Disa fjalë për monografinë “Duarthatë, por gjoksin shkëmb”

0
393
Idriz Hoxhë Breznica

Zymer Mehani

(dedikuar Hoxhë Breznicës – Idriz S. Krasniqi) të autorit Fadil H. Curri

Është e pamundshme të lexosh e të mos përjetosh valë emocionesh shpirti ndër më të ndryshmet, nga bëmat e Hoxhë Breznicës nga Breznica dhe për qëndresën e familjes së tij, si dhe për heroizmin e vendësve, ndër më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik.

Monografia e shkrimtarit dhe e publicistit të talentuar Fadil H. Curri “Duarthatë, por gjoksin shkëmb”, dedikuar atdhetarit Hoxhë Breznica dhe humanizmit e sakrificës së kësaj familjeje për atdheun përgjatë historisë nëpër breza, gjer te epoka ademjashariane, bazohet në ngjarje dhe fakte të vërteta, dhe mund të themi lirisht se si libër shëmbëllen në një roman dokumentar, ngase na e rikujton një të kaluar të hidhur, të vitit 1931, që i ndodhi Familjes Krasniqi nga Breznica e Kastriotit, kur shovinistët serbo-malazezë, si kolonistë të ardhur në trojet tona, në Breznicë sollën dhimbjen e gatuar nga urrejtja patologjike e tyre ndaj shqiptarëve, konkretisht ndaj familjes së Hoxhë Breznicës në përgjithësi dhe ndaj tij veçanërisht, ku te kroi i fshatit, nga dora malazeze pamëshirshëm u lëndua vetë Idrizi dhe u vranë edhe vëllai i tij, Avdullahu e xhaxhai, Ademi.

Pra, ndodhi ajo që nuk e reprodukon mendja e njeriut të shëndoshë, që mund ta bëjë vetëm soji i shpirtit shovinist serbo-malazez, në krye me krajlin e Serbisë dhe më pas edhe me Aleksandër Rankoviqin, ministër serb i punëve të brendshme.

Nuk është fare e lehtë t’i mbyllësh plagët e zemrës dhe vrragët e kohës e t’i mbështjellësh me fasho për t’i rehabilituar, sepse të gjitha janë plagë të trazuara në kontinuitet nga e njëjta dorë mizore për gati një shekull dhe, jo rastësisht, autori, Fadil H. Curri, synarin e mendjes së tij në këtë libër e vë qysh nga dislokimi i kolonëve serbë e malazezë në Kosovë, edhe në Breznicë, prej vitit 1912 e tutje, duke u përbiruar nëpër shtjellat e historisë deri te ditët e sotme – në vazhdimësi duke u marrë me sensibilizimin e kauzës kombëtare, përtej mureve të ndaluara… Pra, z. Curri, narracionin e tij historik për Familjen Krasniqi e fillon që nga themelimi i fshatit Breznicë nga paraardhësi i kësaj familjeje, Ahmat Zymeri, në kohën kur të parët e kësaj familje, kishin ardhur në fshatin Breznicë, afërsisht para 760 vjetësh nga Malësia e Shqipërisë.

Autorit të kësaj monografie nuk do t’i shpëtojë as koha e fëmijërisë së Hoxhë Breznicës, duke kaluar nëpër ëndrrat për lirinë dhe etjen për shkollimin, me qëllim për ta kuptuar mirëfilli të ardhmen përplot andralla, me të cilat u kacafyt sa qe gjallë… Mbi këtë bazë, autori i librit na jep argumente të sakta mbi ngjarjen, duke u bazuar në rrëfimet e familjarëve të familjes Krasniqi, që u transmetuan brez pas brezi deri në ditët e sotme, për të mos u shlyer nga kujtesa jonë asnjëherë…

Me këto rrëfime të libruara, autori Fadil H. Curri detyrë vetes i ka vënë për ta dëshmuar atë që ka ndodhur mbi truallin tonë të djegur, duke e shpalosur dhimbjen për ngjarjet mizore, siç ishte edhe ajo e vitit 1931, kur kolonët malazezë, të ngulitur këtu gjatë viteve 1920 e tutje, tentojnë t’i nënshtrojnë familjet vendëse shqiptare me anë të represionit.

Siç shprehet edhe vetë autori i këtij libri z. Fadil H. Curri “Që nga ardhja e kësaj familjeje në fshatin Breznicë, arrijmë të njohim edhe historinë e saj”. Për të konstatuar pastaj se “përmes kësaj sage familjare ne shohim përpjekjet dhe luftën e këtij burri (Hoxhë Breznicës) për t’u mbrojtur nga kolonët serbo-malazezë, që krajli i Serbisë i kishte dislokuar në vitet 1920-1930, të shekullit të kaluar edhe në fshatin Breznicë, sikurse në shumë vendbanime të tjera të përshtatshme për të jetuar anembanë Kosovës”.

Dhe për të ardhur në përfundim se “Hoxhë Breznica ishte rritur në kushte të vështira ekonomike e shoqërore dhe në rrethana robërie, por gjithnjë në përpjekje të parreshtura për t’u mbrojtur nga armiqtë shekullorë, që synonin ta thyenin edhe shpirtërisht këtë figurë markante kombëtare, e që nuk ia arritën kurrë, por vetëm sa e bënë edhe më të fortë”.

Me të drejtë do të konstatojë edhe autori Curri se “natyrisht duke e lexuar këtë libër, e shohim një histori të tërë të një familjeje tradicionale, fatet e së cilës janë edhe fatet e atdheut tonë. S’do mend se ngritjet dhe uljet e familjes Krasniqi, janë edhe rrugët e ecjes nëpër tehun e shpatës së pamëshirshme të popullit, të cilit i përkiste edhe Hoxhë Breznica, gjatë tërë historisë sonë, nganjëherë tragjike e nganjëherë edhe krenare.

Po e përfundojmë këtë shkrim modest me fjalët e publicistit Fadil H. Curri se “libri është rrëfyer me gjuhën e thjeshtësisë e të dashurisë së pashuar për familjen, për atdheun dhe për kombin”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.