqë barazia kushtetuese,  që u takon sipas referendumit të vitit 1992, nga politikanët e papërgjegjshëm shqiptarë, manipulohet me  “barazinë ligjore të gjuhës shqipe” në  përputhje me  varësinë e numrave! Ky tretman kushtetues, edhe  përfaqësimin politik të shqiptarëve në strukturat qeveritare në të gjitha nivelet, biznese e të tjera, nuk e përkthen në barazi faktike politike dhe institucionale pa komponentin e barazisë kushtetuese në preambulën e saj, pos që ata i kthen në instrument të politikës maqedonase për interesa të veta!

  • Ku qëndron problemi, te ata që duan ta përvetësojnë, apo te ne që nuk dimë ndoshta ta mbrojmë Skënderbeun? A u jemi përgjigjur sa duhet deri tash në mënyrë të faktuar, apo është e kotë, duke pasur parasysh “pamjaftueshmërinë” e fakteve historike në aspektin identitar?

– J. Buxhovi: Problemet janë të dyanshme, por me pasoja të njëanshme – për shqiptarët. Nuk është këtu puna që nuk dimë të mbrojmë Skënderbeun, kur atij prej kohësh  historia europiane dhe botërore ia ka dhënë vendin e vet si “kryqtar i krishterimit” dhe “zot i Arbrit”. Puna është që politika shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë, prej kohës nuk po sillet në përputhje me atë që përfaqëson figura historike e Skënderbeut, pra identitetin tonë historik dhe shpirtëror perëndimor, që ishte edhe në qendër të shqiptarizmit nga koha kur u kthye në program të lëvizjes kombëtare për pavarësi.

Sot, bota shqiptare, ndonëse me dy shtete të pavarura (Shqipërinë dhe Kosovën) ndodhet në sferën e Perëndimit (Shqipëria madje në NATO), politikisht dhe kulturalisht nuk po shfaqë  sa duhet këtë përkatësi. Madje, në disa raste, në aleanca të fshehura me islamin politik,  po sillet në petkun e Orientit! Kjo ka bërë që të në disa pjesë, ku shihet ndikimi i hegjemonizmit serb (në Luginë të Preshevës, Sanxhak dhe në disa ambiente shqiptare në Maqedoni), të shfaqet dukuria e konvertimit të identiteti kombëtar në atë fetar, pikërisht siç e ka kërkuar edhe Çubrilloviqi në Elaboratin e vitit 1937!

  • Ju jemi marrë me probleme historiografie përmes kompletit të veprave “Kosova” në përpjekje për t’i plotësuar disa zbrazëti që sipas jush historiografia ”zyrtare” nuk ka qenë sa duhet agile. A qëndroni në vlerësimin se institucionet tona shkencore e akademike në Tiranë e Prishtinë e më gjerë duhet të bëjnë më shumë, sidomos sa i përket autoktonisë së shqiptarëve që të tjerët na e mohojnë, Ku qëndron problemi?

– J. Buxhovi: Puna ime historiografike në “Kosovën” në tetë vëllime si dhe në studimin “Maqedonia nga antika deri te koha jonë” dhe “Dardania – antika, mesjeta”, paraqet një përpjekje  individuale për ta paraqitur historinë Kosovës si pjesë e historisë shqiptare, ku Dardania, në kuadër të trinomit mbretëror Ilir Maqedoni-Dardani-Epir, shfaqet si qendër e saj, siç dhe ka qenë në të vërtetë. Natyrisht se ky kundrim ka kërkuar lirimin nga diktati ideologjik dhe kornizat e historiografisë serbe si dhe paragjykimet e historiografia institucionale në Tiranë, e cila historinë e shqiptarëve e ka rrudhur në historinë e shtetit shqiptar, me çka nga trashëgimia antike janë përjashtuar Mbretëria e Maqedonisë, ajo e Epirit, ndërsa Kosova është rrudhur në gjysmë kapitulli!

