Duke lexuar poezitë e Engjëllushe Cane Paja

0
Dukagjin Hata

Në foto: Dukagjin Hata

Mesazhimet poetike të përjetimit dhe kujtesës

Nga Dukagjin Hata

Kur mora në dorë poezitë e poetes Engjëllushe Cane Paja, falë përkujdesjes dhe rekomandimit të mikut tim të çmuar me banim në SHBA, Qatip Mara, më bëri përshtypje “regjistri” i saj poetik, mbresat, impresionet, gjendjet nëpër të cilat ajo është endur, në kërkim të vetvetes autentike, të atyre që e kanë rrethuar dhe e rrethojnë në të kaluarën dhe përditshmërinë e saj.

Poezia është magji, por dhe jetë, përjetim, gjendje, emocion, mrekulli e fjalës, e cila buron nga shpirti fisnik, që lyp gjithëherë plotërimin dhe përsosmërinë.

Poezia është delikate dhe e brishtë, ndaj janë të rrallë poetët në kuptimin autentik të kësaj fjale dhe jo aq të shumtë lexuesit e shijuesit e poezisë.

Krahas talentit, duket se Engjëllushen e ka bërë poete largësia me vendlindjen, kujtimi dhe malli, që e kanë shoqëruar atë në rrugëtimin e saj të jetës.

Duke u distancuar nga mjedisi ku është rritur dhe ka përjetuar çaste e kohë nga më emocionalet, ajo e rivlerëson dhe e rikonfiguron kujtesën, në vargje, strofa e poezi që të bëjnë përshtypje për çiltërsinë dhe freskinë e tyre.

E larguar nga vendlindja në kërkim të një jete tjetër, ajo, tani pas kaq kohësh vetmimi, duket se po mbledh grimcat e kujtesës për t’i përcjellë tek lexuesi si mesazhime poetike.
Akti i saj estetik është i natyrshëm, nuk klith dhe nuk merr poza, ndaj poetja duket e besueshme, plotësisht e besueshme, në ato që thotë dhe komunikon me lexuesin.

Engjëllushja “shqyrton” grimca të vogla jete, çaste dhe stinë, kohë dhe ëndrra, të cilat i nxjerr nga “Kutia e Pandorës” dhe i bënë “pronë” e atyre që duan të jenë bashkëudhëtare të saj në shtigjet e vargut dhe emocionit.

Në këtë kuptim, poetja nuk kërkon eldorada kozmike dhe transhendente, por na përcjell kujtesa, imazhe dhe gjendje që janë krejt të sajat, sa fluide aq dhe të prekshme e konkrete.

Familjarët e saj, nëna, vëllai, fëmijët, nipërit, mbesat, miqtë me të cilët e lidh jeta e vështirë në emigracion, janë disa nga motivet kryesore të poezive të Engjëllushes.

Ditëlindjet, ndarjet, ikjet, kthimet, fshati i saj, atdheu, përjetimi nga larg i gjithçkaje që ndodh në “Itakën” e saj, janë disa nga qendrat e gravitetit emocional, ku vërtiten poezitë e Engjëllushes.

Në poezitë e saj ka lirizëm, ngrohtësi, thjeshtësi, temporitëm; janë poezi të shkruara, si të thuash, me lëkurë, janë akuarele me ngjyra të ndezura malli dhe mungese, ku uni poetik kërkon ekuivalencat emocionale dhe shpirtërore. Poezitë e Engjëllushe Cane Paja janë vizatime të kujtesës në kohë, gjendje dhe emocione jetësore, që siç duket e trazojnë autoren dhe e shtyjnë atë drejt relizatës poetike.

Në vargjet e poetes ka gëzim, trishtim e dhimbje, pezm e dashuri, trill e vetmi, të cilat shpërfaqen me një gjuhë të thjeshtë dhe mjaft komunikuese, e cila na mundëson shpalimin e botës së trazuar të poetes, në këtë kohë aq të ngarkuar që po përjetojmë të gjithë.
Duke lexuar poezinë e saj, të duket sikur përballesh me efektet e çlirimi nga barra e kujtesës, si në një kurë “teraupike”, pas një mpirje të gjatë e ankthi dhe ky është efekti i poezisë së zemrës, që shkruhet për të qenë mirë me veten dhe me të tjerët. ajo na ofron një mundësi për ta parë ndryshe botën, për ta modeluar atë sipas shijeve tona më të mira.

Mendoj, se përveç tematikës jetësore, që lidhet me aspekte të unit të saj të trazuar, është mënyra e të shkruarit, thjeshtësia dhe natyrshmëria e depërtimit në “lëndën e parë” të rrëfimeve të saj, fuqia e figurës dhe e mendimit poetik, ato që i bëjnë poezitë e saj të lexohen me një frymë dhe të pas-shoqërohet me rëflketim rreth të ndodhurës së bërë objekt pasqyrimi estetik.

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.