Natyrisht se  kjo qasje ka kërkuar  rishqyrtime dhe të rishkrime thuajse në të gjitha kohët, prej nga konfrontimet kanë qenë të pashmangshme me tezat antishkencore të historiografisë serbe, rreth gjoja shtetit mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe autoqefalisë së kishës ortodokse serbe, që po ashtu nuk ka ekzistuar, e që një autonomi e përkohshme nga Peshkopata e Ohrit midis viteve 1219-1275, është manipuluar si “autoqefali”!

Është edhe koha e Perandorisë Osmane dhe  ajo e Rilindjes kombëtare deri te pavarësia, që ka kërkuar një shikim jashtë konceptit bardh-zi, pra që faktet historike të mos ngatërrohen me realitetet jetësore e as e kundërta. Puna ime shumëvjeçare në këtë projekt ka marrë fund. Tri vëllime të “Kosovës” janë përkthyer në anglisht dhe, bashkë me librin “Maqedonia nga antika deri te koha jonë”,  kanë zënë vend në kuadër të literaturës alternative për historinë e Evropës Juglindore në universitetet amerikane, gjë që është një konfirmim punës sime shkencore në suazat ndërkombëtare.

Por, përkthimi i veprës sime në anglisht dhe tretmani i saj në qarqet akademike, krahasuar me literaturën që vjen nga Beogradi, Moska, Athina dhe qendrat tjera, është si një pikë uji në det, ngaqë një vepër e vetme duhet të konfrontohet me qindra të tjera antishkencore. Andaj, nuk është për t’u habitur se lufta për përvetësimin e figurave tona të rëndësishme, zhvillohet paskrupullt  anash, ngaqë mungojnë vepra e autorëve shqiptarë në raftet e bibliotekave dhe instituteve  të rëndësishme botërore ku legjitimohen të vërteta historike.

Është e habitshme, madje, që kur kemi dy shtete shqiptare  dhe dy akademi shkencash, që punësojnë dhjetëra e dhjetëra bashkëpunëtorësh shkencorë me tituj bombastikë akademikë, që paguhen mirë e mirë,  nuk kemi ende një përgjigje kompetente historiografie gjithë gënjeshtrave dhe qasjes antishkencore që i bëhet nga jashtë historisë sonë! Madje, jo vetëm që nuk kemi përgjigje për to, por me mos punën serioze, kemi pranuar diktatin e tyre kundër nesh. Kjo vlen veçmas  për limitet e historiografisë sonë institucionale ndaj gënjeshtrave të historiografisë serbe rreth gjoja shtetit mesjetar serb në Kosovë, të identifikuar me Rashën e Nemanjës, kur një pjesë e madhe e autorëve të Bizantit dhe burimet e Vatikanit e identifikojnë si Rasia, Rarca e të tjera si zhupani të pavarura, jashtë çdo lidhje me shtetin e imagjinuar serb në mesjetë.

Madje edhe përkatësia e tyre Tribale, që ceket nga perandori i Bizantit Kantakuzeni dhe kronistë të tjerë të Bizantit, injorohet në përputhje me konvertimin e tyre në serbë! Nuk është vetëm  kjo çështje që e ngarkon historiografinë tonë me përgjegjësinë e rishqyrtimeve. Janë edhe të tjera, nga antikiteti dhe, veçmas tretmani i Maqedonisë dhe i Epirit në kuadër të mbretërive ilire dhe jo të përjashtimit të tyre! Këtyre çështjeve u shtohet edhe ajo e lidhjes së ilirëve me pellazgët si dhe ato të dyndjeve të popujve, me çka ndryshon optika e deritanishme e imponuar nga shkolla tradicionale e sllaviste e Vjenës, që gjurmët tona historike  të kërkohen gjetiu (të shkapërderdhura tek të tjerët, veçmas te sllavët) në vend se të jetë e kundërta, që historitë e të tjerëve të kërkohen te ne, si bërthamë e antikitetit.

  • Në fund, edhe një pyetje për një problem“të brendshëm”, shqiptar. Si i vlerësoni debatet për gjuhën standarde. Para do ditës ishte ngritur një iniciativë pikërisht nga Prishtina për “një gjuhë të përbashkët shqipe”. Formulimi i këtillë, sikur nënkupton se ne nuk kemi një gjuhë të përbashkët, sado që të jetë e kontestuar. Por, pavarësisht formulimit është fakt se gjuha shqipe po ballafaqohet me këtë problem, teza se është imponuar gjuha e ish-diktatorit po forcohet, ndërkaq nuk janë pa argumente zërat që thonë për gegërishten e flijuar etj. Ka vite që akademitë dhe institucionet gjuhësore po përpiqen të veprojnë në këtë drejtim, por ka një frikë nga ballafaqimi me problemet dhe nga kahja e padëshiruar eventuale? Si të dilet nga kjo situatë? Ku e shihni zgjidhjen.

– J. Buxhovi: Gjuha paraqet indin  identifikues të një kombi. Rilindja jonë kombëtare  jo rastësisht u mbështet te gjuha si kod i bashkimit politik dhe shoqëror. Pra, gjuha ishte ai faktori që i determinoi kulturalisht dhe politikisht me platformën e lëvizjes kombëtare që çoi te pavarësia e shtetit shqiptar më 1912. Gjuha shqipe i mbajti të ngjizur  shqiptarët  në Kosovë dhe Maqedoni, pas shkëputjes së tyre të dhunshme nga shteti i përbashkët, edhe atëherë kur ajo ndalohej dhe mohohej.

Duhet theksuar se Jugosllavia e Titos, me ndryshim nga mbretëria jugosllave, që ndalonte gjuhën shqipe në shkollim dhe administratë, në përputhje me platformën e barazisë klasore,  lejoi informimin në gjuhën shqipe si dhe shkollimin  në gjuhën shqipe, në shkollat fillore si të detyruar, ndërsa nga vitet e gjashtëdhjeta, gjuha shqipe përfshiu edhe shkollimin  mesëm për të vazhduar pak më vonë deri te nivelet universitare.

Përdorimi i gjuhës shqipe në arsim, informim, kulturë dhe administratë, kërkonte dhe një standard unifikues. Kjo ndodhi në vitin 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë. Për kohën, ishte kjo një e arritur historike që i dha shtysë të madhe bashkimit të bashkimit kulturor dhe politik shqiptar.

Me shpërbërjen e Jugosllavisë si dhe krijimin e rrethanave të reja që çuan te shteti i pavarur i Kosovës, hapja shqiptare shtroi edhe nevojën për një shqyrtim kritik të standardit të gjuhës shqipe jashtë qëndrimeve politike, siç ishin ato të viteve të shtatëdhjeta, kur dialekti toskë shërbeu si platformë për standardin e gjuhës. Por, nevoja që të rishikohet standardi në mënyrë që të përafrohen dy dialektet e shqipes, pa u rrënuar koncepti i përbashkët, nxori në pah qëndrime të kundërta: në njërën anë  mbrojtësit e standardit nga çfarëdo rishikimi, dhe në tjetrën anë, ata që rishikimin e shikonin si një veprim të natyrshëm, meqë gjuha është e gjallë.

Pra mungesa e një marrëveshjeje midis Akademive të Tiranës dhe asaj të Prishtinës për mbajtjen e një Kuvendi të ri të gjuhës, ku do të shqyrtohej përvoja e kaluar dhe do të hapeshin edhe çështjet e plotësimeve unifikuese, ku edhe gegnishtës së anashkaluar  do t’i kthehej vendi në sfondin e përgjithshëm të standardit, ka krijuar një gjendje barrikadimi të panevojshëm.  Në këso rrethana, është e pashmangshme shfaqja e iniciativave të ndryshme, që mund të bëhen të dëmshme, po qe se nuk u jepet përgjigje e niveleve akademike dhe shkencore.

Mund të them, se si  shkrimtar që iu ka gëzuar standardit kur u aprovua,  me kalimin e kohës, në romanët e mia, kam filluar ta kthej pjesoren e gegnishtës dhe shumë nga idiomat e  këtij dialekti, që paraqesin pasuri gjuhësore. Si shkrimtar, ndjej përgjegjësi që vepra ime të paraqesë gjithë pasurinë e gjuhës sonë, pa kufizime. Këtu, nuk më hy në punë standardi…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.